26 Dhjetor 2024

Letër e hapur EULEX-it

Shkruar nga Jeta Rukiqi

Sigurisht, jeni te informuar se kohë më pare EULEX-i ka arrestuar dy vëllezërit, pronarë të Kompanisë “Play4Win” dhe “Apex” sh.p.k – Kosovë, një biznes I suksesshëm i Lojërave te Fatit në Kosovë.

Një biznes që i solli Kosovës brenda vetëm një viti të hyra në vlerë prej afro 7 milion eurosh, qe i janë paguar Administratës dhe Doganës shtetërore.

Astrit dhe Arben Krasniqi, pa pritur, po cilësohen si grup i krimit të organizuar!!!

Është e çuditshme, pse ndodhen këto arrestime e është edhe me i çuditshme,  momenti se kur dhe si kanë ndodhur ato.

Por, para se të kaloj në shpjegimet, do të ndalesha të jap një përshkrim të shkurtër të figurës së Astrit Krasniqit, kusht është Astrit Krasniqi?

Që në moshë të re është shpërngulur në Austri, pasi babai i tij punonte dhe udhëhiqte një biznes të mesëm të ndërtimtarisë. Krahas babait të tij, Astriti qysh në moshën 18 vjeçare ka zhvilluar dy biznese te suksesshme.

Përfaqësues i “AGIP oil” dhe një  kompani e tjetër për mbledhjen dhe transportin e hekurit “ Krasniqi GmbH”. Këto dy biznese i kanë siguruar atij shuma të mira parash.

Mirëpo, kjo nuk i mjaftonte Astritit…

Ai dëshironte që fitimet e tij dhe sukseset, t’i  bartëte në vendlindjen e  tij, në Kosovë.

Në vitin 2005 ai u kthye në Kosovë, kur edhe themeloi Kompaninë; “Play 4 Win” sh.p.k.  Ndërkohë ai kishte siguruar të drejtën ekskluzive dhe ishte përfaqësues  i vetëm i Kompanisë Austriake “Apex” për Kosovën. Kjo licencë si duket sa ishte e mirë për biznesin e tij të suksesshëm në Kosovë, po aq edhe fatkeqësi e tij.

E them fatkeqësi, sepse me sigurimin e kësaj licence filluan edhe telashet. Biznesi rritej, sepse ai ishte i vetmi qe mundi t’i ofronte tregut kosovar pajisje cilësore të njohura për të gjithë në fushën e lojërave të fatit.

Mirëpo, autoriteti dhe figura morale Astritit filloi ti cenohet. E cenonte dikush, që nuk mund t’i konkurronte “Play 4 Win –it”, apo dikush, që synonte të futej në tregun Kosovës, e që nuk kishte nevojë për konkurrent sepse  e donte dominimin e plotë në sektorin e lojërave të fatit.

Vetëm një ditë…vetëm një ditë pas arrestimit, në mediat e Kosovës mbiu shpallja  për vende të reja të punës. Këtë shpallje po e bënte një kompani e panjohur për tregun kosovar. Fjala është për “Grand Kazino”, një kazino, hapja e së cilës paralajmërohet …

Kjo kazino e re pritet të hapet, askund tjetër pos në hapësirat e Hotel Grand Prishtina, objekt ky, pronësia e të cilit kontestohet edhe sot e kësaj dite, madje edhe në procedurë gjyqësore.

Athua, kush do të kishte kaq guxim qe të investojë në një objekt, statusi i të cilit nuk ofron kurrfarë sigurie për investitorin?

Athua do të investojë në një objekt të tillë dikush që nuk ka garanci të forta se investimi i tij nuk do të shkojë kot, pa garanci se nuk do të nxirret nga objekti një vit pas futjes së tij në objektin për te cilin pritet fjala e fundit e drejtësisë?

Pas një muaji të arrestimit, të ënjtën, në agjendën e kuvendit të Kosovës është future draft ligji I ri për lojërat e fatit. 

Nga foltorja e kuvendit kërkohej “ se duhet të mbyllen bastoret, se duhet të mbyllen lojërat e fatit me aparate automatike, por askush dhe, me asnjë fjalë të vetme, nuk përmendi kazinotë”.

A nuk është paksa e çuditshme kjo? A po mbrohen interesat e “ndonjë peshku” të madh e po flijohen peshqit e vegjël?  Pse dy kute? A mund të shpie kjo me të drejtë në dyshimin edhe të përpjekjeve për ndryshimin e ligjit me qëllim të përshtatjes së nevojave të dikujt?!!!

Kush është prapa Grand Kazinosë? A është e rastit që lajmi për hapjen e tij të ndodhë mu në javën  kur arrestohet pronari i kompanisë më të suksesshme të zinxhirit të Lojërave të Fatit ne Kosovë?

Madje , paralajmërohet hapja e kazinosë e cila është në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi. I është lënë mundësia të hap kazino, në distance shumë më të vogël se 1.5km që parasheh ligji, distancë kjo që duhet të ekzistojë mes kazinove dhe institucioneve kulturore - arsimore, institucioneve historike,fetare dhe pronës komunale ( Neni 60, pika 1.7, Ligji nr.04/L-080 i Lojërave të Fatit).

Me fjalë të tjera pritet hapja e Kazinosë as 300 metra larg Rektoratit të Universitetit, më pak se 200m larg Fakultetit të Arteve, më pak se 400m larg Shkollës Fillore “Faik Konica”, dhe të institucioneve tjera publike.

Pastaj shtrohet pyetja, përse i gjithë procesi paralajmërohet të ndërtohet mbi dëshmitarë të mbrojtur? Sa kredibil mundë të jetë një proces gjyqësor, me akuza kaq të rënda, që ndërtohet mbi dëshmitarin ‘anonim’???

Shumë pyetje pa përgjigje, por që nxjerrin në shesh dyshime të shumta, se fjala është për rënien e serishme në grackë të EULEX-it, i cili siç ka ndodhur edhe më herët, ka hapur procese “të mëdha” , me dyshimet kinse për korrupsion e krim të organizuar, por i ka liruar më pas viktimat duke i gjetur të pafajshëm.

A nuk po na flet diçka rasti i ish guvernatorit të Bankës, ish Drejtorit të Aeroportit ?... e tëtjerë. Kemi të drejtë të dyshojmë se edhe ky proces mund të ketë një fat të njëjtë me të.
Astrit Krasniqi nuk ka qenë aktor relevant në politikë e as në politikëbërje, por pa dyshim është person  relevantë në sektorin ekonomik.

Një kompani me 300 të punësuar nuk është për tu nënçmuar. Për më tepër,  kur dihet se “Play 4 Win” është kategorizuar në njërën ndër korporatat  më të mëdha të Kosovës. E në Kosovë siç dihet, nga mbi 100 mijë biznese, as 80 prej tyre nuk gëzojnë statusin e biznesit të madh.

Dhe, elementi që vret!!! Astrit Krasniqi, biznesmen  i suksesshëm në Austri dhe në Kosovë, biznesmen që lënë miliona euro në formë taksash për vendin e pazhvilluar si Kosova, e mos të përmendet shifra, sa janë dhënë për ndihma humanitare, ai tani akuzohet për Zhvatje!!!

Imagjinojeni, për zhvatjen akuzohet një njeri që ka një jetë stabile familjare dhe financiare.

Një person, që nuk ka nevojë për diçka të tillë sepse pas tij, përkundër sfidave të mëdha që kishte në të kaluarën, kur kishte përpjekje të mëdha ta zhvatin atë, ia doli që pas vetës të lë vetëm suksese dhe një bilanc të pastër jetësor e financiar.

Këtë akuzë po e bëjnë “dëshmitarët e mbrojtur”, pra dëshmitarë anonim!!!

Unë nuk dyshoj në pafajësinë e Astritit, por me këta rreshta desha të ngre çështjen se  si do të ndihet drejtësia kosovare dhe ajo e EULEX-it, kur Astriti do të shpallet i pafajshëm.

A do të kthejnë kokën EULEDX-i dhe drejtësia në pasojat dhe gjurmët që i lënë në gjykime të tilla personat që I arrestojnë nën akuzat e dëshmitarëve anonim e nuk përjashtoi fare mundësinë,edhe nën ndikimin e akuzave që ngrenë persona me kredibilitet të rrënuar njerëzor e moral.

A s’kemi pas raste të tilla? Të kthejmë prapa shiritin dhe të kujtohemi për fatin e disa individëve që janë zvarritur,  padrejtësisht,  nëpër procese gjyqësore e që pas dy e tri vitesh janë liruar si të pafajshëm?

A kemi menduar ndonjëherë se çfarë pasoja lanë arrestimet e tilla të padrejta, tek të pafajshmit e tillë, tek familja dhe fëmijët e tyre?

Me këtë letër të hapur nuk dua ti bëjë presion në asnjë mënyrë as EULEX-it e as organeve te tjera të drejtësisë.

Por, dua të shpalos kontekstin dhe rrethanat,  që kanë nxitur tek unë dyshimet se EULEX-i kësaj radhe ka rënë në grackën e grupeve të mëdha të interesit, që janë ndeshur me interesat biznesore,  të një kompanie të suksesshme,  siç është “Play4Win”.
UNË BESOJ FUQISHEM NË DREJTËSINË DHE PRES FJALËN E SAJ.

/Autorja është bashkëshortja e Astriti Rukiqit/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)