Leksioni dytë për Bardhylin
Shkruar nga Muhamed Kajolli
I dashur Bardhyl,
Fillimisht të them se jam për debate konstruktive, i përtoj, për të mos thënë i urrej debatet me karakter destruktiv.
Jam i gatshëm të debatoj me secilin shqiptar përreth problemit të Lindjes së Mesme (debat konstruktiv), sepse, siç po shihet reagimi im i parë ndaj shkrimit mbi Kudsin-Jerusalemin ka degraduar. Si duket ne shqiptarët nuk i njohin ngjyrat tjera përveç të bardhës dhe të zezës. Shqiptari, o është patriot, o është spiun...
Edhe kësaj radhe nuk do të lëshohen në aventurat tua. Unë desha të të tregoj se nuk e njihke problemin e Lindjes së Mesme, prandaj dëshira ime ishte që të mos futeshe aty ku nuk ke njohuri, mirëpo, ti ndryshove kahjen e debatit.
Fillove të merresh me hoxhallarët udbashë e spiunë...nuk e di pse, por nuk të ka hije të futesh në këtë aventurë. Askush nuk mund ta mohojë se nuk ka pasur dhe që nuk ka ende prej tyre. Në të njejtën kohë edhe nga elitat tjera shqiptare ka pasur shumë më shumë se sa hoxhallarë, ka, dhe do të ketë.
Një popull pushtues nuk mund ta sundojë një vend nëse nuk ka bashkëpuntorë të të gjitha shtresave. Kjo është e ditur.
Tani hë për hë, koha ka ndryshuar, mirëpo, nëse dikush hyn në këtë aventurë, atëherë do të duhet t’i përmbahet marrëveshjes mbarë kombëtare të hapjeve të dosjeve. Me sa di unë ende nuk është bërë një marrëveshje e tillë mbarë kombëtare, prandaj nuk më lejohet të lëshohem në këtë aventuarë, se nuk e di, nëse shoqërisë sonë në përgjithësi dhe kombit tim në veçanti, po bëj më shumë dëm apo dobi...
I dashur Bardhul, në shkrimin tënd të fundit me titull: “Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe (1), më ke përmendur emrin tim. Më ke futur në mesin e atyre që po bëj propagandë serbe, është e drejta yte të mendoni çfarë të dëshironi. Njeriu mund të bën me ose pa dashje propaganda që i shkon në dobi të armikut, mirëpo mua, mendoj se më ke futur në mesin e tyre me të pa drejtë.
Unë kam debatuar me ty për një të vërtetë shkencore, për të cilën të kam thënë se emri shqiptar është i vonshëm dhe vjen nga koha kur banorët e Ilirisë (fise të ndryshme), shqiptarë janë quajtur vetëm atëherë kur kanë filluar të bëhen muslimanë....pastaj, kam debatuar për Kudsin-Jerusalemin, mirëpo, prej teje ende nuk kam marrë përgjigje shkencore duke më injoruar dhe duke më quajtur i ashtuquajturi ....
Unë nuk pres nga një shqiptar të kërkoj falje, sepse nuk kam takuar një të tillë. Ne, na mungon kultura, mirëpo, sinqerisht të them, mos i fut njerëzit në një kallëp dhe në vende që nuk e kanë vendin. Mua nuk më bie të flas në vetën e parë, por përkundër dinakërisë tënde rreth aludimit tënd ndaj teologëve, emri im nuk do të duhej t’ishte aty.
Nuk dua të debatoj më shumë në këtë temë se nuk kemi miratimin kombëtar për hapjen e dosjeve. Të kam thënë dhe po ta përsëris se unë nuk debatoj në gjera të thata, por më sill argumente. Për Kudsin, nuk më solle, tani je kapur për ermin shqiptar....
E sa i përket emrit shqiptar, po të sjell tri mendimtarë ekspertë të gjuhës dhe të lapsit dhe shumë të respektuar tek unë dhe besoj ndër ne shqiptarët:
Kristo Frashëri: Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë.
Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë.
Eqrem Qabej: Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali.
Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen
Osman Myderrizi: Teza e tetë: “Emri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, por edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij.
Emri ri shqiptar, që u adoptua si emër kombëtar, bazohej në gjuhën, në një nga elementët kryesorë të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur nga myslimanët e parë shqiptarë që në shekullin XVI-të, po këta, mbasi ishin të pakët, shumicës nuk ia imponuan dot.”
Për fund, Bardhyl, shkrepe energjinë tënde aty ku je më i miri, e jo vend e pa vend.