Madhështia e modelit një anëtar një votë
Shkruar nga Mentor Barani
Humbja e Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti, pa kaluar as një muaj i solli një fitore të re, ndërkohë që shqiptarëve kudo që janë u dha një leksion të mirë se zgjedhja e kryetarit të partisë sipas modelit një anëtar një votë është vet madhështia e demokracisë brendapërbrenda një partie politike me orientim të djathtë.
Ky model i zgjedhjes së lidershipit të një partie politike do të duhej të implementohej edhe në Kosovë, me theks të veçantë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila është partia më e vjetër politike në Kosovë me një traditë shtetformuese që dallon thellësisht nga partitë tjera politike në Kosovë.
Sikur të ndodhte ky model i përzgjedhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të përballej me të ashtuquajturin kuvend i karrigeve që pat ndodhur më 9 dhjetor të vitit 2006, ku nga pasojat e këtij Kuvendi zgjedhor, LDK pësoi rënie të thellë të anëtarësisë dhe vetëm një vit më vonë edhe u gjend për të parën herë në opozitë që nga themelimi i saj.
Një gjë e këtillë nuk ndodhi as në Kuvendin e Shtatë zgjedhor të LDK-së në nëntor të vitit 2010 dhe pikërisht si rezultat i këtyre pasojave, në këtë parti politike vazhdojnë mjegullnajat, paqartësitë dhe pengesat serioze për të marrë sërish primatin e partisë së parë.
Përzgjedhja e kreut të një partie politike sipas modelit një anëtar një votë, u dëshmua qartë se i eliminon armiqësitë, e në veçanti fraksionet që ekzistojnë dhe janë të pranishme në secilën parti politike në Kosovë, madje edhe në Evropë, pasi fundja në shumicën e shteteve evropiane fraksionet politike janë të legalizuara edhe përmes statutit të akëcilës parti politike.
Le ti kthehemi edhe një herë zgjedhjes së djeshme të liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe liderit të ri të saj z. Lulzim Basha, i cili korri fitore të thellë ndaj kundërkandidatit të tij. Realisht zgjedhja e djeshme e z. Basha sikur të ndodhte përmes ndonjë modeli tjetër të përzgjedhjes, do të krijonte paqartësi, mbase edhe konflikte të brendshme dhe të pariparueshme brenda udhëheqjes dhe anëtarësisë së PD-së.
Do të kishte mundur të ndodhte edhe për faktin se mbi dy dekada kjo parti u udhëhoq nga lideri i saj historik, z. Sali Berisha. Çdo model tjetër i zgjedhjes së liderit të ri të PD-së ka mundur të shkaktojë pasoja të pariparueshme dhe afatgjata, por që realisht ky proces jo vetëm që pati mbarëvajtje të qetë, por edhe përzgjedhje të kënaqshme.
Partia Demokratike e Shqipërisë, pësoi humbje në zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti, por vetëm 31 ditë më vonë, kjo parti shënoi fitore të dyfishtë dhe me rëndësi për PD-në dhe të ardhmen e saj. Së pari zgjodhi liderin e ri si me moshë ashtu edhe me vizione dhe së dyti kjo parti politike që nga dita e djeshme siguroi një të ardhme të qëndrueshme që i garanton rikthimin pas një mandati në pushtet.
Le të besojmë që një mrekulli e këtillë do të ndodhë edhe në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që pritet të mbahet vitin e ardhshëm. Fundja ky model i përzgjedhjes ekziston në të gjitha partitë me orientim të djathtë kudo në Evropë, aq më shumë kur të kihet parasysh se LDK tashmë edhe është anëtare e PPE-së.