30 Dhjetor 2024

Loja me universitetin

Shkruar nga Feti  Mehdiu

Nuk është asgjë e re! Ka filluar  vite më parë. Filloi atëherë kur nga një institucion serioz me përvojë tridhjetëvjeçare e i dëshmuar për ngritjen e kuadrove shkencore të nivelit jo vetëm evropian,  nisi lufta për ta shndërruar në institucion eksperimental.

Kjo ndodhte për të kënaq oreksin e mediokriteteve e karrieristëve  pa fijen e kapitalit shkencorë të nivelit universitarë. Kjo bëhej nën parollën” urra, burra në reformim të universitetit se kështu e kërkon Evropa... “! Dhe ja, ky është rezultat i “rre-formave” , lexoje mirë: RRE -forma, që do të thotë forma të rrejshme... ! nuk ke si e pagëzon ndryshe! LOJA  PULQORR  ME UNIVERSITETIN!

Kjo është e thënë më së buti! Sepse, po të  shpreheshim me atë që e meritojnë këto sjellje të  faktorëve, kinse elitare e meritore të Kosovës ndaj Universitetit, do të  duhej përdorur tjetër terminologji.

Me  shumë çka është bërë dhe  po bëhet  lojë në Kosovë. Nga shumëkush, vendorë dhe jovendor! Përgjegjësia  kryesore për këto lojëra u bie vendorëve. Le të përpiqen sa të duan të  maskohen  dhe t `ua hedhin fajin jovendorëve, këtë kurrë nuk mund t`ia shesin askujt, përjashtuar ndonjë matrapaz që është i prirur t`i iki përgjegjësisë individuale për të ndërtuar karierë apo përfitime materiale. Të gjithë duke u thirrur në reformat e karakterit evropian, pa e shikuar fare gjeografinë as historinë e Evropës  dhe  atë të Kosovës. 

Më e reja dhe që është aktuale është kjo loja me Universitetin publik të Prishtinës – jo të Hasan Prishtinës.  Nuk po e quaj  me emrin e tij , me qëllim që të mos e fyej Hasan  Prishtinën, i cili shkriu pasurinë për ardhmërinë  dhe lirinë e vendit dhe të popullit të vet, edhe për ngritjen e njerëzve  me dije... , ndërsa sot,  atë liri që është arritë falë  vizionit të Hasan Prishtinës,  përfshi këtu edhe Universitetin, përpiqen ta shkrinë për qëllime individuale, klanore, apo parti politike , të nxitur nga epshi materialist, karrierist, e ku ta dish se për çka... tjetër... por për Kosovën  dhe popullin e saj, jo!

Kjo nuk diskutohet fare!

Ani kush po i prinë kësaj loje, se...?! ani çfarë rruge kanë zgjedhë se.... ? !


Të  strukur nën ombrellën e UÇK-ës,  lexoje mirë e ngadalë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të  ambalazhuar me  mbiemra ndaj të cilëve ka respekt çdo qytetar i Kosovës.

A nuk është kjo një lojë prej atyre më të fëlliqurat?!

Si mund të  emërtosh ndryshe veprimet e dikujt që ka qenë në gjendje të shes donacionet e  ardhura në Kosovë për vlerat e UÇK-ës, e ky i shet për nevoja të vetat! Ç` kuptim ka veterani...i UÇK-ës, kur nën këtë  ombrellë  gjejn  vend të strehohen fëmijt e baballarëve biznesmenë, të nënave funksionare me përgjegjësi publike për të ardhmen e Kosovës, mbesat e tezeve apo të dajëve... që nuk  ia dinë skajin kapitalit të fituar kush e di se si , në emër të luftës së UÇK-ës... ?!

Ç`kuptim ka marrë sot  lufta e UÇK-ës?  Luftë për çlirimin e Kosovës, apo luftë  për përfitimin e diplomave  universitare... dhe këtë në emër  të  tezeve e  dajëve apo të axhallarëve  dëshmorë të UÇK-ës?  Ani të universitetit publik të Prishtinës... ?

Ka lojë më të ndytë se kjo? ! Të shkelësh mbi gjakun e  e derdhur për lirinë e Kosovës vetëm me arsyetimin se e ke mbiemrin e filan dëshmorit..., se e ke dajë, axhë apo teze, e kusheri të babës  akcilin patriot që  flijoi jetën për ardhmërinë e Kosovës – sigurisht jo për matrapazët materialistë e karrieristë, të cilët për të arritë te qëllimi nuk zgjedhin mjete! 

Çfarë çmimi ka vallë futja në listën e fëmijëve të dëshmorëve e të veteranëve të luftës së UÇK-ës?! Këtë dikush e din dhe nuk duhet ta mbajë nën rrogoz, nëse ia do të mirën Kosovës dhe nëse e çmon gjakun  e dëshmorëve e të rënëve tjerë për Kosovën e lirë!

Nëse e ndien vetëm  pak, krejtësisht pak, barrën që mbajnë në zemër nënat  që akoma presin të varrosin bijt e tyre që nuk u flijuan për indeksa e diploma universitare,  jo as për  xhipat e shoqatave të veteranëve të sotëm, por për lirinë e Kosovës.

 A nuk është kjo një lojë që fyen rëndë një plejadë të  tërë luftëtarësh që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës dhe ka familjarë të atyre që nuk gëzojnë as kujdesin  më të vogël, për atë çka kanë flijuar! A nuk është kjo një lojë prej më të egrave që luhet  mbi fytyrën e një brezi të tërë që mezi e shpëtuan Universitetin për t`ia lënë brezave që meritojnë jetë e shkollim me dinjitet në vendin e vet?

A nuk  mendojnë pak, ata që i kanë hy kësaj loje, se  në Kosovë akoma ka të gjallë që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-ës, të UÇPMB-ës edhe të UÇK-ës(M) dhe i njohin,  si paren e kuqe -se kush  kanë qenë në luftë të UÇK-ës dhe se kush i ka blerë uniformat e UÇK-s me 13, 14... qershor, 1999 në Prizren e gjetiu për  10(dhjetë) marka... sa për të dalë në fotografi dhe  për të uzurpuar ndonjë pozitë, me meritë a pa meritë, në shpinë të atyre që të dërrmuar nga lufta,  më 12 qershor 1999 akoma u ushtonin veshët nga krizmat e armëve dhe  as gjumin nuk e bënin të qetë nga ëndrrat duke  bartur shokët e plagosur a të vrarë mbi shpinë për t`i tërhequr nga territori i okupuar nga armiku?!

Këta ishin që e bënë luftën! Gjaku i tyre e çliroi Kosovën – jo për diploma universitare të fëmijëve të tyre, as për bijtë e motrave apo të vëllezërve të tyre, por për jetë me dinjitet të tërë fëmijëve të Kosovës.  Këta ishin ata që luftuan për lirinë e Kosovës, jo për  regjistrim kuturu të nipave e mbesave në universitet,  sikur të ishte Universiteti sallon dasmash ku duhet të zënë vend të preferuarit e të zotit dasmës!

Nuk  skuqen pak kur e  përmendin luftën e UÇK-ës?! Nuk u vjen pak turp nga hija e mixhallarëve apo t afërmive tjerë që kanë dhënë jetën për liri, e prindët e tyre mbajnë pozita e biznese në Kosovën e lirë, kurse këta kontrabandojnë e manipulojnë me lista të falsifikuara për të marrë një indeks në Universitetin publik!

Të gjallëve u takon ta konstatojnë me sinqeritet dhe drejt, janë 17000 , 27000,  apo 70000 luftëtarë të UÇK-ës.! Nëse heshtin i pafshin hajrin bashkëhajdutërisë në emër të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës!

Edhe kjo lojë me universitetin do të gjejë fundin e vet! Çfarë çmimi do të paguaj varet nga disa faktorë.

Mbetet  hapur pyetja deri  kur do të lejojë  njeriu i Kosovës lojërat e tilla? Kur do të krijojë mekanizma parandaluese të këtyre lojërave? Kur do të  marrë guximin që secilit fenomen t`i vejë emrin e saktë? A kanë fund këto lojëra?

E di vetëm një rrugë për eliminim e gjithë këtyre.

Ajo është humanizimi i sistemit edukativ arsimor dhe secili individ apo institucion që thirret në emër të Kosovës, të marrë mbi vete përgjegjësinë që i takon. Rektori  të vazhdojë  punën e vet për ta shpëtuar Universitetin, bajraktari i shoqatave të veteranëve të UÇK-ës t\\i kthehet  angazhimit për ta shpëtuar LUFTËN E USHTRISË ÇLIMITARE TË KOSOVËS nga luftëtarët e pasluftës!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)