Marrëveshja për parime apo parimet për marrëveshje
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Ra ky ngërç dhe u pa se:
Kaluan 100 ditë qeverisjeje jo të plotë të një qeverie në detyrë apo në ikje siç kanë dëshirë ta quajnë ata që duan ta zënë vendin e tyre apo qeverisë në hije e cila dëshiron që të vendoset nën diellin qeveritar ndërsa ata që janë duke qeverisur, ti vendosë nën hije!
Ndërrim vendesh ( fotelesh ) e jo ndërrim mentaliteti qeverisës apo cilësi të re. Koalicioni paszgjedhor të vetmën ofertë qeverisëse e ka se: nuk do të ketë Thaçi 3 duke mos ofruar asgjë konkrete për ta fituar përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.
Inatet personale në të dyja blloqet kanë qenë mbi intereset e përgjithshme prandaj, për pasojë kemi fillimin e një paralize si hyrje të vdekjes klinike të Kosovës.
Koalicioni parazgjedhor, ndonëse i fitoi zgjedhjet, ia krisi gjumit duke menduar se të gjithë të tjerët do të trokasin në dyert e saj duke u ofruar si partnerë për ndërtimin e institucioneve në vend se, ende pa u bërë certifikimi i rezultateve nga KQZ është dashur të fillojnë bisedimet me parnerët e mundshëm duke u ofruar mundësi dhe poste konkrete.
Po të vepronin në këtë mënyrë institucionet do të formoheshin shumë shpejt. Koalicioni paszgjedhor i quajtur herë LAN e herë VVLAN ishte dhe mbeti krejtësisht koalicion joparimor që nuk e kanë asnjë pikë të vetme të përbashkët programore përveç se nuk do të ketë Thaçi 3.
Ishte dhe mbeti një koalicion agresiv që kërcënonte të gjithë ata që nuk ishin me ta duke ofruar një perspektivë të dhunës, në emër të zbatimit të ligjit ndonëse një pjesë e madhe e këtij koalicioni nuk ka raporte aspak miqësore me ligjin !
Në një shkrim më herët pata shkruar se aspak nuk do të qajë nëse këta që janë në pushtet do të largohen nga pushteti sikur që aspak nuk do të gëzohem që këta që duan ta marrin pushtetin do ta bëjnë këtë!
Dallimi midis dy blloqeve nuk është i natyrës përmabajtësore por dallojnë në formën si e kanë ambalazhuar ( paketuar ) këtë përmbajtje.
Koalicioni parazgjedhor shumicën e kohës e ka kaluar në heshtje përveç angazhimit part time të disa vuvuzelave që kanë prodhuar vetëm zhurmë e jo rezultate konkrete.
Gjithashtu kam shkruar se Isa Mustafa nuk mund të bëhet kryekuvendar pa pëlqimin e Hashim Thaçit sikur që as Ramush Haradinaj nuk do të bëhet kryeministër pa pëlqimin e Thaçit 2.
Sikur që çdo përrallë e ka fundin, duket se edhe kësaj përrallës së koalicioneve po u vjen fundi. Jo ashtu si e kanë planifikuar por e kundërta e saj.
Nëse kësulkuqen e shpëton gjuetari nga ujku i keq në tregimin për Kësulkuqen, në përrallën e koalicioneve pikërisht UJKU me ULKONJËN, në koalicion me Gjuetarin do ti hanë kësulkuqët dhe leshkuqët e politikës kosovare! Politika nuk është lojë e pokerit ku luhet sipas parimit: të gjitha ose asgjë .
Politika është lojë ku fitohet ajo që është e mundur për ta fituar dhe nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi atëherë mbeteni me gishtërinj në gojë dhe xhepa të zbrazur
në opozitë! Pikërisht këtë e urren edhe pozita aktuale sikur edhe opozita aktuale!
Po të luante këtë lojë politike opozita dhe ta votonte Agim Aliun për kryetar Kuvendi, që në votimin e parë, sot opozita do ta drejtonte qeverinë!
Çdo ditë e humbur për opozitën ia ka larguar postin e kryeministrit për 1 km. më larg ndërkaq që postin e kryetarit të Kuvendit kanë mundur ta fitojnë vetëm në konferenca për medie dhe në takimet e tyre të përditshme.
Edhe nëse hipotetikisht opozita do ta drejton qeverinë ( për çka nuk e besoj se do të bëhet pa një marrëveshje politike me PDK-në ), jam i sigurt se nuk do të mbajnë mbledhje aq shumë sa që kanë mbajtur këto 100 ditë nëpër kafenetë, restorantet, çajtoret dhe lokalet tjera prestigjioze duke shtruar dreka dhe darka për komunitetet joserbe dhe Listën Srbska, anëtarëve të cilëve u janë rritur yndyrërat ( kolesteroli ) në gjak për shkak të ushqimit të begatë për të përfunduar në Kuvendin e Kosovës ku Grupet Parlamentare kanë çerdhet e tyre.
As koalicioni parazgjedhor nuk është treguar aspak kërrnac kur është dashur të shtrojnë dreka dhe darka për komunitetin joserb dhe Lista Srbska. Duket se në këtë mes ka pësuar më së shumti Nenad Rashiq të cilin nuk e kanë ftuar shumë në këto tryeza ushqyese ku përcaktoheshin se kur dhe si do të formohen institucionet e Kosovës.
U vërtetua se nuk ka luftë më të forte dhe më të ndyrë se lufta për pushtet. Aty shkelen të gjithë skrupujt, shkatërrohen miqësitë shumëvjeçare, krijohen armiqësi të paqena, forcohen përkohësisht ( për një përdorim ) llaskucët e të gjitha llojeve dhe gjitha profesioneve, të mençurit u shërbejnë budallenjve për një premtim, shpalosen ide dhe qëllime që nuk mund të paramendohen në një vend normal, e drejta kanunore është mbi të drejtën kushtetuese, ligjin e bëjnë dhe zbaton nëntoka e shndërruar në forcë politike dhe shumë gjëra të tjera për qëllime patologjike dhe të ambalazhuara me porosi fisnike !
Si në bahçe të babës..: Nuk e kuptoj se si mund ti premtoni dikujt postin e kryetarit të Kuvendit kur e dini se teknikisht e lëre më praktikisht do të mund ta realizoni.
Ose, pas dy vjetëve se do ta bëni president kur dihet se në Ballkan dhe Kosovë si pjesë e saj, dy vjet janë shumë të gjata.
Pastaj, nuk e di se si mund të besoni edhe ju që u janë premtuar këto dy poste se do të realizohen kur kjo nuk varet nga ju!
Apo, morbiditeti analitik dhe anarkist se mund ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit të pozitës që gjatë të së njëjtës seancë ta shkarkojmë atë për ta zgjedhur kandidatin tonë! Pse atëherë janë ligjet dhe Gjykata Kushtetuese, si autoritet suprem i interperetimit të ligjeve dhe Kushtetutës!
Tutje, ta zëvendësojmë Florën që nuk po e bënë Isën kryetar Kuvendi ( e që nuk mund të bëjë edhe po të doje ) e ta bëjmë tetka Millkën e Leposaviqit sepse ajo po e bëka Isën kryetar Kuvendi! E bëri, por dështoi! Sikur që do të dështojë në çdo përpjekje të radhës! Flora Brovina është sulmuar dhe fyer pa asnjë arsye.
Madje, më së shumti është fyer nga deputetet, kolege të saj. Është fyer shkaku se për arsye të moshës është detyruar ta drejtoi seancën. Të cilën nuk ka mundur ta drejtojë ndryshe gjë që i ka dhënë plotësisht të drejtë Gjykata Kushtetuese!
Po të isha në vend të Flora Brovinës, anëtare e PDK-së, as që do të mirrja pjesë në seancën e radhës së Kuvendit ku parashihet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit!
Nga mosha, pas saj është tetka Millka e Lista Srbska e cila e zgjodhi Isa Mustafën kryetar Kuvendi për nja 6 minuta! Hiç më shumë.
Nëse mungon Flora e PDK së, tetka Millka e LS sigurisht se nuk do ta bënte gabimin e njëjtë prandaj radha do ti vinte Muhamet Mustafës të LDK së, sipas moshës, bashkëpartiak dhe jaran i Isës që ta propozonte Isën për kryetar! A do ta bënte këtë?!
Nuk e besoj! Muhameti është trim por nuk është aq trim i çartun ta ulë Isën në shkam që nuk i takon! Por nuk e besoj se edhe Isa do të pranonte të ulej në të njëjtin kunj sepse dhemb dhe kushton.
Duhet ta keni parasysh faktin se Isa dhe Muhameti, me të njëjtin mbiemër, nuk kanë përfunduar kurse të natës dhe nuk kanë fituar tituj shkencorë duke shkuar në fakultet me kallash, në vend të indeksit, por kanë përfunduar shkollimin në universitete më prestigjioze në ish Jugosllavi duke doktoruar në Shkollën e Kumrovcit!
Keni mundur të fyeni si dhe sa të doni duke akuzuar Florën se e ka kapur Kuvendin, e ka kapur GJK, e ka kapur ligjin, e ka kapur Kushtetutën, e ka kapur seancën e shumë broçkulla të tilla!
Këto 100 ditë folja më e përdorur në Kosovë ka qenë me kapë. Interesant shumë, në një mjedis impotent të veprimit është përdorur një folje shumë potente pikërisht nga femrat deputete dhe meshkujt impotent!
Kosova është vend ku mund të fyeni sa të doni, të shpikni çfarë të doni dhe të mos ndëshkoheni! Madje, kjo është biletë hyrëse për të ndërtuar karrierë politike apo akademike! Sot në Kosovë është kohë e artë për injorantët e të gjitha profileve prandaj, lavdi marrisë dhe rrofshin injorantët!
Rroftë shoku Carolan, aktivist i VV i cili për shkak të Parimeve të larta morale ( 25000 Euro ), profesionale, jomateriale u tërhoq nga Gjykata Kushtetuese për tu rikthyer vetëm pasi e nënshkroi Marrëveshjen për Parime.
Ai e dëshmoi se parimi ( euro ) është parim dhe se nuk ka lojë me parime! Rrofshin të gjithë ata që e përkrahën aktivistin e VV, shokun Carolan në mbrojtje të parimeve duke i dhënë përkrahje morale dhe mediale! Edhe këta e dëshmuan me veprën e tyre se nuk dallojnë fare nga aktivisti i VV, shoku Carolan në mbrojtje të parimeve!
Çka mund të bëhet: Mund të bëhet deti kos e që nënkupton se Isa mund të bëhet kryetar i Kuvendit! Apo, Antartiku të bëhet pjesë e shkretëtirës së Saharasë e që nënkupton se Hashim Thaçi, Ramush Haradionaj apo Isa Mustafa të marrin postin e kryeministrit.
Pa një marrëveshje politike. Dikush prej këtyre tre asëve apo njëshave duhet të bjerë nga loja nëse arrihet marrëveshja politike. Dikush duhet të ngelë.
Deri te zgjedhjet e radhës. Duhet të shkelet Kanuni i Lekës për tu respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Këtu, nëse nuk vepron shpejt viktima kryesore do të jetë Isa Mustafa. Ai vërtet mund të mbes me duar në xhepa nëse nuk vepron shpejt dhe nuk demonstron një sens politik që e kërkon realiteti!
Nëse mbetet pjesë e orkestrit të Ismetit, Hakiut, Bardhylit, Bajramit, Liries e do të tjerëve që kanë lëshuar rrënjë afër shtogut, e pati puna e Isës dhe LDK së! Këta, duke e marr ushqimin për rritën e tyre po e shndërrojnë LDK në në një parti xhuxhe!
Ndërkombëtarët do ta pranojnë çdo marrrëveshje që është në përputhje me ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndërsa nuk e besoj se do ta pranojnë marrëveshjen e arritur me besa besë, besën ta kam dhënë, për karriken e parë, në lloq kam me të lanë e që nënkupton variantin e bastarduar të Kanunit të Lekës! Hashim Thaçi dhe koalicioni PDK mund ta bëjnë Isën kryetar Kuvendi dhe ta veshin Ramushin ( ndoshta ) me postin e dëshiruar! Tash, këta le të zgjedhin!
Nëse nuk merren vesh atëherë do të detyrohen ta votojnë kandidatin e PDK së për kryetar Kuvendi ndërsa kryeministër nuk do të jetë asnjëri prej treshes së njëshave ( asëve ) por dikush që tërë kohën sillet nëpër proceset e Kosovës sikur pordha rreth tlinave! Përralla janë janë 126 dhe 127 sikur që do të ishin përralla edhe 128, 129,
.etj.
Tash është koha që të hyhet në pazare për ata që duan poste dhe që çdo gjë e kanë bërë për një post të shkretë dhe të mjerë! Urdhëroni, pazari është i hapur deri të enjten në ora 10.00, nëse nuk shtyhet afati!
Zgjedhjet nuk po i do askush përveç PDK së, AKR-së dhe deputetët që nuk e kaluan pragun zgjedhor të LDK së, AAK së dhe disa deputetë të PDK-së të cilët për arsye se nuk investuan sa duhet dhe e bënë llogarinë gabimisht mbetën jashtë pragut.
Nëse shkohet në zgjedhje unë do të votoj për Burim Ramadanin, Ahmet Isufin dhe Ardian Gjinin e AAK-së, Bajram Gecajn dhe Bardhyl Metajn të LDK-së dhe Halit Krasniqin e PDK-së. Për Halitin kam obligim moral se kam qenë në burg me te ndërsa për këta të AAK së për arsye se na i prishën veshët dhe na tranuan me deklarata. Është fat i madh që Ismeti u zgjodhë deputet i LDK- së dhe nuk e kam hallin e tij ndërsa urgjentisht, për shkak të ruajtjes së qetësisë, situatës së sigurisë në Kosovë, rajon dhe në botë duhen të rahatohen BB ( Bajrami dhe Bardhyli ).
Ndryshe, do të harrohen zhvillimet në Siri nëse vazhdon radikalizimi dhe disponimi luftarak i këtyre dy reformuesve të LDK-së. Kam shpresuar se këta të dy do të jenë bartës të reformave brenda LDK-së por e pranoj se jam ndër lule. E kam huqur krejtësisht parashikimin tim. Me parë do të reformohet ajatollahu Kamnei dhe Hezbollahu duket, se këta të dy.
Nëse është vërtet kështu pse
? Kur ti krahasoni deklaratat se institucionet dhe shteti qenka kapur nga PDK dhe SHIK-u, se Enver Hasani është kapur nga të gjithë të lartpërmendurit, se nuk do të rrimë duarkryq nëse Flora Brovina dhe PDK e kapin edhe më tutje Kuvendin dhe GJK, se GJK është i përbërë nga fundërrinat, se nuk duhet të përfillet GJK e kapur nga krimi, se do të arrestojmë pasi ta marrim pushtetin, se do të blejmë deputetë, se duhet ta dobësojmë presidenten dhe GJK deri në çlirimin e saj, se kemi të bëjmë me një presidente të zarfit e kapur nga PDK, se duhet të protestojmë sikur në kohën e Millosheviqit e shumë të tjera dhe për të cilat prokuroria heshtë duke mos vepruar fare atëherë nuk e kam të qartë pse mbahet në paraburgim Fuad Ramiqi dhe disa imamë të tjerë që e kanë pasur gjuhën shumë më të moderuar se politikanët aktualë apo ata që mendojnë se po merren me politikë! Edhe Fuadi në Klan Kosova ka thënë se nuk do të rrinë duarkryq!
As më pak e as më shumë!
Kontributi i Kosovës në luftë kundër ISIS: Kosova është radhitur në anën e aleancës demokratike në luftë kundër terrorizmit.
Madje, së fundi u bë lajmi nr.1 në botë kur i futi sanksione Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë! Ne nuk humbim asgjë në këtë rast sepse i humburi nuk ka çka të humbë! Ndërkaq, Rusinë e kemi mbështetur për muri! Mjerë i ligu sa i fortë është!
Tash nga ne kërkohet angazhim konkret në Siri në luftë kundër kalifatit të El Bagdatit. E kam një propozim konkret për këtë angazhim që do të tregojë seriozitetin tonë së bashku me përkushtimin. Për fillim ti dërgojmë kalifët tanë ( që e kanë ndarë Kosovën në kalifate ), Hashimin, Isën, Ramushin, Albinin dhe Fatmirin e pastaj shohim. Aleanca dhe Siria do të fitonin shumë ndërsa as Kosova nuk do të ishte humbëse e madhe !