24 Dhjetor 2024

Lugina nuk shitet, nuk ndërrohet as nuk falet, por fitohet

Shkruar nga Halil Selimi

Le të përsëritet dhe të vlejë për të gjithë ky parim politik, me të cilin jemi udhëhequr dje dhe duhet të na shërbej edhe sot e derisa të arrijmë ta tejkalojmë realisht dhe jo vetëm ta kujtojmë manipulueshëm dhe deklerativisht.
  
Lugina e Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Mendvegjë) është një regjion i banuar me shumicë etnike shqiptare, i cili, adminstrativisht është shkëputur dhunshëm nga tërësia etnike e territoriale shqiptare, për të mbetur akoma nën pushtetin serb.
 
Shqiptarët, nën pushtetin serb, gjithmonë janë ndjerë dhe janë trajtuar si qytetarë të huaj nën pushtim. Edhe pas “demokratizimit” të Serbisë gjendja vazhdon të jetë e rënduar nën administrimin qendror ushtarako-policior, ku vetëqeverisja lokale nuk i ngjanë as për së afërmi auotonomisë demokratike të vetëqeverisje lokale.
 
Shqiptarët shumicë janë të organizuar politikisht në subjekte politike, por vota e tyre e lirë ka vetë kuptimin e një farse demokratike për një pushtet lokal të dhunuar administrativisht nga pushteti qendror dhe forcat ushtarako-policore që prodhojnë vetë presion ndëretnike, pasiguri dhe varfëri.
 
Liria e kufizuar qytetare, ekonomike dhe nacionale kërkon angazhim të gjithmbarshëm politik vendor dhe mbikëqyrje civile ndërkombtare, për të relaksuar gjendjen aktuale përmes një vetëqeverisjeje të mirfilltë lokale me standarde europiane, në shërbim të qytetarëve dhe ruajtjes së substancës shqiptare në këtë rajon konfliktuoz dhe parandalimin e një pastrimi etnik në vazhdim.
 
Në vazhdën e zgjidhjes së kontesteve politiko-territoriale në rajon, edhe çështja shqiptare në Luginën e Preshevës kërkon një çasje politike më serioze, përtej interesave individuale, partiake e komunale, nën përkujdesjen ndërkombtare, në shërbim të tejkalimit të krizës që po thellohet, për të arritur një zgjidhje politike të qëndrueshme brenda kuadrit të zgjidhjeve të përgjithshme që po përmbyllen në rajon!

Njëzetë vjet pas referendumit gjithëpopullor për autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, dhe pas më shumë se dhjetë vjet nga lufta e armatosur për liri, drejtësi, shqiptari dhe demokraci, Lugina e Preshevës proeston!

Dhe, pas gjithë kësaj historie dhe historiku liridashës, nuk duket politikisht e besueshme kërkesa për autonomi!

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë kërkesa politike të krahasueshme me askë, por të drejta origjinale të parealizuara dhe që duhet t’i realizojnë aty ku jetojnë dhe janë autokton, historikisht!

Kur mohohen të gjitha të drejtat elementare, politike, njerëzore dhe kombëtare, atëherë vetëm e drejta e protestës ngelet e përhershme dhe e patjetërsueshme!
Të protestosh për të realizuar të drejtat legjitime si njeri, si qytetar dhe si nacionalitet, është e vetmja alternativë e pamohueshme në demokraci.
 
Serbisë, në Luginë të Preshevës, mund t’i bëhet vetëm një kërkesë: largimi i xhandarmërisë dhe i të gjitha strukturave famëkëqia të dhunës serbe, që terrorizojnë komunitetin autokton shumicë të shqiptarëve në Luginë.

Ndërsa, të gjitha të drejtat tjera varen dhe realizohen nga vetë ne me përgjegjësi të plotë politike, kombëtare, qytetare dhe demokratike, pa lejen e dhunuesit të barazisë!

Autonomia nuk kërkohet më, pas një plebishiti gjithëpopullor dhe pas një konflikti të armatosur, por ndërtohet me një përgjegjësi politike të deleguar me votë!
 
Zgjidhja është imperativ i kohës dhe domosdoshmëri demokratike e angazhimit të përbashkët politik, qytetar e kombëtar, nën kujdestarinë e një administrimi civil të përkohshëm ndërkombtar!
 
Të gjithë, pa përjashtim, politikisht dhe kombëtarisht, duhet të vihen, dhe jo vetëm të deklarohet, në mbrojtje të interesit politik, kombëtar dhe qytetar!

Në shërbim të sigurisë dhe lëvizjes së lirë, të pronës private, mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik, barazisë shoqërore,  përkujdesit shëndetësor e të kulturës, të qytetarisë dhe perspektivës në liri, barazi e demokraci.

Është dhe mbetet çdoherë domosdoshmëri dhe obligim i institucioneve lokale, partive politike, OJQ dhe gjithë qytetarëve të Luginës dhe përtej saj, që të jenë gardianë të barazisë dhe jetës së lirë për shqiptarët në Luginë!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)