29 Dhjetor 2024

Kush mund t’i dijë më mirë kufijtë e brendshëm të një shteti se sa vet ai shtet i cili i ka vendosur ato kufij

Shkruar nga Bilall Sherifi  

Në përpjekje për të arsyetuar versionin aktual të marrëveshjes për demarkim të kufirit Kosovë-Mali i Zi, kryeministri Isa Mustafa ka kohë që pa ndërprerë thotë se nuk u beson hartave të Jugosllavisë.

Qëllimi i këtij diskursi është më se i qartë, të stigmatizohen si pro jugosllav të gjithë ekspertët të cilët janë duke e kundërshtuar versionin aktual të marrëveshjes dhe në të njëjtën kohë, meqë ky nuk u beson hartave të Jugosllavisë, del që është anti jugosllav dhe rrjedhimisht edhe patriot!

Pra, sipas kësaj logjike të tyre, kushdo që thirret në harta Jugosllave nuk mund ta dijë saktë se ku është kufiri!

Të njëjtin qëndrim lidhur me hartat e Jugosllavisë mbrëmë e mbajti edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ai madje nuk u ndal vetëm te mosbesimi ndaj hartave të Jugosllavisë por shtoi edhe një gjë, ai tha se nuk i beson as mendësisë jugosllave! Këtë çështjen e mendësisë bën mirë ta sqarojë me partnerin e tij të koalicionit z. Mustafa. Por për këtë temë flasim ndonjëherë tjetër.

Le të ndalemi te besimi apo mos besimi në hartat e Jugosllavisë dhe të ndjekim logjikën e argumenti të tyre.

Tani, të thuash se nuk iu beson hartave të Jugosllavisë kur bëhet fjalë për kufijtë e republikave dhe të krahinave që e përbënin ish-Jugosllavinë, është njësoj sikur të thuash se nuk u beson hartave të Amerikës për kufijtë e shteteve që i përbëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Sikur të thuash se nuk iu beson hartave të Gjermanisë për kufijtë e Landeve që e përbëjnë Republikën Federale të Gjermanisë!

Sikur të thuash se nuk iu beson hartave të Zvicrës për kufijtë e kantoneve që e përbëjnë Federatën e Zvicrës!

Sipas kësaj logjike të tyre, në rast se eventualisht këto vende vendosin të ndahen, atëherë, shtetet e reja që do të dilnin nga ndarja e këtyre shteteve, për të caktuar kufijtë mes tyre, mund të përdorin çfarëdo harta tjera përveç hartat të cilat ato dikur vet i kanë prodhuar!

E kush mund t’i dijë më mirë kufijtë e këtyre shteteve se sa vet këto shtete të cilat i kanë vendosur ato kufij? Sigurisht që askush.

Besoj mjafton kjo analogji për të parë se argumenti i tyre nuk ndjek asnjë logjikë të qëndrueshme dhe se përveç manipulues nuk mund të quhet ndryshe.

Prandaj, është absurd i madh të thuash që krejt bota e paska ditur se ku kanë qenë kufijtë në mes republikave dhe krahinave të ish-Jugosllavisë, veç Jugosllavia jo.

Kthjelluni more, sepse, supozohet që udhëheqësit e një shteti, në mos më shumë, së paku kaq duhet të dinë, që kufijtë në mes të njësive që e përbëjnë një shtet i vendos shteti vet dhe pastaj i harton dhe i boton hartat po ashtu secili shtet vet.

E tek pastaj ato harta bëhen pjesë e hartave rajonale e më gjerë dhe jo anasjelltas!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)