26 Dhjetor 2024

Letër e hapur kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit

Letër e hapur kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit

 Z. Thaçi, vepro
 
Shkruar nga Sokol Bashota

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, miku, shoku e bashkëluftëtari im, z. Hashim Thaçi,

Së pari dëshiroj t’ju kërkoj falje që zgjodha t’ju drejtohem në këtë formë, me letër të  hapur por, pas shumë hamendësimeve që kisha, nëse është mënyra më e mirë apo jo, nuk e di prapë, por besoj se kjo s’do të ketë shumë rëndësi për faktin se këtë herë s’po ju drejtohem si mik e shok i juaji, se me të drejtë mund të më thuash “po pse s’ma the në plot ndeja në të cilat kemi ndenjur bashkë”.

Këtë herë ju drejtohem si bashkëpartiak, thënë më mirë si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, i votuar ndër të parët për nga numri i votave apo më i votuar se shumë e shumë të preferuar apo të përkëdhelur tu (të cilët u vërtetua se s’dhanë rezultate në zgjedhjet e fundit), të cilët dhunshëm na imponove në kryesi e në poste të larta qeveritare. Dhe për të qenë i sinqertë me ju e opinionin publik, s’po ju drejtohem nga pozita e “triumfalistit” të zgjedhjeve të fundit, se ato i fituam së bashku me ju dhe me strukturat e partisë e me aleatët në Klinë.

Këtë letër kam dashur ta shkruaj menjëherë pas rezultateve të zgjedhjeve të 3 nëntorit, por prita se mos po ju këndell ky rezultat e do të veproni para balotazhit. Por, jo! Dhe meqenëse Këshillin Drejtues të PDK-së nuk e thirrët deri sot, në të cilin do ta paraqisja këtë shqetësim, vendosa t’ju drejtohem kështu. Më lejoni të dal në temë.

I nderuar kryetar i partisë, z. Thaçi,

Përse edhe më tutje mban në radhët e partisë, madje edhe në organet drejtuese të saj, individë të cilët, pafytyrësisht, ngado që shkuan e aty ku mundën, e shanë partinë dhe punuan kundër orientimeve programore e statutare të partisë, ku si rezultat i angazhimeve të tyre destruktive në disa komuna kemi rënie të votuesve të PDK-së, e disa komuna edhe i humbëm. Edhe pse s’më takon t’jua kujtoj kompetencat prej kryetari e as statutin e programin e partisë, kam të drejtë të di, besoj edhe shumë të tjerë, se përse s’po veproni ndaj tyre.

I nderuar z. kryetar, Hashim Thaçi,

Përse edhe më tutje vazhdojnë të jenë në parti Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj!?

Nëse më herët të gjithë kemi qenë të bindur se Jakupi dhe Fatmiri në mënyrë të pameritueshme u avancuan dhe u graduan në parti e në mënyrë edhe më të pameritueshme u avancuan në qeveri, falë mbështetjes suaj, besoj se sot jeni bindur se duhet t’i largoni nga partia. Nëse deri sot i mbajte për hesape tua, për ndonjë llogari..., por jo në interes të partisë atëherë, i nderuar kryetar Thaçi, vepro sot për hir të shumë aktivistëve të devotshëm të partisë, të cilët u fyen nga veprimet e tyre.

Të të kujtoj se, me mosveprimin tuaj karshi këtyre dhe gjithë atyre destruktivëve, të cilët i mban edhe më tutje në kryesi e struktura udhëheqëse, do t’i lëndosh edhe më shumë aktivistët tanë dhe do t’i dekurajosh edhe më shumë.

Tani nuk flas edhe për shumë të tjerë të zhgënjyer të mëhershëm, të cilët u bënë të tillë për shkak të tyre, por që mbeten edhe më tutje besnikë të PDK-së e, ndoshta, do të rikthehet shpresa tek ata të cilët e duan PDK-në si familje. E të tillë, beso, ka shumë.

/Anëtar i Këshillit Drejtues, dhe kryetar i Degës së PDK-së në Klinë/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)