Marifetet e Danit, marrëzitë e Bajramit dhe turma e Zullulandit
Berat Armagedoni
Rektorin e deritashëm të Hasan Prishtinës, Ramadan Zejnullahun, sdo ta vajtoj materialisht, sepse është për tu admiruar edhe nga të pasurit gjithë ajo pasuri e tij e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, e fituar dhe e shtuar, shumica e saj, pas luftës së fundit në Kosovë. Edhe dynjanë po ta ketë, spo më intereson prejardhja e atyre parave të shumta dhe të shpejta të tij e as ai vetë.
Sdo ta vajtoj as për shkarkimin e djeshëm e as nuk do ta lavdëroj për rikthimin e mundshëm që të nesërmen, sepse Dan Rektori ishte emëruar politikisht dhe u shkarkua, po ashtu, politikisht. Politika një herë mund ta sjellë verën ka dera, por verën mund ta bëjë dimër, siç u ka bërë dy rektorëve para Danit, Ibrahimit e Antonit!
Ende i kam, sigurisht i keni edhe ju, para syve fotografitë e shokëve të tij, të Rrustem Mustafës (Remit të Evropës e të Europës) e të Latif Gashit, pas emërimit të Danit rektor i UP-së, të varura si këllqe dashi ose bri mëzati, para dyerve të hekurta në oborrin e Rektoratit, se ishin ata që, me ndikimet e veta, e emëruan rektor. Përndryshe, kurrë sdo të ishte bërë Dani rektor se, përpos studentëve e disa kolegëve të fakultetit në të cilin ligjëron, si ka rënë kujt ndërmend që ekziston. Së këndejmi, i kam unë, i keni edhe ju, ende para syve, edhe në vesh zërat e kumbueshëm të protestuesve, edhe protestat e nisura atëkohë e të bitisura pas pak kohësh me zhurmë të madhe ndaj tij me rastin e emërimit të tij nga këta të dy, rektor.
Dhe ashtu siç u ngarkua, shpejt e shpejt, i erdh koha e Dan Rektori u shkarkua pa dëshirën e vet. Por, sishte vetëm Dani rektor i ngarkuar nga politika dhe që pësoi, pikë së pari nga politika, pastaj edhe nga matematika (llogaritë politike të bëra keq)!
Prej pas luftës pozita e rektorit të UP-së ka qenë politike dhe do të vazhdojë të mbetet, për aq kohë sa do të ketë parti politike, pozitë politike. I pari i shtetit, ai që e formon Qeverinë, çdoherë do ta zgjedhë një rektor të vetin. Dhe Dan Rektori fillimisht ishte argat i LDK-së, pak më vonë argat i madh i PDK-së. Argat i së parës ishte edhe vëllai i tij, Ahmet Zejnullahu, i cili nga LDK-ja, ashtu si Dani, kaloi në PDK, pasi kjo e bëri kryeshef të Agjencisë Pyjore të Kosovës kur Thaçi Qeverinë e udhëhiqte me Pacollin e pakicat.
Pra, që ta dini, ky rektor sishte dërguar nga qielli, por ishte deleguar nga toka e nëntoka për rektor, që tu shërbente atyre si ti thoshin ata. Dhe toka që ua premtoi Dani studentëve, edhe udhëheqësve të vet politikë, sishte tokë e bekuar, sepse Dani sishte, as sështë, as i pastër moralisht, as profesionalisht, as kombëtarisht.
Po çbëri Dani sa qe rektor?
Këdo që ta pyesësh sot, pa ditur të japë përgjigje tjetër as nesër, thotë se ka bërë reforma në UP! Por se çfarë reforma ka bërë, sdi të tregojë kush, përpos që si papagajtë i thonë ato të shpeshtat fjalë që i ka thënë Dani, se ata që duan ngritje në karrierë në UP (avancim), duhet të kenë punime të publikuara në revista ndërkombëtare me kredibilitet të lartë (është fjala për revista me impact factor).
Cilën revistë sot e boton UP-ja?
Çfarë statusi e çfarë vlere ka sot ndonjë revistë e ndonjërit fakultet të UP-së?
Cilët profesorë të UP-së sot botojnë në këso revista?
Cilët profesorë të fakulteteve sot nuk botojnë as në gazeta?
Sa libra i ka përkrahur sot për botim UP-ja të kuadrit të vet?
Sa libra të tyre i ka botuar që një vit?
Çfarë kontrolli të botimit të tyre ka?
Kush janë ata që i kontrollojnë?
Cilët e cilat të tjera, e sa e sa të tjera, e çfarë të shumta e të panumërta i ka defekt UP-ja dhe i mungojnë???
Pse Dan Rektori nuk i bëri një kërkesë ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçit, që ky ti bëjë kërkesë Agjencisë Ndërkombëtare të ISSN-së në Francë që, së paku, edhe Kosova, ashtu si Maqedonia e Shqipëria, ta kenë një revistë me këtë numër ndërkombëtar, nëse sjanë kushtet, as dija e mjaftueshme e kuadrit të saj, që edhe në Kosovë të botohen ndërkohë revista me impact factor.
I ka shkuar mendja Dan Rektorit, se punimet e tilla të botuara në këto revista ndërkombëtare me kredibilitet të lartë, atyre që duan të avancohen në UP, nëse nuk dinë të shkruajnë vetë, mund tua shkruaj unë ose ndonjëri prej jush e ti botojnë në to pasi ta kenë paguar mundin tonë dhe publikimin në to?
A bëhet UP-ja më i mirë me profesorë të tillë?! Absolutisht jo. Ky kusht i Danit është sa për sy e faqe, sa për të thënë se po kërkoj diçka në trendë me universitetet evropiane, për të cilin u pat bërë kurban ish-rektor Ibrahim Gashi, i cili, ashtu si Dani, u pat emëruar rektor politikisht dhe ra, ndërkohë, publikisht para nesh, pas një hallakame të madhe të shkaktuar nga vetë ai me ato punime serioze të publikuara në revista joserioze, e të dhënë zjermë për sa ditë nga studentët, nga shoqëria civile e nga partitë opozitare, para dyerve të Hasan Prishtinës, në të cilin derdhej ngjyrë, derdhej qumësht, gjuheshin gurë, gjuheshin vezë, shaheshin nënat, shaheshin edhe baballarët, qe besa edhe motrat! Ibrahimi, që ta dini, po të kishte fat të vazhdonte të mbetej rektor, mund të punonte mirë, por ia pa sherrin asaj reviste, edhe smirës së karrieristit, edhe atij mesiti për publikim të atyre teksteve në atë revistë fantazmagorike! Ua pa sherrin, po aq sa edhe hairin, Pacollit e Thaçit, që e ngarkuan me detyrën e rektorit.
Por, para se Dan Rektori të kërkonte punime të tilla të kandidatëve për avancim në UP në këto revista, duhet ta bënte një komision për vlerësimin e punimeve të masterit e të doktoratave në UP, se a po respektohet Rregullorja e Studimeve Master, se a po respektohet Rregullorja e Studimeve të Doktoraturës, se a po punohen punimet në bazë të kritereve të këtyre rregulloreve, se çfarë niveli kanë ato punime, se a ka më shumë në to studim apo interpretim, se a ka në to tekste të shkarkuara nga Google apo të shkruara në bazë të librave fizikë e elektronikë, literaturë shkencore e shumë se-he të tjera të cilave Dani duket se as sot, edhe pse ka pasur kohë të mendojë mbrëmë, sështë në gjendje tua japë sepse-het as nesër.
Duhej, po ashtu, ti shkarkonte e ti shkallmonte të gjithë ata profesorë të UP-së që u janë publikuar vazhdimisht punimet e vjedhura në medie të përditshme, që nga Rilindja e atëhershme, e cila publikonte edhe teza të magjistraturave e të doktoraturave, të kolegëve të tij nga Fakulteti i Shkencave Natyrore, të vjedhura (vetëm të përkthyera në shqipe nga serbishtja e rusishtja), e deri në këto mediet e sotme që mezi spresin të gjejnë një të tillë, edhe nëse autor i atij teksti të vjedhur është babai i ndonjë gazetari ose udhëheqësi të vet medies.
Duhej, po ashtu, siç tashmë e kanë bërë disa kolegje private, që të gjithë kandidatët, edhe të ata studimeve baçelor, edhe ata të studimeve master, edhe ata të doktoratave, ti lekturonin punimet (të shoqëruara me deklarata të autorësisë nga gjuhëtarët) para se tu dërgoheshin anëtarëve të komisionit për mbrojtje, e jo ta linin marrëzinë në ato punime derisa të vdesin e tu bjerë punimi i tyre në duar të të gjallëve e të lexohet nga ta edhe pas vdekjes së tyre.
Çfarë parandaloi Dani?
E pamundësoi funksionimin e Bibliotekës Qendrore Universitare, të cilën e bëri me Këshill Drejtues, por se bëri me drejtor, as se lëshoi në shërbim të studentëve prej që u zgjodh rektor. E pamundësoi dhe e shkatërroi projektin e amerikanëve, paratë e tyre, mbi 300 000 dollarë, që i dhanë për aftësimin e stafit të kësaj biblioteke dhe hapjen e saj, të cilët sot dalin në punë në BQU në orën 8:00, por skanë çfarë të punojnë as deri në orën 16:00. Mundësoi, pasi e neglizhoi kërkesën e ish-Këshillit Drejtues të BQU-së dhe këtij të tashmit, shkatërrimin e fondit të kësaj biblioteke. Edhe sot librat e kësaj biblioteke vazhdojnë të dëmtohen nga lagështia e nga shiu. Edhe sot librat e kësaj biblioteke verës i mbulon pluhuri, pa ua hequr atyre pluhurin studentët e UP-së në të cilët mund të marrin dije.
Marrëzitë e Arsimit
Nuk e di nëse Arsim Bajrami e di se si emërohet Këshilli Drejtues i UP-së e as nëse di gjë se çfarë kompetencash ka ky këshill e as çfarë i lejohet të bëjë vetë me të. Se nuk ka njohuri për detyrat e këtij këshilli dëshmoi dje (e shkarkoi nga detyra e anëtares së Këshillit Drejtues të UP-së Shefkije Islamajn), dëshmoi mbrëmë (tha se do ta shfuqizojë vendimin e shkarkimit të rektorit sot), dëshmoi edhe sot (e shfuqizoi vendimin e Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit të paralajmëruar mbrëmë). Nuk di nëse Arsim ministri ka bërë ndonjë marrëzi më të madhe sesa ka bërë dje e që vazhdoi ta bëjë tjetrën sot. Nuk di nëse Arsim ministri ka ndërhyrë më politikisht në një organ të pavarur sesa ka ndërhyrë në Këshillin Drejtues të Hasan Prishtinës.
Nuk di nëse Arsim ministri u frikësua nga krerët e mëdhenj të PDK-së, të LDK-së, nga ambasadorët e ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë apo nga vetë rektori. Që ta bëjë një njeri një marrëzi të tillë në arsim, duhet të jetë kaq fort i marrë sa Arsimi, i cili, asaj që i besoi, pasi e emëroi, vetë e shkarkoi.
Prandaj, një ministër i tillë në krye të Arsimit e të Shkencës të Kosovës është më i dëmshëm se Dan Rektori për UP-në sepse, Arsimi, ndryshe nga Dani që shkeli vetëm statusin e Këshillit Drejtues të UP-së, me të cilin nuk ka kurrfarë komunikimi njerëzor, ky e shkeli tërë ligjin, si bëri hesap as anëtarët e këtij këshilli, as detyrat e tij, as ligjin për emërimin e tij, as senatorët e fakulteteve në Rektorat. Marrëzi tjetër më të madhe, ndërhyrje tjetër politike më ashiqare në UP, sdo të pres nga ai as sot, as jetë e mot. Është koha që, nëse ka jetëgjatësi kjo Qeveri, një reformim ti bëhet edhe kësaj ministrie. Në vend të Arsimit të shkalluar, të emërohet një shumë më i shkolluar se ai!
Turma pa krye ngre krye
Kushdo që e ka lexuar novelën e Konicës, Katër përralla nga Zullulandi, në popullin zullu të kësaj novele do ti gjejë po këto karakteristika që sot, edhe në të kaluarën, i kishte dhe i ka populli shqiptar, edhe ato turmat pa krye të cilat ngrehin krye pa kurrgjë, që harrojnë shpejt, që ndikohen lehtë, që më parë sesa ta kenë parim të veprimit arsyen, hallakatën nga emocionet.
Duke qenë kjo turmë e tillë, që harron shpejt, që ndikohet shpejt, që vlon prej emocioneve e ska fije arsyetimi, më parë se të fitojë, është e prirë të dështojë.
Në protestën e së enjtes para Ministrisë së Arsimit, në mesin e asaj turme të njerëzve zullu, pashë, po qe se nuk keni parë ju, mund tjua jap sytë e mi ti shihni e të bindeni, aty edhe disa prej atyre që, kur u pat bërë Dani rektor, u patën shprehur, pak a shumë, kështu: Sna duhet SHIK-u në UP! Sna duhet nëntoka në UP! Politika, larg duart nga Rektorati! Edhe të tjera e të tilla si këto.
Por, çuditem sot, më shumë se dje, se kur u bë Dani i mirë edhe për ta?! Pse dje ishte i nëntokës e sot u bë i mbitokës?!
Edhe në shumë medie të shkruara e elektronike u patën dhënë deklarata nga krerët e partive opozitare, se pushteti e zgjodhi njeriun e vet, se SHIK-u e PDK-ja e uzurpuan edhe UP-në.
Si ti harrojmë kaq shpejt e kaq lehtë këto deklarata?! Si ta harrojmë kaq shpejt atë turmë të disa muajve më parë që u pa edhe sot?! Si ti harrojmë edhe ato akuza të disa krerëve të partive opozitare me rastin e publikimit të pasurisë së Danit në Agjencinë Kundër Korrupsion, shprehur veçanërisht në gazetën Zëri, e cila, në numrin e sotëm (të së enjtes), ku e di për çfarë arsye, i doli në mbrojtje! Pse disa medie e disa njerëz kopilë duhet të vazhdojnë ta kapin turmën për hunde e ta endin sipas dëshirave e interesave të tyre?! Pse kjo turmë ngre krye në vend se të ngrehë dije?! Kë po e përkrah kjo turmë sot: SHIK-un, PDK-në apo LDK-në?! Për çfarë arsye tjetër, që këtë rektor e zgjodhën këto të tria, turma pa krye vazhdon të ngrehë krye?! Megjithatë, e nesërmja (në Kuvend) do ti harrojë të sotmen e të djeshmen (në Rektorat), ndoshta edhe turmën ta nisë drejt sheshit që ta bëjë përshesh. Mirëmbetsh, oj turmë! Mirëmbetshi dhe ju, o njerëz!
(Prishtinë, 22 tetor 2015)