25 Dhjetor 2024

Luftimi i përbashkët i kontrabandës me migrantë

Shkruar nga Bernd Borchardt, Hajredin Kuçi, Bajram Rexhepi

Në shkurt, 2010, në kufirin ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës kishte ndodhur një aksident i trafikut për shkak të shpejtësisë së madhe të një veture. Vetura e aksidentuar ishte përpjekur t’i ikte policisë, kështu që aksidenti përfundoi me një person të vdekur dhe një të lënduar rëndë. Kur ky i fundit ishte këndellur, autoritetet mësuan se personi i lënduar ishte një kosovar, i cili po kontrabandohej drejt Shteteve të Bashkuara nga një grup ndërkombëtar i kontarbandimit të njerëzve.

Udhëheqës i këtij rrjeti ishte një shqiptar. Ai u kërkonte shqiptarëve në nevojë deri në 13,000€, për kalim ilegal në SHBA. Këtu nuk bëhej fjalë për një fluturim direkt e as për fluturim në klasin e parë. Këtu rrugëtimi fillonte nga Mali i Zi, nëpër Gjermani dhe Ekuador, para se të arrihej në Meksikë dhe pastaj në SHBA.

Për këtë duheshin muaj të tërë. Ndërsa shpesh kosovarët duhej të prisnin në Ekuador në një situatë pa pasaportë dhe pa para, dhe pa pasur mundësinë që t’i kontaktojnë familjet e tyre. Ata vareshin plotësisht nga kontrabanduesit e njerëzve.

Tani, si i dimë ne gjitha këto gjëra? I dimë sepse institucionet e Kosovës – policia, prokurorët dhe gjyqtarët kanë punuar shumë në nivel vendi dhe nivel ndërkombëtar që t’i sjellin keqbërësit para drejtësisë. Ne ishim në gjendje që ta bëjmë këtë sepse stafit kosovar dhe ai i EULEX-it kanë punuar së bashku në ekipe të përbashkëta nga fillimi e deri në fund, për t’i sjellë keqbërësit para drejtësisë.

Në bazë të dëshmisë së dhënë nga i mbijetuari i aksidentit, udhëheqësi i rrjetit të kësaj bande u arrestua në Shqipëri (në tetor 2011) dhe më pas qe ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku edhe e ka pranuar fajësinë.

Kur u arrestua udhëheqësi i rrjetit, Demё Nikqi, telefoni i tij ishte konfiskuar dhe ishte dërguar për analizë. Ky telefon mundësonte lidhjen direkte me personat e tjerë të dyshuar për përfshirje, duke përfshirë edhe vëllain e tij, Bekё Nikqi. Kjo ishte e mjaftueshme që të hapeshin hetimet kundër të gjithëve. 

Aksidentimi i veturës ishte pjesa e parë e informacionit e cila u përdor nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe prokurorët vendas për fillimin e hetimeve kundër Demё Nikqit. Veprimet hetimore të mëtejme ishin ndërmarrë nga Policia dhe prokurorët e Kosovës, dhe si rezultat  i këtyre hetimeve ishin identifikuar edhe të dyshuar të tjerë - Bekё Nikqi, Nuradin Ahmeti, Jeton Smaka dhe Pjetër Krasniqi.

Këta të dyshuar i kishin zgjeruar aktivitetet e tyre të kontrabandimit me njerëz edhe përmes pajisjes me dokumente të rrejshme të udhëtimit, dërgimit të parave bashkëpunëtorëve të tyre në vendet e Amerikës Latine të cilët më pas do t’u mundësonin atyre hyrjen në Shtetet e Bashkuara, rregullimit të vizave për shtete të ndryshme të Amerikës Latine, dhe çuarjes së njerëzve për të kaluar kufirin për në aeroportin e Podgoricës, Mal të Zi.  

Është e vërtetë se kishim informacione – por a mund të konsideroheshin ato si dëshmi? Pas shqyrtimit, prokurorët vendosën se jo vetëm që kjo nuk përbënte një rast që kërkonte veprim, por edhe mund ta vërtetonin atë nga provat e mbledhura. Kjo nënkuptonte se ata do të mund të ngritin një aktakuzë.

Aktakuza është një procedurë zyrtare/dokument në të cilën rasti paraqitet ashtu siç e sheh prokurori. Është një dokument i cili vlerësohet nga gjyqtari i procedurës paraprake. Më pas është gjyqtari i procedurës paraprake ai, i cili në bazë të fuqisë së aktakuzës do të vendosë nëse rasti duhet të procedohet për gjykim.  

Gjyqtari vendosi që të ketë gjykim, i cili filloi në mars 2013. Gjykimi vazhdoi deri në qershor të këtij viti, kur katër persona u dënuan për kontrabandim. Gjykimi shënoi një kthesë në historinë ligjore në Kosovë, meqë tre nga katër të pandehurit vendosën ta përdorin Kodin e ri të Procedurës penale që u mundëson atyre të bëjnë marrëveshje me prokurorin mbi pranimin e fajësisë. I pandehuri i katërt e pranoi fajësinë në gjykatë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, ata kishin të drejtë të marrin dënime më të buta.   

Pra çfarë mësuam nga kjo? Mësuam se drejtësia do kohë; por ajo gjithsesi është e arritshme. U deshën tri vite nga fillimi e deri te përfundimi i këtij rasti. Ne kemi mësuar se ndërmarrjet kriminale nuk njohin kufij, dhe se krimi është trans-nacional dhe ndërkombëtar. Ne mësojmë se aktiviteti kriminal si kontrabandimi i njerëzve i eksploaton personat nevojtarë, dhe i dëmton familjet.  

Në mënyrë që të arrihet progres përmes procesit për Liberalizimin e Vizave dhe për procesin e integrimit evropian në përgjithësi, Kosova duhet ta vazhdojë forcimin e sundimit të ligjit duke demonstruar se qytetarët e saj i binden ligjit dhe se ata kërkojnë të udhëtojnë jashtë shtetit vetëm përmes mënyrave të ligjshme. Në këtë drejtim, Kosova tashmë ka arritur një progres të rëndësishëm drejt themelimit të sistemit për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Me Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit kundër trafikimit me qenie njerëzore , Qeveria e Kosovës ka caktuar tregues të qartë dhe afate kohore të pranueshme për të cilat aktivitetet e lidhura me parandalimin e luftimit të trafikimit duhet të arrihen dhe të përfundohen.

Strategjia është duke u vlerësuar vazhdimisht dhe progresi është shënuar. Veç kësaj, me ndryshimet legjislative dhe miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, Kosova ka demonstruar vendosmërinë e saj për ndërmarrjen e masave ligjore në parandalimin e rasteve të cekura më lart dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar dhe mbrojtur viktimat në përputhje me direktivat dhe standardet e BE-së.

Ne, po ashtu, kemi mësuar se prokurorët e EULEX-it dhe ata vendas arrijnë rezultate më të mira kur punojnë bashkë në ekipe të përbashkëta. Ndonëse numri i prokurorëve të EULEX-it nuk mund të krahasohet me numrin prokurorëve vendas, puna në ekipe të përbashkëta tani është shndërruar në normë. Gjithsej janë 101 prokurorë të Kosovës dhe 25 prokurorë ndërkombëtarë.  

Të gjithë e dimë se korrupsioni është një problem serioz në shumë vende të rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK) punojnë 12 prokurorë ndërkombëtarë dhe 7 prokurorë vendas. Ne duhet të bëjmë më shumë për t’i inkurajuar prokurorët që të dalin përpara dhe të marrin përsipër rastet e profileve të larta të lidhura me korrupsionin.

Ne sot po e shfrytëzojmë rastin që t’i ftojmë të gjithë studentët e fakulteteve juridike që të mendojnë lidhur me mundësinë që të bëhen prokurorë. Luftimi i korrupsionit duhet të jetë detyrë patriotike e çdo qytetari.

Në këtë kuptim, ne po ashtu bëjmë thirrje për një bashkëpunim më të madh nga të gjitha institucionet për luftimin e korrupsionit dhe njëkohësisht i inkurajojmë qytetarët që të deklarohen për shqetësimet e tyre dhe autoriteteve kompetente t’u paraqesin çfarëdo dëshmie që mund ta kenë lidhur me ndonjë rast të korrupsionit.  

Rastet në të cilat janë angazhuar prokurorët dhe hetuesit policor të EULEX-it kryesisht kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, krimet e luftës dhe krimet e nxitura nga urrejtja.  Edhe pse ne kemi punuar ngushtë dhe bashkërisht në hetime, në vitin 2011 ne i kemi nënshkruar marrëveshjet formale për formimin e ekipeve hetimore të përbashkëta për disa raste të caktuara.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga nivelet e larta policore të Policisë së Kosovës dhe Departamentit për hetime penale të EULEX-it dhe atë për disa arsye, mirëpo arsyeja kryesore ishte që kur EULEX-i të mos jetë më këtu, atëherë Policia e Kosovës të mund ta përdorë formatin e njëjtë për hetime të përbashkëta dhe për të pasur marrëveshje bilaterale me shtetet evropiane.

Ky bashkëpunim është rritur kohëve të fundit edhe më shumë pas nënshkrimit të marrëveshjes për shkëmbim të informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Veç kësaj, me rastet e rëndësishme është duke u marrë gjithnjë e më shumë Policia e Kosovës pa përfshirjen e EULEX-it.

Shifrat e mëposhtme e tregojnë gjendjen:

·         60% e operacioneve policore për krime të rënda kryhen bashkë me Policinë e Kosovës;

·         50% e ndjekjeve penale kryhen nga ekipet e përbashkëta;

·         Shumica e gjykimeve kryhen nga gjyqtarët vendas të cilët përbëjnë 66% ose më shumë të trupit gjykues.

Shifrat nuk janë e tëra – disa raste janë më të ndërlikuara se tjerat, disa përfshijnë një dëshmitar, të tjerat mund të përfshijnë edhe me qindra. Disa raste mund të përfundohen brenda vitit; e disa mund të zgjasin me vite. Vetëm javën e shkuar në një rast të kontrabandimit me njerëz, gjyqtarët kosovarë i shpallën fajtorë dy persona, 1 shtetas turk dhe një shtetas të Kosovës për kontrabandim me njerëz. Ata u dënuan me 7, përkatësisht 3 vite burgim.

Ne të gjithë pajtohemi se Kosova ka arritur progres të rëndësishëm në shumë fusha, dhe mjaft shumë gjëra tashmë janë përmbushur. Në pyetjen nëse do të mund të bëhej më shumë, ne të gjithë do të pajtoheshim dhe do të thoshim njëzëri po, ka vend për përmirësime dhe ende duhet bërë shumë.

Lajmi i mirë është se Kosova vazhdimisht ka demonstruar një vullnet të madh për të bashkëpunuar dhe punuar me partnerët ndërkombëtarë në përmirësimin e institucioneve të veta. Është e qartë se institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit nuk udhëhiqen nga EULEX-i; ato thjesht vetëm përkrahen prej tij.

Për më tepër, ne të gjithë e dimë se EULEX-i nuk do të jetë përgjithmonë i pranishëm në Kosovë dhe se mandati i tij do të përfundojë. Nëse ka nevojë për asistencë të mëtejme të EULEX-it dhe për cilat fusha, kjo është një çështje për të cilën duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe institucioneve të Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është se institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë janë duke shkuar në drejtim të duhur. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)