22 Dhjetor 2024

Librat dhe rruga njëkahëshe e kombit

Shkruar nga Faton Abdullahu


Të tre librat që u botuan në Shqipëri kohëve të fundit u promovuan, apo u bënë të njohura në mënyrë të veçantë, jo fortë të zakonshme edhe për lexuesit në Kosovë. Edhe libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, edhe libri i Edi Ramës ‘Kurban’ edhe ai i Ben Blushit ‘Shqipëria’ të gjithë këto na u bënë të njohura nga mediet dhe janë vetë autorët që na i bënë ato edhe më të afërta me intervistat e tyre në mediet këtu në Kosovë, por edhe me promovime, këtu në Prishtinë.

Ato mund t’i gjesh kudo në libraritë e Kosovës Kjo është shumë e mirë, s’ka t’pagum. Këtë e kemi pritur, këtë e kemi dashur, apo, me shpresë se nuk tingëllon folklorike, për këtë edhe është luftuar.

Sipas asaj që unë po përcjell, këta libra edhe në Prishtinë janë ndër më të kërkuarit. Prinë sidomos libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën i cili edhe pse sjellë gjëra të reja, ai vetëm e përforcon bindjen tashmë të vjetër për diktatorin.

Përkundër kësaj, një libër i tillë, fakte të tilla, që sillen aty, ende janë të nevojshme, sepse disa në Kosovë, e ai mund të jetë bile edhe një kryeparlamentar, edhe disa deputet, mund të mos e bëjnë ende dallimin midis Enver Hoxhës diktator komunist, me të gjitha ato të këqija që i ka bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët në Ballkan dhe Enver Hoxhës virtual, atij që e ngriti Kosova, në një rrethanë të caktuar historike, sepse i duhej një ide, një figurë, një instrument për konsolidime dhe për shpresë, se ndihma nuk do të mungoj në luftën e tyre kundër Jugosllavisë dhe në përpjekjet për liri e pavarësi.

Gjithsesi se këta libra që i përmendëm në fillim, kanë një emërues të përbashkët, ato flasin për Shqipërinë dhe për shqiptarët atje, flasin për rrethanat aktuale dhe historike të Shqipërisë dhe ato nuk thonë pothuajse asgjë as për të tashmen, as për të kaluarën e Kosovës, edhe nëse thonë diçka, ajo është e thënë vetëm shkarazi.

Por përkundër kësaj, këto libra bënë jehonë në Kosovë dhe ato libra po blihen nga ky lexues. Kjo do të thotë se lexuesit të Kosovë i intereson edhe e kaluara e Shqipërisë edhe e tashmja e saj, se ai e njeh dhe dinë jo pak edhe për të kaluarën edhe për të tashmen, për më shumë dëshiron të mësoj edhe më shumë dhe atë nga pena e autorëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Është krejt e kuptueshme se një nga arsyet kryesore e gjithë kësaj pranie intelektuale në Kosovë, janë mediet e Shqipërisë të cilat janë të pranishme tash sa kohë në Kosovë. Reklamat e bën të veten, gjithsesi ato zgjuan interesimin edhe te lexuesit tanë. Ta zëmë Baton Haxhiu e ftoj Edi Ramën në Prishtinë, ta bëjë promovimi e librit ‘Kurban’.

Por ne nuk e kemi një Baton Haxhiu në Tiranë, sikundër e ka Tirana në Prishtinë që ta ftoj ta zëmë Mehmet Krajën atje, për ta promovuar dhe reklamuar librin e tij ‘Identiteti kosovar’. Libri i fundit i Mehmet Krajës është libër që për nga thellësia e mendimit, struktura e idesë dhe bindshmëria e argumentit, por edhe për nga pasuria dhe stili i gjuhës, qëndron më lartë dhe më larg se secila nga tre librat që u botuan në Shqipëri, të cilat i përmendëm në fillim.

Dhe në këtë libër të Krajës nuk flitet për një çështje që është e huaj dhe e panjohur edhe për shqiptarët e Shqipërisë. Është fjala për identitetin kosovar, diçka shumë e dobishme për diskutim, një nga temat më të rëndësishme për një komb të ndarë, dhe për një komb që mëton të integrohet.

Sikur të ishte fjala ta zëmë për një libër ku flitet për jetën dhe veprën e  Fadil Hoxhës, mund të ishte e kuptueshme që jo shumë lexues, sidomos të rinj atje, nuk do të gjenin ndonjë interes për të lexuar për këtë personalitet komunist, gjithsesi jo pozitë, dhe larg më negativ se që prezantohet me subjektivizëm nga disa këtu në Prishtinë kohëve të fundit. Kosova nuk e ka një ‘TV 21 Tirana’ në Shqipëri ashtu siç e ka Prishtina, Klan Kosovën, për ta ftuar Jusuf Buxhovin t’i promovoj librat e tij atje, që të flas për librat e tij dhe ti bëhet atyre reklamë dhe t’i ofrohet libri me vlera të pakrahasueshme, libër që flet për historinë e shqiptarëve në Ballkan dhe atë nga një bazë e shëndoshë nacionale dhe me argumente të forta nga i cili do të përfitojnë më së shumti ata që janë ushqyer me vite të tëra me historinë e shpjeguar, bazuar nga doktrinat moniste.

Është mëkat që ky autor nuk mund t’i ofrohet shqiptarëve të Shqipërisë, ashtu sikundër na u afruan kohëve të fundit tre autorët me librat e tyre në Kosovë. Kështu si qëndron puna, mund të thuhet se ne kemi rrugën e kombit, me ç’rast librat po bëjnë udhën shpejt dhe mirë, por të shpeshtën ky rrugëtim po bëhet vetëm në një drejtim.

Por a është problemi vetëm tek mediet.? Jo nuk është kjo e tëra. Vetëm mediet nuk janë problemi, ashtu sikundër që vetëm rruga nuk është zgjidhja. Lexuesi nga Shqipëria nuk po gjen libra të mirë në Kosovë. Mund të ceket ndonjë përjashtim, por kjo nuk e mohon këtë konstatim. Pse ? Kjo nuk do të thotë se në Kosovë libra të mirë nuk ka. Të merremi vesh, po flasim për libra të një kombi, jo për libra që janë të mirë dhe jetojnë gjatë në kohëra të ndryshme dhe tek shumë kombe.

Por ku qëndron problemi tek ky komunikim i një anshëm, që nuk po bëhet i dyanshëm. Kjo është një pyetje që hap një çështje sa komplekse aq edhe të pastudiuar mirë. Nuk është puna vetëm tek librat që kësaj radhe i morëm si shembull, është thënë edhe më parë kemi të bëjmë me të njëjtin sindromë edhe me komunikimin kulturor, artistik, shkencor edhe në fusha të tjera nga më të ndryshme.

Gjithsesi problemi qëndron tek dallimet nga më të ndryshme, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tek dallimet e trashëguara, me decenie të brumosura në vetëdijet tonë, të determinuara nga fakti se kemi jetuar plotësisht të ndarë. Sa shumë na mbetet për të bërë, në këtë drejtim që realiteti të jetë ndryshe. S’do mend se së pari duhet të ekzistoj pajtimi dhe bindja se kjo duhet bërë dhe pastaj ta pranojmë se sa e vështirë është kjo për tu ndryshuar dhe në fund na duhet për ta kuptuar sa është vitale dhe me interes për të gjithë ne që kjo të ndodhë. Dhe krejt në fund këtë nuk do ta bëjë  Brukseli për ne, duhet ta bëjmë vetë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)