22 Dhjetor 2024

Leze Qena ikona e skenografisë dardane

 Shkruar nga Gani Qarri

Jetë dhe karrierë aq mbresëlënëse e interesante sa që me interesimin e një regjisor të mirëfilltë dhe një skenaristi me përvojë e vullnetmirë, do duhej dhe mund të shndërrohej shumë lehtë edhe në film, apo të paktën të përshtatej në dramë artistike, e të shfaqet në skenë dhe luhet edhe në teatër si shembull i sublimimit artistik të njerëzores, për shqiptar dhe të huaj.

Aktorja jonë e madhe e cila tërë jetën dhe veprën e saj artistike, ia kushtoi teatrit, dramës artit dhe kulturës shqiptare, z.Leze Qena u lind më 1 mars të vitit 1935 në Prizren dhe vdiq me 25 mars të vitit 2020 në kryeqendrën e Kosovës në Prishtinë.

Të shkruash për një figurë kaq të madhe artistike, aktore të mirënjohur dhe të popullarizuar deri në limit, me aq shumë famë pozitive si Lezja jonë tanimë qiellore, e dashur, e respektuar dhe e adhuruar deri në piedestal nga të gjithë qytetarët, gjinitë dhe grupmoshat pa dallim, jo vetëm që nuk është aspak e lehtë, por edhe një mision me shumë përgjegjësi dhe tejet sfidues e i vështirë.

Një aktore në rolet e të cilës ,nuk pati shikues që nuk e gjeti veten, artiste e merituar shumanshëm që u mirëprit e adhurua gjithmonë nga publiku, interpretuese brilante që u vlerësua lart nga profesionistët autorët dhe mediat ,vepra e të cilës qysh moti kishte tejkaluar kufijtë shtetëror dhe njihej e respektohej përveç aktorëve vendor edhe nga ata ndërkombëtar, na detyron për tekste që pikë as presje nuk guxojnë ti lenë mangu, përshkrimit të jetës dhe veprës madhore të saj.

Si për koincidencë dhe për tu bërë dhembja edhe më e ndjeshme për shuarjen e "Nanushit", vdekja e artistes erdhi pikërisht, vetëm një ditë pas kujtimit të 17 vjetorit të shkuarjes së bashkëshortit dhe partnerit të jetës dhe veprës artistike në amshim, aktorit të mirënjohur Xhevat Qena, gjë që edhe amshimin e Nanushit tonë, nanushit të teatrit, filmit e televizionit dhe Nanushit të mbarë Kosovës dhe shqiptarëve kudo, e bëri edhe më të rëndë.

Lezja erdhi në jetë si fëmija i dytë në familjen e Zef dhe Katerina Spaqit, bijë e shquar e kësaj familje të ndershme me emrin e plotë Elizabeta e cila, bazuar në perspektivën kulmore të arritjeve të saj artistike, mund të themi lirisht se sidomos familjen e prindërve ku ajo lindi, e pak më vonë edhe familjen e vet që krijoi me bashkëshortin dhe aktorin e famshëm Xhevat Qena, i ngritën në lartësitë kulmore të respektit dhe vlerësimit publik nga të gjitha shtresat e artit, kulturës e inteligjencës duke fituar dashurinë hyjnore të të gjitha familjeve shqiptare dhe bërë idol i shembullit të jetës së tyre.

Megjithëse familja e aktores tonë të madhe kishte shumë fëmijë, duke qenë se Lezja e vogël ishte shumë e lëvizshme dhe çdo herë e buzëqeshur dhe e hareshme, jo vetëm që do të pushtohej me përkëdheljet më të shpeshta të familjarëve por ajo dhe do të llastohej pak më tepër se fëmijët e tjerë, nga i ati.

Madje Lezen e tij, ai e kishte aq shumë për zemër, sa që e merrte me vete kudo që shkonte, duke i shtrënguar dorën e saj të vogël në pëllëmbën e vet prindërore, të cilës përpiqej t`ia plotësonte çdo dëshirë që mundej dhe arrinte, në kushtet në të cilat asokohe familjet shqiptare jetonin.

Aktorja jonë me simpatike, e dashur dhe tejet mbresëlënëse, Leze Qena përveç emrit të madh dhe veprës së saj të veçantë, që e bëri të dallonte për shumë çka, nga gjithë të tjerët, edhe si fëmijë thuhet të ket qenë tepër e gjallë dhe e zgjuar, e ndoshta edhe artistikisht shumë më atraktive dhe inspiruese se sa që na është thënë e shpjeguar dhe mund e dimë, ta portretojmë e përshkruajmë ne sot, me gjithë arritjet e saj madhore.

Se puna dhe vepra artistike e Lezes tonë të madhe vlerësohen vërtetë shumë në mesin e shqiptarëve kudo, flet vet fakti që vetëm 5 ditë pas publikimit të performancës personale të Lezes nga seriali “Çka ka shpija” në Youtube, videoja e saj u bë aq e famshme deri në virale, duke u shikuar e shpërndarë gjithandej nëpër rrjetet sociale, sa që brenda, vetëm kaq pak kohe, numëronte mbi 300,000 shikime, gjë që do t`ia kishin lakmi jo vetëm kolege e kolegë aktorë por edhe vet këngëtarët më të famshëm të estradave të të gjitha kohëve dhe trojeve tona.

Shkollën fillore dhe atë të mesme, Lezja i mbaroi në më të bukurin vend, siç kishte dëshirë të thoshte ajo me krenari, në vendlindjen e saj të bukur, buzë Lumëbardhit dhe qytetin historik të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në Prizren, ndërsa studimet për aktrim, në fakultetin e Prishtinës.

Interpretimet e shumta në televizion, dramë e teatër, me lojën më brilante, që njihet ndër vite, breza e dekada, të personazheve dhe roleve nga më të ndryshmet në Kosovë e më gjerë, Lezen jo vetëm se nuk e lodhën as humbën buzëqeshjen dhe humorin e saj, si grua asnjëherë, por edhe e shndërruan në një artiste të papërsëritshme dhe intonim besnik të zërit ikonë të femrës shqiptare, në skenë, teatër, film dhe seriale televizive, për vite dhe shumë dekada me radhë.

Vajza me ëndrra shumë

Në moshën kur aktorja jonë e mirënjohur nga qyteti i Lumëbardhit si vajzë e re kishte shumë ëndrra, edhe në momentin që vendosi të përcaktohej për profesionin e saj të jetës, në kushtet arkaike të kohës në të cilat familjet shqiptare atëbotë jetonin, dëshira e saj nuk ishte vetëm (pak) e pa rëndomtë por edhe vështirë e pranueshme për prindërit dhe të afërmit.

Kjo edhe për faktin se nga Prizreni Lezja tani duhej të vendosej në Prishtinë, që në kushtet e atëhershme të zhvillimit ekonomik dhe social të popullsisë, konsiderohej vend i largët dhe gati i panjohur, ndaj pikërisht hapi nismëtar për ta shndërruar ëndrrën e saj në realitet, i krijoi artistes tonë të talentuar, telashe bukur të mëdha, pasi që pikësëpari nëna, nuk mund të pajtohej lehtë asokohe, me idenë e të bijës për tu bërë aktore, madje të ikte e vetme si femër nga vendlindja dhe të shkonte e vendosej edhe në kryeqytet, kjo ishte shumë më tepër se sa që mund ta kishte paramenduar atëbotë familja.

Në fakt, ikona rrezatuese e skenës sonë artistike dhe njëra ndër aktoret më të mëdha shqiptare, Leze Qena, duke rikujtuar me mallëngjim të kaluarën e vet dhe vitet e saj të rinisë, tregonte se si ajo, në moshën adoloshente kishte dëshiruar të bëhej balerinë, por mungesa e kushteve, e kishte orientuar atë në rrugën e aktores. gjë që doli të ket qenë plotësisht e qëlluar dhe pafundësisht e suksesshme.

Por sikur të mos i vinte me kohë mbështetja e pa rezervë e të atit dhe mu në momentet kur në mesin e shumë ëndrrave, ajo sapo kishte zgjedhur rrugën e saj dhe përcaktuar për tu bërë aktore, Lezja jonë e shenjtë ,ndoshta nuk do të mund të bëhej, ajo artistja e madhe dhe brilante e Kosovës që e njihnim ne, për të na lenë pa buzëqeshjen, gëzimin dhe harenë që për dekada me radhë ua fali pa kursim mijëra shikuesve, adhuruesve dhe dashamirëve të artit të saj, kudo që flitet dhe jetohet shqip.

Vetëm me vullnetin dhe vendosmërinë personale të një aktoreje të mirënjohur si Lezja, që edhe në atë moshë, asaj për fat të mirë, jo vetëm që nuk i mungonin por dhe i kishte me bollëk, përkundër vështirësive dhe pengesave për ti hy rrugës së aktrimit, ajo ia arriti qëllimit dhe dëshmoi se kur njeriu dëshiron dhe është i vendosur të arrij diçka, tejkalon të gjitha pengesat e vështirësitë dhe mbërrin atje ku synon.

Në nismën e jetës së vet artistike Lezja fillimisht do të luante më tepër role fëmijësh, e veçanërisht ato të djemve, për ç ‘gjë edhe do të mbetej përgjithmonë e adhuruar në shpirtrat e njomë e të sinqertë të vogëlushëve dhe fëmijëve në përgjithësi, për interpretimet hyjnore të roleve të tyre.

Lezja dëshmoi gjithmonë elan të fort dhe energji të pashtershme, të cilat siç thoshte ajo vet, i kishte dhuratë nga natyra dhe trashëgim nga i ati, që sipas aktores edhe ai kishte qenë shumë energjik, punëtor i madh dhe njeri përherë i papërtueshëm, ndaj dhe Lezja ndjehej shumë e lumtur që kishte trashëguar tiparet më të mira të të atit dhe e adhuronte atë deri në pafundësi.

Historia e jetës artistike mese 70-vjeçare e Lezes vajzës së re të lindur dhe rritur në Prizren, me rolet e të rriturve, do të niste nga mesi i viteve të 50-ta, të shekullit të kaluar, fillimisht në skenën e teatrit, e pastaj edhe në dramë, e televizion.

Duhet theksuar me këtë rast, se aktorja jonë e madhe, me të shkuar në Prishtinë, u përcoll edhe me një përparësi të veçantë, duke pasur fatin emirë, që të luaj qysh në shfaqjet e para dhe fillim karrierën e saj artistike për të rritur, me aktorët më të sprovuar e më të mirënjohur të kohës që kishte vendi.

Aktor të cilët përveç emrit të mirë dhe përvojës së gjatë e të dëshmuar, ata ishin edhe vet themeluesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës si  Abdurrahman Shala,Sh.Domi ,Katarina Josipi, Shani Pallaska, Xhevat e Muharrem Qena, Meribane Shala etj, duke mësuar nga ta shumë mbi përsosjen e interpretimit të roleve, perfeksionimin e mënyrës së të folurit artistik dhe përjetësimin shpirtëror të ndjenjës së bukur që di ti dhuroi aktrimi një artisti, të cilat i dëshmoi në vepër duke i përçuar ato në mënyrë origjinale edhe te shikuesit, gjatë gjithë jetës së saj, karrierës dhe kohës sa qëndroi në skenë.

Teatri Kombëtar si institucion i parë profesionist teatrorë në Kosovë u ngrit më 1946 fillimisht në Prizren, ndërsa më 1948, u transferua në Prishtinë dhe asokohe është radhitur ndër sukseset më të mëdha dhe institucionet më të larta të vendit.

Dashuria me Xhevat Qenën

Me të përfunduar vera dhe filluar viti i ri shkollor i motit 1954, aktorja e re Leze Qena, me propozim të drejtorit të atëhershëm të teatrit amator në Prizren, Shemsedin Krejtani do të ftohej me një letër dërguar personalisht aktores, që të paraqitej në teatrin e Prishtinës ku do të dilte në provim para Abdurrahman Shalës me shokë për tu pranuar si aktore e re në Teatrin Popullor.

Pasi dha provimin me sukses, në tetor të viti 1954, Lezja si artiste e re me ambicje të mëdha, atëbotë vetëm 19 vjeçare, do të niste punën edhe me shfaqjet artistike dhe për herë të parë do të ngjitej në skenën e Teatrit të atëhershëm Popullor të Prishtinës, në rolin kryesor të shfaqjes “Fjala është për banesën” rol ky që e njohu artisten me fatin e jetës dhe i hapi asaj të gjitha rrugët e karrierës së bujshme shumëvjeçare.

Madje si për koincidencë, po në komedinë “Fjala është për banesën” ku Lezja kishte rolin kryesor, do të luante edhe aktori i mirënjohur Xhevat Qena.

Ndërsa mu në rolin e parë që qëlloi të luante aktorja jonë e përndritshme me Xhevatin, rastisi që ai të ishte pikërisht roli i dashnores së Xhevatit, kështu që, mu kjo shfaqje i parapriu fillimit të asaj që do të ndodhte edhe në botën reale dhe nga këtu nisën edhe shkëndijat e para të dashurisë në jetën e dy aktorëve të rinj, për të mos u shuar më kurrë, deri në vdekjen e tyre.

Dhe siç thoshte Lezja jonë, këto ishin momentet më të pa harruara të jetës së saj, kur artistja e re, do të dashurohej aq shumë në Xhevatin sa që nuk mund të rrinte më pa te.

Mirëpo me të vendosur që ata edhe të martoheshin bashkë, pengesat e para, serish do ti vinin nga e ëma dhe vetëm me miratimin e të atit, Lezja mundi të bashkohej me Xhevatin, për të kaluar një jetë aq të qetë e të  rehatshme dhe të mirë e të paharruar përjetësisht, për të dy ata.

Megjithatë e ëma fillimisht ngurronte të fliste të më të bijën dhe si kusht për tu pajtuar me të, kishte kërkuar nga Lezja ta detyronte Xhevatin që të martoheshin në Kishë.

Lezes këtu iu kishte lehtësuar zemra me shpresën që Xhevati nuk do ta kundërshtonte këtë kërkesë, në mënyrë që e ëma të pajohej me Lezen.

Por problemi lindi, kur ajo shkoi të pyeste priftin, për caktimin e ditës së martesës, i cili me të dëgjuar i kishte thënë: Po ik oj Leze, ju jeni martuar një herë në zyrën e gjendjes civile në Prishtinë qe do martesën në kishë, jetojmë në komunizëm dhe ai është artist i njohur e nuk merret me fe.

Për fat të mirë ishte i ati Zefi i cili gjithmonë e kishte dashur dhe mbështetur të bijën, ai që pa vonuar do ti ftonte për herë të parë Lezen dhe Xhevatin në furrën e tij, të cilën e kishte në Prizren ku përveç çmalljes me të bijën do të njihej edhe me dhëndërin dhe do ti qeraste të dy me "simite" të nxehtë të sapo dala nga furra.

Dëgjo Xhevat i kishte thënë i ati i Lezes aktorit që ditën e parë, unë nuk kam asgjë kundër pse ti ke marrë vajzën time për grua, se ne shqiptar jemi, por kam frik se ti nesër mund të njohësh një artiste tjetër, martohesh me te dhe ndahesh nga bija ime.

Këtë nuk do të mund ta bëja "hallall" kurrë.

"Babagjysh" (kështu nderohej në të folmen popullore në Has, i ati i bashkëshortes) unë i jam betua një herë Lezes, por meqë ti je i ati i saj, po e përsëriti edhe para teje, se po qese i kam edhe 100 vite tjera jetë, bija jote është një dhe e vetmja femër me të cilën do ta kaloj tërë jetën time, e kishte siguruar Xhevati

Pas këtyre fjalëve Zefi kishte ndjerë një lehtësim të madh në zemër dhe menjëherë kishte filluar të lirohej në bisedë me dhëndërinë sikur të ishin shokë që sa kohë ndërmjet veti.

Veçanërisht kur kishte filluar Xhevati të bënte humor babai i Lezes ishte ngazëllyer aq shumë, sa që i kishte thënë me habi Xhevatit, unë mendoja se nuk ka humoriste më të madhe se bija ime Lezja, por dhe ti qenke humorist shumë i mirë.

Ndaj nga ai çast, nuk do të kalonte ditë pa i ftuar dhëndërin dhe të bijën që të shkonin në furrën e axhës Zef, sikur ata të banonin dikund aty afër në Prizren dhe jo që jetonin në Prishtinë.

Madje pa kaluar shumë kohë, falë kulturës së lartë dhe mirësjelljes së pafund si dhe humorit të veçantë e dashamirës që dinte të bënte Xhevati, me të cilin gjatë vizitës në familjen e të shoqes, shkriheshin të gjithë së qeshuri, familja e Lezes, për periudhë relativisht tejet të shkurtër kishin ndërtuar raporte aq të mira me Xhevatin, sa që siç shprehej artistja, asaj i dukej që më shumë e “donin” Xhevatin se vet Lezen. 

Madje nëse vetëm pak dit ai nuk mund tu shkonte miqve për vizitë, i madh e i vogël, nuk pushonin duke thirr në telefon herë Xhevatin her Lezen,si dhe duke qu porosi edhe për njerëz e të njohur, që Xhevati me të shoqen, të shkonin dhe vizitonin familjen e Lezes.

Se familja e Lezes e donin vërtetë shumë Xhevatin, e dëshmon edhe fakti për tu mbajtur mend dhe marrë shembull i vëllait të Lezes Markut, i cili i kishte propozuar Lezes dhe Xhevatit t`ua "falnin" një vajzë të veten (jepnin në adoptim) pasi që kishte kaluar një kohë e gjatë në jetën bashkëshortore dhe Xhevati e Lezja,ende nuk kishte fëmijë.

Se edhe Lezja e donte shumë Xhevatin e dëshmon në një intervistë të dhënë më 2016,pra rreth 13 vite pas vdekjes së Xhevatit,e cila në pyetjen se a dëshironte ajo të rikthehej edhe një herë në rini, Lezja tha shkurt dhe prerë:Pa Xhevatin-Jo!

Vetëm po të ishte e mundur që të ringjallej edhe një herë Xhevati dhe të jemi sërish bashkë, atëherë do të dëshiroja shumë që të ishim të dy edhe një herë të rinj.

Shembull i rrallë i jetës së lumtur bashkëshortore dhe miqësi aq e mirë dhe e perfeksionuar sa që do duhej të merret model i të jetuarit në dhe brenda gjithë shoqërisë shqiptare.

Dhëndëri nga Hasi nusja nga Prizreni

Lezja dhe Xhevati ishin njerëz dhe artistë me shpirt e zemër të madhe, si dhe bashkëshort të përkryer, të cilët në jetë dhe në aktrim ishin pothuajse gjithmonë bashkë e të pandarë, duke thyer të gjitha tabutë e kohës, kur jo secili shihte me sy të mirë, preformizmin e një femre aktore, të luante (krah një burri) Xhevatit me qindra role, në të gjitha zhanret dhe llojet e aktrimit, si në dhjetëra shfaqje teatrale, dramë, film dhe seriale televizive.

Për ata që nuk e dinë, duhet theksuar me këtë rast se Xhevat Qena ishte me origjinë nga fshati Romaj e Hasit,ku një lagje e tërë dhe e madhe, mbajnë mbiemrin Qena, prindërit e të cilit, pasi kishin hapur një furrë buke në Mitrovicë, ishin vendosur atje, ndaj në qytetin e minatorëve do të lindeshin e shkolloheshin edhe fëmijët e tyre, përfshi edhe Xhevatin i cili qysh në moshën e tij të hershme si nxënës i fillores, do të dallohej për prirjet në aktrim dhe zotësinë për interpretime të roleve të ndryshme, e veçanërisht atyre në dramë dhe humor.

Ndërsa sa i takon njohjes ndërmjet Lezes dhe Xhevatit, sipas asaj që do të rrëfente vet aktorja jonë, tre katër muaj para shfaqjes së përbashkët në Prishtinë, Xhevati kishte udhëtuar për një turne artistike në Prizren, me ç ‘rast, gjatë shëtitjes nëpër qytet, tek ‘Foto Nesha’,  ai do ta shihte për herë të parë, rastësisht Lezen në fotografi, kur jo vetëm që ishte dashuruar qysh në shikim të parë, në te, por i kishte thënë edhe shokut që e shoqëronte, se kjo do të ishte gruaja e tij, gjë që pa kaluar shumë kohë, vërtetë ashtu edhe do të ndodhte.

E megjithë jetën e mrekullueshme që kaluan bashkë Lezja me Xhevatin, ajo që bëri të vuanin shpirtërisht këtë qift të mrekullueshëm aktorësh të mirënjohur, ishte fakti se përkundër dashurisë së madhe e të pafund që ata kishin ndaj tjetri tjetrit, dashuri e cila nuk u shua asnjëherë, gjatë gjithë jetës së tyre, Lezja dhe Xhevati nuk patën fatin të gëzoheshin edhe me fëmijë.

Qika e artistëve

Me kalimin e kohës, sidomos Lezja, gjithnjë e më tepër në ndjesinë e thellë amnore, e ndjente këtë mungesë, ndaj një ditë ajo kishte vendosur t`ia shprehte Xhevatit dëshirën që ta adoptonin vajzën e të vëllait, apo ndonjë fëmijë tjetër dhe ta rrisnin bashkë me Xhevatin si fëmijë të tyre.

Xhevati nga mirëkuptimi i pakufishëm dhe dashuria e madhe që kishte tanimë jo vetëm për Lezen e tij,por edhe respekti për miqtë e mrekullueshëm, i thotë, të shoqes; dëgjo Leze unë pranojë me gjithë zemër dëshirën tënde, por ne do ta adoptojmë vajzën e Markut vëllait tënd e jo ndonjë fëmijë tjetër, kam dëshirë grua, sepse na kanë nderuar shumë miqtë me këtë propozim dhe para së gjithash Lezja ime e dashur, ajo është edhe pjesë e gjakut tënd!

Lezja ishte gëzuar aq shumë sa fluturonte nga gëzimi, nuk pushonte duke e uruar të shoqin dhe nuk kursente komplimentet më të mira që dinte për burrin e saj.

- Xhevat i dashur ti asnjëherë nuk më ke hidhëruar as nuk ma ke prishë qejfin kurrë, ndaj unë edhe 100 herë po të vija në këtë botë, të betohem se nuk do të merrja kurrë burrë tjetër përveç teje...

Vajza që do ta adoptonin Lezja dhe Xhevati, sipas traditës, për hirë të një feste që kishte qëlluar afër ditëlindjes së saj, prindërit i kishin vënë emrin Gloria.

Pas vendimit për  adoptim, Lezja fillimisht e kishte bërë me kunatën që ajo ta merrte vajzën, kohë pas kohe nga pak te shtëpia e vet për tu mësuar me te, ndërsa herë pas here, t`ia dërgonte të ëmës që edhe ajo të çmallej me të bijën. 

Mirëpo, sipas një interviste të vitit të kaluar, në emisionin “Pa Rrotlla” Lezja shpjegon se që herën e parë kur ajo e mori vajzën e vogël në shtëpi, e ëma i kishte thënë ta mbante dhe të mos ia kthente më, sepse një herë ia kishin falur dhe ashtu do të ishte më mirë e më lehtë, për të dy-"nënat" e vajzës.

Pa kaluar shumë kohë, Lezja pasi kishte biseduar me të vëllain dhe kunatën, vogëlushes së adoptuar, ia kishte ndryshuar emrin nga Gloria në Argjenda.

Xhevati me të dëgjuar për veprimin e të shoqes,ishte habitur dhe kishte provuar ta bindte Lezen që vajzës t`ia kthente emrin që i kishin vënë prindërit e saj, ngase ata do të mendonin se Xhevati mund të ketë insistuar që asaj ti ndryshohej emri.

Por Lezja si Lezja.

-Jo Xhevat i kishte thënë ajo prerë dhe si me komandë, unë i kam vënë emrin Argjenda dhe kështu do të mbetet.

-Po mirë o Leze por më thuaj të paktën pse, ta di dhe unë arsyen, kishte pyetur Xhevati. 

Në fakt, artistja kishte një arsye të fortë dhe ide të pranueshme me të cilën, pa shpjegime më të gjata,u pajtua edhe i shoqi Xhevati.

 -Dëgjo Xhevat kishte filluar ti shpjegonte Lezja atij, ti e di që unë të atin e vajzës e kam vëlla dhe të ëmën e saj kunatë, ne duhet të hyjmë e të dalim me prindërit e vajzës, vajza rritet ndaj dhe është shumë më lehtë për ata si prindër biologjik, por edhe për ne si prindër të vajzës së adoptuar, kur ta thërrasim vajzën para tyre,e ti themi Argjenda eja te mami, apo Argjenda eja te babi, se sa ti themi para së ëmës, Gloria eja te mami,apo para të atit,Glorija eja te babi, gjë që do të tingëllonte më dhembshëm pë ta, sepse tek e fundit, ata vërtetë na e kanë falur bijën e tyre, por në fakt e kanë fëmijë të vetin.

-Madje Xhevat unë mezi kam pritë këtë ditë dhe dua një emër që të më tingëllojë hareshëm e bëjë dritë dhe rrezatojë para syve, kur e thërras emrin e saj në shtëpi, kur e dërgoj në shkollë Xhevat dhe kur dal në rrugë me te-

- Kam dëshirën që emri i saj të tingëllojë sa më kombëtarisht, si dhe të shndrisë si ari, në shkollim, punë dhe në jetë, mu si ne dy prindërit artistë.

-Kjo është arsyeja burri im i dashur.

 Xhevati vetëm kishte luajtur kokën dy tre herë në shenjë pohimi dhe ishte përgjigjur me bindje, mirë e ke menduar Leze dhe ashtu le të bëhet.

Kështu do të jetonin të dy palë prindërit e Argjendës, gjithmonë në harmoni dhe përherë të lumtur, duke u ndjerë sikur të ishin një familje e vetme.

Argjenda sot është e rritur madje është bërë edhe nënë dhe ka edhe vet dy apo tre fëmjë.

Rast i rrallë dhe ngjarje aq mbresëlënëse e interesante sa që mjaft lehtë mund të shndërrohej edhe në film, apo përshtatet në dramë artistike, për tu bërë shembulli më i ndritur i harmonisë bashkëshortore dhe bashkëjetesës së besimeve ndërshqiptare si dhe do të pritej e përjetohej shumë më mirë se sa inskenimet e artit të ideuar e të pa mbështetje në themelet reale të jetës së njëmendtë popullore, nga shqiptarët.

Mbi 70 vite në skenë

Gjatë gjithë karrierës së saj shumëdekadëshe artistike Leze Qena luajti role të panumërta të mëdha e më të vogla; tragjike, komike, dramatike e çfarë jo tjetër, të autorëve të ndryshëm vendas e botëror dhe megjithëse është e pamundur, të përfshihen të gjitha vetëm në një shkrim si ky, duhet thënë se rolet e saj të shumta, pothuajse pa asnjë dallim nga emrat e personazheve dhe përmbajtja artistike, përherë u përjetuan ngrohtë e me shumë dashamirësi nga publiku i gjerë.

Lezja qysh në aktrimet e para u dallua për aftësitë e saj interpretuese dhe shkathtësitë e mëdha prej artisteje të veçantë, në luajtjen e roleve me përkushtim sipëror, sidomos në shfaqjet e zhanrit të Komedisë, ku dëshmoi përsosmërinë kulmore si aktore me ndjesi dhe pasion të pakufi, role të cilat deri në fund të jetës dhe karrierës së saj brilante, nga shikuesit dhe adhuruesit e saj të shumtë, jo vetëm u pritën e mirëpritën ,por shkuan deri në himnizim për Lezen tonë të madhe!

Sukseset e saj, gjithmonë Lezja i arsyetonte me modesti dhe faktin se asnjë aktivitet artistik, jo vetëm që nuk e lodhte as bezdiste fare, por dhe çdo rol, ajo e kishte pranuar dhe luajtur me gjithë zemër dhe dëshirën më të madhe.

Ndërsa edhe sa u takon interpretimeve, Lezja thoshte se të gjitha personazhet në emrin e të cilëve ka luajtur, i kishin pëlqyer që të gjitha pa dallim, madje me aktrimin e saj të mrekullueshëm, ajo ishte munduar ti paraqiste ato sa më mirë, në mënyrë që edhe të pëlqeheshin sa më shumë nga publiku dhe të mos i zhgënjente shikuesit asnjëherë.

Por një roli i veçant dhe i paharruar, i cili do të ngelej përherë në kujtesë dhe zemër të Nanushit tonë, ishte roli i Ana Franku-t, të luajtur qysh në vitin 1957 dhe përshtatur në dramë nga teksti autentik i librit me titull "Ditari i Ana Frankut".

Në pyetjen se çfarë kishte aq të veçantë në te dhe pse i pëlqente asaj, pikërisht ky rol kaq shumë, aktorja jonë përgjigjej shkurt dhe thjeshtë se; njëjtë si vet Lezja edhe Ana ishte një femër e re, e cila e donte më shumë të atin, se të ëmën,siç vepronte edhe Lezja, Ana vuante nga pushtuesit nazist ashtu siç kishte vuajtur shumë edhe Lezja vet, që nga fëmijëria nën pushtimin serb dhe terrorin e Aleksandër Rankoviqit,i cili kishte burgosur edhe të vëllain e Lezes dhe të atin e Argjendës, vajzës që Lezja dhe Xhevati kishin adoptuar, kohë e vështirë në të cilën nëpër burgjet sllave, por edhe jashtë tyre, do të mbyteshin pa asnjë gjykim, mijëra shqiptar.

Lezja këngëtare

Megjithëse për Lezen, pothuajse përherë flitet vetëm si aktore, pasi që këngën ajo në fakt edhe e kishte më tepër hobi se profesion,artistja jonë shprehet se ndoshta mund të ketë gabuar që nuk është marrë me kohë dhe në mënyrë profesionale edhe me këndim, pasi që nëpër koncerte, thotë të ketë kënduar gjithmonë parodi, duke i qëndisur ato edhe me humor të zgjedhur me të cilat jo vetëm që është kënaqur shumë publiku, por edhe i ka pritur gjithmonë këngët e saj me entuziazëm dhe gjithnjë mirë e më mirë.

Lezja Atlete

Në moshën e vet të re, aktorja jonë e madhe ishte edhe sportiste e dalluar e cila përveç aktrimit brilant dhe muzikës si dëshirë e hobi, dashuri të veçantë kishte treguar për atletikën, madje lidhja me këtë sport ishte aq e fuqishme sa që salla ku Lezja stërvitej, ishte kthyer në shtëpinë e saj të dytë.

Rolet artistike të Nanushit

Artistja jonë e madhe gjatë karrierës së saj u pagëzua dhe pasurua edhe me disa emra përkëdhelës si, “nanushi” “gjyshja” etj, ndërsa për rolet që ajo gjatë gjithë jetës luajti me zemër dhe shpirt të çiltër, si dhe interpretimet e përsosura profesionale, jo vetëm që adhurohej shumë nga shqiptarët kudo, sa ishte gjallë, por edhe pas vdekjes, ajo do të mbetet gjithmonë në zemrat e secilit prej nesh dhe mbahet mend gjatë, për interpretimet e saj brilante artistike në skenën teatrore e filmike, ashtu siç do të përkujtohet përjetësisht për buzëqeshjen e saj të ngrohtë dhe dashurinë e sinqertë që ajo përçonte, tek të gjithë adhuruesit e vet, pa dallim moshe dhe gjinie.

Nanushja jonë e mirë kishte shoqëri të madhe e të sinqertë pothuajse me të gjithë kolegët dhe bashkë-aktorët, shoqëri e cila, siç shprehen ata pas vdekjes së saj, me shumë mallëngjim, tejkalonte kufijtë e punës dhe të aktrimit.

Ndaj nuk do mend se për të gjithë ne që jemi rritur dhe mësuar me rolet, këngën dhe humorin e saj, ajo do të jetojë përherë në kujtesën e secilit dhe mbetet gjallë dhe e pa harruar përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona deri në përjetësi.

Siç dihet që moti nga të gjithë, Leze Qena ka lujatur edhe në shumë shfaqje të ndryshme teatrale disa prej të cilave po i përmend me këtë radhë; “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët“, „Kur është gruaja memece”,“Hanka”,"Pjata e drunjtë", “Miu në xhep” etj, pa harruar këtu të kujtojmë se përveç komedisë "Fjala është për Banesën”, ajo luajti rolet kryesore edhe në shumë shfaqje si;“E shoqja e Hasan Agës”, "Kusheriri prej Amerike", “Familja e pikëlluar”, “Nuk martohem me pare”,“Tartufi”,"Autobiografia",“Duart e papastra”, "Othello", "Antigona" etj.

Ndërsa në dekadën pasuese, Lezja ka interpretuar edhe në shumë inskenime disa prej të cilave,janë;“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, "Zëri i ndërgjegjes njerëzore","Perkolgjinajt","Të ngujuarit”,“Hotel Kashta” etj.

Përveç përvojës shumëvjeçare dhe suksesit të veçantë të dëshmuar në skenën teatrore në vend, aktorja e shquar shqiptare Leze Qena do të shkëlqente edhe në miniseritë e njohura televizive si; “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), “Shkolla e fshatit” (1987) etj, të cilat ishin vetëm disa nga performancat më të njohura të aktores tonë të madhe me të cilat ajo bëri për vete simpatinë e publikut të shumtë anë e mbanë Kosovës, interpretimet të cilat priteshin me interesim të madh edhe nga shqiptarët në mërgim dhe kudo në diasporë

Vdekja e Xhevatit

Në vitin 2003 Lezja jonë e mirë dhe mirënjohur përjetoi goditjen më të rëndë dhe dhembjen më të madhe në jetën e saj, me ç ‘rast pa pritur do ti vdiste bashkëshorti, aktori dhe partneri shumëvjeçar artistik me të cilin i kaloi vitet më të mira bashkëshortore Xhevat Qena, duke bërë aktoren tonë të vuaj gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës së saj, që nuk ishte aspak e lehtë dhe as e shkurtër, por plot 17 vite të gjata me radhë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)