23 Dhjetor 2024

Letërsia jonë - vlerësim apo manipulim

Shkruar nga Gani Qarri

Roli i poetëve dhe shkrimtarëve të një vendi,në çdo kohë është parë dhe vlerësuar si udhërrëfyes shpirtëror dhe pasqyrë e zhvillimit kulturor të popullit që i takon.

Në vendet e përparuara të botës edhe sot është kështu. Megjithatë, atje ndahen më pak \"mirënjohje\" por krijohet më shumë letërsi konkurruese, art dhe kulturë e mirëfilltë civilizuese me zhvillim të shëndoshë dhe të pa mbuluar nga perde të dyshimta \"dekorimesh\" të pa çarta- përfitimi, që mund të dëmtojnë vlerat krijuese me të cilat ata dhe pasardhësit e tyre krenohen.

Për fat të keq,tek ne ndodhë e kundërta dhe është krejt ndryshe,sa që sot bota shqiptare është marr mëndësh nga numri ekstrem i mirënjohjeve dhe dekoratave të lëshuara në mënyrë private për shokë, miq, e dashamirë,pa vlerësim ekspertësh të autorizuar profesionist dhe kritere të përcaktuara -kombëtare apo shtetërore nga lëmi i artit, kulturës dhe letërsisë.

Ndaj me të drejtë është krijuar bindja,madje për fat të keq është rrënjosur edhe një përshtypje fataliste, jo vetëm tek të huajt, se kjo sëmundje e pa zakontë mbetet veçanti vetëm e shqiptarëve, e cila edhe në këtë shekull zhvillimi fle e pa shëruar në shpirtin e tyre,duke dëmtuar rëndë letërsinë, kulturën dhe perceptimin tonë si popull në sytë e të huajve në tërësi.

Prodhuesit \"industrial\" të vlerësimeve- manipulative, duhet ta dinë se edhe shqiptarët, pa marrë parasysh shkallën e ngritjes dhe zhvillimit të tyre intelektual e kulturor,jetojnë në shekullin XXI. Ndaj, është koha e fundit që edhe ata ti shohin dhe kuptojnë rrjedhat e ndryshimeve që përjeton bota bashkëkohore të cilat nuk durojnë më aventura të tilla.

Në të kundërtën,marifetçinjtë e tillë, do tu nxjerrin telashe të mëdha gjeneratave të ardhshme dhe shumë punë komisioneve profesioniste letrare,që një ditë duhet medoemos të formohen, ndoshta -enkas- për \"zhvlerësimin\" e shkrimeve dhe veprave tallava, të shpërblyera ad-hoc,sipas \"parimit\" të njohjes, pagesës me para, apo simpative personale e grupore.

Mirënjohjet jo legjitime,private dhe të pa mbështetura në kritere të përcaktuara nga komisione të autorizuara zyrtare duhet të vihen nën llupën cilësisë dhe peshoren e vërtetësisë së meritës për kualifikime shpërblyese.

Madje edhe qëndrimet e vjetra mendore dhe rajonaliste që ende mbajnë të ndarë shqiptarët, është koha të zëvendësohen me sjellje afruese bashkëkohore dhe veprime korrekte e shkencore gjithëkombëtare, duke formuar një komision të përbashkët profesionistësh nga gjeografia tërë-shqiptare për vlerësime të mirëfillta letrare, të cilat do duhej si edhe te popujt e tjerë, të bëheshin pasqyrë e zhvillimit intelektual dhe kulturor të popullit shqiptar në përgjithësi.

Madje,përveç caktimit të kritereve vlerësuese,tek populli ynë ka nevojë të ngrihet edhe vetëdija letrare për kuptimin real dhe vlerësimin meritor të shkrimeve dhe teksteve,sepse kultura as letërsia kombëtare nuk ndihmohet me ndarje të pa autorizuara mirënjohjesh.

Ky kriter i pa shkruar dhe jo ligjor është dhe mbetet hile e pa ndrequr, apo veprim (do ta quaja) \"ilegal\" vetëm i shqiptarëve në Evropë me të cilin,heshtet e vërteta, mbeten nën hije veprat e merituara dhe zhvlerësohet jo pak letërsia jonë e mirëfilltë kombëtare, sidomos kur bëhen pazare apo edhe shiten dekorime për shokë, miq, dashamirë, baxhanak,farefis e të njohur të tjerë sipas marrëveshjeve korruptive, ëndjes dhe interesit.

Ndaj lind pyetja,cili popull për shkrime shterp dhe pa asnjë shije artistike, pa inspirim shpirtërorë, porosi të kuptueshme dhe përmbajtje domethënëse, do ta lejonte edhe në ditët e sotme, një dukuri të tillë negative për Emrin dhe Kulturën e tij?!

\"Gjurulldia\" e mirënjohjeve pa kritere dhe veprimet gjysmë ilegale të \"dekorimit\" për njerëz dhe grupe të pa autorizuara duhet të përfundojnë,kurse rolin vendimtar të \"notimit\" për veprat e botuara,duhet ta marrë kritika e mirëfilltë profesioniste letrare me njerëz të specializuar të pajisur me autorizim zyrtar nga kombi dhe shteti për vendosjen e rregullave të vlerësimit real të cilat duhet të jenë të drejta dhe të barabarta për të gjithë.

Kritiku i nderuar Kristë Maloku i cilësuar si model i pastër i kritikut letrar, kritikën e shihte si qëllim orientimi në \"rrugën e drejtë kah e mbara, kah nderi e kah e vërteta.\" ndaj edhe do të shprehej se: \"Çdo kritikë letrare me vleftë,ka tendenca edukative\".

Kurse Faik Konica që në kohën e tij,kritikën letrare do ta quante gjykim të vlerës së librave ndaj ai me këmbëngulje do të kërkonte nga autorët shqiptar-shkrime me vlerë, që ato të mund të mateshin me vlerat e kulturave tjera universale....

Por sot,në cilën \"peshore\" maten vlerat kaq të \"rritura\" të letërsisë shqiptare,e cila me gjithë përjashtimet e vogla,të ndonjë figure të rrallë kombëtare, nuk ka depërtim të theksuar dhe as njohje e vlerësim të lartë në letërsinë botërore,derisa ndahen më shumë se në çdo vend tjetër evropian, shpërblime, dekorata e mirënjohje për arritje të \"mëdha\" në prozë dhe poezi?!

Sa vlejnë pikat e tilla \"referuese\" dhe kjo shkallë zenitore vlerësimi , kur çdo gjë e ka mbuluar paraja,korrupsioni dhe interesi personal e grupor ?!

Ndaj,nëse për momentin ,nuk mund ti gjendet fija këtij lëmshi të krijuar kulturor, a nuk do të ishte e udhës që të organizohej një debat i hapur publik rreth kësaj teme, ku do ti shprehnin mendimet e tyre secili dhe paraqisnin pikëpamjet e veta të gjithë pa dallim,në mënyrë që të arrihet një vendim zyrtar dhe një herë e përgjithmonë të përfundoj kjo Llugë e dyshimtë vlerësimi dhe praktik e pa ndershme veprimi e cila nxjerrë jashtë konkurrence letërsinë shqiptare dhe denigron rëndë kulturën tonë kombëtare në tërësi.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)