Marrëveshja e Brukselit 27 shkurt 2023 dhe aneksi për zbatimin e saj
Analizë nga Instituti për Lidership Civil - iLC
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj e dakorduar në Ohër nuk janë
marrëveshje ndërkombëtare, pasi në thelb kanë rregullimin e raporteve të brendshme
në Kosovë dhe jo raportet ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë.
E vetmja pikë, në të cilën kjo marrëveshje rregullon raportet ndërshtetërore është
impenjimi për mospengim në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
nga Serbia dhe njohja e ndërsjellë e simboleve, dokumenteve, diplomave dhe targave
të automjeteve. Sa i përket njohjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, kjo pikë
është në preambulë dhe jo në dispozitiv të marrëveshjes.
Detyrimet e palëve: Zbatimi i nenit 7 të marrëveshjes fillon brenda 30 ditëve
nga një komitet mbikëqyrës i përbashkët i kryesuar nga BE-ja. Kjo nënkupton se
duhet të themelohet një sistem i duhur vetmenaxhimi për komunitetin serb në
Kosovë. Me fjalë të tjera, këto janë të drejta vetqeverisëse, pasi shprehja
vetmenaxhim ka kuptim teknik dhe nuk ka kuptim juridik (neni 12 i Kushtetutës së
Kosovës), ndërsa fjala është për të drejtat politike të komunitetit serb. Shto kësaj
edhe pikën 10-të marrëveshjes, sipas së cilës duhet të zbatohen edhe të gjitha
marrëveshjet e arritura deri më tani, pra edhe marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në
Bruksel, për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Poashtu, në
këtë nen është edhe detyrimi për njohjen e statusit për Kishën Ortodokse Serbe
(KOS) në Kosovë.
Cilat janë implikimet e këtyre detyrimeve: Është tejet e rrezikshme për
sistemin unitar te Republikës së Kosovës, implementimi i nenit 7, të marrëveshjes
bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ku flitet për
2
“Self-Management” e që nënkupton: aftësinë e një personi ose grupi, për të ushtruar
të gjitha funksionet e nevojshme rregulluese për vetëqeverisje, vetadministrim ose
vetkontroll, pa ndërhyrje nga një autoritet tjetër i brendshëm ose i jashtëm. Dhe
poashtu, i njejti nen flet edhe për Kishen Ortodokse Serbe (KOS). Ky nen, ashtu si
në aspektin politik, edhe kishes në aspektin religjioz, mund t’i jap shans dhe shkas
për të ndërmarr veprime të cilat do të dergonin Kosovën drejt defunksionalizimit.
Pra kemi të bëjmë me tri lloje të autonomive, atë Politike, Juridike dhe
Religjioze për serbët. Kjo nuk do të përbënte problem për një vend si Suedia, për
një komunitet brenda saj, por kur kemi parasysh rajonin e Ballkanit, rastin e
Kosovës dhe për cilin komunitet bëhet fjalë, që i njejti me presion dhe direktiva
direkte nga Serbia, asnjëherë nuk ka qenë konstruktiv deri më sot, logjikshëm lind
pyetja: Çka janë në gjendje me vepru ky komunitet përmes këtyre tri llojeve të
autonomisë dhe eks-territorialitetit? Serbët e Kosovës, të cilët në rastin më të mirë,
menaxhohen nga Beogradi politik dhe në rastin më të keq, nga strukturat e tij
kriminale, do të duhej të vetëdeklaroheshin se kanë mjaft të drejta dhe e gjitha çka
është e nevojshme nga ta, është të dinë t’i materializojnë ato.
Kosova duhet të themeloj një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe
përmes një vendimi të Qeverisë, të cilin nuk do të mund ta anuloj më. Statuti i këtij
Asociacioni duhet të kaloj testin e përputhjes me Kushtetutën e Kosovës, sipas
parimeve të marrëveshjes së vitit 2015. Organet, përbërja, kompetencat dhe
përgjegjësitë e këtij Asociacioni janë dakorduar në marrëveshjen e vitit 2013.
Shumica e këtyre kompetencave gjenden edhe tani tek komunat e Kosovës të
drejtuara nga serbët, kjo sipas Aneksit 5 të Planit Ahtisaari (kompetencat e
zgjeruara), por si përjashtim nga këto paraqet fakti për financimin e tyre të
drejtpërdrejtë pa taksa dhe tatime, nga Serbia. Pra, komunat në përbërje të
Asociacionit do të kenë kompetenca për çështje të arsimit fillor dhe të mesëm,
shëndetësi, kulturë, zhvillim rural dhe urban dhe mundësi financimi nga Beogradi.
Se si do t’i ndajnë kompetencat e tyre komunat dhe asociacioni mbetet të shihet në
praktikë dhe varësisht nga kompetencat qe do t’i japë Statuti i Asociacionit. Një gjë
është e sigurt, se komunat në përbërje të asociacionit do të kenë edhe një institucion
tjetër në mes tyre dhe pushtetit qendror, që në fakt paraqet nivel të ri të pushtetit, e
që mund të ndërhyjë në punët dhe çështjet e brendshme komunale duke ua
3
imponuar atyre qëndrimet dhe objektivat në nivel të asociacionit. Një gjë e tillë nuk
është e mundur të bëhet pa ndryshim të ligjit për vetqeverisjen lokale (neni 12, par.2
i Kushtetutës), prandaj me hartimin e asociacionit duhet të ndryshohen edhe ligjet
përkatëse për vetqeverisje lokale, për të krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore
për funksionim të asociacionit në kuadër të sistemit unitar dhe juridik-kushtetutës të
Republikës së Kosovës.
Statusi i KOS dhe pronësisë mbi objektet e kishës ortodokse serbe në Kosovë
poashtu pritet të jetë pjesë e rregullimit me akte juridike. Kushtetuta e Kosovës e
sanksionon si shtet laik dhe nuk njeh asnjë religjion zyrtarisht (neni 8). Si do të
bëhet njohja e statusit të KOS mbetet të shihet në propozimet e ardhshme, të cilat
mbase do të detyrojnë Qeverinë të nënshkruaj marrëveshje me KOS për njohjen e
statusit dhe të pronësisë mbi kishat dhe manastiret në Kosovë. Një gjë e tillë mund
të bie ndesh me nenin 9 të Kushtetutes së Kosovës, me të cilin parashihen obligimet
e Kosovës për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare.
Marrëveshje të ngjashme me KOS ka nënshkruar vitin e kaluar Qeveria e Malit të
Zi, e cila ishte kritikuar ashpër nga partitë politike malaziase.
Cka fiton Kosova nga marrëveshja? Kosova fiton vetëm heqjen e pengesës
së Beogradit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndonëse edhe këtu
Beogradi qysh tani po e kundërshton këtë obilgim duke vendosur si vijë të kuqe
mosanëtarësimin e Kosovës në OKB. Rëndësia e heqjes së kësaj pengese qëndron
në faktin e njohjes së Kosovës nga 5 shtetet anëtare të Bashkmit Evropian, 4 nga to
anëtare të NATO-s. Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se Kosova do të njihet nga
këto vende, sepse të njëjtat nuk janë palë e marrëveshjes, por mund të konsiderohet
se si anëtare të BE-së kanë dhënë pëlqimin për hartimin e planit të BE-së për
marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, mund të pritet që Kosova të
njihet nga këto vende, që do t’i hapte rrugë të shpejtë për anëtarësim në Këshillin e
Evropës dhe në NATO. Me anëtarësimin e Kosovës në NATO, do të sigurohej jo
vetëm aspekti i mosrrezikimit të Kosovës nga Serbia, por edhe do të rritej presioni
mbi Serbinë për njohje të Kosovës, tani nga vet NATO-ja për çështjet e sigurisë
rajonale dhe globale, duke marrë në konsiderim interesin jetik të aleancës për
zmbrapsjen e interesave ruse në Ballkan.
4
Megjithatë, pas kalimit të një periudhe afatmesme prej 5 vitesh nga kjo marrëveshje,
njohja e Kosvovës nga Serbia do të relativizohet në masë të madhe sepse Serbia do të
jetë në prag të futjes në BE, ndërsa detyrimi i saj për përparim në negociatat e
pranimit në BE është kushtëzuar tani zyrtarisht me zbatimin e marrëveshjes për
normalizim me Kosovën, e cila do të jetë pjesë e kapitullit 35 të negociatave për
anëtarësim të Serbisë në BE. Kjo është dakorduar me aneksin për zbatimin e
marrëveshjes në Ohër me 19 mars 2023 dhe vlen për të dyja palët. Në raport me
Kosovën ky obligim përmbushet me themelimin e Asociacionit dhe rregullimit të
raporteve me KOS sepse obligime të tjera nuk ka në raport me BE-në, ndërsa në
raport me Serbinë këto do të vazhdojnë deri në anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE.
Prandaj, do të jetë në radhë të parë interesi i vet Serbisë të përparoj në negociata me
BE-në dhe rrjedhimisht edhe në zbatimin e marrëveshjes për normalizim me
Kosovën.