Lojërat me kufij-papjekuri politike
Shkruar nga Ramiz Bojaj
Duket tejet absurde ideja se me disa copa shqiptare të Kosovës së mbetur, mund të hapet kapitulli i ri për zgjidhjen më të lehtë të çështjes shqiptare në raport me Serbinë, duke përfshirë edhe atë të Kosovës Lindore. Ata qe mendojnë se bisedimet, Kosovë-Serbi, mund të rehabilitojnë çështjen shqiptare dhe të zgjidhin, kontestet historike, jo vetëm qe duket të jenë të papjekur, por realisht, po dëmtojnë tej mase forcimin e shtetit të Kosovës (promovimin e autorësisë së sovranit). Idetë pa vendin dhe kohën e duhur, prolongojnë zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, të cilët jetojnë në trojet e veta etnike e autoktone.
Shqiptarët duhet të forcohen dhe organizohen për ndryshime të mëdha. Vetëm një Kosovë e fortë, me Shqipërinë e fortë, duke u bazuar mbi një platformë unike nacionale (bashkimi e ndërkomunikimi), mund të ndryshojmë qasjen ndaj çështjes shqiptare në Ballkan, duke përfshirë edhe atë të Kosovës Lindore, Çamërisë, Maqedonisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Ne shqiptarët jemi ngopur nga dështakët, të cilët zgjimin e madh, të tyre e proklamojnë me nota të larta të nacionalizmit.
Ndryshe paaftësitë menaxheriale politike, diplomatike e qeverisëse, kanë cenuar tej mase profilin shtetëror të Kosovës. Zërat e fundit për lëvizje kufijsh me tepër se projekte realpolitike, ngjajnë me retorika të papjekura dhe të pamatura, të cilat mund të nxejnë debat, por jo të ndryshojnë rrjedhat e ngjarjeve. Pikërisht nga papërgjegjësitë(individuale e grupore, qeveritare e joqeveritare), Kosovës i është imponuar profili i shtetit kanton (decentralizimi).
Së fundi idetë e disa politikanëve për shkëmbim territoresh, mund ta dërgojnë shtetin e Kosovës në shkallën zero të ekzistencës së vet. Kjo pasqyrë e prezanton vendin tonë si një shtet me kufij të padefinuar, me shumë paqartësi dhe enigma për të ardhmen e vet. Kjo i vë në dilemë edhe ato shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me kufijtë aktual. Në këtë kontekst atakohet edhe procesi i njohjeve të reja, te cilat janë shumë të nevojshme për rrugën integruese të shtetit tonë.
Zgjimi mbi forcat reale
Zgjimi nacional nuk mund të ndodhë me retorika boshe e folklorizëm demagogjik. Ideja e fundit e Lufti Hazirit, i cili thekson se problemi mes shqiptarëve dhe serbëve mund të zgjidhet me kthimin e kufijve historik dhe natyralë të Kosovës, të vitit 1956, duket të jetë i parealizueshëm. Të paktën në këto rrethane. Dihet se në atë periudhë kohe pjesë e Kosovës kanë qenë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, por pa Leposaviqin dhe disa fshatra të Zubin Potokut.
Një dialog paqësor i definimit të kufijve që kanë qenë deri në vitin 1956 do ti zgjidhte problemet etnike dhe territoriale mes serbëve dhe shqiptarëve. Raportin mes Kosovës dhe Serbisë, problemet e komuniteteve apo pakicave nacionale dhe problemet territoriale. Në këtë mënyrë shmanget ndryshimi i kufijve, ndarja e brendshme e Kosovës, si dhe ndarja territoriale e Kosovës.
Si mendon Luta se në mënyrë paqësore mund të bëhet ndryshimi i kufijve me një shtet siç është Serbia, i cili është ngritur dhe zgjeruar mbi fatkeqësitë e popullit tonë. Me këtë shtet i cili bartë përgjegjësinë për katër luftëra ballkanike, me dhjetëra mijëra civilë të vrarë, pikërisht për zhvatje territoresh. Në mënyrë paqësore nuk mund të zgjidhet problemi i dy komunave në Mitrovicën veriore, e lërë më të pjesës tjetër të territorit shqiptar të Kosovës Lindore.
Kjo do të thotë të hapësh pazar për trojet etnike, duke kërkuar nga Serbia qe kjo të merr e të jep çfarë të dojë. Ne fillimisht duhet ta forcojmë shtetin e ri, Kosovën, të ndërtojmë parime unikate me Shqipërinë, (abetarja unike dhe rruga e kombit, lidhje më të fortë më shqiptarët jashtë shteteve shqiptare), të forcojmë ushtrinë dhe ekonominë tonë, e krejt në fund të hapim debat serioz për një rishqyrtim paqësor të kufijve në Ballkan.
Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar qe nuk do donte të jetonte i bashkuar në shtëpinë e vet(shtetin unik shqiptar), por mënyra e interpretimit për lëvizje territoresh, nga individ daullexhinj, mbetet vetëm tingull folklorizmi e assesi si diplomaci. Për të ndryshuar kufijtë në Ballkan, (në të mirë të kombit shqiptar), duhet të ndryshojë qasja e qendrave të politikëbërjes në Prishtinë e Tiranë, por edhe në Bruksel dhe Uashington.
Ndryshe, hyrja në marrëveshje, politike me Serbinë për një ujdi, rreth shkëmbimit të territoreve është shpallje luftë vetvetes, kur dihet se Serbia i mban nën pushtim jo vetëm Kosovën Lindore (Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin), por edhe veriun e territorit të vendit tonë. Serbia mban të pushtuar rreth 30 për qind të territorit të Kosovës, e ne kërkojmë nga kjo që të na lirojë territorin tonë (Kosovën Lindore)të aneksuar padrejtësisht.
Fillimisht Serbinë duhet goditur në Kosovë, ti dëbojmë strukturat e saja nga vendi ynë, për të vazhduar me luftën tonë për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore. Për këtë kemi mbështetje ndërkombëtare. Dhe kjo është arma jonë qe duhet përdorur në këto kushte dhe rrethana. Vet ndihmësseketari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ka porositur Serbinë për heqjen urgjente të bllokadave në rrugët e veriut të Kosovës dhe të sigurojë kontroll përkatës të kufijve.
"Vështirë është të imagjinohet që Bashkimit Evropian t'i bashkohet vendi i cili financon institucionet e ndara në shtetin fqinj më të cilin i ndan kufijtë ". Me Serbinë nuk mund të bisedohet as për marrëveshje teknike (dështimi për doganat, targat etj), të cilat veç sa tensionuan edhe më shumë raportet ndër fqinjësore, nga të cilat Kosova nuk pati asnjë dobi.
Historia e ndryshimit të kufijve
Ndryshimi i kufijve nuk mund të ndodh asnjëherë pa luftë. Lufta e fundit në Kosovë, ka ndodhur me pretekst të çlirimit të Kosovës nga pushtuesit barbar serb. Kjo ka vë në pozitë më të fortë shqiptarët, të cilët mund të shtojnë ndikimin e tyre edhe në zgjidhjen e problemeve për bashkëkombësit tanë në të gjitha trojet tona etnike. Kosova e re (shtet i pavarur), është njohur ndërkombëtarisht me kufijtë aktualë, me të cilët ishte prezantuar edhe në bashkësinë e kombeve në ish-federatën jugosllave.
Ideja për ndryshim të kufijve aktualë të Kosovës, forcohet edhe sipas nismës serbe, për një Kosovë ndryshe, me kufij të luhatshëm, për të hapur principe kompromisi rreth territoreve, plan të cilin Serbia e ka si model për pajtueshmëri historike e kombëtare, shqiptaro-serbe (zgjerimi i kufijve të saj në dëm të vendit tonë). Po ashtu, ideja për shkëmbim territoresh, do të thotë hapje pazar për territore, por jo edhe zgjidhje të çështjeve të kontestuara. Pse nuk mund të shkëmbehen territoret në kushtet dhe rrethanat aktuale?
E para, Serbia i mban të pushtuara dy pjesët territoriale, veriun e Republikës së Kosovës(komunat veriore) dhe Kosovën Lindore, për çka Kosova ska autorësi për shkëmbim, por vetëm të bisedojë se çfarë mund të japë e të merr Serbia sipas dëshirës së saj. Se sa e frytshme mund të jetë kjo specie e publikuar nga një deputet si Lutfi Haziri, dëshmon vet aktualiteti në terren. E tërë lufta dhe beteja Serbe, me të gjitha të palarat e saj në Ballkan, vazhdon me projektet për zgjerim territoresh (Serbinë e madhe). Për këtë qëllim, Beogradi mban gjallë strukturat e veta kriminale në veri të Kosovës.
Tash së fundi, të flasim sërish me një shtet të kriminalizuar (Serbinë fashiste) edhe për shkëmbim territoresh. Ne i dimë kufijtë e 1956-ës, i dimë edhe kufijtë e Dardanisë, por situata në teren është krejtësisht ndryshe, dhe kërkon më shumë kohë, përgatitje dhe përgjegjësi, që fillimisht të ruajmë atë qe tashmë e kemi në posedim, Republikën e Kosovës. Le ta forcojmë së pari shtetin tonë, ta ndajmë si duhet nga Serbia, të ndërtojmë ura e platforma bashkëpunimi me Shqipërinë, me vëllezërit tanë në Kosovën Lindore, (të cilët janë të harruar nga politika e shteteve shqiptare), e pas gjithë kësaj të kërkojmë diçka më shumë dhe të hapim debate për ndryshime.
Ndryshe, aventura e papërgjegjësisë, mund të na qojë në humbje të sërishme të tokave tona. Pikërisht mbi këto principe tingëllojnë po kaq zhurmshëm, edhe zyrtarët e Beogradit, ose millosheviqët e vegjël si:Jeremiçi, Tadici, e Daciçi, të cilët me ngulm kërkojnë prerjen e kufijve shtetëror të Kosovës, prapa të cilës fshihet ideja për pajtueshmëri historike duke i ofruar vendit tonë nja dy copë fshatra nga Kosova Lindore, për ti zhvatur dhjetëra metra katror shtetit tonë.
Ndryshe është për tu përshëndetur dhe përkrahur qëndrimi i bashkëkombësve tanë të Luginës së Preshevës, të cilët qysh në vitin 2006 patën nxjerr platformë politike përmes së cilës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mund ti bashkohen Kosovës, në rast se shkelen parimet e Grupit të Kontaktit për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi, i pamundur
Për menaxhimin e integruar të kufijve mes dy shteteve, së pari duhet njohja reciproke e kufijve. Kjo nuk ka ndodhur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë fqinje. Menaxhimi i përbashkët i kufijve të shteteve që përbëjnë Ballkanin Perëndimor ka dalë nga një konferencë rajonale e organizuar nga NATO-ja në Ohër të Maqedonisë, me 2003. Kjo nismë kishte për qëllim menaxhimin dhe kontrollin më efikas kufitar, veçmas lufta kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të jashtëligjshme.
Është shumë e qartë se menaxhimi i integruar nuk ndryshon kufijtë, dhe nuk bazohet mbi këto principe, por, pasi që Serbia nuk i njeh kufijtë shtetëror të Kosovës-ajo mundohet(duke shfrytëzuar qëndrimin e butë) të shtyjë më thellë legalizimin e autoriteteve të veta, të cilat edhe ashtu janë të pranishme në shtetin tonë si struktura ilegale. Për menaxhim të integruar kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të zbatohen principet unike siç janë me Maqedoninë, Malin e zi dhe Shqipërinë.
Arsyeja është shumë e thjeshtë: Me tri shtetet e përmendura marrëdhëniet janë bazuar mbi interesa bilaterale, ndërsa për Serbinë ne jemi krahinë jugore ose protektorat sipas rezolutës 1244 të OKB-së, i cili vijon kufirin Kosovë -Serbi si administrativ e jo shtetëror. Serbia e mban Kosovën në kushtetutën e saj, si pjesë të veten, ndërsa qeveritarët tanë, marrin guxim të thonë se po ndërtojnë raporte ndërshtetërore me një shtet, i cili ende jeton në ëndrrat e shekullit XIX.
Politikat evropiane mund të zbatohen me shtetet evropiane, e jo me shtetet të cilat mbrojnë teoritë ekspansioniste, për zgjerim territoresh ndaj fqinjëve. Serbia kërkon ridefinim kufijsh, për të aneksuar territore të reja ndaj Kosovës. Ndërkaq, qëndrimi tepër evropian i shtetit tonë ndaj këtyre kërcënimeve do të thotë, ti buzëqeshësh kërcënimeve. Zv., kryeministrja Edita Tahiri, forcon këtë shabllon (fare diplomatik), duke shtuar se menaxhimi i integruar i kufijve është model evropian, i standardeve dhe kritereve të njëjta me të gjitha vendet fqinje, edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, edhe me Serbinë.
Kjo është e vlefshme me të gjitha shtetet fqinje, por jo edhe me Serbinë mesjetare. Këto retorika janë mësuar përmendësh si shabllon qe duhet proklamuar si diplomaci, por nuk preket në esencë asnjë model që forcon autorësinë e shtetit të Kosovës, ose qon drejt shuarjes së krimit të organizuar në veri.
Këtë skemë e proklamon edhe bashkëdialoguesi i znj. Tahiri, Stefanoviç duke theksuar se thelbi i marrëveshjeve do të jetë ndarja e qartë e përgjegjësive dhe detyrimeve për secilin territor në përputhje me sistemin juridik në fuqi. Kjo do të thotë se Serbia mund të zbatojë juridiksionin e vet në bashkëpunim me misionarët ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët duhet të funksionojnë në bazë të rezolutës 1244.
Kërcënimi i fundit i Olivet ivanoviçit për shpalljen e pavarësisë së veriut të Kosovës, shkon krahas ideve për lëkundje kufijsh, dhe vjen në vazhdën e paaftësive vendase e ndërkombëtare, për shtrirjen e autoritetit unikat të Kosovës në tërë territorin e shtetit të ri.
Ata qe mendojnë se bisedimet, Kosovë-Serbi, mund të rehabilitojnë çështjen shqiptare dhe të zgjidhin, kontestet historike mes dy popujve, jo vetëm qe duket të jenë të papjekur, por realisht, po dëmtojnë tej mase forcimin e shtetit të Kosovës (promovimin e autorësisë së sovranit). Idetë pa vendin dhe kohën e duhur, po prolongojnë zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, të cilët jetojnë në trojet e veta etnike e autoktone.
(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).