26 Dhjetor 2024

Ligji për Trepçën si mundësi konsensusi

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për t’i dhënë dritën e gjelbër kalimit të kompleksit minerar “Trepça”, nga AKP në duart e qeverisë së Kosovës dhe në fund shndërrimi i saj në ndërmarrje publike ka krijuar shumë reagime nga të gjitha anët.

Kam marrë vlerësime të pafundme nga qytetarët e Kosovës, në veçanti nga minatorët e këtij kompleksi, nga ekspertët më të mirë dhe diplomatë të huaj. 

Zgjedhjet e fundit lokale dhe fitoret e AKR-së jo rastësisht në Mitrovicë dhe Gjakovë, dy komunat ku që në 2007 ne kemi propozuar zona të lira ekonomike, dhe ristrukturim të Trepçës janë gjithashtu konfirmim i drejtësisë së qasjes sonë.

Por si zakonisht janë mobilizuar disa pseudo analistë mediatikë të cilët pa dallim kritikojnë çdo iniciativë të rëndësishme timen, edhe kur ajo gëzon konsensus popullor.

Brenda orbitës së tyre, ata  kanë guxuar të kritikojnë dhe Amerikën kur ajo s’i është përshtatur planeve të tyre politike, por ky është problemi i tyre dhe jo i qytetarëve të Kosovës.

Ajo çfarë më shtyu të hidhem sërish në debatin publik ishte përfshirja e Serbisë në temën e Trepçës.

Gazeta Zëri njoftonte se ministria përkatëse e këtij vendi pretendonte hisen e vet në 58% të kompleksit dhe kundërshtonte veprimin tonë, ndryshimin e administrimit të gjigandit tonë metalurgjik nisur nga pretendimet për gjoja borgjet e tyre.

Nëse do të isha i mbrapshtë  në mendim njëjtë sikur ata që më akuzojnë se mbrapa planit tim për Trepçën ka interesa private të Behgjet Pacollit, unë do të vendosja lidhje të shkurtër midis kritikuesve të mi brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Kjo ngjan diçka e lehtë mendërisht, dhe këta kritikët e mi kanë bërë shpesh gjëra të tilla, por unë s’kam ndërmend ta bëj, sepse nuk e besoj. 

Por nëse unë i kuptoj fare mirë reagimet e qeverisë së Serbisë, që preket nga vendimi ynë, prej kritikuesve të brendshëm kërkoj sqarime.

Ku mbështeten ata për argumentat e tyre kritikë? Po i jap dhe njëherë të fundit shansin të jenë të qartë me veten, me lexuesit e tyre, duke i ofruar përgjigjet e mia për një sërë dyshimesh që ata hedhin në mënyrën më të paskrupullt në opinionin publik. Duke i marrë një e nga një.

Dekonstruktimi i fantazive të kritikëve

Kritikët thonë se Behgjet Pacolli synon ta privatizojë Trepçën. Kjo është qesharake dhe jo logjike. Nëse unë do doja privatizimin, atëherë AKP është institucioni i përcaktuar ligjërisht për privatizimet. 

Pikërisht pse AKP ka dështuar që kur është krijuar, propozoj jo vetëm për Trepçën, që të ndryshojë menaxhimi. Të njëjtën gjë e kisha propozuar dhe për PTK-në, por dhe atëherë s’më dëgjuan.

Disa të tjerë kritikë thonë se Behgjet Pacolli ka interesa privatë në Trepçë. Askush s’ mund të shpjegojë se ku i sheh interesat e mi privatë. Ndërkohë arsyetimi i tyre ka një kontradiktë të thellë, si për gjithë reagimet e tyre të personalizuara kundër meje në lidhje me procesin e privatizimit.

Si ndërmarrës global, nëse do të kisha interesa privatë, unë do kërkoja privatizime të atyre ndërmarrjeve që do të më interesonin sepse unë kisha mundësi, kisha likuiditete për ti privatizuar. Unë kurrë s’kam kërkuar këtë që nga viti 1999.

Unë jam koherent me vizionin tim që e kam bërë publik që herët: menagjim profesional, partneritete publiko-private, shëndoshje e pronës publike para privatizimeve të pjesshme apo tërësore.

Kritikët thonë se ajo çfarë propozoj unë është e paqartë, e errët, etj, etj. A ka dikush që mund të na ofrojë diçka më të qartë dhe begatuese për Trepçën, apo për ndërmarrjet publike në përgjithësi sesa ajo që ofroj unë- një plan dhjetëvjeçar për Trepçën në krye të të cilëve vlera e saj do të shumëfishohet?

I kam bërë thirrje të gjithë kritikëve të vullnetit të mirë, apo dyshuesve profesionistë: ofroni një plan më të mirë. Nëse nuk e keni, është mirë që kontributin ta jepni me qasje konstruktive.

Ka do kritikë të tjerë që akuzojnë dhe për mungesë profesionalizmi vizionin tim për Trepçën dhe në përgjithësi për privatizimin.

Me modesti mund të citoj atë që ambasadori anglez i thoshte këtyre kritikëve në intervistën e vet në Zëri: “Është e vërtetë se ai (Behgjet Pacolli- shënimi im) ka shfaqur më shumë interes sesa disa politikanë në mënyrën se si të shtyhet “Trepça” përpara, ndoshta se ai kupton më mirë nga përvoja e vet se si funksionojnë politikat e biznesit këtu. Vizioni im është se mjaft politikanë këtu në Kosovë me të vërtetë nuk dinë çfarë të bëjnë me “Trepçën”, sepse ka shumë pak mendime strategjike ekonomike këtu ». 

Nëse këtu ka mendime strategjike ekonomike, veçanërisht mes kritikëve të mi, bujrum, le t’i shpalosin këto mendime strategjike ekonomike.

Dikush do të vijonte të thoshte : unë kam interesa të përbashkët me anglezët, etj, etj. Një është e qartë.

Nëse do të zbatohet tërësisht strategjia që unë propozoj, atëherë është e vetëkuptueshme se  pjesa e aseteve thelbësore të Trepçës do duhej të menagjohej (vini re mirë- menagjohej, jo privatizohej) nga kompanitë më të mira në botë në fushën e mineraleve dhe ato dihet ku janë, në Angli, në SHBA, Gjermani,etj.

Është krejt e qartë gjithashtu se kjo lloj aleance strategjike gjeopolitike, gjeoekonomike me seicilin prej tyre do të ishte faktori kryesor që do dekurajonte cilësisht serbët, apo gjithë kreditorët e rrejshëm të Trepçës.

Nëse serbët i mundëm në fushën e betejës ushtarake prej këtij bashkëpunimi me fuqitë më të mëdha të botës, pse s’duhet ta bëjmë këtë dhe në ekonomi?

Këtë gjë sigurisht nuk mund ta bëjë një AKP e lodhur nga skandalet dhe dëmet e mëdha të cilat I ka shkaktuar ekonomisë së Kosovës.

Kritikë të tjerë shkurtëpamës, thonë se qasja ime është elektorale, se bëhet për zgjedhjet, meqë ato po afrojnë. Ideja ime për Trepçën është bërë publike që herët, që para shumë viteve.

Nuk është faji im pse ideja ime mbeti sirtareve, apo pse vetëm tani ajo kaloi në qeveri të Kosovës. Unë s’mund të jem fajtor dhe për këtë.

Qasja ime për Trepçën, refleksion për konsensus

Siç e dini ne në politikën e Kosovës kemi bërë ndonjëherë konsensus për çështje të politikës së ditës, apo për çështje me rëndësi themelore për shtetin tonë të ri.

Por kur vjen koha e zgjedhjeve ne bëhemi më armiqësorë me njeri tjetrin. Dhe thuajse asnjëherë s’kemi rënë në ujdi, në projektligje me karakter ekonomik.

Si kryetar i një partie vërtet të qendrës së djathtë, unë po i ofroj politikës së dy krahëve mundësinë për konsensus me kuadrin ligjor për Trepçën, që nis me ndryshimet që do të vijnë shumë shpejt në parlament.

Ndryshimet  në statusin e Trepçës që propozoj unë nëse doni, ngjajnë pak si të majta, sepse nuk lejojnë privatizimin, nuk lejojnë konçesionimin e Trepçës. Ndaj i ftoj të majtët e parlamentit ta japin njëherë të vetme konsensusin në një çështje me natyrë ekonomike dhe jo partiake. Mos vallë kolegët tanë të majtë janë pro AKP-së?

Ndryshimet që propozoj unë janë për t’ja hequr nga duart ndërmarrjen më të rëndësishme minerare të Europës në këtë lami, një organizmi të dështuar thuajse plotësisht si AKP-ja.

AKP-ja është kritikuar vazhdimisht nga LDK-ja si e tillë, pra e dështuar. Çfarë duan më shumë ekspertët e kësaj partie që të paktën të pranojnë parimin themeltar të projektit tim- ndryshimin e pronësisë së kompleksit Trepça duke ia hequr AKP-së ?

Atyre që më akuzojnë se e bëj për qëllime elektorale, iu them: A keni frikë se ne të qeverisë fitojmë kapital politik nëse miratojmë ligjin?

Atëherë le të japin dhe ata mbështetjen e tyre për ligjin për Trepçën që merita të mos i mbetet vetëm njërës palë, por gjithë politikës kosovare. Të gjithë do fitojnë prej konsensusit, dhe askush s’do të humbë.

Unë besoj se të gjithë partitë janë për bashkimin e Mitrovicës. Unë kam besim se një ndërmarrje e shëndoshë sipas planit tim, me asistencën në menagjim prej një kompanie të madhe perëndimore, amerikane, britanike, franceze, apo çfarëdo qoftë, do t’i japë punë të gjithëve, shqiptarë dhe serbë, në dy anët e Mitrovicës, ku sipas meje do duhet të krijohet zona e lirë ekonomike.

Punësimi dhe të ardhurat për punëtorët pa dallim etnik të këtij kompleksi, interesat e përbashkët, mirëqenia e prodhuar bashkon Mitrovicën dhe për këtë duhet të dakordohemi të gjithë.

A është kush i paqartë pas këtyre sqarimeve? A ka kush ndonjë ide shtesë apo kërkesë për revizionim të projektit tim për Trepçën? Le të organizojmë një tryezë tjetër publike rreth kësaj teme, ku të pajtojmë qëndrimet.

Pastaj të vendosim pa humbur kohë, pa e politizuar një çështje kaq të rëndësishme siç është ajo e Trepçës.

Trepça mund të shpëtojë Mitrovicën dhe Kosovën, Trepça mund ta bashkojë Mitrovicën dhe Kosovën. Por koha s’pret më. Kritikët le të merren me mua në ndonjë rast tjetër se kësaj here vërtet ja huqën dhe u lodhën pa sukses.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)