Letër e hapur organeve të UP-së
Shkruar nga Ali S. Xhelili
Ne, kandidatët e fshirë nga lista për studime të doktoratës, përmes kësaj letre të hapur duam që të ua tërheqim edhe njëherë vëmendjen Rektorit, Këshillit Drejtues dhe senatorëve të Senatit të Universitetit të Prishtinës se vendimi i datës 26 nëntor 2013, me numër 2/988, edhe pse është thirrur në Statutin e UP-së dhe Rregulloren për Studimet e Doktoratës, është i jashtëligjshëm.
Në fakt, ky vendim bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, me dokumentet e lartcekura si dhe me konkursin publik të datës 26 shtator 2013. Ankesat e kandidatëve, të dorëzuara në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa, sjellin prova të mjaftueshme dhe argumentojnë se pse ky vendim është i jashtëligjshëm.
Përkundër kësaj që u tha më lart, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa të gjitha ankesat (në përjashtim të një ankese) i ka refuzuar si të pabaza dhe gjykimin e tyre e kanë mbështetur mu në vendimin me numër 2/988. Rrjedhimisht, del se komisioni në fjalë nuk ka shqyrtuar fare ankesat tona por vetëm se i ka cilësuar të njëjtat si në kundërshtim me vendimin në fjalë.
Thënë ndryshe, komisioni nuk e ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit por ka shqyrtuar diçka që nuk është kërkuar nga asnjë kandidat.
Për paanshmërinë e komisionit dhe neutralitetin profesional të të njëjtit, flet më së miri fakti se ky komision kishte përpiluar një listë me emrat e kandidatëve që kanë bërë ankesa dhe të njëjtën e ka protokolluar më datën 26 dhjetor 2013. Rrjedhimisht, del se kjo listë është mbajtur e fshehtë nga kandidatët dhe senatorët deri në mbledhjen e fundit të Senatit, më datën 21.01.2014.
Që të jetë paradoksi më i madh, po kjo përbërje e Senatit aprovon listën me të gjithë kandidatët e refuzuar dhe merr një vendim të ri sipas të cilit pika 1. b dhe pika 1. c e vendimit paraprak të Senatit shpërfillen dhe vendosi që ti plotësojë këto vende me kandidatë që e kanë notën mesatare mbi 8.00 në secilin nivel studimi, sipas ranglistës së pikëve që kanë marrë nga komisioni vlerësues i atyre njësive akademike.
Po ashtu, Senati vendosi që të gjithë asistentët në marrëdhënie të rregullt pune në UP, të cilët e kanë notën mesatare mbi 8.00 në secilin nivel të studimeve, të përfshihen në listat e të pranuarve.
Nga sa u cek më lart, shihet qartë se përbërja e njëjtë e Senatit tash merr vendim të ri sipas të cilit disa pika të vendimit 2/988 bën të anashkalohen e disa jo. Po ashtu paragrafi i fundit është shkelje e re ligjore nga ana e Senatit të UP-se pasi që u hapet rrugë individëve të caktuar brenda njësive akademike që të regjistrohen në studime të doktoratës edhe pse nuk kanë konkurruar fare për këto studime.
Pranimi eventual i tyre pa konkurs është shkelje e parimit të barazisë dhe konkurrencës së shëndoshë, gjë që promovohet edhe nga Kushtetuta e edhe nga MASHT-i. Të gjitha këto që u përmendën janë në kundërshtim me Statutin e UP-së, me Rregulloren për Studime të Doktoratës, me konkursin publik, por edhe me vendimin në bazë të cilit janë refuzuar rreth 70 kandidatë.
Andaj, KËRKOJMË nga Rektori, Këshilli Drejtues dhe Senati i Universitetit të Prishtinës që në një mbledhje të jashtëzakonshme, të shfuqizojnë vendimin 2/988, atë të datës 21.01.2014, si dhe të kthejnë listat origjinale të kandidatëve të pranuar sipas konkursit për studime të doktoratës 2013/2014.
Përndryshe, po ju paralajmërojmë se do të ngremë padi kundër Rektorit, Këshillit Drejtues dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës edhe si organe drejtuese të Universitetit por edhe si individ.
/Autori është përfaqësues i kandidatëve për studime doktorate/