Luta do ta shkruaj historinë më 16 nëntor!
Shkruar nga Burim Elezi
Të gjithë e njohin bagazhin intelektuar të Lutfi Hazirit, aktualisht nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Gjilanit. E njeh Gjilani, Anamorava, Prishtina, Tirana, Shkupi, e gjetiu.
E ka dëshmuar veten që është lider i pamposhtur. Përveç tjerasht, Luta do të mbahet në mend si njeriu që ndali teposhtëzen e LDK’së në Gjilan e Anamoravë, duke e rikthyer në krye pas gjashtë vitesh.
E mbaj në mend në një mbledhje të kryesisë së Degës në vitin 2011, kur na tha se duhet të punojmë natë e ditë dhe zgjedhjet duhet t’i fitojmë me mbi 25 mijë vota.
E kujtoj, poashtu, që ne e shikuam njëri-tjetrin me habi, nga pak edhe duke qeshur ‘si nër veti’ se si ka mundësi që prej 9 mijë vota në vitin 2009, të kalojmë në 25 mijë pas katër vjetësh.
Jo që doli ashtu, por Luta ia theu rekordin edhe parashikimit të tij, duke triumfuar në mënyrë plebishitare.
Në vitin 2017 ndryshuan gjërat në zgjedhjet nacionale dhe të gjithë e dimë rezultatet. Edhe ata që patën ambicje për të dalë kandidat për kryetar Komune, u strukën. Luta kishte deklaruar se nuk do të jetë më kandidat qysh para një viti.
Kryetarët e nëndegëve të LDK’së në Gjilan e lusnin ‘si për gjak’ që të dalë sërish për hirë të partisë, për hirë të gjilanasve, për hirë të projekteve të mëdha.
Mbi të gjitha, Luta kishte kërkesa të mëdha prej qytetarëve të rëndomtë për t’i prirë edhe njëherë garës për kryetar.
Dhe, si lider i vërtetë që është, pas një rezultati jo të mire në zgjedhjet nacionale, e mori mbi supe edhe njëherë barrën për t’i prirë LDK’së në Gjilan. Kësaj radhe ngadhnjeu edhe më fuqishëm se në vitin 2013.
Por, ajo që mund ta them me bindje të plotë është që Lutfi Haziri do ta shkruaj historinë më 16 nëntor, në tubimin e përmasave të Ibrahim Rugovës në vitin 2000, në Stadiumin e Qytetit.
Veç Luta, pas Ibrahim Rugovës, mbush salla që qindra njerëz mbesin jashtë, por do ta mbush edhe stadiumin ‘knap’, duke u krijuar një standard i ri pas 15 vjetësh në politikën kosovare.
Për fund, jam i bindur që do ta dyfishoj votën më 19 nëntor me mbështetje përtej partiake, pra me mbështetje qytetare.
(Autori është anëtar i kryesisë së Degës së LDK’së në Gjilan, njëherit përfaqësues i partisë në Komisionin Komunal Zgjedhior)