Maqedonia dhe e ardhmja e saj politike

Shkruar nga Albert Ramadani
Çështja maqedonase u shfaq në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet 1870 përgjatë krizës lindore, kur popullsitë sllave të Ballkanit, të frymëzuara nga Rusia, nëpërmjet kryengritjesh e revoltash të armatosura nisën shpërbërjen e Status Quo-së në Ballkan, me synim ndërtimin e një shtrati për një influencë strategjike e diplomatike të Rusisë në juglindje të Evropës.
Ekzistenca e Maqedonisë si një shtet multietnik reflektonte një ekuilibër që fuqitë e mëdha të kontinentit do tiu vendosnin orekseve e objektivave kombëtare të nacionaliteteve të Ballkanit, grupet etnike të të cilit ishin elementët përbërës të Maqedonisë.
Historia na dëshmon se për arsye të shumëfishta shtete-kombe, totalisht të pastra etnikisht nuk ka, ndërkohë që ekzistojnë dy kategori shtetesh: ato që kanë një shumicë dërrmuese etnike e mandej komunitete inferiore për nga përmasa, të etnive të tjera.
Si dhe kategoria e dytë e përfaqësuar nga shtete në të cilat konglomerati i tyre është multietnik, ku po këto komunitete nuk kanë një diferencë të madhe nga njëra-tjetra, duke i dhënë kështu udhë një problematike të brendshme politike shumë të ndërlikuar, të shoqëruar me pretendime në marrëdhëniet specifike me vendet rrethuese, të lidhura organikisht me komunitetet përkatëse brenda shtetit në fjalë, i tillë rasti i Maqedonisë.
Jetëgjatësia politike e shteteve multietnike, veçmas njëfarë harmonie të pranuar nga ana e komuniteteve etnike përbërëse të tyre, është e ndërvarur edhe nga natyra e rendit ndërkombëtar mbizotërues. Sakaq, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nisën të ekzistonin 100 shtete të reja, shumë prej tyre të ndryshme nga shtetet-kombe tradicionale europiane, mirëpo superfuqitë kishin rënë në njëfarë mënyre në heshtje dakord për ti bllokuar pretendimet e konfliktet etnike, apo duke ia nënvendosur ato ekzigjencave të ekuilibrit të përgjithshëm të forcave.
Rënia e komunizmit si dhe shpërbërja e Jugosllavisë prodhuan rreth 20 shtete të reja, shumë prej tyre kombinuan retorikën e nevojshmërinë për integrim me përndjekjen e interesave kombëtare e etnike, të cilat në vitet e fundit kulmuan me rikthimin e hakmarrjeve historike.
Njohja e pranimi i Maqedonisë në fillimin e viteve 90 si një Republikë e pavarur, ishte imponim e rezultat i një zgjidhjeje strategjike të fuqive të mëdha me synim frenimin e shpërhapjes së rrezes së konflikteve të përgjakshme në Ballkan në dimensione shumë herë edhe më të mëdha dhe me rrjedhoja më të paparashikueshme.
Shteteve multietnike të ekuilibrave të brishtë, siç është rasti i Maqedonisë, iu nevojiten disa premisa për të siguruar sa më shumë që të jetë e mundur jetëgjatësinë e tyre politike dhe dy kryesoret janë: Integrimi në struktura të përshtatshme, në rastin tonë në NATO pikësëpari e mandej në Bashkimin Europian.
Arritja e vendosjes së një drejtpeshimi në bashkëjetesën socio-politike ndërmjet etnive. Mirëpo ekziston edhe një element tjetër, prej të cilit ndërvaret gjithashtu normaliteti politik që është përkatësia etnike prej ku buron sigurisht përafërsitë gjuhësore, ato kulturore e tok me to ato gjeopolitike.
Në Maqedoni, objekt i artikullit në fjalë, dy janë komunitetet historike fondamentale, formuese të këtij shteti: Të ashtuquajturit sllavët-maqedonas, të cilët pretendojnë mbi 70% të përfaqësimit si dhe shqiptarët me mbi 30% të popullsisë së këtij shteti, si dhe disa komunitete të tjera, shumë më inferiore për nga madhësia, më i rëndësishmi ndër to është ai turk.
Kur një shtet multietnik kaplohet nga tensione të brendshme tronditëse që rrezikojnë përmbysjen e ekuilibrave, çdo komunitet historik përbërës ka prirjen tu drejtohet për përkrahje shteteve apo fuqive me të cilat i ndan përafërsia apo prejardhja e njëjtë etnike me perceptime e orientime konverguese historike e gjeopolitike.
Në këtë vazhdë të arsyetimit në pikun e konfliktit të vitit 2001 midis shqiptarëve dhe qeverisë së Shkupit, manifestuesit sllavo-maqedonas i bënin thirrje për ndihmë solidaritetit sllav, i cili si zakonisht kryesohet nga Rusia, emblema përfaqësuese e të cilit aktualisht është presidenti rus, Vladimir Putin.
Një ndër tendencat e rendit të ri ndërkombëtar në etapën në të cilën ai ndodhet aktualisht, ku barrierat e diferencat e ideologjisë dhe të vlerave, nuk përbëjnë më ndonjë pengesë, gjë që motivon shtete demokratike për nga sistemi përfaqësues të mos ngurrojnë të kooperojnë e të kryejnë transaksione me shtete jodemokratike për më tepër agresive në politikën e tyre të jashtme, nën efektin e ndërvarësisë së globalizimit e nevojshmërisë financiaro-ekonomike apo avantazheve teknologjike.
Kurse karakteristika tjetër thelbësore eshë shndërrimi i shteteve multietnike në fushë-betejën e rivalitetit të skemave, e objektivave gjeopolitike të fuqive të mëdha, ndër të cilat dy kryesore janë: SHBA-ja, superfuqia demokratike e vetme e planetit, si dhe Rusia, mbrojtësja e aspiratave të popullsive etnike sllavo-ortodokse kudo që ato ndodhen.
10 vjet ngrirje në procesin e aderimit në BE, që nga pajisja me statusin e vendit kandidat si dhe vetoja bllokuese e Greqisë në 2008 për aderimin në NATO, zgjuan frustrimet si dhe stimuluan rikonsiderime të ndryshme në elitat politike sllave të Shkupit, mbajtësja e pushtetit në Maqedoni, të cilat korresponduan me rigjallërimin e aktivitetit të diplomacisë aktuale ruse në Ballkan.
Si rrjedhojë, Maqedonia nisi të lëkundej midis pritshmërive për integrimin në strukturat euro-atlantike si dhe dëshirave për kooperim ekonomik e asociim gjeopolitik me Rusinë, me një fjalë, midis Lindjes e Perëndimit.
Maqedonia më 2008-n nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me SHBA-në, ndërkohë që ajo (Maqedonia) u tregua e gatshme që territori i saj të përdorej si vendkalim për gazsjellësin rus në rrugëtimin e tij për në Evropë, projekt i një rëndësie të veçantë strategjike për Moskën dhe që përbën një ndër motivet e shumta përse Rusia paralajmëroi se do ti kundërvihej çdo mundësie për ndryshimin e regjimit në Shkup, sipas saj me anën e një skenari që i përngjan atij të Ukrainës, ndërsa gati 1 vit më parë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, përgjatë vizitës së tij në Shkup e çmonte Maqedoninë si aleat-çelës i Kremlinit në Ballkan.
Në mendësinë dhe traditën e tyre, popullsitë sllavo-ortodokse nuk kanë besuar e dëshiruar kurrë se mund të ndërtohej një harmoni në planin etik me popujt e tjerë, në rastet e bashkëjetesës politike me ta, kur bëhej fjalë për ekzistencën e shteteve apo perandorive multietnike, ndjesi e një urrejtjeje etnike, që u ilustrua së fundmi tek Jankullovska, ish-ministre e Brendshme e Maqedonisë, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë politikë sllavë në Shkup, të cilët, për hir të detyrës ia dalin ti përmbajnë apo përtypin atë.
Ndërsa harmonia etnike sa i përket së ardhmes së afërt politike të Maqedonisë, përbën bazën e stabilitetit të një shteti multietnik, orientimet gjeopolitike të komuniteteve historike përbërëse, të lidhura simetrikisht po me balancat etnike, janë dy piketat e stabilitetit të Maqedonisë, duke e zgjatur sa të jetë e mundur vazhdimësinë e ekzistencës së saj.
Prishja e njërës do të prodhojë rrëzimin e tjetrës duke përshpejtuar një proces dezintegrimi, i cili shfaqet më shpejt në një botë të papërshtatshme për shtete të tilla. Fjalët e fundit shkojnë për të ardhmen e shqiptarëve në rajon.
Evoluimi i çështjes shqiptare përmban të dyja anët e medaljes, në të shkuarën, ajo ka qenë e penalizuar nga një pjesë e fuqive të mëdha si dhe konjukturat e kohës, në epokën aktuale, pra në dy dekadat e fundit, çështja shqiptare ka arritur suksese, rrjedhojë e mbështetjes e patronazhit po të një pjese të fuqive botërore, të kryesuara nga SHBA-ja.
Mirëpo një konstante e ka shoqëruar atë. Në botën shqiptare, aksionet apo performancat e mëdha kombëtare i lënë vendin sindromës së keqqeverisjes dhe kjo për arsye të mendësisë së stampuar nga e shkuara historike e komunizmi, si dhe një tolerance që çon në një lloj bashkëjetese me tradhtinë, në kuptimin real të fjalës.
Elitat politike shqiptare duhet të jenë të ndërgjegjshme se një skenar i tillë ngjashëm mund ravijëzohet: se dinamika e çështjes shqiptare mund të tejkalojë kështu pritshmëritë dhe parashikimet e këtyre elitave në botën mbarëshqiptare dhe se shembujt e keqqeverisjes mund ti privojnë ata nga garancia që iu duhet dhënë aleatëve strategjikë për një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare, për mos të thënë ajo (keqqeverisja) mund të shndërrohet në një pengesë për të.
/ Autori, është Hulumtues i krizave ndër-etnike në Ballkan /