Matrapazët blejnë kur matrapazët shesin
Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje
Në procesin e rrejshëm të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë, Lëvizja Vetëvendosje! e vetme pati kundërshtuar këtë proces, i cili në vend se ta hiqte mbikëqyrjen përmbi pavarësinë e Kosovës, vetëm sa e riformatizonte atë duke ia zgjeruar veprimin përmes formalizimit të kategorisë së përfaqësuesit ndërkombëtar. E jashtmja përbrendësohej, duke i dhënë karakter të përhershëm asaj që ishte menduar të jetë e përkohshme.
Atëkohë, bëmë thirrje publikisht për pesë muaj rresht, që të hiqej nga ligjet e Kosovës përfaqësimi ndërkombëtar në borde e institucioneve publike, e veçanërisht në Bordin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).
Kjo me arsyetimin se përfaqësuesit ndërkombëtar në Borde gjithnjë do të përfaqësojnë interesat e shtetit prej nga vinë para se të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe se përfundimi i mbikëqyrjes nënkuptonte së pari largimin e tyre.
Më 4 shtator 2012 u votua ligji që ndryshonte 21 ligje të ndryshme, e në të cilin u pranua nga deputetët e pozitës dhe opozitës (përveç Vetëvendosje!-s) vazhdimi i kategorisë së ndërkombëtarit në ligjet e Kosovës.
Në 5 prill 2013, pas një debati parlamentar, Grupi parlamentar i Vetëvendosje!-s i propozoi Kuvendit, Rezolutën ku shpallej pavlefshmëria juridike e të gjitha kontratave dhe marrëveshjeve, përmes të cilave është bërë tjetërsimi i pronës publike dhe shoqërore nga 22 mars 1989 deri më 10 qershor 1999. Kjo rezolutë nuk u miratua dhe vendimet e marra në kohën e regjimit të Millosheviqit mbetën në fuqi.
Aktivisht kundërshtuam dhe vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës kur pranoi vendimin e Gjykatave të Serbisë gjatë viteve 90-të për Manastirin e Deçanit, duke theksuar se ky pranim riaktualizonte fuqinë juridike të vendimeve marrë prej regjimit pushtues e të dhunshëm të Serbisë në vendin tonë. Në këto vendime përfshihen edhe shumë vendime të Millosheviqit për Trepçën.
Prej fillimit të negociatave, Vetëvendosje! i ka kundërshtuar ato duke theksuar se kur Qeveria në emër të shtetit pranon të negociojë për funksionimin e brendshëm e për një pjesë të territorit, me një shtet të huaj si Serbia, atëherë në fakt është duke pranuar që për çdo gjë e për gjithçka do të duhen negociata e leje edhe nga Beogradi.
Praktikisht për veriun e Kosovës dhe për asociacionin e komunave Qeveria në Prishtinë dhe deputetët që e votuan tekstin e marrëveshjes, kanë pranuar se ka sovranitet të dyfishtë me Serbinë.
Duke marrë parasysh të gjitha këto vendime nuk është e rastit që një kompani e dyshimtë, e panjohur, me adresë inekzistente (e ngjashme me ACP Axos) të nënshkruajë marrëveshje në Beograd për investime në Trepçë.
Kompania e pronarit Kathuria, New Generation Power, tha se ka mbështetjen e Departamentit të Shtetit dhe se shumë shpejt do ketë marrëveshje edhe me Qeverinë e Kosovës. Kathuria nuk është i panjohur për publikun shqiptar.
Në 1999 i njëjti me një kompani tjetër fantome New World Telecom, kishte tentuar që në një skemë të ngjashme të bënte investime në AlbTelekom në marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë. Edhe atëbotë ishte thirrur në mbështetjen e Departamentit të Shtetit.
Për Kathurian, për të cilin kanë shkruar edhe gazeta të njohura amerikane, patën reaguar shumë shqiptarë, në mesin e tyre shumë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan të cilët i shkruan Kongresit, Senatit dhe Departamentit të Shtetit për të kërkuar sqarime rreth këtij investitori fantom. Falë intervenimit të tyre ajo marrëveshje nuk u realizua.
E ashtuquajtura marrëveshje midis Kathurias dhe Ministrit të Resurseve Natyrore dhe Minierave të Serbisë, Millan Baçeviq, vjen si pasojë e veprimeve e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe negociatave në Bruksel. Faktorizimi politik e ekzekutiv i Serbisë brenda Kosovës, që ndodhi gradualisht përmes negociatave e që u kurorëzua me marrëveshjen e 19 prillit, e inkurajoi Serbinë që të sillet sikur ka pushtet sovran përmbi Kosovë. Bordi i AKP-së i politizuar e i ndërkombëtarizuar vështirë se mund të reagojë.
E Qeveria e shantazhuar e Kosovës më me rëndësi e ka të mbetet në pushtet e larg nga burgu se sa ta mbrojë Trepçën nga plaçkitësit e matrapazët.
Për këtë tregon më së miri gatishmëria e Hashim Thaçit që sot sikur të mos ketë ndodhur asgjë takohet sërish me Daçiqin, ministrat e të cilit bëjnë marrëveshje për Trepçën me palë të treta.
Lëvizja Vetëvendosje kurrë dhe asnjëherë nuk do të pranojë marrëveshje të tilla për pasuritë e Kosovës. Në këtë kohë të matrapazëve ata edhe mund të bëhen se i shesin, e matrapazë të tjerë edhe mund të bëhen se po i blejnë por ato janë dhe do të mbeten pasuri e popullit dhe shtetit të Kosovës.