29 Dhjetor 2024

Lufta politike për betejën e të sotmes

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Një natë Nastradini ndërsa flinte, shtyu me nxitim të shoqën dhe thirri, aman o grua, shpejt më jep syzat. Për çka i do në këtë orë o lum?-Ia pret gruaja. Po e shoh një ëndërr të mirë.

Mirëpo janë disa gjëra që nuk i dalloj mirë, prandaj dua syzet që ëndrrën ta shikoj siç është. Anekdota tregon thelbin e politikës dalluese në Kosovë, pasi disa akterë të saj veprimin politik e nxjerrin nëpërmjet kujtesës dhe parashikimit duke harruar të tashmen. Fokusimi i tërë në kohën e kaluar dhe në të ardhmen të bënë ta humbasësh të sotmen, madje grupimet politike që pozicionimin e tyre politik e vendosin mbi këto premisa bëhen edhe të dëmshëm për shoqërinë në luftën politike për betejën e të sotmes.

Një koncept të tillë të njeriut që po fle me syza që ëndrrat t’i dalloj mirë si duket po e bart politika opozitare e veçanarisht Lwvizja Vetvendosje që si duket ka humbur të tashmen për të pasur gjithë atë zhgënjim. Jeta politike mes ëndrrës për të kaluarën dhe asaj të parashikimit për të ardhmen është iluzore.

Politika më tepër ka të bëjë me veprimet për të sotmen, e cila është bazë reflektuese e së nesërmes. Iluzore është sot të kërkosh nga politika e Kosovës për të ecur e vetme në një rrugë që mbase të gjithë e dimë se kah duhet t’i bie.

Politika e Kosovës në raport me kërkesat ndërkombëtare për detyrat e shtëpisë, qoftë ajo edhe për veriun e vendit,demarkacionin apo asociacionin, assesi nuk mund të identifikohet si e vetme apo edhe si pasqyrim i ecjes përkrah tjerëve , por ecjen pas, pasi që dihet se si e tillë që është Kosova miqtë i ka të pabarabartë me veten dhe është imagjinare dhe tejet idealiste të mendosh që atyre miqve t’u rrish përkrah në politikë.

Petku për Kosovën qepej më herët

Njerëzit që po flejnë me syze si duket po harrojnë që në Ballkanin Perëndimor Evropa e SHBA-ja ka kohë që kanë rritur dozën e ilaqeve për politikat e shteteve pjesëmarrëse për të arritur cakun e dëshiruar.

Ato politika në Ballkan, të cilat jetojnë nga kujtesa për të kaluarën dhe parashikimi për të ardhmen nga ai brum do të jenë vazhdimisht në gjumë dhe parë ëndrra me syze. Politika në Kosovë, bisedimet me Serbinë, demarkacioni, asociacioni etj,  të dizajnuara shumë kohë më parë do të duhej t’i shikonte me sy hapur, pra e zgjuar dhe jo në ëndërr.

Do të duhej t’i shikonte si një rast të mirë, mundësi për t’i lëvizur gjërat drejt pozitivës dhe jo t’i shikonte vetëm si kërcënim duke jetuar me ëndrrën se dikur Kosova kishte kufijtë e saj autonom. Iluzionet e ëndrrave tona po na bëjnë të harrojmë se ne ustait rrobaqepës i dërguam material jo të bollshëm e madje edhe me ngjyra për të na qepur rrobat.

Petku për Kosovën qepej më herët, qepej tek numri i pamjaftueshëm i ushtarëve të lirisë dhe hyzmeti i saktë që bëmë si popull. Petku për Kosovën andaj do të jetë edhe kolorit, pasi ky edhe ishte hyzmeti ynë në luftë, ky ishte hyzmeti ynë gjatë bisedimeve të Vjenës dhe ky ishte hyzmeti ynë i pasqyruar në dokumentin e presidentit Ahtisari.

Sot alamet politikanët e ëndrrave me syze pa përtesë bëjnë deklarata patriotike se nuk e duan petkun e dizajnuar për Kosovën, duke harruar se cili është qeizi i tyre dhe shoqërisë që bredhë rreth tyre për të ardhur këtu ku është sot Kosova. Po harrojnë se qeizi nuk bëhet nga ëndrrat e llafet dhe në kohë jo të duhur.

Vajzat e reja qeizin e bëjnë disa vjet para martesës, trimat në luftë e të mençurit konceptet e tyre politikë i ngrisin në kohë lufte apo menjëherë pas saj për të materializuar aktin e trimërisë. Sikur ta kishim qeizin e fortë në kohën e duhur në Kosovë nuk do të kishte kriminelë, nuk do të kishte barrikada e as që do të pritnim që Bashkimi Evropian të na servonte marrëveshje me Serbinë.

Kosova, politika e saj tani duhet të mësohet të lëvizë me petkun që e ka të dizajnuar karshi qeizit që ka dhënë në kohën e duhur. Kosovën e pret një rrugë e gjatë për ta pasur petkun e vet e që do t’i bie taman.

Ne gatuam bukën me miell misri e po shohim ëndrra me syze se buka na del nore. Një mendimtar pat thënë: “ Kush nuk do të arsyetoj është fanatik e ëndërrimtar, kush nuk di të arsyetoj është budalla dhe kush nuk guxon të arsyetoj është skllav i të tjerëve ”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)