26 Dhjetor 2024

LVV dhe AAK fituan, LDK, AKR dhe Nisma vendnumruan kurse PDK u nda keq

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Rezultate të pritura dhe të papritura: Votimet për balotazh përfunduan më 19 nëntor 2017 sikur që u bënë publike nga KQZ edhe rezultatet preliminare.

Kishte befasi por rezultatet ishin të pritura nëse merret parasysh konteksti i gjerë analitik dhe jo dëshira dhe animi që, në të shumtën e rasteve mashtron.

Mendoj se nëse mbesin këto rezultate e që është shumë vështirë të ndryshojnë fitues të vetëm janë LV dhe AAK kurse të tjerët,  ose kanë vendnumëruar, ose kanë humbur komuna. Të shkojmë me radhë, sipas renditjes dhe rëndësisë së komunave që i kanë fituar apo humbur .

1.    Lëvizja Vetvendosje! del të jetë fituesi më i madh i zgjedhjeve lokale  nëse mbesin këto rezultate.

Përveç Prishtinës që ka qenë me rëndësi jetike për LV  duket se e ka ruajtur, del se e ka fituar Prizrenin dhe Kamenicën.

Pse e fitoi LV Prishtinën ?!Shpend Ahmeti, për disa muaj ka qenë i bombarduar në medie dhe i është nënshtruar një fushate denigruese, me të drejtë apo pa të drejtë vlerësimi mund të jetë objektiv apo subjektiv, jo për t’i identifikuar premtimet që nuk i ka realizuar por për ta dëmtuar për zgjedhje dhe për t’iu krijuar favore  kundërshtarëve politikë.

Në një masë të madhe është dëmtuar Shpend Ahmeti por në një moment të caktuar i ka krijuar përparësi.

Nuk kanë qenë votat e AKR-së përcaktuese për fitoren eventuale të Shpendit por kanë qenë votat e PDK ato që e kanë krijuar një rezultat aq të ngushtë, duke e lënë pezull fituesin, deri në përfundim të votave me kusht.

LDK ka fituar shumë vota në Prishtinë, më shumë se që është pritur sidomos kur e kemi parasysh faktin se Arbani ka hyrë vonë në garë për Prishtinën dhe se ka pasur kundërshtime brenda partisë, në emër të cilës ka garuar.

Po presim rezultatet e fundit kur do të përfundojnë numërimi i votave me kusht por unë e shoh Shpend Ahmetin si kryetar të Prishtinës edhe për një mandat. Edhe në parashikimin e së shtunës në Epokë të Re i kam dhënë përparësi Shpendit.

Tash, sa jam i kënaqur me punën e Shpendit është çështje tjetër por Shpendi ka qenë favorit dhe votat e PDK në favor të Arban Abrashit kanë penguar krijimin e një distance më të madhe të Shpendit përballë Abrashit.

Kam parashikuar se Surdulli do ta përmbysë rezultatin në Kamenicë e doli të jetë i pasaktë ky parashikim. Për Prizrenin kam shkruar se i ka dy kandidatë shumë të mirë, Totaj i PDK-së dhe Haskuka i LV dhe se cili nga kandidatët të fitojë, do të fitonte edhe Prizreni.

 Shaqir Totaj nuk e kam takuar asnjëherë në jetë dhe nuk e njoh kurse Mytaherin e njoh që nga viti 1999 dhe në rastin konkret, në bazë të debateve kam vlerësuar se Totaj ka përparësi e duket qartazi se Mytaheri do të jetë kryetar i Prizrenit.

 LV e ka fituar edhe një qytet që do të udhëhiqet nga Agim Bahtiri, Mitrovicën e Jugut dhe për këtë arsye e them se LV është fituese më e madhe e zgjedhjeve lokale. Për fitoren e  Agim Bahtirit mendoj se më  shumë  apo kryesisht ka kontribuar  bankomati i Behgjet Pacollit se votat e Albin Kurtit.

E kam mendimin e ndarë për Agim Bahtirin që e ka kapacitetin intelektual dhe politik të një filloristi të cikleve të larta kurse për koalicionin e Albinit me Agimin jam deklaruar publikisht duke e cilësuar si koalicionin më të palogjikshën dhe më joparimorin të mundshëm.

Suksesi tjetër i LV është se ka punuar me mish (zemër)  e me shpirt (mendje) për ta dëmtuar PDK që e konsideron si armik më të madh se vet Listën  Serpska dhe Aleksandër Vuçiqin. Nëse vazhdohet me këtë trend, më së largu brenda dy viteve do të kemi përshkallëzim të dhunës në Kosovë.

Dhe, krejt në fund, dënimi i katër (4) aktivistëve të LV, dy ditë para votimit ka ndikuar në rritjen e votave të LV dhe kushdo që ka bërë plane tjera del të ketë bërë llogari të gabuara.

2.    Fituesi i dytë më i madh është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  që është rikthyer fuqishëm në skenën politike të Kosovës. Duket se fuqizimi i AAK në nivel qendror dhe posti i kryeministrit ka ndikuar në fuqizimin e AAK –së.

Nuk kam dyshuar në fitoren e Ardian Gjinit në Gjakovë, Xhafer Gashit në Obiliq, Smajl Latifit në Rahovec sikur që kam paraparë se AAK mund ta përmbysë reyultatin në Klinë ku u bënë të gjithë për ta shpronësuar nga posti, Sokol Bashotën. Kam besuar që Sali Asllanaj do ta fitojë Therandën dhe dështova.

3.    LDK nuk është fituese nëse nuk e fiton Prishtinën. Madje në këtë rast llogaritet humbëse. Pse ? Prej komunave ekzistuese që i ka udhëhequr, LDK e ka fituar vetëm një komunë të re, Vushtrrinë kurse e ka humbur Therandën dhe Ferizajin. Fitoret në Istog, Besianë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë, Viti, Gjilan kanë qenë të pritshme ndërsa Vushtrrinë e ka fituar falë LV. LDK nuk e ka bërë asnjë befasi që nuk është pritur.

4.    AKR e ka ruajtur Mitrovicën e Jugut kurse jo edhe Gjakovën që Mimoza e pati fituar si aKR dhe jo si Alternativë.

5.    Nisma për Kosovën e ka ruajtur Malishevën si qytet dhe kryeqytet politik kurse tërë kativitetin e ka përqëndruar ta dëmtojë sa më shumë PDK-në, që në disa raste edhe ka arritur.

6.    Alternativa për Gjakovën e Mimozës dheIlirit dështoi ta ruaj Gjakovën sepse votat e PDK-së ishin përcaktuese për fitoren e Ardianit sikur edhe bllokimi i bankomatit të Behgjet Pacollit  ia rrënoi bazën materiale  Mimozës e që ishte përcaktuese kur Mimoza, nën patronatin e Gjetit e fitoi Gjakovën,  katër (4) vite më parë.

7.    Lista Serbe fitoi më së shumti komuna në Kosovë dhe kjo është fitore absolute e Serbisë në Kosovë shkaku se Lista Serbe nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën.

8.    PDK është humbëse në këto zgjedhje por, nëse merret parasysh e kaluara e saj, atëherë duhet të thuhet se është ndarë shumë mirë.

Kësaj radhe PDK ka pasur kandidatë të mirë për Mitrovicën e Jugut, Prizrenin dhe Ferizajin kurse ka dështuar në komunat tjera, ku ka humbur.  PDK –në më së shumti e ka dëmtuar vet PDK. Në Mitrovicë ka pasur rivalitet midis kandidates dhe të tjerëve që në heshtje e kanë bojkotuar.

Në Gjilan janë rrymat Pajaziti, Zeka dhe Mustafa që kurrë nuk kanë bashkëpunuar prandaj ka rënë aq shumë në këtë qytet.

Në Prizren Haskuka ka fituar falë kryezinjve dhe Nait Hasanit, anëtarë të PDK -së që nuk e kanë përkrahur z. Totaj i cili ka qenë kandidat shumë i mirë. Mos të flasim për Panço Vilan e Prizrenit, të famshmin Zafa i cili tërë ngritjen në karrierë e ka bërë falë PDK-së.

Nisma për Kosovën i është hakmarrë fort PDK-së  dhe tash po vërehen pasojat e largimit të dhunshëm të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj nga PDK.

Anëtarët dhe zyrtarët e lartë të PDK-së ishin lojalë ndaj partisë vetëm sa kishin interes. Kur humbën qurat dhe quranat, humbën miqtë dhe jaranat.

Keni Hidajetin e  PDK –së, tash në LV, Ruzhdi Jasharin e PDK-së, tash në LV, Azem Ramadanin e PDK –së, tash në LV, Panço Vilën e Prizrenit, dikur në PDK, tash në Nisma dhe LV, kryengritësit e Drenasit dhe Skenderajt që vetëm sa nuk u vranë për një karrike, Qemajlin e Gjilanit që më shumë e ka sharë PDK –në se që ka punuar për ta, shumë afera korruptive dhe të tjera.

Hashim Thaçi e ka lënë gjendjen katastrofike në PDK dhe nuk ka qenë i interesuar të fitojë PDK. Kadri Veseli ka gabuar kur e ka marrë udhëheqjen e PDK –së në atë kohë, pa e krijuar një mbështetje më të madhe dhe jo duke e pranuar stafetën nga Thaçi.

Pastaj, pjesa “ intelektuale “ e PDK-së nuk e kanë pritur Veselin si kryetar nga respekti por nga interesi dhe frika se do të mbesin pa poste.

Pjesa “ intelektuale “ e PDK-së, ka mund të jetë çdo gjë por jo PDK dhe nuk e kanë dashur, as luftën e as UÇK-në. Mirëpo, kurrë nuk kanë mbetur pa poste dhe pa pozita.

PDK është sjellur keq me LDK duke e prishur, pa asnjë nevojë koalicionin dhe tash LDK i është hakmarrë, pa e përkrahur në asnjë komunë ndonëse PDK e ka përkrahur LDK në disa komuna në zgjedhjet e fundit.

Gabimi më i madh i PDK –së është se antivlerat i ka promovuar si vlera kurse vlerat e vërteta i ka margjinalizuar, deri në shpërfillje dhe përbuzje. Milionerët e PDK –së e kanë dëmtuar më së shumti PDK-në.

Dhe, po të mos ishte Ilmi Reçica dhe” autostrada etij politike, Shtime, Ferizaj dhe Kaçanik  “ – Arbër Xhaferi, PDK do të mbetej vetëm me Ramizin e Drenasit dhe ai fakiri i Dragashit që fitoi me vota të imëta.

Prandaj, nëse merret parasysh konteksti aktual, PDK është ndarë mirë sepse edhe humbja dallon prej humbjes. Shto këtu edhe bisedimet në Bruksel, votimin e Gjykatës Speciale, Demarkacionin, Asociacionin etj.

Konteksti aktual dhe zgjedhjet: Mbështetur në këto rezultate preliminare, pa një marrëveshje me LV, LDK nuk ka llogari të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Nuk do të ndahej mirë. Haxhi Lutës si fort po i kruhet sikur kohë më parë edhe PDK-së. Edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, AAK do të ketë pozicione të forta dhe do të kishte rol përcaktues për formim të qeverisë dhe institucioneve qendrore, disi si LSD-i e Ilir Metës në Shqipëri.

Nisma për Kosovën, AKR dhe Alternativa, pa u bërë pjesë e listës zgjedhore të ndonjë subjekti politik të fuqishëm, nuk do ta kalonin as pragun zgjedhor.

Lexues të nderuar, tingëllon disi joserioze por mendoj se aktualisht të vetmet parti politike që kanë interes të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare janë LV dhe PDK.

Sidomos kjo vlenë për PDK-në. Në njërin nga shkrimet e radhës mund ta arsyetoj këtë qëndrim, që mbase për shumicën e lexuesve do të duken qesharake por, në shumicën e rasteve kam qenë parashikues shumë i saktë.

Por janë edhe disa rrethana tjera që në këta gjashtë (muaj) të ardhshëm, në masë të madhe do ta qartësojnë dhe diferencojnë skenën politike në Kosovë.

Frika dhe vlerësimi i gabuar asnjëherë nuk të siguron fitore dhe shembull më i mirë për  këtë është PDK duke e vlerësuar gabimisht kohën e prishjes së koalicionit me LDK dhe frikën nga Gjykata Speciale të cilën vet e kanë votuar kurse “ specialistët “ brenda kësaj partie janë ngutur të shkojnë në zgjedhje para fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe i kemi këto rezultate.

Megjithatë, këto rezultate kanë prodhuar një efekt pozitiv, shpërndarjen e fuqisë politike brenda disa subjekteve dhe mundësi më të madhe për koalicione në të ardhmën. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)