Marrëdhëniet në prodhim dhe mbrojtja në punë
Shkruar nga Armend Shkozaj
Momentum nunc
Që nga përfundimi i luftës, Kosova është duke u ballafaquar me një deficit në aspektin e punësimit dhe qëndrueshmërisë së tregut të punës, në përgjithësi.
Ky deficit, i cili shprehet me tregues statistikor që tregojnë një gjendje të mjerueshme të marrëdhënieve në prodhim, është treguesi më i mirë për gjendjen faktike e cila mbretëron në terren.
Kosova me një kapacitet të popullsisë të aftë për punë që tejkalon çdo mesatare në krahasim me vendet të tjera në rajon, por, bile edhe shumë shtete evropiane, ka një papunësi prej mbi 45% të popullsisë aktive.
Ky defetizëm, i përcjellë dhe i shkaktuar me (jo)politika qeveritare të paqëndrueshme dhe afatshkurtër, kanë shkaktuar një mjerim në aspektin e politikave të gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Kjo (jo)politikë e paplanifikuar, ka shkaktuar një dialektik të ashpër në tregun e punës, e shprehur në disbalancin në mes të ofertës (të punëdhënësve) dhe kërkesës (numrit enormë të punëkërkuesve të papunëve)!
Dhe rezultati i gjithë këtij epilogu është varfëria/mjerimi prej 45% e popullsisë jeton me më pak se 1,42 euro në ditë, dhe jetesës së 17% të popullsisë në varfëri ekstreme me më pakë se 0,93 euro në ditë.
Kësaj gjendje ja rëndon rrethanën brishtësia e funksionimit të institucioneve ekzekutive dhe gjyqësore, që në aspektin e zbatimit të legjislacionit të kualifikuar nga marrëdhënia e punës ka treguar vetëm një dështim të përcjellë për më shumë se një dekadë.
Kur merret parasysh, edhe një organizim i të punësuarve në organizata përfaqësuese, që janë në gjendje të vdekjes klinike, kjo na tregon më së miri se klasa punëtore është e vetmuar dhe pothuaj se e vetmuar tërësisht.
Ne konsiderojmë se, edhe pse pushtetet janë të ndara, është rendi juridik i cili siguron lidhjen e këtyre tre pushteteve. Me sigurimin e zgjedhjeve efikase ligjore, të cilat para se të gjitha do të ju përgjigjen nevojave konkrete shoqërore, janë garanti kryesor me të cilin do të vije deri te përmirësimi i tregut të punës në përgjithësi, dhe marrëdhënies së punës në veçanti.
Në këtë drejtim, VETËVENDOSJE! do të angazhohet konkretisht në këto pika të alternativës qeverisëse:
Legjislacioni i punës
VETËVENDOSJE! angazhohet për një infrastrukturë ligjore e cila do të garanton një ambient të sigurt dhe të dinjitetshëm për të punësuarit. Në fokus të strategjisë legjislative të VETËVENDOSJE!-s është avancimi i rregullimit të Ligjit të Punës si ligj bazik për rregullimin e të drejtave në punë.
Në këtë kontekst, ligji i punës do të pësonte ndryshimin tek pushimi i lehonisë për një kohëzgjatje prej 12 muaj me pagesë të plotë. Kjo pagesë do të sigurohej nga punëdhënësi dhe shteti.
Pushimi i lehonisë do të shfrytëzohej nga nëna dhe i ati, ku gjashtë muajt e parë do të shfrytëzoheshin nga lehona e punësuar, ndërsa, pjesa tjetër prej gjashtë muajve do të shfrytëzohej nga bashkëshorti i saj. Me këtë do të zbutet diskriminimi i femrës në tregun e punës, që është shkaktuar nga rregullimi momental i ligjit në fuqi.
Çështje tjetër që do të rregullohej me ndryshimin e Ligjit të Punës është orari i plotë i punës, i cili do të modelohet në dy kohëzgjatje 35 dhe 40 orë në javë. Kështu që, orari prej 40 orëve paraqet maksimumin e kohëzgjatjes së orarit, ku puna shtesë nuk mund të ketë kohëzgjatje më tepër se 5 orë në javë për dy javë, brenda 3 muajve.
Ne mendojmë se kohëzgjatja e orarit nuk është element i vetëm i produktiviteti në marrëdhënien e punës. Sot efikasiteti në punë është në mungesë për shkak të demotivimit të të punësuarit karshi kushteve në të cilat ai punon.
Me sigurimin e standardeve bazë me të cilat sigurohet puna e dinjitetshme, do të sigurohet edhe efikasiteti dhe produktiviteti i të punësuarve.
Gjithashtu, çështje tjetër që do të rregullohej me Ligjin e Punës është ndërprerja e marrëdhënies së punës me rastin e skadimit të kontratës së punës.
Ligji i punës, në mungesë të fondit për të papunët, do të parasheh pagesën e dy pagave me rastin e përfundimit të marrëdhënies së punës me skadimin e kohëzgjatjes së Kontratës së Punës, Me këtë, do të kufizohej arbitrariteti i cili shprehet me shfrytëzimin e zbrazëtisë ligjore për kohën minimale të lidhjes së kontratës së punës, nga se punëdhënësi nuk do të jetë në gjendje të lidh kontrata për periudha të shkurta disa mujore.
Po ashtu, nivelizimi i pagave sipas rrezikshmërisë së punës deri më 20% sipas shkallës së rrezikshmërisë është çështje tjetër që synohet të rregullohet me ndryshimin e Ligjit të Punës. Me këtë do të kompensohej i punësuari në mënyrë më të dinjitetshme për shkak të kryerjes së punëve me rrezikshmëri më të lartë.
Me qëllim të sistemimit të pagave sipas përvojës së punës, me ndryshimin e ligjit të punës do të parashihet vlerësimi i benificionit për stazhin e punës për çdo pesë vite përvojë të punës me ngritje të pagës prej 5%, duke kalkuluar indeksimin vjetor prej 0,5% të pagës.
Me të gjitha këto rregullime, alternative qeverisëse e VETËVENDOSJE!-s synon që gjendja në tregun e punës të përmirësohet, dhe që të punësuarit të gëzojnë një status më volitshëm në marrëdhënien e punës, gjithherë duke pasur në konsideratë që puna është mjeti kryesor i sigurimit të mirëqenies të secilit punëtor.
Zhvillimi i dialogut social në nivel sektori dhe ndërmarrje
Dështimi i funksionimit të Këshillit Ekonomiko-Social, si nivel më i lartë i zhvillimit të dialogut trepalësh social, tregon qartë se nevojitet një angazhim në nivel më të drejtpërdrejtë të partnerëve social dypalësh, në mënyrë që të konkretizohet avancimi i të drejtave në marrëdhënie të punës. VETËVENDOSJE! në Alternativën e saj qeverisëse planifikon themelimin e Këshillave Social në nivel ndërmarrje dhe sektori me bazë ligjore (përfaqësimi i të punësuarve dhe punëdhënësve) në çdo ndërmarrje që ka mbi 10 punëtorë të punësuar.
Me themelimin e këtyre këshillave do të sigurohej kultivimi i dialogut social në nivel ndërmarrje, i cili do të kontribuonte në lidhjen e Kontratave Kolektive në nivel të ndërmarrjes. Me këtë, do të arrihej qëllimi kryesor i mbrojtjes kolektive të të drejtave në punë, zgjerimi dhe konkretizimi i të drejtave në punë.
Subvencionimi tatimor për hapjen e vendeve të reja dhe luftimi i informalitetit
Mungesa e një strategjie stimuluese nga ana e qeverive për subjektet punëdhënëse, ka ndihmuar ngritjen e nivelit të informalitetit në tregun e punës.
Një stimulim progresivë, i cili do të ndihmonte që të mënjanon informalitetin e egër në tregun e punës, e që shprehet me ikjen nga pagesa të obligimeve të kontributeve pensionale dhe kushtëzimin e inkasimit të pagesave nga tatimet në të ardhura personale, ka rënduar edhe pozitën e të punësuarve në mënyrë direkte, por edhe të vet punëdhënësve në mënyrë indirekte.
Luftimi i informaliteti nënkupton njohjen dhe fiksimin e të drejtave në marrëdhënien konkrete të punës nga ana e të punësuarit, që në masë të madhe është vërtetuar se është përdhunuar nga punëdhënësit në sektorin privat.
Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE!përpos masave institucionale për luftimin e informalitetit, si metodë tjetër për forcimin e raporteve në marrëdhëniet e punës parasheh subvencionimin progresivë tatimor për punëdhënësit që punësojnë punëtor të rinj dhe ata ekzistues, sipas numrit dhe statusit të ndërmarrjes sipas kategorive:
Nga 1 deri 10 të punësuar 1% të lirimit në tatime për çdo të punësuar; Nga 11 deri 50 të punësuar 0,5% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 51 deri 200 të punësuar 0,3% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 200 të punësuar 0,1% lirimit në tatime për çdo të punësuar.
Ngritja e kapaciteteve inspektuese
Numri i vogël i inspektorëve të punës dhe metoda e funksionimit të Inspektoratit të Punës paraqet një nga indikatorët kryesor për abuzimin e të drejtave nga puna dhe pranisë së informalitetit në tregun e punës.
Me një numër teje të vogël të inspektorëve të punës (afro 58) është i pamundshëm inspektimi i afro 89 000 bizneseve. Kjo më së miri mund të vlerësohet përmes pranisë së shkallës së lartë të informalitetit, duke dhënë theks të veçantë në sektorin privat, ku më shumë se 65% të të punësuarve nuk kanë fare kontratë të punës, nuk paguhen kontributet pensionale dhe tatimi në të ardhura personale.
Ne mendojmë se me zvogëlimin e shpenzimeve publike dhe rritjen e buxhetit të Inspektoratit të Punës do të bëhej i mundshëm si punësimi i inspektorëve të rinj, ashtu edhe sigurimin e pagës së dinjitetshme.
Ndërrimi i statusit të IPK-së, themelimi i tij si agjension i pavarur dhe i udhëhequr në mënyrë të përbashkët me përfaqësues të të punësuarve do të ndikonte në ngritjen e kualitetit inspektues.
Gjithashtu, mendojmë se edukimi i vazhdueshëm profesional i inspektorëve të punës do të ndikonte drejtpërdrejtë në ngritjen e kualitetit të monitorimit të zbatimit të legjislacionit të punës, duke marr parasysh se legjislacioni i punës është i përbërë nga disa akte ligjore dhe nënligjore që kërkojnë një njohje profesionale dhe praktike.
Puna në dobi të përgjithshme
Mungesa e angazhimit kolektiv për krijimin e një ambienti kualitativ të jetesës shoqërore, ka krijuar një ambient individual të koncentrimit të interesave të izoluara në vete. Kjo ka reproduktuar një egoizëm individual që ushtron impakt negativ në shoqëri.
Miratimi i Ligjit mbi punën vullnetare për punë në dobi të përgjithshme, i cili do të parashihte stimulimin e qytetarit në aktivitete publike dhe shoqërore me qëllim të ngritjes së mirëqenies shoqërore në nivel vendi.
Llogaritja e punës në dobi të përgjithshme në stazhin e punës dhe stimulime kreditore për persona që kryejnë punë në dobi të përgjithshme, do të ishte e drejtë ligjore e të gjithë atyre që do të kryenin punë vullnetare në dobi të përgjithshme.
Puna vullnetare në dobi të përgjithshme, përpos se do të jepte impaktin në kryerjen e punëve publike, do të ndikonte në kursimin e shpenzimeve publike përmes kursimit të shpenzimeve për fuqi punëtore.
Drejtat dhe liritë sindikale
Gjendja e mjerueshme e organizimit sindikal dhe impotenca e veprimit të organizatave sindikale, korniza e vobektë ligjore mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive sindikale, mungesa e instrumenteve për tu stimuluar të punësuarit në organizim ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e pozitës shoqërore të punësuarit.
Reformimi i infrastrukturës ligjore mbi të drejtat dhe liritë sindikale është i domosdoshëm duke pas parasysh gjendjen e organizimit sindikal në Kosovë. Në këtë aspekt, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Organizim Sindikal në Kosovë, i cili para se të gjithash do të parashihet në anëtarësimin e obliguar në organizatë sindikale të të punësuarve në ndërmarrje ku janë të anëtarësuar mbi 60% të punësuarve.
Me këtë do të vije deri te forcimi i organizimit të të punësuarve, konkretisht organizatave sindikale. Nisma legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Organizimin Sindikal do të parashihte edhe mbrojtjen e veçantë për të punësuarit që merren me aktivitet sindikal dhe të gjithë të punësuarve që janë anëtar të shoqatës sindikale.
Kjo do të mbronte të punësuarit nga arbitrariteti dhe hakmarrjes eventuale të punëdhënësit për shkak të angazhimit të të punësuarve në punë sindikale.
Po ashtu, konsiderojmë se përcaktimi i ndërhyrjes apo ndalimit i së drejtës në organizim sindikal nga ana e punëdhënësit si vepër penale do të duhej të parashihet në nismën legjislative të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE!do ta ndërmerrte në mandatin e saj qeverisës.
Një përkufizim i tillë ligjor do të mbronte të drejtën e secilit të punësuar që të bashkohet apo te organizon një shoqatë sindikale, e cila do të mbrohet nga ndërhyrja e mundshme e punëdhënësit.
Kjo e drejtë është e kategori e të drejtave elementare të njeriut, dhe si e tillë duhet të mbrohet në mënyrë sa më efektive nga ana e shtetit.
Sistemi gjyqësor
Prania e korrupsionit në sistemin gjyqësor, joprofesionalizmi i gjyqtarëve, praktika e vobektë nga kontestet e marrëdhënies së punës, stërzgjatja e procedurës gjyqësore për vendosje të drejtë, janë faktorët kryesor të negacionit të ofrimit të mbrojtjes kualitative gjyqësore të të drejtave nga marrëdhënia e punës.
Të gjitha këto ndikojnë në nivelin e dobët të mbrojtjes gjyqësore të të drejtave nga marrëdhënia e punës. E gjithë kjo cenon të drejtën e secilit person, që ti ofrohet një mbrojtje gjyqësore e efektshme, e drejtë dhe në kohë të arsyeshme.
Këto tri elemente janë të përfshira në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që konsiderohen si standard parësor për zhvillimin e një procesi të drejtë gjyqësorë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! zgjidhjen konkrete për këtë çështje e determinon në themelimin e gjykatave të veçanta të punës, që do të bëhej përmes reformimit të legjislacionit për gjyqësorin.
Themelimi i Gjykatave të specializuara për konteste nga marrëdhënia e punës do të siguronte një trajtim të profilizuar të këtyre kontesteve, duke përgatitur dhe angazhuar gjyqtarë të profilizuar për zgjedhjen e lëndëve nga këto konteste.
(Autori është anëtar i Komitetit për Mbrojtje sociale në Lëvizjen VETËVENDOSJE!)