22 Dhjetor 2024

Libër me tregime edukative nga jeta

Shkruar nga Ahmet Pllana

Libri me tregime me titull “Somnobulë në pikë të ditës” i autorit Sadik Përvetica i ka 36 tregime me 134 faqe, të cilat janë mjaft interesante dhe zgjojnë kërshëri për t’i lexuar, meqë kanë përmbajtje domethënëse dhe edukative tw motivuara nga jeta dhe pwr jetwn.

Secili tregim dallon nga tregimi tjetër nga ana e përmbajtjes, mirëpo stili dhe narracioni i të shkruarit thuaja se është i njejtë. Autori me këtë libër, si edhe me librat e mëhershëm, shpreh talentin e tij për të shkruar prozë. Tregimet e këtij libri dallojnë në përmbajtje, por nuk dallojnë në stilin e të shkruarit.

Autori me librin e tij më të ri “Somnobulë në pikë të ditës” (deri më tani ka botuar 20 libra, ky është libri i 21-të i tij), dëshmon se ka krijuar një origjinalitet të vetin të të shkruarit, duke krijuar një art me mesazhe dhe këshilla, të cilat i nevojiten njeriut në jetën e përditshme.

Tregimet e këtij libri të shkruara nga Përvetica janë të lehta, të kapshme, të këndshme për t’u lexuar, nuk janë të gjata dhe madje lexohen, siç thuhet, “me një frymë”.
Ajo çka është më interesante të thuhet, është se te tregimet e Përveticës gjejmë një të shkruar të pastër, të çiltër, konciz, me një konkretësi dhe qartësi, që kuptohen lehtë dhe nuk të bëjnë që ta lodhësh shumë kokën për ta kuptuar ngjarjen.

Madje, diçka shumë e bukur që dallohet në këto tregime është se shpeshherë, thuaja se gati në çdo tregim, ka elemente të humorit, të një humori të lehtë, por ka raste kur një humor i tillë të bën madje të qeshësh me zë.

Kjo është karakteristikë e tregimeve të Përveticës, ngase ai di shumë bukur të thur apo mbarështrojë edhe humorin në tregimet e tij, gjë që e bën më të lehtë leximin e tregimeve dhe nuk krijojnë monotoni gjatë të lexuarit.

Leximi i një tregimi zgjon kurreshtjen tek lexuesi, andaj atë e shtyn që të vazhdojë tutje me leximin e librit dhe tregimeve që vijnë në radhë. Aq janë tërheqëse tregimet e Përveticës, sa që posa ta lexosh tregimin e parë të librit, lexuesin e nxit për lexim të tregimit të dytë, të tretë dhe më tutje.

Tregimet e Përveticës nuk kanë mbingarkesa me përshkrime të detajeve, por autori menjëherë futet në fokusin e ngjarjeve, duke e ditur se lexuesit më tepër i interesojnë ngjarjet se sa përshkrimet e detajeve.

Sido që të jetë, tregimet e autorit në fjalë janë tejet interesante dhe tërheqëse, të cilat gjithmonë e kanë një mesazh të mirë dhe një përfundim të mirë. Lirisht mund të thuhet se tregimet e Përveticës janë një narracion artistik me nivel të lartë, janë një prozë me shumë nuanca arti dhe fare pak dallon nga proza e shkrimtarëve të Shqipërisë.

Autori këtë e arrin edhe duke e përdorur gjuhën e njësuar letrare, sipas standardeve të gjuhës shqipe. Pra, me një gjuhë të pastër letrare, por edhe artistike autori ecë tutje me rrjedhshmërinë e tregimeve.

Autori Përvetica ka një talent të rrallë për të shkruar prozë, por në veçanti për të shkruar tregime, sepse ai dinë si të fillojë tregimin, si ta shtjellojë ngjarjen dhe si ta përmbyll tregimin.

Ai këtë e bën me në mjeshtëri të rrallë. Secili tregim është botë më vete, ka ngjarje të ndryshme dhe çka është më e rëndësishmja, secili tregim të mëson diçka të re, të jep njohuri për jetën dhe sfidat, vështirësitë dhe sprovat që mund t’i ndodhin njeriut gjatë jetës së tij.

Mirëpo, në anën tjetër lexuesin e bëjnë të mendojë thellë dhe e shtyjnë të bëj analiza me kokën e vet për të gjitha mesazhet që i jep secili tregim që pastaj ai, pra lexuesi, t’i inkorporojë në jetën e tij të gjitha ato që janë pozitive, kurse t’i largojë të gjitha ato që janë negative.

Libri me tregime “Somnobulë në pikë të ditës” i autorit Sadik Përvetica, u botua këto ditë, andaj e meriton dhe do të ishte mëkat që ky libër i mrekullueshëm të mos jetë në duart e lexuesve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)