Kush po manipulon me shaminë
Shkruar nga Mr. Fidan Mustafa
Shumë nga mediumet publike e ato private në fokusin e tyre para opinionit kanë spikatur çështjen e shamisë, duke krijuar debate të ashpra në vend. Madje për shumë nga portalet në vend, lajm ditor është çështja e shamisë me deklarata të ndryshme e shumë kontroverse me njëra - tjetrën.
Deri më tani në Kosovë ka qenë e ndaluar bartja e shamisë nëpër shkolla publike me Udhëzimin Administrativ 06/2010 të Ministrisë së Arsimit, Udhëzim i cili shoqërinë kosovare e ka ndarë në dysh. Madje ky vendim i Ministrisë është kritikuar edhe nga departamenti i shtetit Amerikan në raportin për lirit fetare në vitin 2011, lidhur me ndalesën që i është bërë vajzave Myslimane për Shamit.
Mirëpo këto ditë është arritur një marrëveshje në mes të PDK - së dhe PD - së për shfuqizimin e këtij udhëzimi ku sipas këtyre deklarimeve do të kenë mundësinë e vijimit shkollor të vajzave që bartin shami, madje edhe të punojnë në institucione publike.
Riaktualizimi i çështjes së lejimit apo moslejimit të bartjes së shamisë është hapur përsëri pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor në mes dy partive politike të cilat kanë qenë në qeveri deri më tani PDK - PD, për heqjen e udhëzimit administrativ si kusht për koalicion.
I gjithë debati medial e publik fillon këtu duke propaganduar me lajme ditore se është shfuqizuar apo jo ky udhëzim...?
Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka premtuar se nga shtatori nuk do të ketë shkelje të lirive dhe të drejtave të asnjë individi në vend, duke iu referuar vajzave që bartin shami, kjo punë ka marrë fund dhe se tashmë ekziston marrëveshja politike e nënshkruar me kryetarin e PDK - së për heqjen e këtij Udhëzimi në Ministrinë e Arsimit të Kosovës.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e disa nga portaleve dhe gazetarëve me theks të veçantë i gazetës Express, duke publikuar deklarata dhe shkrime manipuluese për opinionin se kjo është vetëm një blof elektoral ku në shumë shkrime titujt janë pompoz në krahasim me përmbajtjen e shkrimit.
Ti bëjmë një analizë të shkurtër disa nga deklarimet zyrtare në vend mbi çështjen e shamisë...
1). I pyetur nga gazetarët Kryeministri në detyrë z. Hashim Thaçi, nëse do të lejohen nxënëset me shami në shkolla? Thaçi deklaron: do të bëhet ashtu siç përcakton kushtetuta dhe ligjet në Kosovë ku do të respektohen të drejtat e çdo qytetari.
Analiza: Me ligje dhe kushtetutë nuk ka qenë e ndaluar bartja e shamisë, por ka qenë nëpërmjet një udhëzimi administrativ i cili është shfuqizuar tani më, gjë të cilën kryeministri e potencon shumë konkretisht dhe nuk është kundër shamisë siç është deklaruar nga disa portale, madje nuk e mohon faktin e një marrëveshje të tillë me PD-në.
2). Një ditë pas deklarimit të Kryeministrit për shfuqizimin e këtij udhëzimi, e menjëhershme ka qenë deklarata e Presidentes së vendit Atifete Jahjaga, e cila ka deklaruar: Do të dërgoj ligjin në gjykatën Kushtetuese.
Analiza: Si duket Presidentes ju është ngatërrua dallim në mes të Kushtetutës, Ligjit dhe Udhëzimit. Sipas sistemit juridik në vend, udhëzimi administrativ nuk mundet të shkoj në Gjykatën Kushtetuese, mbasi që si i tillë nuk është Ligj, por vetëm një udhëzim nën përgjegjësinë e Ministrit të Arsimit si një rregullore e brendshme, i cili nuk ka të bëj as me Parlamentin e Kosovës e as me Gjykatën Kushtetuese.
3). Sipas një shkrimi të Gazetës Express: Ramë Buja mashtron Ferid Aganin, s\'lejohet uniforma fetare nëpër shkolla...
Analiza: Sipas vet shkrimit të këtij portali (23Maj 2014) shohim se i referohen deklaratës së ministrit Buja të vitit 2010, ndërsa në fund po të njëjtit shkrim deklarojnë: Express dy ditë ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministri i Arsimit, Ramë Buja, por ai s\'e ka hapur telefonin, gjë të cilën edhe vet e pranojnë se kanë manipuluar me opinionin.
4). Cilat janë qëllimet e shumë shkrimeve me tituj p.sh: Shamia si votë, Shamia blof elektoral, Ramë Buja mashtron Ferid Aganin, Shamia në Gjykatën Kushtetuese, Shamia i nënshtron gratë... ?
Përgjigjja: Shumë nga shkrimet të cilat i cekëm, nga shumë të tjerë, shkrime të cilat kanë krijuar një mjegullinë në opinionin e gjerë duke quar në paragjykim dhe manipulim të opinionit të gjerë lidhur me çështjet më të ndjeshme për popullin duke manipuluar me ndjenjat, të drejtat më elementare të njeriut.
Është e vërtet se të gjitha këto thashetheme, kanë qëllime e objektivat e veta për ti arritur duke i përdorur të gjitha këto tituj dhe shkrime pompoze për të arritur 4 qëllime kryesore;
a) Duke kontribuar në urrejtjen dhe përçarje ndërfetare në vend, prishje të harmonisë dhe stabilitetit në vend, cenimin e gjendjes se sigurisë para mbarëvajtjes se procesit zgjedhor, si njeri nder elementet më kryesor për dritën jeshile të Kosovës për në BE.
b) Duke i shërbyer shërbimeve informative të huaja në vend, me theks të veçantë ndaj atij serb, me qëllim të rritjes së tensioneve parazgjedhore, madje për të krijuar një ambient jo stabil dhe të sigurt për proceset në të cilat po kalon Kosova drejt rrugës për Bashkim Evropian.
c) Formimin e një situate kaotike të elektoratit të komunitetit Mysliman të cilët do të janë të pa përcaktuar në zgjedhjet parlamentare, duke krijuar përçarje brenda këtij elektorati, me qëllim të pamundësisë së zgjedhjes së kandidatëve për ti përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës (Përçaj dhe Sundo).
d) Dhe fokusi kryesor, të shkatërroj elektoratin e PD - së, duke pasur fokus kryesor manipulimin, shantazhimin, fyerjen, nënçmimin e shumëçka tjetër vetëm që të krijohen antipati ndaj këtij subjekti politik. Është fakt se kontribut të këtyre përçarjeve dhe diskutimeve kundër harmonisë fetare, një pjesë të fajit e kanë edhe disa nga figurat Eminente të vetëshpallura, të cilët disa me vetëdije e disa pa të, po kontribuojnë në prishjen e këtij diversiteti fetar në vend.
Me pakë fjalë, nëse shteti i Kosovës pretendon se është vend i demokracisë, atëherë demokracia dhe irracionalja nuk korrespondojnë njëra me tjetrën. Nuk ka demokraci aty kur urrejtja kalon në veprim dhe vendos për fatin e tjetrit.
Nuk ka demokraci pa të drejtat e liritë e njeriut, lirinë fetare e kombëtare, lirin e shprehjes lirshëm. Nëse pretendojmë se Kosova është në rrugën Evropiane, atëherë le të dimë të gjithë se në Evropë atje ku jemi nisur, atje është rregulluar çështja e lirisë së shprehjes, lirive fetare (Bartja e shamisë) qysh prej vitit 2005.