28 Dhjetor 2024

Larg duar nga heronjtë

Shkruar nga Mr. sc. Miftar Kurti

 (Me rastin e 45-vjetorit të lindjes dhe 15-vjetorit të rënies së HEROIT TË KOSOVËS, Shemsi Ahmeti)     

Derisa po e përgatisja variantin e fundit të shkrimit për Heroin e Kosovës, Shemsi Ahmeti, me rastin e 45-vjetorit të lindjes dhe 15-vjetorit të rënies, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për heroizmin dhe sakrificën e tij për çlirimin dhe bashkimin e Atdheut dhe të Kombit, në televizionet tona (TV Klan, KTV etj.) u publikua lajmi se, të shtunën, më 5 korrik, në Mitrovicë, dikush e ka përbaltur shtatoren dhe figurën e tij. Ky lajm më tronditi shumë. Më tronditi dhe më detyroj që ta bëj këtë shkrim. Shkrim të tipit të reagimit.

 Jo se për Shemsi Ahmetin, për komandantin e Njësisë Speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës dhe për Heroin e Kosovës, për luftën dhe heroizmin e tij, nuk është shkruar asgjë me rastin ditëlindjes apo ditërënies së tij. Është shkruar që ç’ke me të.

Dhe kanë shkruar shokët e bashkëluftëtarët e tij, kanë shkruar poetë (Jakup Ceraja, Adem Gashi etj.), profesorë (Emin Kabashi, Bedri Tahiri, Riza Haziri, Nexhmedin Mustafa etj.), historianë e publicistë.

Piktorë e skulptorë kanë bërë piktura e skulptura për të (Gani Sadiku etj). Janë bërë e kënduar këngë nga Shkurte Fejza, Gjon Frroku, Ganimete Asllani etj. Janë mbajtur dhjetëra Akademi e fjalë rasti për të, janë shkruar dhjetëra artikuj publicistikë e fejtonistikë. Madje është shkruar dhe botuar një monografi nga Prof. dr. Emin Kabashi me titull “Komandanti i lirisë’, 2010. Janë emërtuar shkolla e rrugë me emrin e tij.

Edhe një bulevard në Mitrovicë mban emrin e Komandantant Shemsi Ahmetit. Edhe një njësi ushtarake (Batalioni 14 Gardist i Zonës IV Mbrojtëse të TMK-së) mbante emrin e tij. Janë shkruar dhe do të shkruhen skenarë dokumentarësh dhe filmash. Porse do të vjen një ditë që dikush guxon ta përbaltë figurën e tij, asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend. Por ja që ndodhi edhe kjo.

Dhe kjo ndodhi në Mitrovicën e Heroit Isa Boletini, në Mitrovicën që i dha Kosovës dhe Shqipërisë heronj, dëshmorë, martirë, atdhetarë; kryeministra, ministra, deputetë, diplomatë; historianë, poetë, shkrimtarë, publicistë të shquar; në Mitrovicën që nisi shembjen e themeleve të Jugosllavisë së Titos, Rankoviqit e Millosheviqit, me Grevën e Minatorëve të Trepçës (shkurt 1989).

Në Mitrovicën, trupi i të cilës ende pikon gjak, ku ende plagët e luftës janë të hapura, madje tashmë 100 e ca vjet. Dhe përbaltja, fyerja e një figure të tillë ndodhi në mes të Mitrovicës, fare afër SHF “Andon Zako Çajupi” dhe Xhamisë “Isa beg”.

Dhe mes dy tempujve të shenjtë, mes dy institucioneve të shenjta ndodhi një turp i tillë. Turp! Turp, sepse u përbalt, u fye, u qëllua mizorisht mbi një figurë të përmasave kombëtare, siç ishte Komandant Shemsi Ahmeti! Kësisoj, u fye dhe u përbalt edhe tradita jonë kombëtare, sakrifica jonë ndër shekuj, lufta çlirimtare, lufta e UÇK-së. U përbalt, kështu, pa fije turpi, figura e një njeriu që dha jetën për lirinë e Atdheut, lirinë e besimit, lirinë e mendimit, komunikimit, shkollimit.

U përbalt figura e një Dëshmori të kombit, e NJË Heroi të Kosovës, e një atdhetari që luftës për çlirim dhe bashkim i dha jetën, i dha përmasë kombëtare; e një komandanti të famshëm, e një ushtaraku profesionist, e një shoku, bashkëluftëtari, familjari, siç ishte Shemsi Ahmeti. Dhe të ngrihet dikush e të qëllojë dhe ta përbaltë Heroin, kjo nuk mund të tolerohet!

Sepse ky është rast për t’u dënuar, për t’u gjykuar nga të gjithë, pra edhe nga drejtësia. Sepse ata që e kanë bërë një gjë të tillë nuk ia duan të mirën Kosovës, nuk ia dinë vlerën dhe rëndësinë gjakut të dëshmorëve, gjakut të derdhur për liri, sakrificës së tyre sublime.

Duhet të mos kesh fije dinjiteti të qëllosh në dinjitetin e heroit, e heronjve, e dëshmorëve! Se gjaku i dëshmorëve është i shenjtë. Sipas ideologjisë kombëtare e fetare. Thuhet se nuk dihet kush ishte ai ose kush ishin ata që bënë këtë veprim të turpshëm. Nuk dihet, prandaj, as motivi.

Ai që ka bërë një veprim të tillë nuk ka turp, nuk ka dinjitet. Të tillët nuk kanë motiv për jetë, nuk kanë motiv për punë të mira, nuk kanë besim, as fe, as atdhe. Nuk njohin Bibël as Kuran. Sepse librat e shenjtë e konsiderojnë të shenjtë gjakun e dëshmorëve. Ata që përbaltin gjakun e personalitetin e dëshmorëve nuk e njohin as kombin e traditën e vet, pavarësisht nga janë dhe kujt i shërbejnë.

Le të më falin ata që e lexojnë këtë shkrim, le të më falin lexuesit e nderuar për këtë fjalorë, për këtë mllef timin! Por s’kam se si të veproj ndryshe, se si të shprehem ndryshe, sepse sakrifica për liri e Komandantit Shemsi Ahmeti, rënia e tij heroike më 26 prill 1999, në Kodrën e Majdanit, ishte vërtetë heroike.

Heroike, se ai ra vetëm dy metra në distancë me armikun, pas një beteje të gjatë 46 ditësh në vijën frontale rreth 18 kilometra në Shalën e Bajgorës. Dhe ai nuk ra për mendje të madhe, për të fyer dikë, për të pushtuar toka a territore të huaja, por për lirinë e Atdheut dhe të Kombit të robëruar, për lirinë e besimit, për ata që i takojnë e  jetojnë me shekuj në këto troje, kushdo qofshin ata, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, gjinore, politike; pavarësisht nëse ishin myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestanë, budistë e çka jo tjetër.

E kam njohur mirë komandantin. Komandantin Shemsi Ahmeti. Dhe kam shumë kujtime për të. Kujtime për një atdhetar e besimtar të vërtetë. Ai nuk paragjykonte, nuk kishte urrejtje ndaj askujt, ndaj asnjë populli, ndaj asnjë feje, ndaj asnjë bindjeje fetare, politike, etnike etj.

Ai, tek ushtarët e vet predikonte tolerancën, besimin e mirëfilltë në fe, në atdhe, në liri e në ardhmëri. Ai u fliste shpesh ushtarëve të tij se si nuk duhet të qëllohen qytetarët e pafajshëm, se si nuk duhet të qëllohen as tempujt e shenjtë, pavarësisht ishin ato shkolla, xhamia, kisha, sinagoga etj; se si nuk duhet të urrehet asnjë popull, se si nuk duhet, madje, të qëllohet as në robërit e luftës. Këto nuk janë fjalë, por janë shembuj konkretë. Po e përmendim vetëm një të tillë.

Më 3 janar 1999, në Smrekonicë u vra ndihmëskomandanti për logjistikë në ZOSH, Xhevat Jusufi (tash Heroi i Kosovës) dhe u plagos shumë rëndë Zymer Halimi-Besi, ish zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” (gjeneral i TMK-së dhe FSK-së). Vetëm 5 ditë më vonë, më 8 janar 1999, nga njësite të UÇK-së, u zunë robër 8 ushtarakë serbë (një skuadër) të ushtrisë Jugosllave. Dhe ata u trajtuan si robër lufte, pa pësuar as gjënë më të keqe.

Kjo sjellje, ky humanizëm e kishte mahnitur faktorin ndërkombëtar, diplomacinë relevante ndërkombëtare, madje do t’i lë pa tekst edhe vetë ushtarakët serbë, prindërit, familjet e tyre me humanizmin e treguar, sjelljet civilizuese të ushtarëve të UÇK-së.

Të ushtarëve të Njësisë Speciale, të cilën e komandonte Shemsi Ahmeti dhe të cilët, së bashku me Policinë Ushtarake, i zunë robër ushtarakët serbë, pa arritur ta shkrepin asnjë plumb. Ani se ata i takonin një ushtrie të huaj që po bënte aq krime në Kosovë, ani se ata ishin serbë, malazezë a diçka tjetër, ani se ata mund të ishin katolikë, ortodoksë a të ndonjë besimi tjetër, të kësaj apo asaj bindjeje politike.

Dhe u veprua kështu duke iu falënderuar edhe komandantit Shemsi Ahmeti dhe komandantëve të tjerë, por në mënyrë të veçantë traditës sonë kombëtare e historike, vetëdijes sonë, humanizmit tonë të kultivuar ndër shekuj.

Dhe sot çohet dikush e bën një veprim të tillë të ulët, të turpshëm, jo humanë. Kjo është e pakuptueshme, e pakonceptueshme. Pavarësisht kush e ka bërë një gjë të tillë, i cilit nacionalitet është, i cilës përkatësi fetare, politike etj., kjo është antinjerëzore, nuk i bën nder as atdheut (pavarësisht cilin konsideron ai atdhe), nëse të tillët kanë atdhe, pavarësisht besimit, nëse mund të themi se i tilli beson diku a dikujt.  

Derisa po shkruaj këta rreshta, kam frikë se mos po bëj ndonjë mëkat, mos po them ndonjë fjalë të padenjë për dashmorin, Heroin e Kosovës, Shemsi Ahmeti. Mirëpo, besoj se nuk bëj mëkat nëse i them disa fjalë, nëse jap një biografi të shkurtër për të. Këtë, në mënyrë që t’ua përkujtoj të gjithëve, se figura, shtatorja e kujt është përbaltur.

Kush ishte Komandant Shemsi Ahmeti?

Shemsi (Arif) Ahmeti u lind këtu e 45 vjet më parë, pra më 8 qershor 1969, në fshatin Kodër (ish-Zasellë) të Mitrovicës. Shkollën fillore e nisi në fshatin e tij të lindjes, ndërsa e mbaroi në Shupkovc. Më 1984 regjistrohet në gjimnazin ushtarak në Beograd, drejtimi i përgjithshëm, e më pastaj e vazhdoi dhe e mbaroi në Sarajevë.

Ishte njëri nga kadetët më të mirë të gjeneratës. Kjo i bëri të mundur që pa vështirësi të regjistrohet në Akademinë e Lartë të Artilerisë në Zarë. Edhe atje u dallua për zgjuarsinë e jashtëzakonshme.

Zgjuarsia dhe përkatësia shqiptare bëjnë që eprorët ushtarakë serbë ta xhelozojnë dhe ta urrejnë. Sigurisht, me qëllim të ndërprerjes së vrullit të studimeve, e dërgojnë në efektivat e artilerisë në Smederevska Pallankë dhe në Vërshac.

Përkundër të gjitha vështirësive, Shemsi Ahmeti kishte vazhduar studimet me korrespodencë dhe i kishte mbaruar me sukses. Ai kishte fituar njohuri të shkëlqyeshme në fushën e artilerisë. Fillimi i viteve ’90 e gjen atë komandant të kompanisë së artilerisë në Vërshac. Kishte marrë pjesë edhe në luftë, më saktë në Knin dhe Vukovar.

Duke qenë se nuk ishte i interesuar të shërbejë në ushtri të huaja, se nuk pajtohej me mizoritë që pa, dezertoi nga ushtria Jugosllave. Komandant Shemi Ahmeti iu kthye Kosovës atëherë kur asaj i duhej më së shumti.

Ngjarjet në Likoshan, Qirez e Prekaz të Drenicës e kishin tronditur shumë, andaj mesviti i ’98-tës Shemin do ta gjejë nën emblemën e UÇK-së. Bazuar në njohuritë që kishte në artin ushtarak, inkuadrimi i tij në radhët e UÇK-së ishte një sihariq.

Sepse radhëve të UÇK-së iu shtua dhe një krah i fortë lufte, një ekspert i artilerisë, mungesa e të cilëve ishte tepër e madhe kudo nëpër njësitet e UÇK-së. Fillimisht, Komanda e Brigadës 141 “Mehë Uka” Shemin e emëron komandant të Kompanisë në Trepçali, po ai, varësisht nga situata, gjithherë ishte i pranishëm aty ku duhej, ku kërkohej prej tij.

Gjatë gjithë kohës së luftimeve në Mazhiq, prej 11 korrikut e deri më 15 shtator 1998, kur zhvillohet beteja e madhe, komandant Shemi ishte një nga protagonistët kryesor në luftë kundër policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

Edhe pse mungonte artileria e rëndë, komandant Shemi, me shokët e tij, veproi me aksione të shpejta diversante, sa në Mazhiq, sa në Trepçali, sa në Kodër të Kutllovcit, duke depërtuar thellë në pozicionet e armikut dhe duke u shkaktuar humbje të mëdha. Që në këto beteja komandant Shemi dëshmoi se ishte luftëtar trim, i përgatitur dhe me cilësi të larta luftarake.

Përkundër pasojave nga ofensiva e 15 shtatorit të vitit 1998, UÇK-ja nuk u shpërbë, përkundrazi doli me një përvojë që e bëri edhe më të fortë. Pas vrasjes së ndihmëskomandantit të Logjistikës për Zonën Operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe plagosjes së Besit-zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka”, në krye të Njësisë Speciale u emërua komandant Shemi, i cili vuri në veprim gjithë njohuritë që kishte në artin luftarak. Në muajin shkurt 1999, ai formoi edhe Njësitin e Artilerisë, pothuaj të parin e këtij lloji në Zonat Operative ku vepronte UÇK.

Zaten, me anë të Njësitit të Artilerisë, më 13 mars 1999, komandant Shemi, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera të Brigadës, nën komandën e komandantit të Brigadës, Hysni Ahmeti, sulmon bazën ushtarake serbe në Kutllovc, pozicionet e armikut në Trepçë, pastaj në Bajr etj.

 Po në këtë kohë i ofron ndihmë me ushtarë dhe teknikë luftarake, për 24 ditë me radhë, Brigadës 142, e cila vepronte në kuadër të ZOSH, kundër të cilës ishin drejtuar forca të mëdha të armikut. Intensifikimi i aktivitetit luftarak të ZOSH-it i detyroi serbët që ta ndalin për një kohë ofensivën e tmerrshme që kishin ndërmarrë kundër pozicioneve të UÇK-së, sigurisht për të përgatitur ofensiva të tjera me forca shumë më të mëdha.   

Pas një jave të ndërprerjes së sulmeve, më 21 mars 1999, filloi ofensiva e re e armikut në Shalën e Bajgorës, e cila zgjati diku rreth 46 ditë me radhë. Në ballë ishte komandant Shemi. Ai që u tregua dragua në Trepçali dhe Mazhiq, vazhdoi të dëshmohet edhe në Melenicë, Majdan, Preten, Rahovë e gjithkund në Shalë. Tanimë Shala ngjante me Kalanë e Krujës e Shemi me Vrana Kontin, siç do të shprehet në një rast poeti Jakup Ceraja për të.

Mungesa e municionit ishte tepër e madhe, andaj komandant Shemi, më 21 dhe 22 prill 1999, së bashku me komandantë dhe ushtarë të tjerë, u fut në bazën ushtarake serbe në Kutllovc, me ç’rast siguroi një sasi të madhe municioni dhe armatimi për Brigadën dhe gjithë ZOSH. Për 46 ditë me radhë ai ishte në ballë të luftës në vijën frontale: Trepçali-Shkëmbi i Bletës-Melenicë-Lagja Cenaj-Majdan deri në momentin e rënies në Betejën e Majdanit, më 26 prill 1999, së bashku me pesë ushtarë të tjera.

Ishte i pashoq në ngritjen e moralit luftarak tek bashkëluftëtarët dhe populli. Ishte i urtë, i qetë dhe gjakftohtë. Secili që ndodhej pranë tij e fitonte një besim në vete, i shtohej trimëria, pra ndjehej më i sigurt. Me punën e tij të palodhshme kishte arritur të mbante afër vetës luftëtarët më të mirë në njësitin e tij, të cilët nuk u tërhoqën nga vija e frontit për të gjallë, por u flijuan për liri.

Ja kush u prek, figura e kujt u përlye, u përlloç! Sikur të dinin ata që e  bënë këtë punë të pahijshme se kush në të vërtetë ishte komandant Shemi, nuk do të vepronin kështu. Sepse meritat e tij janë shumë të mëdha.

Ai ishte komandant i kompanisë në Trepçali, komandant i Njësisë Speciale, komandant i Kazermës në fshatin Bare, ku ishin vendosur disa njësi të Brigadës 141; ishte themelues dhe komandant i Njësitit të Artilerisë, ishte ushtarak i karrierës, ushtarak profesionist.

Komandant Shemsi Ahmeti ishte komandanti, ushtaraku, heroi që për të gjallë të tij e sulmoi dhe hyri në bazën ushtarake serbe në Kutllovc, një nga më të mëdhatë dhe më strategjiket në ish-Jugosllavi, të cilës, më 22 prill 1999, ia vuri flakën.

Komandant Shemi, Heroi i Kosovës, komandoi Njësinë Speciale, e cila kishte diku rreth 60 ushtarë dhe e cila i dha Kosovës 1 hero (Shemsi Ahmetin) dhe 13 dëshmorë: Arsim Muzaqi, Rrustem Hyseni, Enver Musa, Faruk Beqiri, Ferit Preteni, Fahmi Preteni, Selim Bislimi, Mursel Xhemaili, Bajram Musa, Nysret Musa, Shemsi Istrefi, Hamzë Behrami dhe Eset Ibishi, por dhe 12 të plagosur: Ismail Istrefi, Mustafë Ibishi, Bekim Islami, Bajram Peci, Miftar Kurti, Nuhi Bislimi, Ali Berisha, Ramadan Tahiri, Basri Zeneli, Bashkim Bala, Halil Berisha, Sedat Ferati ( ky i fundit i lënduar në boshtin kurrizor).

Komandant Shemi dha jetën për liri, që ne të jetojmë, të punojmë, të mendojmë, të besojmë të lirë. Ja, pse jemi kaq të mllefosur, kaq të indinjuar! Jemi të indinjuar dhe arsyeshëm të mllefosur, sepse u përbaltë figura e luftëtarit të denjë për lirinë e atdheut, u përbalt gjaku i shenjtë i dëshmorit, u përbalt sakrifica jonë për liri, historia e tradita jonë; u përbaltë dhe u cenua liria jonë, shenjtëria e atdheut, kujtesa jonë historike.

Prandaj, ne si bashkëluftëtarë të Heroit Shemsi Ahmeti, ju ftojmë që t’i mbani larg duart nga heroi, larg duart nga heronjtë, se ata janë nderi dhe krenaria jonë! Janë gjaku ynë që nuk falet, që nuk guxon të shkelet e të përbaltet. Larg duart nga gjaku i derdhur për liri se iu vret Zoti!     

(Autori është një nga bashkëluftëtarët e Heroit Shemsi Ahmeti, pjesëtar i Njësisë Speciale, veteran dhe invalid i Luftës së UÇK-së, major i TMK-së, Magjistër i Shkencave Filologjike, Master i Historisë, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)