Kush po e dëmton Kosovën
Shkruar nga Kushtrim Gashi
Ajo se çfarë ndodhi këto ditë në Kuvendin e Kosovës dëshmon se deputetete opozitës e kanë shndërruar organin ma të lartë të vendit në njëTeatër, ku çdo seancë japin shfaqje teatrale.
Seria e këtyre shfaqjeve si duket nuk ka të ndalur, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e shikueshmërisë.
Mesa duket deputetet e opozitës e kanë gabuar profesionin sepse me gjithë këto ide, ketë mund dhe ketë talent është dashur që njëmend të jenë aktor të Teatrit Kombëtar e jo në Kuvendin e Kosovës.
Koha e patriotizmit ka përfunduar dhe ajo nuk kthehet dot!
Meqenëse deputetet e opozitës kanë bllokuar jetën normale parlamentare, atëherë do të ishte e rrugës që të dëshmojnë se janë patriotë duke mos pranuar as pagat dhe mëditjet e as privilegjet si deputet.
Në kohën e sotme patriotizëm është puna, mundi dhe sakrifica për të zhvilluar vendin, e jo për të bllokuar atë.
Opozita në vend se të ofrojë ide dhe alternativa për zhvillimin e vendit, ata po ofrojnë shfaqje teatrale në legjislativin e vendit.
Në vend se të jenë shembull i kulturës dhe mirësjelljes qytetare, ata janë shembull i degradimit të mirësjelljes qytetare dhe asaj parlamentare.
Në vend se të jenë shembull i respektimit të ligjshmërisë, ata janë shembull të rrënimit të saj.
Në vend se të jenë shembull i ndalimit të gazrave helmues, ata janë shembull i promovimit të tyre.
Në vend se të jenë shembull i demokracisë qytetare, ata po bëhen shembull i anarkisë.
Nxjerrja e deputeteve me dhunë nga salla e parlamentit nuk mendoj që është hapë i duhur, por do të duhej që të parandalonin përsëritjen e seancave të kaluara, duke kontrolluar në mënyrë të rreptë deputet e opozitës para se të hynë në parlament apo duke dialoguar me ta.
Në rast se deputetet e opozitës prapë e bllokojnë punën e Kuvendit, atëherë kryetari dhe kryesia e parlamentit do të duhej që te merrnin vendim për zbatimin e rregullores se Kuvendit.
Si alternativa më e duhur në këso raste mbetet dialogu. Pozita dhe opozita do të duhej që të ulnin dhe të kërkonin zgjidhjen përmes dialogut, në mënyrë që të ndalet vazhdimi i bllokimit të institucioneve të vendit sepse e kemi parë para një viti se bllokimi nuk sjell dobi pos dëme.
Në rast se do të pajtoheshin pozita dhe opozita që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë nuk do të kishte nevojë për një qeveri teknike dhe as gjithëpërfshirëse.
Ajo se çfarë do të ishte e nevojshme është përgatitja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Megjithatë zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje sepse edhe në rast se do të fitonte opozita, kurrsesi nuk do të arrinte që të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Jo pse një gjë e tillë është e pamundshme ligjërisht, por tërheqja e nënshkrimit do ta izolonte Kosovën.
Të gjitha pengesat që janë duke u bërë nga opozita në parlamentin e Kosovës, nuk bëhen për asgjë tjetër, pos për arritjen e qëllimeve politike. Opozita është duke luftuar për pushtet e jo për shtet.
Këto qëllime duan që ti arrijnë me çdo kusht, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda.
Tanimë pas mesazhit të ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawi, drejtuar opozitës nuk duhet të ketë hamendje se kush po e dëmton vendin.
Ai shumë troç e tha, ju që keni sjellë armë në Kuvend, ju po e dëmtoni ekonomin e Kosovës, ju po e izoloni Kosovën drejtë integrimeve, liberalizimin e vizave dhe njohjet.