26 Dhjetor 2024

Letër publike drejtuar ambasadores së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova

Shkruar nga Lulzim Beqiri


E nderura Nataliya Apostolova përfaqësuese speciale e zyrës së BE-së në Prishtinë. Unë jam një qytetar i Republikës së Kosovës, një i ri që ka shumë ambicie dhe dëshirë të jetë një ditë pjesë e familjes së madhe evropiane pra BE-së.

Ajo çka më shtyri të shkruaj është situata ekonomike në vendin tim, padrejtësitë që i bëhen rinisë në punësim, diskriminimi në baza partiake, kam dëshirë të na informoni për disa gjëra në Bashkimin Evropian rreth punësimit, nepotizmit, korrupsionit etj.

E nderura Aposolova, në vendin tim ka shumë nepotizëm nga të gjitha partitë politike. Nuk ka rëndësi përgatitja profesionale, përvoja e punës, shkathtësitë e ndryshme. Kriter kryesor është me qenë militant i një subjekti politik, pastaj të tjerat nuk kanë rëndësi dhe e siguron një vend pune. Harrova të them se s’ka rëndësi cilës parti i përket në Kosovë (ato e kanë nda kulaçin pra dikasteret ku me i punësuar militantët e vetë).

Pyetja ime është: në familjen e madhe të Bashkimit Evropian a ndodh një krim i tillë?

Po të shpjegoj më gjerësisht shqetësimin tim si i ri i kësaj Republike që paraprakisht ju falënderoj që po na ndihmoni në rrugëtimin tonë drejt vlerave tuaja që aktualisht përfaqësoni.

Ambasadore e nderuar, një i ri në Kosovë nuk ka vullnet për të konkurrua në një vend pune, dhe a e dini pse, ose më thjesht pyetja e parë mes kandidatëve është se për në atë vend ka një vit që është duke punuar dikush tjetër e i cili pritet të merr atë vend pune edhe zyrtarisht.

Ambasadore, para afro një muaji Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), kishte shpallur konkurs për inspektor tatimor, dhe në këtë konkurs kishin konkurruar hiç më pak se 2000 veta. Pas procedurave rekrutuese arrin të pranohen kryesisht militantë të partive në pushtet. A ndodh kjo në Bullgarin tuaj të dashur? A ndodh kjo në Bashkimin Evropian, a ndodh që 1970 veta të refuzohen dhe të pranohen 30 kryesisht militantë partiakë, çka me ata që s’kanë një parti politike a ndodh kjo në BE.

A e dini se në këtë konkurs janë pranuar edhe ata që testin se kishin kaluar, ky vend nuk ka drejtësi ambasadore, nejse më fal që ty po të drejtohem, e di që kishe me thënë se për këto i keni udhëheqësit tuaj, ambasadore e nderuar këta politikan na kanë lënë të izoluar, ky vend ka mund më mirë me kanë veç drejtësia në vend me kanë.

Ka edhe 1001 konkurse tjera që manipulohet, manipulohet në arsim, në doganë, në komunë, në administratë, manipulohet edhe me veteranë, me pensione me trustin pensional, këtu manipulohet edhe me të vdekur nga kjo garniturë e politikanëve, pra ne këtu keq i kemi punët.

Ambasadore e nderuar, nuk po të bezdis më shumë, po s’kam qare pa të thënë edhe nja dy fjalë.

E nderuara Ambasadore, a e di që ne i kemi humbur shpresat në këta politikanë, unë shumicën e këtyre udhëheqësve i kam pas profesorë në Fakultetin Ekonomik. Në atë kohë na kanë ligjëruar se nuk duhet lejua nepotizmi, korrupsioni, dhe dukuritë negative e në realitet tashmë ata po i bëjnë vet.

Ambasadore e nderuar, në takimet tuaja a ju flisni politikanëve tanë se nuk bën me e mbështet nepotizmin, të lutem thuaju atyre se rininë po e detyroni me emigruar pa dëshirën e tyre, shkaku i nepotizmit, korrupsionit, ne nuk kemi faj pse kemi këtë garniturë të çoroditur politikanësh, ju lutem thajuni atyre se jemi lodh me ju, jo pse ne nuk ju themi çdo ditë mirëpo neve s’po na dëgjon askush.

E nderuar ambasadore, kam edhe këto pyetje: A ndodh në BE ose në Bullgari me u pranua në punë pa meritë, pa i plotësuar kriteret, a e dini që në Kosovë nuk ka kriter, te ne ka vetëm nepotizëm.

Unë ju siguroj se në botë nuk ka rini ma të mirë se sa ajo kosovare, më proevropiane, më pro drejtësisë, më të përgatitur për me qenë pjesë e lokomotivës tuaj drejt një bote më të mirë.

Unë jam Lulzim Beqiri, një ekonomist i ri që fal Zotit kam një vend pune.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)