01 Janar 2025

Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Prishtinës

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Odat (kuvendet) e dhunës dhe të papërgjegjësisë : Edhe Kuvendi i Kosovës sikur edhe ai i Prishtinës e kanë të njëjtin problem dhe të njëjtin kundërshtar, opozitën! 

Opozitën kundërshtuese, deri në armiqësi. Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Prishtinës anipse me një të kaluar shumë të dallueshme, kanë krijuar hapësirë demokratike për kuvendarët edhe në ato raste kur ata nuk e kanë merituar!

Opozitarët në Kuvendin e Kosovës e kanë keqkuptuar e në disa raste e kanë keqpërdorur hapësirën demokratike kurse opozitarët në Kuvendin e Prishtinës skajshmërisht e kanë keqpërdorur hapësirën demokratike.

Në Kuvendin e Kosovës, një pjesë e opozitës skajshmërisht e kriminalizuar e akuzojnë kryetarin e Kuvendit për krime kurse në Kuvendin e Prishtinës një pjesë e opozitës, gjithashtu skajshmërisht e kriminalizuar e akuzojnë kryetarin e Prishtinës për krime.

Realisht, pjesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës e cila ka qenë dhe është e kriminalizuar deri në palcë duhet të shpërblehet për guxim dhe paturpësi kur aq mjeshtërisht dhe paturpësisht e gjuan topin me të cilin ka luajtur vet dhe ende luan, në fushën e kundërshtarit përkatësisht në fushën e kryetarit të Kuvendit.

Ndërsa,  në Kuvendin e Prishtinës e kemi një situatë tragji – komike ; ata që e akuzojnë kryetarin e Prishtinës për korrupsion, parregullësi apo krim sillen sikur u drejtohen qytetarëve të Republikës së Kinës që nuk kanë fare informata se çka po ndodhë në Kosovë e jo qytetarëve të Prishtinës të cilët i njohin sikur “ paren e kuqe “!

Një pjesë tradicionalisht e kriminalizuar e opozitës së Kuvendit të Prishtinës, nëse dëshiron të duket bindëse për akuzat ndaj kryetarit të Prishtinës dhe t’iu besojë dikush sepse  as ata nuk u besojnë fjalëve të veta, duhet,  së paku ta ndryshojnë identitetin dhe pafytyrën.

Edhe këta të opozitës së Kuvendit të Prishtinës (pjesa e kriminalizuar që shquhet për arrogancë dhe agresivitet) duhet të shpërblehen me medalje të veçanta për paturpësi, injorancë dhe dyfytyrësi! Kryetari i Kuvendit të Kosovës e ka luajtur mire lojën kurse kryetarin e Prishtinës nuk po e lënë fare ta luaj lojën!

Kryetari  i Kuvendit të Kosovës është kryetar i partisë  më të madhe politike dhe pjesë e pushtetit prandaj e gjithë partia i rri gatitur kurse kryetari i Prishtinës, ndonëse nuk ka punuar keq, e ka mangësi që aq shumë identifikohet me partinë anëtarët e së cilës, jo që nuk i rrinë gatitu por ai duhet të rri gatitu para tyre! Kryetarit të Kuvendit të Kosovës i rrinë gatitu injorantët e shkolluar dhe me diploma kurse kryetari i Prishtinës detyrohet të rri gatitu para injorantëve analfabetë të partisë  që i “ takon “!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, sa më shumë të identifikohet  me partinë që i takon dhe e udhëheqë, fuqizohet më shumë dhe ka gjasa të merr edhe poste më të larta kurse kryetari i Prishtinës, sa më shumë të identifikohet me partinë, ka gjasa të dobësohet dhe me siguri se në zgjedhjet e ardhshme,  nëse kandidon për të njëjtin post, ndonëse sipas vlerësimit tim ka punuar shumë mirë përkundër bllokadave që nga fillimi, do ta humbë postin që e ka sot!

Një gjë e kanë të përbashkët të dy kryetarët që përveç posteve nuk kanë asgjë që i bashkon : që të dyve ua ka prurë shpirtin në fyt opozita e dhunshme dhe e papërgjegjshme.

Një  pjesë e opozitës nuk është e tillë! Dhe krejt në fund, kryetarit të Kuvendit të Kosovës  në Banjsko të Bullgarisë, vend turistik ku kosovarët lënë shumë para për të mësuar skijimin dhe ku qeveria e Kosovës më parë pati rrëshqitur keq duke u hypur skijave nga prapa (Strategjia për Zhvillim Ekonomik të Kosovës) do të nderohet me Qytetar Nderi i Banjskos (këtu opozita nuk ka ndikim) kurse kryetari i Prishtinës nuk mund të shpallet as :” fshatar nderi i Llukarit apo Mramorit “ sepse edhe aty opozita e Kuvendit të Prishtinës ka ndikim!

Në Shqipëri më nuk ka kuptim të kërkoni të shpalleni qytetar apo fshatar nderi sepse garnitura e politikanëve të mëhershëm, të deklasuar apo të deplasuar nuk kanë lënë bashki, qytet, fshat apo lagje pa i blerë këta tituj  jashtëzakonisht prestigjioz, të njohur dhe të pranuar në botën demokratike!

“Marrëveshja historike e Kumanovës“: Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar midis KFOR-it dhe Serbisë, ku pala kosovare nuk ishte as në cilësinë e shikuesit e lëre më të vëzhguesit dhe ku Serbia nënshkroi “ kapitulimin “ pas së cilë iu njoh e drejta të tërhiqet me tërë arsenalin e armatimit duke plaçkitur dhe ua vërë  zjarrin shtëpitë e shqiptarëve nga dikush sot në Kosovë po festohet!

Në të njëjtën kohë, në rrugë e sipër forcat serbe që e nënshkruan “ kapitulimin “ në Kumanovë, vranë dhe morën si robër lufte qindra e mijëra shqiptarë! Pas një jave,  po këto forca u takuan në Merdare dhe Rudare dhe pinë shlivovicë me gjeneralët e Serbisë që kishin nënshkruar “ kapitulimin “ në Kumanovë!

 Sot, 17 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kapitulimi për shqiptarët sepse nuk e vendosën për fatin e tyre, Shkëlqesia e Tij, President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e quan Marrëveshje Historike mbase, si student i historisë dhe historian i ka mbetur si deformim profesional!

Gjarpri i dikurshëm që për shkak të mutacionit gjenetik (karrierës politike) u shndërrua në një hardhucë  nuk mund t’i konsiderohet si humbës apo prapakthim në rrugën e evolucionit aq më parë që për shkak pikërisht të evolucionit, dragojt e dikurshëm që nxirrnin flakë dhe zjarrë nga goja dhe mbillnin frikë dhe tmerr sot kanë përfunduar si hardhuca!

Natyra është e pamëshirshme ndaj atyre që punojnë kundër ligjeve të saj kurse ua mundëson mbijetesën, në rrethana krejtësisht tjera dhe nën cilësi, nëse përshtateni dhe i nënshtroheni evolucionit praktik apo politik! A nuk kishte thënë dikur kështu dhe kjo thënie u shndërrua në teori të Xha Darwinit ?!!

Vazhdimi i mandatit të EULESH-t, mundësi të bëhet më lesh se EULESH : Kisha  shumë frikë se autoritetet kosovare nuk do t’ia vazhdojnë mandatit “ Misionit për Sundim të Ligjit “ apo EULEX sikur që e quajnë të gjithë kurse unë e quaj EULESH shkaku se në fillim pata bërë një gabim drejtshkrimor duke e zëvendësuar shkronjën X me SH pastaj,  me kokëfortësinë time e vazhdova kështu.

Në fund të fundit shkronja X në alfabetin shqip shqiptohet si Xë e jo EKS dhe më shumë ka kuptim EULESH se EULEXë!

Po saidoqoftë kjo dilemë drejtshkrimore mbetet të shqyrtohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e cila është aq profesionale dhe e cila shquhet për një angazhim të jashtëzakonshëm shkenencor! Fatin e EULESH-it e kishte në duar një mik imi ministër i cili, pas shumë lutjeve të Brukselit, Washingtonit dhe miqve ndërkombëtarë sikur edhe politikanëve të vendit, vendosi t’i vazhdojë mandatin këtij misioni që ia ka shkërdhyer nënën dhe babën drejtësisë në Kosovë në veçanti dhe Kosovës në përgjithësi!

U bë mirë edhe për një ish profesor të sicializmit vetqeverisës jugosllav i cili në një medium për të cilin shkruaj qe pesë shekuj deklaroi se EULEX-i duhet të qëndrojë në Kosovë, jo vetëm pesë vite të ardhshëm por pse jo edhe përgjithmonë.

Ky këlysh i Titos që edhe sot jeton, punon dhe vepron sipas motos : “ edhe pas Titos, Tito “ tash mendon të vazhdojë me sloganin: “ edhe pas EULESH-it, EULESH “! Ky pakurrizor jugosllav nuk mund të paramendojë të jetohet pa u bërë rrogëtar i dikujt por jo edhe rrogëtar i popullit, gjuhën e të cilit për fat të keq edhe e flet! Për këtë, përkundër që e ka moshën e Ho shi Minit, edhe sot i merr disa rroga të majme në ndërkohë që të rinjtë që e duan këtë vend dhe këtë popull bredhin rrugëve.

Që është edhe më keq, ai udhëheq edhe një institucion që trajton vuajtjet shpirtërore dhe pësimet fizike të popullit shqiptar, për të cilin nuk i ka kërsitur kurrë ai sendi dhe madje politikave që u ka shërbyer decenie me radhë i kanë shkaktuar këto vuajtje!

Kështu bëhen përzgjedhjet e kuadrove sot në Kosovë dhe kështu antivlerat janë shndërruar në vlera në vend se t’i nënshtrohen përgjegjësisë për krimet që i kanë bërë kundër popullit që aksidentalisht i takojnë !

Demarkacioni dhe vizat : Qendrat e vendosjes në Washington dhe Bruksel e kanë përligjur kthimin e Perandorisë Otomane në Kosovë sikur që Kosovën po e konsiderojnë si vilajet të kësaj perandorie! 

Pas ia njohën të drejtën që me një qyp me lira të cilësisë së arit 6 karatësh t’i blejnë të gjitha asetet ekonomike të Kosovës ndërsa e rikthyen edhe dominimin politik duke e bërë edhe më të varur Kosovën ndaj Turqisë.

Madje,  edhe lirinë e lëvizjes, si vlerë fundamentale të demokracisë perëndimore e që përkthyer shqip do të thotë liberalizimi i vizave e futën në një pako me Turqinë; nëse Turqia përfiton nga ky liberalizimi i vizave, Kosova,  si vilajet i Turqisë, me automatizëm e fiton liberalizimin e vizave!

Jo nga Brukseli por nga Ankaraja apo Stambolli, varet nga konteksti historik a trajtohet edhe sot Kosova si vilajet i Perandorive Otomane apo si pjesë e Turqisë së Ataturkut apo Erdoganit ?!

Nëse dështon “ nëna Turqi “,  alternativë për të lëvizur pa viza na mbetet rruga përmes Serbisë dhe Hungarisë përmes lumit Tisa apo Meksikos dhe lumit Rio Grande. Tash, akuzat për mosdhënie të vizave po drejtohen kah opozita si dhe ata që janë kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe formimit të Asociacionit të komunave serbe, në Kosovën multietnike!

Madje, po flitet se do të formohet shpejt një komision për Asociacionin e komunave serbe apo Zajednicës së VV dhe se qeveria, e ndarë fort e kënaqur me punën e Murat Mehës në procesin e Demarkacionit ka vendosur që edhe në krye të komisionit për Asociacionin e komunave serbe të jetë Murat Meha. Me një fjalë,  po thonë se lojtari që shënon (auto) gola, nuk bën të zëvendësohet!

Mendoj se nëse dikush, kurdoherë që e ka bërë edhe vetëm një punë të mirë për Kosovën e pastaj i ka bërë njëqindmijë të zeza, në rrethanat e tashme dhe në formën si u bë Marrëveshja për Demarkacion, do t’i faleshin ato njëqindmijë të zeza nëse nuk e votojnë ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend të Kosovës! Përgjegjësi e madhe është nëse votohet kjo marrëveshje pa u bërë përmirësimet e duhura, nëse është gabuar dikund!

Nuk jam ekspert për shenjimin e kufijve por intuita më detyron të bëhem i kujdesshëm shkaku se : “ në demarkacionet e dikurshme deri më sot, gjithmonë shqiptarët kanë humbur toka “.

Në fund të fundit, Mali i Zi na ka shumë toka borxh për të na marrë toka shtesë! Nuk më intereson fare tash çka thonë Thaçi, Mustafa, Veseli, Limaj, Haradinaj apo Imer Kurti por çka thonë ekspertët. Disi jam shumë duke i besuar Zejnullah Grudës për këtë çështje!

Nëse votohet në Kuvendin e Kosovës për Demarkacionin e kufirit sipas modelit MM, atëherë mos u befasoni kur Isa Mustafa, për ta kositur barin në livadhet e Prapashticës duhet të marr leje nga knjaz Millo sikur që edhe unë,  për t’i ujitur domatet dhe specat në oborrin tim më duhet të marr leje nga vojvoda Vuçeliq.

Kurse, nëse votohet për Asociacionin e komunave serbe që, në fakt është autonomi territoriale për serbët dhe Serbi brenda Kosovës, atëherë do të harrojmë këtë lagjen njëetnike serbe në Zveçan por do ta kemi një situatë kur Vulini apo Gjuriqi do të hapin qebaptore në zyrat  e Isa Mustafës dhe do të pjekin “ leskovaçki roshtil “, zgarë të Leskovcit!

Nëse i  doni këto situata,  votoni edhe për Demarkacionin, edhe për Asociacionin! Nëse e doni ardhmërinë e fëmijëve tuaj, vendit tuaj dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo tjetër, mos votoni këto dy imponime, pa u sqaruar gjërat!

Mos e merrni në qafë ardhmërinë e vendit dhe atyre që vijnë pas nesh! Pse t’iu lëmë probleme fëmijëve tanë në mënyrë që ata të paguajnë për gabimet dhe mospunën tonë duke u detyruar të burgosen apo edhe të luftojnë!

A nuk po i  shihni parashikimet për të ardhmën dhe a nuk po shihni se Serbia, duke pasur informata për të ardhmën, nuk po e lejon formimin e Ushtrisë së Kosovës! A nuk po shihni se veriu nuk po integrohet kurse “ miqtë “ ndërkombëtarë po e përjashtojnë mundësinë e integrimit të një territori të okupuar me mjete që parashihen me Kushtetutën e vendit!

Para se të votoni, mendoni mirë e mirë sepse edhe pas votimit, jo që nuk do ta  keni postin e politik të garantuar por nuk do të mbeteni as material për reciklim! Shihni shembujt nga rajoni, nuk keni nevojë të zbuloni asgjë!

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)