Kushtrimi i "Komandant" Ismetit, s'i lëshojmë kullat e Sheremetit
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Veteranët e luftës dhe veteranët e rezistencës paqësore : Kuvendi i Kosovës , më në fund, ndonëse me një vonesë të madhe e miratoi Ligjin për Veteranë të Luftës , si shpagim moral dhe material për ata që luftuan , u sakrifikuan, humbën pjesët e trupit për këtë gjysmë lirie, gjysmë pavarësie dhe gjysmë sovraniteti që e kemi sot!
Historia te shqiptarët nuk ka një qëndrueshmëri prandaj edhe bëhet riciklimi i saj, varësisht prej situatës politike dhe garniturave pushtetmbajtëse. Ish komunistët me mendje , bindje dhe zemër jugosllave e që Zoti i kishte krijuar si shqiptarë të cilët mendonin serbisht dhe flisnin shqip përfituan dhe po përfitojnë në të gjitha sistemet.
Në kohën e Rankoviqit jetonin mirë duke dhunuar , arrestuar , gjykuar , dënuar dhe vrarë shqiptarë që mendonin dhe vepronin shqip. Ashtu kishin jetuar edhe në kohën e Titos. Ashtu jetonin në kohën e UNMIK-ut.
Edhe më mirë po jetojnë në kohën e EULESH-it dhe kryeministrit Thaçi! Janë të respektuar, mbajnë poste të larta publike, janë këshilltarë për çështje politike dhe kombëtare (!!!), prokurorë, gjykatës, pronarë të mediave ( krijues të opinionit ) , pronarë të bizneseve me shifra të larta të përfitimit , të infiltruar në Policinë e Kosovës, në FSK , në AKI , në subjekte politike, Presidencë, Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës!
Këta , në kohën kur burgjet e Jugosllavisë ishin plotë me shqiptarë që ishin dënuar për bindje politike dhe gjakim për liri, shërbenin si hetues , torturues, gjykatës , prokurorë dhe linçues publikë sepse kishin nën kontrollë të plotë mediet jugosllave dhe ato të Kosovës.
Këta bënin diferencime politike dhe shkatërronin familje shqiptare duke i larguar nga puna shkaku se anëtari i tyre ishte dënuar si armik i Jugosllavisë, vëllazërim bashkimit dhe bashkëjeteses midis kombeve dhe kombësive. Ishin të dënuar si nacionalistë, irredentistë dhe kundërrevolucionar.
Diferencimin politik, varësisht nga pesha e fajit e bënin komunistët e bindur jugosllavë që më vonë themeluan parti politike në Kosovë duke filluar nga LDK. Programin politik të LDK së e patën shkruar komunistët jugosllavë me ideologun e tyre Rrahman Morinën i cili pati dhënë leje që këta të organizohen politikisht, të veprojnë lirshëm, të organizojnë zgjedhje të lira në Kosovën e okupuar dhe të bëjnë propagandë si dhe linçime publike ndaj të burgosurve politik shqiptarë që kishin mbaruar burgjet e tyre në kohën kur u themeluan këto parti.
Motoja kryesore e bijve dhe bijave politike, ideologjike dhe shtetërëre të Rrahman Morinës të organizuar në parti politike ishte se : të burgosurit politikë shqiptarë për ne janë më të rrezikshëm se vet Serbia .
Dhe kishin të drejtë sepse ata nuk kishin pasur dhe nuk kishin fare problem me Serbinë! Sepse , një numër jo i vogël i tyre ishin bima e Serbisë ! Ishin të mbëltuar në fidanishtet e Beogradit, Kumrovcit dhe Nishit!
Asokohe, nga Armata Popullore e Jugosllavisë ktheheshin në arkivole me qindra ushtarë shqiptarë të cilët kishin bërë vetvrasje ! Ishin dënuar me qindra shqiptarë në këtë armatë me burg deri në 20 vite.
Në procese të montuara politike. Edhe vet jam dënuar 12 vite në Gjykatën Ushatarake të Zagrebit në vitin 1984. Hetues në këto procese kanë qenë oficerët shqiptarë të KOS it ( Kontra Obavestajna Sluzba ) apo Shërbimi Kundër Zbulimit i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë dhe ushtarë shqiptarë të shantazhuar, frikësuar dhe të detyruar të dëshmojnë. Ishte Tahir Zemaj me shokët e tij.
Njëri ndër ta ishte edhe Enver Krasniqi atëherë kolonel i KOS-it. Këta, përveç se kanë montuar procese politike kundër ushtarëve shqiptarë , pa as një dyshim kanë qenë pjesë edhe e skenareve të vrasjes së ushtarëve shqiptarë të cilët pastaj i kanë kthyer si të vetvrarë .
Nëse analizohet lista e ushtarëve të vetvrarë shqiptarë dhe atyre të dënuar në Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë, nuk do ta gjeni askund dikend, prindi i të cilit ka qenë funksionar , zyrtar apo në ndonjë pozitë tjetër udhëheqëse në organet shtetërore , politike , ushtarake, policore , gjyqësore , diplomatike etj. të ish Jugosllavisë.
Të gjithë ishin ish të burgosur politikë, familjarë të tyre apo patriotë të dëshmuar si dhe aktivistë për çështje kombëtare! A ishte kjo e rastit ?!
Ky ishte provimi i tyre ( KOS-it ) i besnikërisë ndaj një ushtrie ku Rankoviqi dikur kishte shumë ndikim. Sa më shumë ushtarë shqiptarë të arrestuar , të dënuar dhe të vetvrarë, aq më lehtë dhe më shpejtë e ndërtonin karrierën e tyre.
Atëbotë ka qenë e pamundur të jesh oficer i Ushtrisë jugosllave nëse nuk ke qenë përkrahës i atij regjimi që ua pinte shqiptarëve gjakun me pambuk! E lëre më oficer i KOS-it jugosllav.
Është dashur ti kalosh të gjitha sitat dhe shoshat e filtrimit e të fitosh besimit të bëhesh kolonel i KOS-it. Këtë besim e kishin fituar kolonelët Zemaj dhe Krasniqi dhe shumë të tjerë të cilët pastaj u bënë kuadri ushtarak i ( TH ) FARK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes duke sabotuar luftën dhe duke shkërdhuye pamëshirshëm paratë e qeverisë së Bukoshit të Fondit të 3% -it.
Këto para i shkërdhyen këta oficerë dhe ushtarë që luftonin nëpër shtetet perëndimore, me paga të majme dhe duke mos e shkrepur as edhe një plumb të vetëm në Kosovë!
Këta ishin dallaveraxhinj dhe mercenarë ndërkaq ata që e kishin përnjëmend si Agim Ramadani , Sali Çeku dhe shumë të tjerë luftuan nën uniformën e UÇK-së, duke e dhënë edhe atë më të shtrenjtë që e kishin për lirinë e Kosovës. Jetën e tyre. Ata shkuan në përjetësi me uniformën e UÇK-së dhe jo me uniformë të njëfarë( TH ) FARK- a !
Krahu politik në me krye Himë Govën e bënin jetën e sulltanëve me para të Fondit të 3% -it! Duke e sabotuar luftën me të gjitha mjetet e mundshme ! Duke i përçarë studentën para protestave të tyre për lirimin e objekteve universitare.
Duke e cilësuar UÇK-në si : dorë të zgjatur të Serbisë . Duke pranuar çdo gjë që i ofronin popat e Shën Exhidios me qëllim të dëmtimit të luftës së UÇK-së së lavdishme ! Duke dorëzuar mbi 5000 armë në Zonën Operative të Dukagjinit dhe duke e lënë vetëm me 12-15 ushtarë luftëtarin e hatashëm dhe trimin e madh të kësaj zone , kombëtarin Ramush Haradinaj të cilit i bënë puç pikërisht Ministria e Mbrojtjes dhe ( TH ) FARK-u që pastaj ikën në Padesh të Shqipërisë ku koloneli dezertor ( i cili nuk u kthye asnjëherë më në Kosovë për të luftuar ) Tahir Zemaj e puthte flamurin kombëtar që ia dorëzoi Ahmet Krasniqi.
Duket se e ka puthur flamurin e gabuar. Flamuri i kolonelit ishte flamuri para të cilit kishte dhënë betimin si oficer i KOS it jugosllav. Dhe të cilit i shërbeu deri në fund!
Atëherë ishte një vijë e çartë ndarëse midis atyre që luftonin për lirinë e Kosovës dhe atyre që sabotonin këtë luftë edhe me mjetet më të ndyra. Ata që e sabotonin luftën në planin ushtarak dhe politik. Luftën e sabotonin ushtarakisht Ministria e Mbrojtjes me ( TH ) FARK-un ndërsa politikisht e sabotonte Himë Gova me qeverinë e tij.
Luftën e bënë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të pabarabarta UÇK- me Komandantin Legjendar , Të Pavdekshmin , Adem Jashari dhe Komandanti Politik i Çështjes Kombëtare , i Përjetshmi Adem Demaçi!
Luftëtarët mbesin luftëtarë, sabotuesit mbesin sabotues: Me datën 3 prill 2014 u përsërit historia. Ata që kur ishte nevoja dhe koha luftuan për lirinë e Kosovës e mbrojtën nderin e luftës dhe nderin e UÇK-së.
E votuan Ligjin për Veteranë të Luftës së UÇK-së së Lavdishme. Mbrojtën vlerat e vërteta dhe nuk lejuan kontrabandimin e antivlerave ushtarake dhe politike ! Nuk e lejuan shndërrimin e antivlerave në vlera. E penguan përligjjen e antivlerave si vlera!
Sabotuesit e luftës u bënë edhe sabotues të paqes! Bënë përpjekje që të rehabilitojnë dhe përligjin ata që e penguan luftën, që keqpërdorën Fondin e 3% -it, dezertorët dhe oficerët e ish armatës Jugosllave që bënin jetë luksoze në qendrat mondane botërore.
Ish oficerët e UDB-së dhe KOS-it. Sabotuesit e sotëm në Kuvendin e Kosovës deshën të veshnin me merita kombëtare ata që punuan kundër kombit në aspektin politik dhe ushatarak!
Ata që e penguan luftën dhe çlirimin e Kosovës! Sabotuesit e sotit deshën ta bëjnë( TH ) FARK-un ushtri që e ka bërë luftën ndërsa UÇK-në si tog të kësaj ushtrie ! Qëllimi final i tyre ishte që ta bëjnë një kryefrikacak ( Himë Govën ) , komandant suprem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vend të Komandantit të Vërtetë të UÇK-së , Legjendarit Adem Jashari! Këtë mashtrim nuk e duron as Toka e as Zoti , si krijues i saj! Nuk krijohet historia dhe madhështia me përmendore të Kim il Sungut, si ajo para Kuvendit të Kosovës! Por me vepra dhe sarificë sublime!
Për pacientin e Armend Zemajt : Armend Zemaj nga goja e vet nuk po nxjerr mjaltë. Duket se as mjaltë nuk po hanë! Edhe në rastin e parë dhe të dytë ai po përzien diçka që shumë ia kënda e që fillon me shkronjën e mjaltit!
Ky nuk është mjek që të caktojë diagnoza për Adem Demaçin të cilin e diagnostifikon si monstrum dhe psikopat. Ky nuk ka të kaluar , as personale e as familjare që ta cilësojë Adem Demaçin si antikombëtar dhe proserb.
Që i ka shërbyer Serbisë. Ky është i ri të flas për Rankoviqin duke i krahasuar deputetët që e kanë votuar Ligjin për Veteranë të Luftës se po e bëjnë këtë si në kohën e Rankoviqit. Armend Zemaj mund të ketë dëgjuar për Aleksandar Rankoviqin nga xhaxhai i tij, ish oficer i KOS- it të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë , kolonel Tahir Zemaj.
Kur Adem Demaçi dhe shumë të burgosur të tjerë politik shqiptarë kanë vuajtur vite dhe shekuj burg ( ata të dënuar në Armatën Popullore të Jugosllavisë edhe me kontributin e pakursyer të xhaxhait të Armend Zemaj ) , koloneli Zemaj ka vrapuar pas prostitutave në Zajeçar , Pozharevc, Beograd, Vukovar dhe qytetet tjera ku me besnikëri qençe i ka shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë!
Dhe frymës së Rankoviqit! Edhe pjellën e ka përzier ! Kjo është e vërteta! Është e vërtetë se Tahir Zemaj ka qenë i dënuar për tregti me drogë dhe si diler. Me disa persona nga Besiana dhe Prishtina. Armendi është i ri dhe mbase nuk i kujtohet.
Apo nuk ka dëshirë ta kujtojë këtë! Është e vërtetë se Tahir Zemaj , si oficer i KOS-it ka marrë në pyetje ushtarët shqiptarë në ish Armatën Jugosllave. Pas së cilës janë dënuar me burgje të gjata , deri me 20 vite!
Për këtë ka fakte të shkruara! Është e vërtetë se nuk përjashtohet roli dhe kontributi i tij në vetvrasjen e ushtarëve shqiptarë. Për këtë do të dalin fakte edhe për së gjalli të Armend Zemaj! Është e vërtetë se në zonën ku ka luftuar Tahir Zemaj i janë dorëzuar ushtrisë dhe policisë serbe mbi 5000 copë armatim.
Janë bërë publike listat e personave që kanë dorëzuar armatimin. Janë edhe filmimet nga koha e dorëzimit të këtyre armëve që janë transmetuar në mediat e asaj kohe! Është e vërtetë se janë lënë në duart e serbëve mbi 600 të plagosur në kohën kur Tahir Zemaj me ( TH ) FARKUN e tij ia mbathi për Shqipëri për tu mos kthyer kurrë më në luftë!
Prandaj, Armend Zemaj, si mbrojtës i jetës dhe veprës së kolonelit të KOS-it jugosllav , Tahir Zemaj , nëse ka ndonjë aktgjykim me të cilin Tahir Zemaj është gjykuar nga gjykatat serbe dhe jugosllave për aktivitete kombëtare dhe politike, le ti bëjë publike.
Unë , në këtë rast do ti kërkoj falje publike! Nëse Armend Zemajt i duhet aktgjykimi për dënim të xhaxhait të tij si diler droge nuk e ka aspak vështirë ta sigurojë ate.
Edhe për marrje në pyetje të ushtarëve shqiptarë në ish Armatën jugosllave pas së cilave janë dënuar me vite e shekuj burg, lehtë sigurohen informatat. Janë të ruajtura aktakuzat dhe aktgjykimet. Aktgjykimet e Adem Demaçit për dënim dhe mbajtje thuaja 30 vjet burg janë të ruajtura.
Dhe janë publike. Edhe unë kam ruajtur aktgjykimet për dënimin tim politik I pari është 3 vjet burg ndërsa i dyti 12 vjet. Për të dytin kur jam dënuar si ushtar ka kontribuar shumë kolegu i xhaxhait të Armend Zemaj. Koloneli i KOS-it jugosllav Enver Krasniqi! Armend Zemaj po krenohet me xhaxhain e vet , kolonelin e KOS-it jugosllav.
Në mbrojtje të diçkaje që nuk mbrohet po sulmon vlerat e dëshmuara kombëtare. Po të isha në vendin e tij unë do të turpërohesha nga e kaluara e xhaxhait. Në vend të pastrimit të ndërgjegjes ai po e rëndon edhe më shumë. Për shkak të pastrimit të historisë familjare. Për shkak të së ardhmes së fëmijëve të vet! Për shkak të së vërtetës që në mënyrë aq të paskrupullt e falsifikon dhe e mohon !
Për titullin: Ismet Beqirin e njoh një kohë të gjatë. E mbaj mend si aktivist të palodhshëm për çështje kombëtare të viteve të 90-ta. I cili ka ndihmuar shumë banorët e ish Lagjes së Vranjevcit e cila për së gjalli të Ismetit u quajt Kodra e Trimave.
Sigurisht për shkak të Ismetit. Me tu zhdjerg të Ismetit në qytet apo me urbanizimin e tij kjo lagje më nuk mund të quhet Kodra e Trimave. Duhet ti kthehet emërtimi i mëparshëm! Ismet Beqirin e kam njohur si aktivist kombëtar dhe politik.
Duket se nuk e paskam njohur sa duhet. Nuk e paskam ditur që Ismet Beqiri paska qenë komandant i Lartë i ( TH ) FARK-ut. Dhe zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Bukoshit. Prandaj me aq ngulm e mbronte këtë në Kuvendin e Kosovës.
Duke bërë përpjekje që të bënte një martesë të pazakontë dhe jonormale të ( TH ) FARK-ut me UÇK-në. Ku ( TH ) FARK-u do të ishte burri e UÇK ë gruaja. Ku ( TH ) FARK u do ta shalonte UÇK-në.
Jo , Ismet. Nuk kalon kjo punë! Është kundër natyrës dhe kundër Zotit! Dhe mos u kërcëno se kur të vini në pushtet puna e parë që do ta bëni është se do ta shfuqizoni Ligjin për Veteranë të Luftës. Se nuk do ti lëshoni kullat e Sheremetit! Pushkë e zbrazur është kjo, miku im Ismet Beqiri. Sepse kur nuk ke banuar në ato kulla !
Shkrimi i radhës :Mbi zallogën e Adem Demaçit dhe mbi pallatet e Ibrahim Rugov