Libri i Shmitit, një publicistikë e dobët
Shkruar nga Milazim Krasniqi
Një e pavërtetë monstruoze në librin e Shmitit është edhe lidhur me gjoja pasionin e shqiptarëve për armë dhe shpjegimin e rebelimeve të tyre për këtë shkak.
Ky është një stereotip për shqiptarët, por në realitet është një e pavërtetë, sepse në kohë të qeta shqiptarët si gjithë popujt e tjerë kanë jetuar me pasionin për jetë, me përkushtimin ndaj besimeve fetare, me dashurinë për vlerat e familjes, të kolektivitetit e të atdheut.
Nuk ka qenë dhe nuk është për shqiptarët arma si koncept themelor social, sikundër pohon Shmiti, me synimin që të na paraqet më afër barbarisë.
Në fakt, interpretimi spekulativ i Shmitit përpiqet ta transmetojë pikërisht mesazhin për shqiptarët si barbarë, të pasionuar pas armëve dhe vdekjes. Ja se deri ku shkon kjo prirje absurde e Shmitit, kur flet edhe për kohën më të re, atë të administrimit të Kosovës nga OKB-ja:
Këtë përvojë e patën së fundi edhe autoritetet e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999. Për dallim prej tyre autoritetet shtetërore për një kohë u përpoqën ti përfitonin sidomos burrat shqiptarë, duke iu shpërndarë atyre sistematikisht armë moderne. Popullsinë patriarkale të Kosovës vërtet e karakterizon një marrëdhënie vërtet afektive ndaj armëve.
Vlerësohet se në vitin 2003, 60-70 për qind e shtëpive në Kosovë kishin armë. Mbrojtja e nderit bëhej në mënyrë ofensive, gjë që krijonte një potencial të dukshëm dhune. (fq. 76)
Kaq të pavërteta në një paragraf, kjo është një prirje perverse e një historiani, e denjë për tu neveritur prej saj. Shmiti pohon se gjoja autoritetet shtetërore (lë të nënkuptohet për ato osmane, ato jugosllave e edhe këto të tashmet!!!) u kanë shpërndarë armë moderne banorëve, ndërsa e vërteta që dihet është se edhe autoritetet osmane edhe ato jugosllave, në periudha të caktuara, kanë zbatuar masa represioni nën pretekstin e mbledhjes së armëve.
Kur ka filluar Lufta ballkanike, shqiptarët kanë qenë praktikisht duarthatë, sepse autoritetet xhonturke ua kisin marrë edhe ato pak armë që kishin pasur. (Çarmatosja masive e shqiptarëve pati ndodhur në kohën kur pikërisht autoritetet xhonturke lejonin armatosjen e Serbisë nëpër portin e Selanikut.)
Ndërsa, në vitet pesëdhjetë mbledhja e armëve është shfrytëzuar si mjet për detyrimin e shqiptarëve të Kosovës që të arratiseshin në Turqi.
Në Kosovën e ditëve tona, ku ka prezencë masive të NATO-s e të EULEX-it, kush mund të gënjejë ditën për diell se gjoja autoritetet shtetërore u shpërndajnë armë moderne burrave shqiptarë?! Këto janë akuza keqdashëse dhe nuk kanë asgjë të bëjnë me studimin e historisë së Kosovës.
Një akuzë tjetër po kaq absurde është se gjoja shqiptarët në Kosovën e sotme i përdorin armët në mënyrë ofensive pra që të vriten njerëzit pa e bërë ende krimin, po vetëm pse dyshohet se mund të bëjnë ndonjë gjë dhe e paraqet shoqërinë e Kosovës si shoqëri tërësisht të militarizuar.
Duke e njohur tashmë teknikën e huazimeve të teksteve të huaja nga ana e Shmitit, jam i prirur të mendoj mos është ky ndonjë fragment i ndonjë publicisti serb, që Shmiti ka harruar ta krehë (si tekstin e Ostrogorskit), e ta përshtatë, duke e zbutur pak me stilin e tij? Vërtet, dëshiroj të besoj që ky paragraf të mos jetë i Shmitit, sepse është shumë i ndyrë.
Vlerësime absurde për identitetin kombëtar dhe konvertimin
Një vlerësim i pavërtetë dhe absurd i Shmitit është edhe ai lidhur me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Shmiti thotë:
Sot identiteti kombëtar shqiptar barazohet me Islamin, ndërsa identiteti kombëtar serb me ortodoksinë.( fq. 92)
E para, nuk ka një shenjë barazie ndërmjet mënyrës së kombformimit të shqiptarëve dhe serbëve.
Kombformimi serb e ka pasur ortodoksinë dhe pansllavizmin si tharmin e identitetit kombëtar, ndërsa në rastin e shqiptarëve ka qenë gjuha, historia, kujtimet e përbashkëta për paraardhësit, ato që kanë formësuar tharmin e identitetit kombëtar.
Në fakt, teza e Shmitit për identitetin shqiptar si shtresë vetëm islame, ka për synim të prodhojë një mosbesim brenda vetë kombit shqiptar dhe të trembë kombet përreth po edhe ato evropiane nga një komb islamik shqiptar.
Po në të njëjtin paragraf autori bën edhe një shpërthim tjetër po kaq joshkencor:
Pranimin e Islamit nga ana e shqiptarëve historianët shqiptarë e shpjegojnë me politikën gjoja asimiluese të Kishës mesjetare serbe. Por, kjo nuk mund të provohet nga burimet (fq. 92)
Nuk e kam të qartë se çka nënkupton në këtë rast me burimet Shmiti, nëse si kryeburim në këtë çështje nuk e trajton dokumentin kryesor, që kishte sanksionuar edhe mënyrën e sundimit fetar në shtetin mesjetar serb, pra, Zakonikun e car Dushanit.
Në këtë dokument zyrtar shtetëror e kishtar, parashiheshin masa drastike të dhunës ndaj atyre që nuk ishin serbë dhe që nuk futeshin/ktheheshin me dhunë në ortodoksi.
Termat e Zakonikut të Dushanit zbulojnë qartë se doktrina latine, katolicizmi, bashkë me herezinë bogumile, ishin në qendër të përndjekjeve përkatësisht të pastrimit të fesë nga hereza altine dhe bogumile. Zakoniku i car Dushanit që në nenin e parë e afirmon pikërisht synimin e pastrimit të ortodoksisë nga herezia latine:
1. Për krishterimin: pikë së pari për krishterimin. Në këtë mënyrë të pastrohet krishterimi.
Në pajtim me idenë kryesore, të pastrimit të krishterimit, në disa nene, veçmas në nenet 7, 8 dhe 10, urdhërohen masa kundër herezisë latine përkatësisht për kthimin me dhunë të të gjithë njerëzve në ortodoksi:
7. Për herezinë latine:Dhe të nxjerrë Kisha e Madhe protopopët në të gjitha qytetet dhe në të gjitha sheshet, që të kthejnë krishterët nga herezia latine, ata që janë kthyer në fenë latine, dhe tu jipet urdhër i shenjtë dhe të kthehet secili në krishterim.
8. Për popin latin: Edhe popi latin, nëse gjendet, duke kthyer të krishterët në fenë latine, të dënohet sipas ligjit të etërve të shenjtë.
10 Për heretikun:
Dhe nëse ndokush gjendet si heretik, duke jetuar në mesin e të krishterëve, të damkoset nëpër fytyrë dhe të dëbohet, ndërsa kush do ta fshehte, edhe ai të ndëshkohet.
Pra, dokumente për planifikimin dhe zbatimin e dhunës fetare serbe nga ana e autoritetit shtetëror e fetar, ka dhe ato janë të disponueshme për secilin që nuk përpiqet ti fshehë.
Me zbatimin e këtij ligji rigoroz të Dushanit edhe në trevat shqiptare, pasojat për identitetin fetar dhe etnik të shqiptarëve kanë qenë serioze, sepse ato e kanë sforcuar asimilimin e tyre në serbë.
Natyrisht, për ti shpëtuar këtij presioni të Kishës Serbe dhe të shtetit mesjetar serb, pas ardhjes së osmanëve, ka pasur një largim nga ortodoksia serbe të ish të konvertuarve me dhunë, të cilët e përqafuan Islamin.
Një publicistikë e dobët
Në librin e Shmitit, që më shumë se gjithçka tjetër është një publicistikë e dobët, gjithandej ka trillime të mëdha. Fjala vjen ai thotë se në verën e vitit 1999 shqiptarët shkatërruan disa qindra kisha dhe monumente tjera ortodokse në Kosovë (fq. 283).
Ne që kemi jetuar në këtë vend e dimë se në verën e vitit 1999 nuk ka pasur tendenca të sulmeve ndaj kishave dhe objekteve të tjera serbe të kultit. Po ashtu deri sot nuk kam ndeshur në asnjë burim të shkruar, i cili do të vërtetonte se verën e vitit 1999 ka pasur përpjekje për shkatërrimin e kishave dhe monumenteve të tjera ortodokse.
Nga i merr Shmiti këto të dhëna vetëm ai e di. Po ashtu, ai pohon se Arsenije II Çarnojeviqi ka udhëhequr kryengritjen kundër sundimit osman, ndërsa Noel Malkolmi ka vërtetuar se Çarnojeviqi nuk ka qenë pjesë e asaj kryengritjeje të udhëhequr nga Pikolomini e të ndihmuar nga Pjetër Bogdani dhe as që ka qenë në Kosovë, kur janë zhvilluar ato ngjarje. Pra, ai saktësisht afirmon vetëm tezat që trumbetojnë historianët serbë.
Nëse nuk u beson fakteve që prezantojnë për këtë çështje historianët shqiptarë, së paku Noel Malkolmin ka mundur ta merrte para sysh.
Kreu i dytë i librit Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore të Ballkanit, ku gjasme studiohet gjendja e Kosovës në vitet 1912-1999, është një publicistikë edhe më e dobët, konfuze, me shumë pasaktësi e interpretime arbitrare të autorit.
Por, kjo histori është më e njohur, prandaj shanset e Shmitit për ta hutuar e mashtruar publikun janë më të vogla. Për këtë arsye edhe nuk kemi vullnetin që të merremi tash për tash me të.
Sidoqoftë, përfundimi ynë nga leximi i gjithë këtij libri është se ky historian nuk mund të shkruaj histori korrekte, sepse është shumë i ngarkuar me paragjykime ndaj shqiptarëve.
Ai tashmë ka profilizuar një disiplinë të re që mund të emërtohet si Shmitologjia dhe e cila është ngritur për të fabrikuar kastile të pavërteta kundër shqiptarëve. E gjitha është për të të ardhur keq.(fund)
(Gazeta Epoka e re)