30 Dhjetor 2024

Lufta në Ukrainë dhe ndikim në rajonin tonë

Shkruar nga Ali Mehmeti

Lufta në Ukrainë, ose më saktë invazioni rus mbi Ukrainën, është ngjarje që përfundimisht do të shkakton një lëvizje tektonike gjeopolitike mbarë botërore, që patjetër do të prek edhe regjionin tonë, tanimë të emëruar sikur Ballkani Perëndimor (BP) që përfshinë 6 shtete: Shqipërinë, Kosovën, Maline e Zi, Maqedoninë e V, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë.

Ndikimi i parë dhe i drejtpërdrejtë do të jetë mbi Serbinë e cila gjer me tani ka dashur “paratë evropiane, armatimin rus, tolerancën amerikane dhe investimet kineze”, siç tha Albin Kurti në CNN dhe, mbështetjen e Republikës së Shqipërisë, në formë të Ballkanit të hapur apo vetëm me heshtje, siç e shtoi Elvis Hoxha në RrugaPress. Gjer me tani të gjitha këto i ka pasur të mundshme.

A do të mund të vazhdoj me këtë politikë? Sigurisht që jo, sepse të tjerët nuk do e lejojnë. Invazioni rus mbi Ukrainën ka shkaktuar polarizime aq të forta saqë edhe Zvicra dhe shtetet skandinave, tradicionalisht neutrale, po heqin dorë nga ky status.

Por, deri sa këto shtete po rirreshtohen nga bindja dhe parimet e drejtësisë dhe respektimit të ligjeve ndërkombëtare, Serbia do rirreshtohet nga interesi sepse, 61% të shkëmbimit tregtar e zhvillon me shtetet e Bashkimit Evropian (BE), kurse me Rusinë rreth 5%.

Në investimet e përgjithshme të huaja BE merë pjesë me 70% kurse Rusia me 10%. Eksporti i Serbisë drejtë Rusisë është më i vogël sesa ai në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës (1 miliardë ndaj 1,35 miliardë dollarëve).  

Pra, e vetëdijshme se nuk do mund të mbaj pozicionin dual të gjertanishëm dhe e vetëdijshme se sanksionet e vendosura do e dobësojnë dukshëm Rusinë në dekadat e ardhshme, Serbia do heq dorë nga dashuria me Rusinë dhe do orientohet nga Evropa.

Shenjat e para tashmë janë dhënë, me votë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB për Drejtat e Njeriut, edhe pse vetë Vuçiqi e pranoi se, këtë votë e dhanë nën presion dhe shantazh ndaj Serbisë. Vetëm kjo deklaratë e Vuçiqit, e dhënë për tu arsyetuar para opinionit të vet dhe atij rus, mjafton që të konkludohet sesa i sinqertë do jetë ky rirreshtim.

Tek e fundit, sanksionet e Serbisë ndaj Rusisë nuk kanë kurrfarë peshe në krahasim me dobinë që Rusia mund të ketë nga prania e Serbisë, sa më në brendi të qarqeve evropiane, nëse jo edhe të jetë anëtare me të drejtat e plota(!).

Madje, kjo mund të jetë edhe një marrëveshje e fshehtë mes tyre, për çka Rusia do e toleron dhe vazhdon ta përkrah Serbinë.     
 
Me heqje dorë nga Rusia, Serbia dhe serbet do i kthehen shkathtësisë së tyre të vjetër të quajtur mimikri, duke dashur të bëhen më evropian se evropianët, respektivisht “më katolikë se papa”.

Këtë shkathtësi serbet e ushtrojnë nga koha e Perandorisë Osmane, kurse edhe e studiojnë nga koha e etnopsikologut të tyre të parë Jovan Cvijiq, nga fundi i shekullit XIX në veprën e tij “Vetitë psikologjike të Sllavëve të Jugut”.

E kombinuar edhe me interesin euroatlantik për shkëputje të Serbisë nga Rusia dhe me simpatinë e disa shteteve dhe qarqeve evropiane për Serbinë, do e vendos këtë të fundit në pozicion edhe më të favorshëm.

Pavarësisht se ky pozicion i favorizuar në raport me shtete tjera të BP nuk i ka munguar.

Me çka e kanë merituar këtë favorizim ndihmësit e Putinit, pyet Haris Silajxhiq – ish ministër, kryeministër dhe kryetar i kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës (BH), në një intervistë të javëve të fundit.?

Me shkaktimin e tre luftërave, me gjenocid, me qindra mijëra të vrarë, të plagosur, të dhunuar, me kampe përqendrimi, me shkatërrimin e qyteteve të tëra ... ?

Nëse e marrim si të mirëqenë mundësinë që Serbia ti braktisë raportet vëllazërore me Rusinë, çoftë edhe duke e simuluar këtë braktisje, shtrohet pyetje çfarë pasojash do të ketë kjo për regjionin dhe sidomos për Kosovën?

Për këtë kthesë, nuk do jetë çudi nëse Serbia, përveç vazhdimit të favorizimeve të gjertanishme të kërkon nga Evropa, dhe të has në mirëkuptim, edhe diçka tjetër.

Çka mund të kërkon, përveç territorit të Republikës serbe në BH ose/edhe në veri të Kosovës?

Dhe, pa dashur të jam sarkastik, ndoshta këto kërkesa të Serbisë, mund t’i duken Evropës të pakta dhe lehtë të realizueshme, në krahasim me problemet që lidhen me furnizimin me gaz, me fara të lulediellit apo plehra artificial për bujqësi, që vijnë nga Rusia apo Ukraina.

Të shpresojmë se Evropa ka nxjerr mësime nga rasti i Ukrainës, pasi e paska harruar mësimin nga Lufta e dytë botërore, se diktatorëve të tipit Putin dhe Vuçiq me aspirata ekspansioniste, duhet prerë rrugën sa më herret. Sa më vonë, çmimi do të jetë më i lartë – për të gjithë.

Sa i përket Putinit dhe Rusisë, tashmë janë vonuar. Mos të vonohen edhe për Vuçiqin dhe Serbinë duke i mbyllur sytë para armatosjes së tyre.

Me karota të freskëta nuk asgjësohen këto armë, veçse do hynë në përdorim më herret!        
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)