LDK'n, o Zot, ktheje në ni anë
Shkruar nga Ragip Rugova
Ditën e djeshme e shenoi 30 vjetori i themelimit të LDK-s. Pa hyrë në shumë enigma që e nxorrën këtë subjekt në skenë politke të Kosovës nga tymnaja e filleve të "demokracisë" jugosllave para 30 viteve, "demokraci" kjo e cila në republikat perendimore jugosllave shpejt shpërtheu në luftë të përgjakshme, kurse në Kosovë krahas represionit brutal shpërndaheshin sheqerka "shumë partiake dhe demokratike" për të mbajtur nën kontroll kërkesat politike të shqiptarëve për më shumë të drejta,
si pasues i LDK-s i asaj kohe dhe dashamir i saj i sotëm, u bashkohem urimeve për këtë përvjetor.
Sado për gjendje në të cilën gjinden sot vite me rradhë në të kaluarën, LDK-s më mirë do t'i përshtatej një shprehje ngushëllimi se një urim.
Shprehje ngushëllimi për një gjendje komatoze në të cilën gjindet vite me rradhë; shprehje ngushëllime për një kryesi të fosilizuar dhe për halabak rajonal, që kan kapur këtë parti dhe një pjesë jo të vogël të elektoratit; një parti e vetëkonsumuar deri në palcë dhe e rënë në një gjendje letargjie narcisoide, që si e tillë ka filluar të konsumojë edhe substancën e vet - LDK-n si parti dhe si antarësi, duke u shëndrruar në një baltë të gjallë që përbinë kuadro të reja dhe liderë të rinjë në lindje e sipër.
Një parti e cila duanë me të vdekurit e ka ushqimin kryesorë mbijetese, kurse narativin patetik - të dalur boje dhe çdo kohe, për 'parti institucionaliste dhe shtetformuese', e ka bërë program si ai i librezës së gjelbër të Gadafit dikur, që ka pak gjasa për këndellje dhe mbarësi.
Kur dikush ishte i sëmurë për vdekje, me pak shpresa për të mbijetuar, por as nuk vdiste as nuk këndellej, dhe si i tillë bëhej barrë vështirë e përballueshme për familje, të vjetrit tanë thonin: O Zot ktheje në një anë (me kuptimin ose jepi shërim ose merre krejt).
Me urime dhe dëshira më të mira për këndellje, dhe me drojë se do më shkojnë urimet huq me njerëz që aktualisht ka në krye, urimit tim ia shtoj edhe këtë thënjë:
O Zot, ktheje LDK-n në një anë!