06 Maj 2025

Mbi mbretin, servilizimin, kanunin dhe injorancën

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovën e \"pavarur\": Serbia e cila e bëri Kosovën shkrumb dhe hi nuk po e huq asnjëherë organizimin e zgjedhjeve lokale dhe skupshtinore në Kosovë përkundër “kundërshtimit“ dhe bërjes be dhe rrufe të krerëve të Kosovës se nuk do të lejojnë zgjedhjet e Serbisë në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Por pastaj, për hir të ruajtjes së miqësisë së përjetshme me miqtë ndërkombëtarë dhe proceseve integruese në BE (Hamami i Hyrës), anëtarësimin në NATO (të sillesh dhe pështillesh rreth Dardhës së Ahmatit)  dhe proceseve të tjera integruese po zbutemi dhe po i  lejojmë këto zgjedhje të organizuara nga OSBE dhe të mbikëqyrura nga ambasadat e huaja dhe vëzhguesit e “ pavarur “ nga Serbia sikur edhe vëzhguesit multietnik nga Kosova.

Duhet ta pranojmë se jemi shumë zemërbutë dhe të kthyeshëm. Jemi material i përkryer për riciklim të shumfishtë. Dhe se asgjë nuk kemi mësuar nga historia.

Jo nga ajo e kaluara e lashtë por as nga kjo e fundit. Jemi  dhe kemi mbetur robër  të patriotizmit dhe politikës folklorike.

Nuk ka popull në botë që veti i thurr dhe i këndon këngë që atij i pëlqejnë pavarësisht se realiteti mund të jetë krejtësisht në kundërshtim me përmbajtjen e këngës.

Është e vërtetë se e kemi një histori krenare, të dhimbshme dhe me shumë vuajtje dhe sakrifica por është edhe më shumë e vërtetë se nuk kemi histori të vërtetë ende dhe se  historinë e kanë shkruar të pamerituarit ose horrat në shërbim të “ elitave “ politike të përbëra kryesisht nga injorantët.

Shumë shpejt i kemi harruar krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe shumë shpejt e kemi bërë një transformim të brendshëm duke u lakuriquar nga maska që e kemi ndërruar në përputhje me intereset personale.

Mbase kjo është pasojë e robërisë së gjatë dhe përpjekje për mbijetesë. Megjithatë, nuk është normale për një shtet kur ministrat e qeverisë, në rastin konkret të qeverisë së Kosovës të nacionalitetit serb e që paguhen nga buxheti i Kosovës i bashkangjiten fushatës parazgjedhore të Serbisë në territorin e Kosovës duke brohoritur të ekzaltuar në delirin shovinist se: “ Kosova na qenka zemër e Serbisë ..” dhe nuk ka reagime nga institucionet vendore e mos të flasim për ato ndërkombëtare që, edhe nëse vidhet apo mbytet një pulë e një serbi në Kosovë, përveç reagimit të Zhbogarit, ambasadorëve të Quintit, EULESH-it, lajmi shkon edhe te (Sha)  Ban ki Muni në Kombe të Bashkuara dhe bëhet pjesë e raportit tre mujor të kësaj organizate burokratike.

Mos të flasim për reagimet e Beogradit që me gënjeshtrat e saja, nuk lë gurë pa lëvizur për ta plasuar gënjeshtrën si të vërtetën absolute.

Dje, në veri të Kosovës ministrant e qeverisë së Kosovës të nacionalitetit serbë u radhitën në anën e politikës shoviniste të Beogradit kurse sot nuk pati asnjë reagim nga institucionet e Kosovës.

Ky diversion dhe sabotim i shtetësisë së Kosovës nga ministrat  shovinistë të qeverisë  nuk do të kalonte pa u ndëshkuar në një vend normal. Me këta dhe kësi ministrash doni ta ndërtoni bashkëjetesën në Kosovë ?!

Me këta dhe kësi ministrash që janë antenë satelitore e Beogradit në qeverinë e Kosovës mendoni t’i bëni shërbim të rindërtimit të paqes dhe tejkalimit të hendekut shekullor shqiptaro – serb, kurrë dhe asnjëherë!

Nuk është problemi te këta ministra që me bindje të plotë i shërbejnë Serbisë dhe me bindje të plotë punojnë kundër Kosovës por është problemi te mentaliteti ynë folklorik, flasim shumë e nuk bëjmë asgjë.

Në vendet normale, së paku deputetët e Kuvendit, si përfaqësues të intereseve të atyre që i kanë votuar për t’i përfaqësuar do të kërkonin përgjegjësi për mercenarizmin e ministrave të qeverisë së Kosovës që mendojnë dhe deklarojnë se: “ Kosovo je srce Srbije – Kosova është zemër e Serbisë apo këndojnë: “ Ko to kazhe, ko to lazhe Srbija je malla – kush thotë dhe kush gënjen se Srbia është e vogël …”.

Në vend të kësaj, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës lexojnë broçkulla që ua shkruajnë të tjerët, në vend se ta mbrojnë të vërtetën duke i shërbyer  qytetarit dhe shtetit pa bërë dallime etnike, politike apo statusit shoqëror.

Kuvendi i Kosovës është arenë e disa gladiatorëve injorantë ku disa deputetë, në mungesë të dijes elementare nuk kanë kapacitet të merren me gjëra që i interesojnë qytetarit por i nxjerrin sytë njëri – tjetrit dhe kjo është trimëria e tyre prandaj, me të drejtë shpresojnë se do të këndohet për ta.

Deri atëherë, Serbia, me zogjt e qyqes në institucionet e Kosovës do ta bëjnë punën e tyre ndërkaq ne do ta vazhdojmë luftën brenda llojit midis “ atdhetarëve “ dhe “ tradhëtarëve “.

A jemi për mbret a për president: Hashimi u zgjodh president i Kosovës. Në një shkrim timin në ditën e votimit pata treguar 13 arsye pse Hashimi do të votohet për president ndonëse ishte një mjedis ku kalohej nëpër vrimë të gjilpërës.

Dhe, pas këtij votimi Hashimi, i kundërshtuar nga opozita e “ bashkuar “ edhe në Gjykatën Kushtetuese, vazhdoi promovimin e tij nëpër Kosovë.

U “ lirua “ nga partia duke u bërë jopartiak brenda natës dhe tash vetëm po pret që Fetja t’ia dorëzojë kurorën e presidentit në mënyrë që ai të zyrtarizohet edhe me letra.

Procedura e dorëzim – pranimit të detyrës së presidentit dallon nga shteti në shtet, varësisht nga shkalla e demokracisë, shkalla e diktaturës, statusit ndërkombëtarë, mundësive materiale, pranisë së ndërkombëtarëve gjatë ceremonisë dhe gatishmërisë së popullit me ndarë gëzimin apo hidhërimin me presidentin që vjen.

Kosova, si njëra ndër vendet më të fuqishme ekonomike në botë, si përcaktues i zhvillimeve globale politike, si një shtet me demokraci jashtëzakonisht të konsoliduar, vend ku tregohen përrallat e 1001 netëve, ku ka politikanë që nuk i ka asnjë vend tjetër në botë, duhet ta bëjë ceremoninë e cila do të mbahet mend dhe e cila do të jetë madhështore, ndryshe do të bëheshim gazi lotsjellës i botës.

Mysafirët e ftuar, nëse nuk iu del ndonjë angazhim tjetër, janë të klasit të parë sikur i ndershmi Gjukanoviq, Toma Grobari, Mbytësi Ivanov, Paqeruajtësi Miroslav Dodig, Supermen Nishani dhe të tjerët më detyrojnë të jem në shesh ditën kur Thaçi ta marr shkopin e bejzbollit nga Fete Jahjaga.

Këta që nuk po i a duan të mirën Kosovës po më kundërshtojnë duke thënë se është e pamoralshme të bëhen shpenzime për këtë ceremoni kur qytetarët e Kosovës po eksplorojnë kontejnerët në kërkim të gjërave që ua shtyjnë mbijetesën për ndonjë orë e në raste më të mira edhe për ndonjë javë.

Argumenti tjetër është se Thaçi, si faktor  uniteti i padiskutueshëm që është nuk duhet të kontribuojë në destabilizim të një idile që mbretëron sot në Kosovë midis pozitës dhe opozitës.

Kosova është rast sui generis në botë ku opozita dhe pozita nuk bëjnë fare luftë për pushtet po luftojnë si t’ia dhënë pushtetin tjetrit!

Pastaj po thonë se nëse e bënë këtë ceremoni atëherë duhet të sigurohen maska për  mysafirë kundër gazit lotsjellës ndonëse disa prej tyre në vazhdimësi kanë bartur maska.

Madje, armiqët e demokracisë dhe miqve ndërkombëtarë (larg qofsha me ta)  thonë se Hashimi nuk dëshiron të bëhet president por mbret, jo i shqiptarëve si zogu i Matit, por mbret i kosovarëve si kënduesi i Halilit! 

Madje, shkojnë aq larg sa që thonë se Hashimi për model e ka marrë shtetin e Jordanisë ku, në fuqi dhe pushtetin atje e ka Mbretëria Hashemite kurse në Kosovë  dëshiron të vendos Mbretërinë Hashimite.

Nuk e besoj se e ka këtë qëllim dhe besoj se do të bëhet  një president krejt ndryshe nga ata para tij, legjitim dhe jolegjitim (shumica). Prova e parë është nëse do ta bëjë këtë ceremoni të inaugurimit ashtu siç po flitet apo do ta bëjë këtë me rastin e betimit në Kuvendin e Kosovës!

Përpjekje për një madhështi të rreme, të mohuar dhe të papranuar është mashtrim optik dhe injorancë e skajshme, intelektuale, politike, morale dhe njerëzore. Por, ta shohim!

A është Isa vet Krishti: Sipas mitologjisë Krishtin e tradhëtuan të vetët në Darkën e Fundit pasi ua rrasi barkun mirë e mirë me mish.

Ata ishin 13 apostuj apo deputetë në partinë e Krishtit. Nuk e di nëse në LDK  janë bërë ende 13 deputetë kundër Isait por një gjë e kam të qartë se në historinë e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë kryeministër që është sulmuar që nga dita e parë sikur Isa. E kanë sulmuar në zyrë, në rrugë, në shtëpi dhe në familje!

Aspak nuk njihem si përkrahës i LDK-së dhe kurrë nuk jam pajtuar me konceptin politik të kësaj partie para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës mirëpo jam i vetdijshëm se për proceset politike në Kosovë një LDK e reformuar dhe e freskuar me kuadro të reja është e dobishme dhe e domosdoshme.

Nuk mund ta gjeni një figurë politike më të kontestuar në kohën kur LDK-në për herë të parë e bëri me postin e kryeministrit dhe me qeveri.

Në kohën e VLAN-it cilësohej si akademik i nderuar deri sa ishte pjesë e koalicionit dhe pasi bëri koalicion me PDK –ë u shpall tradhëtari më i madh i popullit shqiptar.

Ky është morali ynë, sa të kanë nevojë të ngrejnë në qiell dhe kur nuk iu duhesh të varrosin për së gjalli. Hipotetikisht, nëse Isa Mustafa do të pranonte të bëhej partner me opozitën automatikisht do t’i hiqej cilësimi tradhëtar i popullit.

Ky është morali ynë. Isa Mustafa nuk bëri asgjë që nuk e bënë dhe nuk po e bëjnë liderët tjerë politikë, marrjen e pushtetit dhe krijimin e një mjedisi që do ta përkrahë në marrjen e çdo vendimi e që quhet servilizëm.

Ai i bëri deputetë disa persona që para kësaj as që e kanë ditur se ku është Kuvendi i Kosovës e të cilët sot e kundërshtojnë! Ai e bëri ministër të Shëndetësisë personin që as në filmat për Frankeshtajnin nuk do të bëhej ministër.

Nuk e kam të qartë pse Isa do të duhej të cilësohej tradhëtar pse bëri koalicion me PDK e nuk është tardhëtar kur bëri koalicion me VLAN-in.

Po ai Isë ishte atëherë dhe është i njëjti tani!  Në  sistemin zgjedhor që e kemi sot në Kosovë, partia të bënë mbret, partia të bënë shkret! Shumë deputetë të LDK, PDK, LVV, AAK, Nismës, pa përkrahjen e partisë as që do të bëheshin deputetë sepse partia t’i sjellë votat, partia t’i merr votat.

Kredibilitetin para votuesve mund ta dëshmoni vetëm nëse i fitoni votat si kandidat i pavarur e kjo nuk ka ndodhë në Kosovë përveç Rufki Sumës në Han të Elezit. Isës i kanë mbetur këmbët e arushës në duar.

Në Ballkan dhe në Kosovë si pjesë e saj, politikanët kryesisht notojnë dhe mbijetojnë në ujëra të zeza. Faturën politike e marrin të gjithë ata që e meritojnë dhe nuk mund t’i shpëtojnë nëse kanë bërë politikë të dëmshme.

Sa më shumë që vonohet fatura, çmimi i përgjegjësisë do të rritet ama do të paguhet. Te shqiptarët ka qenë një rregull e pashkruar që mos të ndërhyhet në çështje familjare e cila është respektuar në të shumtën e rasteve.

Ragip Mustafa, si vëlla i kryeministrit Mustafa, në shtrat të vdekjes u bë protagonist medial ndonëse më parë askush nuk pati shkruar për te  përkundër një moshe që e kishte.

Ragip Mustafa u përdor për ta pushkatuar Isën dhe për ta rrëzuar qeverinë ndonëse një numër i këtyre që shkruajnë kanë kërkuar shërim për familjarët e tyre edhe në Beograd dhe askush nuk u mor me ta.

Ka edhe patriotë të certifikuar që kanë qëndruar për shërim në Beograd pasi paraprakisht ishin pajisur me dokumente të Serbisë. Shpirti është i ëmbël dhe ai që kërkon shpëtim kruhet edhe për ferre. 

Shkruaj që shtatë vjet rregullisht për media dhe kurrë nuk jam marrë me familje të atyre me të cilët nuk jam pajtuar sepse e konsideroj si diçka të ligë dhe jonjerëzore. Madje, çdo herë që dikush i ka sulmuar duke i shfrytëzuar familjet e tyre, kam dalë në anën e tyre.

Të përfitosh apo të gëzohesh për fatkeqësinë e tjetrit ështe shprehje e karakterit të ulët që nuk e bëjnë ata që kanë dinjitet.

 Duhet të bëhet një prerje midis përgjegjësisë së Isa Mustafës si kryeministër i vendit dhe përpjekjes për të gjetur shërim dhe shpëtim për vëllain e tij i cili nuk është trajtuar me para të shtetit në ndërkohë që shteti do të duhej të siguronte kushte dhe mundësi për trajtimin e tij.

Shteti ka dështuar në sigurimin e kushteve për trajtim profesional shëndetësor të qytetarëve, jo në kohën e Isës por që nga përfundimi i luftës e deri më sot! Sot, me rrënimin e vlerave, as fëmijët tuaj nuk të pyesin e lëre më anëtarët e familjes.

Ne i marrim si model të demokracisë shtetet evropiane dhe pas sulmit terrorist në Bruksel më bëri përshtypje një tregim i një nëne të një xhihadisti që e kishte denoncuar të birin në policinë belge duke kërkuar që ai të arrestohej dhe të mos lejohej të shkojë në Siri.

Përgjigja e policies belge ishte se :” i biri juaj është 23 vjeçar dhe nuk kemi të drejtë t’ia kufizojmë lirinë e lëvizjes dhe ai mund të arrestohet vetëm nëse ka dëshmi se ka kryer vepra penale “.

Mendoj se Isa Mustafa nuk ka pasur fare nevojë ta thërras gazetarin me telefon, as për t’u sqaruar e as për t’iu kërcënuar siç ka deklaruar gazetari.

Vet Ragip Mustafa, me intervistën në shtrat të vdekjes është dëshmia pse ka qenë i detyruar të shkojë në Gjermani dhe të kërkojë azil (5 ditorë).

Ka qindra raste kur qytetarët e Kosovës, në mesin e tyre edhe politikanë dhe zyrtarë publikë kanë kërkuar azil dhe janë trajtuar me vite në shtetet perëndimore madje edhe duke folur zi e më zi për vendin e tyre dhe askush nuk merret me ta.

Përgjegjësia është për punën që e bënë apo që nuk e bënë si duhet dhe askush nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për personat e moshës madhore përkundër lidhjeve familjare që i kanë përveç faktit nëse keni kontribuar personalisht. Kështu ndodhë në të gjitha vendet e botës!

Zhvillime dramatike në Kosovën multietnike: Donika u largua nga AAK-ë duke e lënë partinë të befasuar.

E vërteta është se Donika ka qenë epiqendër e zhvillimeve politike në Kosovë në 7 muajt e fundit prandaj, pas tërheqjes me pagesë të AAK-së nga Kuvendi i Kosovës, nuk ka mundur ta paramendojë të mbesë nën hije deri në fund të mandatit.

Flitet se do të aterrojë në LVV apo në Grupin 6+ Shaipi. Po presim por nuk do të ketë zhvillime dramatike.

Kosova sot po përballet me dy probleme kryesore dhe dy pritje - shpresa kryesore, se kur do ta formojë  partinë politike Dukagjin Gorani dhe se kur Tomë Gashi do të bëhet anëtar i LVV. Pas kësaj do ta kemi shumë më lehtë.

Protestat e opozitës së “  bashkuar “ do të mbahen me 26 mars kurse protestat tjera mbase me 1 maj. Sipas kalendarit të ditëve të shënuara dhe festave.

Kadri Veseli ka një ofertë serioze për opozitën: “ mblidhni mendtë sa nuk ju kanë humbur dhentë (deputetët)  “.

Opozita ka një kërkesë për pozitën: “ shkoni te shpija se ju ka qitë nëna flija “ të cilat nuk i keni në Dubravë dhe Dyz dhe

Dështoi zgjedhja e rektorit por nuk dështoi vjedhja e zyrave të rektorit.


        
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)