Letër për Kryetarin e Partisë Vetëvendosje
Shkruar nga Armend A. Ibrahimi
Kurti, sot isha i ftuar në një debat të organizuar nga Këshilli i Nxënësve të Gjimnazit filologjik Eqrem Çabej me maturantët e atij gjimnazi (siç besoj ju kanë njoftuar).
Tema e debatit ishte Të rinjtë zë i fuqishëm i ndryshimeve. Të pranishëm ishin shumë maturant, të cilët në formën më të civilizuar debatuan dhe shfaqën qëndrimet e tyre mbi shumë çështje, të cilat kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme shkollore e shoqërore.
Aty u takova edhe me aktivistë të partisë suaj, të cilët, para se të fillonte debati, u ngritën në këmbë, fishkëlluan, kishin parulla (një X mbi shkronjat LDK), na ofenduan në forma të ulëta dhe thërrisnin Vetëvendosje.
I pashë me qetësi dhe nuk ua mora për të madhe, sepse janë të rinj, sikur edhe ju, dhe po i shfaqnin qëndrimet e tyre, ashtu siç dinin (ata ishin dy maturantë të Gjimnazit Sami Frashëri, në të cilin isha i ftuar para disa muajsh në debat për të njëjtën temë).
Ajo që më shqetësoi dhe më shtyu që ta shkruaj këtë letër, ishte fakti se kur biseduam me ta, ata thanë se ndalohet politizimi i shkollave. Për këtë unë jam plotësisht dakord.
Mirëpo Kurti, unë në gjithë takimin nuk e përmenda asnjë shkronjë nga emri i partisë sime, ju kishit vënë një X mbi të tri shkronjat LDK. Unë nuk e përmenda asnjëherë asnjë parti, ju thërrisnit Vetëvendosje.
Një gjë, e cila më shqetësoi edhe më shumë, është se si është e mundur që të thirreni në mospolitizimin e shkollave, përderisa sot maturantë të një shkolle tjetër, aktivist të partisë suaj, ishin aty të na fyenin, në një debat me maturantë të një shkolle tjetër?!
Kush është duke bërë politizim të shkollave?! Unë, i cili isha aty me ftesë të Këshillit të Nxënësve për debat me temë të caktuar (pa pikë ngjyre partiake), apo ju me parulla fyese e thirrje për partinë tuaj?
Kurti, nëse ju thoni se unë dhe Forumi i Rinisë i LDK-së jemi fajtorë pse të rinjtë nuk e shohin më zgjidhje dhe opsion partinë Vetëvendosje, unë pajtohem plotësisht, mirëpo ju ftoj që së paku atë ta bëni ndershëm dhe në formë të civilizuar. Ju premtoj se ne do të jemi këtu, kurdo që të rinjtë kanë nevojë të flasin, të organizohen dhe të veprojnë (ashtu siç ishim për plot 23 vjet), gjithherë në formë të civilizuar dhe demokratike.
Mos harroni, Kurti, se X-i që e keni vënë mbi shkronjat LDK është X mbi Liri, Demokraci dhe Pavarësi të Presidentit Rugova dhe popullit bujar të Kosovës, mos harroni se është X në mbi 40.000 të rinj nëpër gjithë Kosovën, mos harroni se është X mbi breza të tërë që dhanë shumë për Kosovën.
Ju mund ti vazhdoni sjelljet e tilla, sepse ato letra në të cilat shkruani janë pronë private dhe ne e respektojmë pronën private dhe individualizmin, mirëpo vlerat tona qëndrojnë të palëkundura, siç kanë qëndruar për shekuj: besimi në Zot, vlera të familjes dhe të kombit. Unë po ju shkruaj me besimin se ju jeni njëri nga ata të cilët e duan Kosovën.
(Autori është Kryetar i Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës)