Kushtet e turpshme të BE-së, në këmbim të liberalizimit të vizave
Shkruar nga Faik Krasniqi
Formimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë është një mini-shtet në territorin e Kosovës.
Në bisedimet me Beogradin, pala kosovare u tregua totalisht e papërgjegjshme, duke bërë lëshime e kompromise të vazhdueshme në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë, duke ia mundësuar asaj të përzihet në tërë brendinë e Kosovës.
Formimi i këtij asociacioni, do të bëjë që Kosova gjithmonë të ketë probleme dhe me këtë rast Serbinë do ta ketë brenda Kosovës.
Kosova ndonëse ka arritur të dalë jashtë Serbisë, ajo ka lejuar \"Zajednicën\", që Serbinë ta sjellë dhe mbajë brenda Kosovës në tërë territorin e saj në plot 10 komunat brenda Kosovës.
Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe lë jashtë kontrollit të Republikës së Kosovës dhe në duar të Serbisë rreth 30 për qind të territorit të vendit.
Kështu që, me krijimin e këtij asociacioni, po krijohet një mini-shtet brenda Kosovës, ku do të ketë kompetenca shtesë në gjyqësi e polici, si dhe në arsim dhe shëndetësi.
Ky asociacion nënkupton ndarje dhe segregacion dhe është e kundërta e integrimit të vërtetë të serbëve në shoqërinë tonë.
Segregacioni që po imponohet përmes \"Zajednicës\" është në shpërpushje me të drejtat elementare të njeriut dhe është kundër interesit edhe të serbëve lokalë.
Ky projekt, është kryekëput interes i Serbisë në kuadër të planeve të saj ekspansioniste.
Kurse sa i përket ndërlidhjes që mund të ketë çështja e asociacionit dhe demarkacionit me procesin e liberalizimit të vizave, konsideroj se edhe njëra por edhe tjetra janë pafytyrësi nga ana e BE-së, sepse asnjë shtet nuk i ka pasur këto kushte për liberalizim të vizave siç na i kanë vendosur neve.
Nëse si kusht i ri për liberalizim të vizave nga ana e BE-së futet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, atëherë seriozisht BE-ja është duke u tallur me ne dhe me këtë po tregon që nuk është fare e interesuar që t\'i zhbllokojë nga izolimi dhe errësira qytetarët e Kosovës, ku në fakt është dashur që klasën politike të Kosovës t\'i izolojnë, e jo të bashkëpunojnë me këta kriminelë e mafiozë, falë të cilëve jemi në këtë gjendje të mjerueshme!