23 Dhjetor 2024

Ky nuk është vend për vajza!

Rudina Xhunga

Aisha e pa vdekjen në sy.

Policia deklaron që vrasësi i saj është një 80-vjeçar dhe ndoshta ai është. Por tanimë, kur Aisha s’është më, besoj se, kushdoqoftë monstra, nuk do të merret vesh kurrë cili vërtet e vrau Aishën.

Sepse as u mësua, as u dënua kush e vrau Erietën. Qentë e gjetën gruan e gjorë, të copëtuar dhe mbaruan punën që nisi vrasësi. Edhe media i dha një dorë, me botimin e përgojimin e moralit të së vdekurës që s’kishte gojë të përgjigjej.

Po Irena Selin, u gjet kush e vrau? Po Kozetën? Po Aurorën? Asgjë. U harruan. Vetëm nënat i qajnë.

Aisha ishte jetime. Nuk ka as nënë ta qajë. Po bëhej vetë nënë, e vogla. Mbante në bark një jetë 11-javëshe.

E kërcënuan ta hiqte. Nuk e bëri. E vranë që të mos bëhej nënë. E vranë se donte të mbronte beben e vet.

I këputën kokën si zog dhe ia hodhën në një arë me misër.

Unë nuk kam fjalë të tregoj dhimbjen, neverinë dhe llahtarën që provoj, kur mendoj për këtë vdekje. Dhe mendoj për të gjithë kohën. Nuk arrij ta shkëpus veten nga tronditja që provova për këtë makabritet.

Vetëm mendoj për atë të mjerë, për fshatin ku lindi, fshatin ku erdhi, për nënën që humbi, për vëllezërit e motrat që iu bë nënë. Për vetminë, për varfërinë, për ëndrrat që ka një vajzë e vogël. Një vajze e mjerë.

E përdhunuan të mitur. E lanë shtatzënë të vogël. E masakruan në mes të një are. Ajo e vdekur ishte, por e vranë përfare.

Po, pse moj zemër e vogël nuk kishe një armë, si Nazimja, me vete, atë natë?

Nuk është ky arsyetimi që duhet të ndaj në publik, por ky realitet nuk mban më arsyetim.

Një e mitur kokëprerë. Një mort i ndërprerë se vajza ishte shtatzënë. Një familje që ka të njëjtin version. Një motër që nuk flet. Që nuk di gjë. Për të motrën që e rriti, që ndante dhomën, që ndante tmerrin. Tani ndajnë heshtjen. Në emër të nderit.

Një media që çfarë nuk shkruan, për vrasës kasapë, profesionistë, sekte muslimane, për lloj-lloj banalitetesh të paprovuara, duke i vënë damkën e vulgaritetit, dramës së madhe të këtij kombi.

Këtij kombi që po i vrasin gratë. Dhe nuk i gjejnë kurrë vrasësit. Se jeta e grave këtu s’rrit peshë. Ka gra me shumicë…

Gra me vrasës pa emër. Po të kishte pasur emër vrasësi i Erietës, Aurorës, Kozetës, nuk do guxonte ky katil ta këpuste pa frikë e faj kokën e Aishës. Ky i marrë që i mori jetën një nëne. Por ai e pati të lehtë ta bënte, se ky yni është një vend i mallkuar për gratë. Ky yni nuk është vend për gratë. Për gratë e mjera të provincës, që vijnë në qytet me shpresë të jetojnë. Për vajzat e mitura të fshatit që humbasin në këtë qytet të madh, pa një dorë, pa një zë, pa një ndihmë, pa një fat. Qyteti i madh pa rregulla, pa ligje, pa shtet, pa solidaritet, pa zemër, po i ha, po i vret.

Unë nuk di të them, ku do shkojë e gjithë kjo? Si do të mund të rrojë qetësisht një shoqëri që vret gruan kaq normalisht?

Unë nuk di të them, a do të flasë Jozefina Topalli? A do të thotë një fjalë, do të mbajë një minutë heshtje, do të ndezë një qiri, do të kërkojë rishikimin e një ligji?

Po Liri Berisha, gruaja e Kryeministrit të vendit; po Linda Rama, gruaja e kreut te opozitës? Po Monika Kryemadhi? Do shkunden që të shkundin burrat e tyre, që bashkë kanë ndërtuar këtë sistem që po na vret?

Kanë ndonjë fjalë për të thënë, kanë ndonjë gjë në dorë? Unë nuk mundem të fajësoj asnjërën prej këtyre dhe atyre që s’kam përmendur, sepse fajin e kam dhe vetë. Edhe unë jam fajtore që Aisha vdiq. Me çfarë bëj edhe s’bëj, kam faj që s’ndalova ta thernin si zog.

Ndiej përgjegjësi për çfarëdo gjëje që u ndodh grave të vendit tim, sepse kam një zë dhe nuk e përdor sa duhet, duke besuar e menduar se këtu ka marrë fund, s’ia vlen. Po fundi s’paska fund.

Ndaj nuk kam të drejtë t’i hakërrehem kujt pse nuk bëri çfarë.

Ndaj thjesht po ju lutem. Këtyre grave  publike dhe gjithë grave të këtij vendi, që e kanë një zë. Lëshojeni! Ndizni një qiri në shtëpi, a në shesh për Aishën. Bëni një shkrim, jepni një intervistë, shkojini në shtëpi, çojini lule në varr, bëni çfarë të mundeni, por mos rrini duarkryq! Vajza të FRPD, të FRESH, të LRI, të AK. Vajza të “Petro Ninit”, të FB, të Bllokut, bëni një gjë! Gjejeni vetë çfarë. Aq mend i keni. Po bëjeni! Kanë vrarë Aishën. E ke radhën ti pas saj, po nuk fole, sot.

Mos e bëj për Aishën, nëse nuk e ndien. Bëje për vete!

MAPO

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)