08 Janar 2025

Letër e hapur për kryeministrin rreth krimit mjedisor multi-milionësh

Shkruar nga Besim Dobruna

Z. kryeministër Isa MUSTAFA

S’do të merrem as me “Zajednicën” e as  me Demarkacionin me Malin e Zi, por me korrupsionin dhe krimin e organizuar, që po e shkatërron Kosovën çdo ditë  e më shumë!

Në konferencën tuaj me gazetarë (9 dhjetor 2015), për punën njëvjeçare të Qeverisë, ju dëgjova duke thënë: “Asnjë skandal korruptiv nuk e karakterizon njëvjeçarin e Qeverisë” dhe gjithashtu pas përcjelljes me vëmendje të emisionit CLICK – TV21, në të cilin kërkuat ndihmë për denoncimin e korrupsionit dhe krimit, nuk munda të qëndroja duarkryq, dhe mora mundin të ju shkruaja disa fjalë!

Të vetëdijshëm që ju jeni përgjegjës për funksionimin e çdo sektori institucional në Kosovë, unë po fokusohem vetëm në njërin nga ta, atë të Mjedisit i cili është ndër sektorët më të rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm. Ju e dini fare mirë se tri shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm janë: Ekonomia, Mjedisi dhe Shoqëria dhe nëse s’ka menaxhim të mirëfilltë të njërës shtyllë (në këtë rast të mjedisit) s’ka as shoqëri të shëndetshme dhe as qëndrueshmëri ekonomike apo zhvillim të saj.

Meqë në emisionin CLICK-TV21, ju kërkuat ndihmën e mediave dhe ndihmën tonë-shoqërisë civile, për denoncimin e krimit dhe korrupsionit, unë po ri-denoncoj për shumë shkelje ligjore të përfaqësuara me skandale në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Për njoftimin tuaj dhe opinionit të gjerë,  unë si zyrtar, pas neglizhencës së Agjencisë Anti-Korrupsion të Kosovës, në Prill të këtij viti kam paraqitur kallëzim penal në prokurorinë themelore për tri vepra penale (Nr. DHKEK-116-15) që lidhen me Ministrinë e Mjedisit  dhe jo vetëm kaq!.  Publikisht deklarova se në MMPH ekziston një grup i krimit të organizuar të cilët kanë privatizuar këtë ministri. Me këtë rast prisja që shteti ligjor të zgjedhë alternativën për vazhdim e hetimeve dhe të dënoj këtë grup të krimit të organizuar ose të më denoj mua për shpifje. Fatkeqësisht, nuk ndodhi asnjëra, por ndodhi ndëshkimi ndaj meje, pikërisht nga ai apo ata për të cilët denoncova (http://gazetafjala.com/ministria-e-mjedisit-ndeshkon-zbuluesin-e-keqperdorimeve-dokument/). Atë kohë, ndaj meje ushtrohej terror psikologjik nga menaxhmenti i MMPH, duke më shantazhuar me komisione disiplinore, mos aprovime të pushimeve vjetore, vendime të sajuara të komisioneve për transferre mbi 80 km distancë  nga Prishtina etj. Të gjitha këto keqtrajtime  KPMSHC i ka hedhur të gjitha poshtë si të padrejta (http://gazetaora.com/nese-denoncon-per-keqperdorim-keshtu-e-peson/)

Në vijim keni radhitura rastet të cilat sanksionohen me ligjet në fuqi.
1.    Në fillim të vitit 2015, programe televizive, gazeta e portale raportuan për skandalin e dëmtimit të buxhetit të Kosovës mbi 100 milion € nga mos-pagesat e obligimeve financiare që janë detyrim nga lejet për shfrytëzimin e resurseve ujore. Këto i denoncova publikisht (http://gazetafjala.com/analiza/7277-2/) duke besuar se po kontribuoja sadopak për vendin por u zhgënjeva nga mos-reagimi i Qeverisë. Si është e mundur që Qeveria nuk reagon për një Sekretar i cili është konfirmuar se ka qenë me shkollë të mesme kur është zgjedhur, i cili përflitet në një aferë të mbi 100 milion € që është konfirmuar nga Grupi i Punues i  Ministrisë së Mjedisit i cili ka toleruar zyrtarë me aktakuzë dhe nuk ka marr masa, i cili mban ushtrues detyre mbi 3 muaj në kundërshtim me ligjin, i cili favorizon grupacionin e vetë në udhëtime zyrtare etj, etj…

2.    Pas disa ditëve, u publikua se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përgjegjësi kryesor i këtij skandali, ishte i pakualifikuar dhe në kundërshtim me kërkesat ligjore (e konfirmuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbyesve Civil, KPMSHC).(http://gazetafjala.com/analiza/sekretari-ilegal-me-i-forte-se-tre-ministra-dokumente/).
3.    Prapë, nuk kishte asnjë reagim apo veprim. Në ndërkohë raportohej për skandalin e radhës, se kjo Ministri i kishte dhënë zyrtarit të vet tender në vlerë prej 1.5 milion € (http://zeri.info/aktuale/21198/tender-1-5-milion-per-zyrtarin-e-qeverise/) dhe prapë kjo u hesht, thuajse nuk ka ndodhur asgjë.

4.    Më herët ishte raportuar se Ministria kishte pas rol ndikues në ndërtimin e ‘plazheve’ buzë liqenit të Batllavës, që furnizon mbi gjysmën e kryeqytetit (http://www.telegrafi.com/ekonomi/lajme-ekonomi/parate-e-be-se-perfunduan-ne-plazhe-ilegale-te-batllaves.html). Është i pa  shpjegushem fakti që Sekretari i MMPH-së, bllokon realizimin e  projektit të  donuar  për ndërtimin e rrjetit të  kanalizimit reth Batllavës per mbrojtje e ujit të pishem prej ujerave fekale, dhe në anën tjetrër angazhohet dhe  kontribon maksimalisht ne mashtrimin e Komisionit  i BE për një donacion mbi 300 mijë € për ndërtimin e gjashtë Plazhave në zonën e parë, duke mundësuar ndotjen permanente të ujit  të pishëm (ekzistojnë provat të nenshkruara  nga vetë sekretari) Fakti tjetër është se  24  Vendime për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor te nënshkruara nga ish-Kryeministri në Prill të vitit 2013, ende nuk janë publikuar ne Gazetën e Zyrtare të R. Kosovës. Vendimet edhe pas 30 muajve ende nuk  janë në fuqi.

5.    Për të mos i cituar të gjitha raportimet nëpër media për lëshimet në këtë ministri, si p.sh. softueri mbi gjysmë milion € për shpronësim që është jofunksional (http://gazetafjala.com/analiza/gjysme-milioni-euro-per-softëare-jofunksional/) dhe shume e shumë keqpërdorime të tjera të cilat mund t’ju dëshmoj edhe gojarisht!

Kryeministër, jam plotësisht i vetëdijshëm, se të gjitha këto janë denoncuar në fillim të mandatit tuaj, për të vënë një pikë ndarëse nga përgjegjësia e juaj, as ju e as Ministri Agani nuk keni qenë fajtor, prandaj mos lejoni vetën të konsideroheni bashkëpunëtor në mosveprim. Personat përgjegjës dihen dhe shumë nga ta akoma janë aty. Emëruesi i përbashkët i gjitha këtyre skandaleve, është Zyrtari Kryesor Administrativ i MMPH – Z. Arben Çitaku, Sekretar i Përgjithshëm.

Në këtë Ministri janë disa drejtor (të njohur për autorin dhe shumicën e zyrtarëve) në krye me Arben Çitaku (sekretarin ilegal) të cilët zhvatin paranë publike përmes formave të ndryshme: tenderëve, mos-lëshimit të lejeve mjedisore (duke u mjaftuar me pëlqime) dhe lejeve ujore, mos-mbledhjes së obligimeve financiare, lejimit të qëllimshëm të degradimit mjedisor, neglizhencës së qëllimshme, etj. Pos këtyre dëmeve, kjo Ministri në vend se të mbrojë mjedisin për këtë gjeneratë dhe gjeneratat e ardhshme, i jep rëndësi sektorëve që nuk i ka ligjërisht përgjegjësi, siç janë ndërtimet sociale, komplekset memorial, shpronësimi, derisa mjedisi dhe planifikimi injorohen.

Ne ishim dëshmitar se Qeveria di të veprojë si javëve të fundit, duke mos kursyer as deputet për shkelje ligji. Pse pra po krijohen figura të tilla ‘të fuqishme’, mbi ligjin, kur gjërat janë të qarta dhe ju deklaroheni me zellë të madh për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar!

Të gjitha ambasadat e vendeve mike të Kosovës po na akuzojnë për nivel të lartë të korrupsioni dhe krimit të organizuar.

Nëse sot veproni,  nesër mjedisin do ta kemi ndryshe! Shumë dobi dhe përmirësime mund të sillni brenda mandatit tuaj!

Këto denoncime nuk janë kundër punës tuaj e as Ministrit tuaj. I keni trashëguar, prandaj mos u bëni pronar të tyre. Me bindje të thellë dhe besim të plotë, për veprim ndaj të keqes së bashku do të kemi suksese !!! Nga ju varet se kah po shkojmë…!

Me respekt,
Besim Dobruna  Inxh i Dipl                                             Prishtinë, 14.12.2015
Drejtor  “Instituti Ekologjik” Prishtinë

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)