22 Dhjetor 2024

Kurti e Osmani duhet t’i japin fund gjunjëzimit të Kosovës dhe kërkim-lëmoshës

Shkruar nga Ekrem Krasniqi  

Janë të panumërta rastet kur Kosova është trajtuar nga Bashkimi Evropian (BE), vendet e saj anëtare por edhe nga administratat e deritashme në SHBA-ve si rast humanitar, përkatësisht prej nje vendi dhe populli që kënaqet me lëmoshë vetëm sa për të mbijetuar.  

Pushtetarët e deritashëm ia kanë krijuar një imazh të këtillë Kosovës dhe si e tillë ajo edhe vazhdon që të trajtohet nga krejt perëndimorët dhe qeveritë e tyre.  

Shiheni rastin me drastik dhe më të turpshëm nga ana e BE-së për çështjen e vizave. Përkundër këtij poshtërimi që vendet e BE-së po ia bëjnë Kosovës, pushtetarët e deritashëm kanë ardhur këtu në Bruksel për të dialoguar me ish-ministrin e Sllobodan Millosheviqit – Aleksandar Vuçiçin - pa hezituar dhe pa asnjë kusht paraprak që do duhej përmbushur Serbia dhe vet qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.  

PDK, LDK dhe AAK e kanë krijuar dhe forcuar këtë imazh dhe trajtim të këtillë ndaj Kosovës sidomos që nga viti 2011 kur janë futur në dialog me Serbinë pa asnjë rezistencë dhe parakusht. Në të njëjtën kohë krejt Kosova po vazhdon që të gënjehet nga BE për vizat,  edhe përkundër nënshkrimit kontraverz për kufirin me Malin e Zi.  

Çka tash e tutje, pas fitores se VV-së ?  

Kreativiteti e kundërsulmet duhet të fillojnë nga vet Kosova së pari për të ndryshuar për 180 shkallë imazhin e lupësit të gjunjëzuar.  

Së pari duhet ndërruar qasjen ndaj dialogut, sepse pushteti në Serbi është në komoditet aktualisht në dialog të ndërmjetësuar nga BE, sepse nuk ka presion të brendshëm publik në Serbia për ta njohur Kosovën, meqë hyrja e Serbisë në BE nuk mund të ndodhë para 5 vitesh (për arsye teknike të kohëzgjatjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE).

Kosova nuk duhet t'i bëjë asnjë lëshim/kompromis Serbisë për privilegje të posaçme komunave serbe, të synuara nga Beogradi dhe BE-ja përmes Asociacionit (AKS), i cili është një skenar i vonuar i tipit të Bosnjës që do të shndërrohet përsëri në kërcënim (të vonuar në kohë) për nga brenda i pjesës veriore të Kosovës pasi që Serbia të anëtarësohet në BE.  

Kosova i ka ligjet tashmë për OJQ dhe shoqata/asociacione. Ajo nuk duhet që të krijoj ligje e statuse të veçanta për t’i hapur derën pushtetit të tretë për pakicën serbe, sado që ato do tentohet nga perëndimorët që të kamuflohen e paketohen kinse si jo të rrezikshme për funksionimit e shtetit të Kosovës.

Nënshkrimet e 2013 nga Hashim thaçi dhe 2015 nga Isa Mustafa për AKS janë bërë kur Kryetari I tashëm I SHBA-ve, Joe Biden, ishte njeriu i dytë në Shtëpi të Bardhë. Edhe ndryshimi i mbrapshtë dhe selektiv i kushtetutës dhe ligjit për gjykatën speciale në Hagë, janë bërë atëherë  kur Biden dhe njerëzit e tij të tashëm ishin në pushtet në Washington.  

Strategjia e ngadalësimit të negociatave me Serbinë  

Imagjinojeni presionin e brendshëm publik ndaj pushtetit në Serbi kur vendi fqinjë të ketë hapur dhe mbyllur 34 kapitujt e t'i ketë mbetur vetëm kapitulli 35 (Kosova), përkatësisht njohja e pavarësisë së Kosovës me kufijtë e tashëm të saj.  

Opinioni publik në Serbi me përmbylljen e kapitullit 34 do të jetë virtualisht në BE dhe me mendje tek anëtarësimi, aty duke pritur hyrjen praktike brenda në shtëpinë e BE-së.   

Në këtë skenar, i njëjti popull serb në Serbi, do e sheh derën e hapur për hyrje në BE, por pragun nuk do të mund ta kalojë për shkak të pengesës Kosovë që ia bllokon derën.  

Ky moment krijon atmosferën e presionit ndaj qytetarëve serbë dhe ndaj pushtetit në Serbië të llojit: BE apo Kosovë.  

Për këtë arsye strategjia që duhet të ndërtojë Kosova deri në arritjen e këtij momenti në relacionet BE-Serbi duhet që të fillojë me zvarritjen e dialogut në maksimum.  

a) Së pari ajo (Kosova) nën arsyetimin e 'confidence building measures' (ndërtimit të masave të besimit) ndaj BE-së duhet që të kufizojë dialogun (e të kërcënojë që të pezullojë hapjen e temave të reja - nga ato të tashmet që i ka hapur Avdullah Hoti: personat e zhdukur; të zhvendosurit dhe çështjet financiare/ekonomia - deri sa BE nuk ia heq vizat, përkatësisht deri sa qytetarët e Kosovës të fillojnë të udhëtojnë lirshëm nëpër Schengen zonën e BE-së.  

b) Me punën dhe rralimin e takimeve në Bruksel,  rreth vetëm këtyre 3 temave të dy vendet ndërkohë do të krijonin po ashtu 'masa të besimit të ndërsjellët', para se të piqen kushtet për marrëveshje përfundimtare eventuale me Serbinë.  

c) Kur të binden vendet e BE-së për 'kundërsulmin' dhe kokëfortësinë e Kosovës, të menduarit brenda BE-së do të mund të fillojë të ndryshojë dhe mund të ketë lëvizje për liberalizim të vizave e kështu gradualisht edhe për ndërrimin e trajtimlt të Kosovës si rast humanitar.  

Tentativave te BE-së për hapjen e temave të tjera, sidomos të AKS, duhet që të marrin përgjigje të prerë kundër nga Kosova për suspendim total të dialogut deri në liberalizim të vizave.  

Kundërsulmi ndaj Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit duhet që të përqendrohet në insistimin për drejtësi në gjykatën speciale për krimet e luftës që i ka bërë Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës duhet të jetë  parakusht për hapet e mëtutjeshëm rreth dialogut.   

d) Kosova duhet që të plotësojë/qartësojë/riformulojë disa nene të ligjit për gjykatën speciale, për të obliguar qartësisht  Krye-Prokurorin Jack Smith për t'u marrë pa vonesë me forcat serbe  dhe pjesëtarët e saj të viteve 1998-199 dhe personalisht edhe me Aleksandar Vuçiçin për krimet e luftës në Kosovë.  

Futja në rend dite të parlamentit të Kosovën të kësaj kërkese, duhet së pari të fillojë me mobilizimin e publikut, përkatësisht të familjarëve të viktimave anekënd Kosovës, për t'i bërë ballë dhe zmbrapsur presionin e ambasadorëve perëndimorë për plotësimin/qartësimin e ligjit për gjykatën speciale.  

e) Vuçiçi, Ivica Daçiçi dhe të tjerë si ata, duhet që të sqarohen para publikut kosovar, atij evropian dhe të SHBA dhe sidomos vet kryeprokurorit Jack Smith atje në Hagë, për rrolin e tyre në regjimin e Millosheviqit për krimet e shumta ndaj shqiptarëve.  

f1) Pas liberalizimit të vizave Kosova duhet që të aplikojë menjëherë për anëtarësim në BE ; dhe sidomos përgjatë dialogut, edhe pse BE do të kundërshtojë aplikimin duke u thirr në aspektet legale kushteve të zgjerimit të BE-së.  

Ky aplikim duhet të jetë edhe testim i krejt BE-së dhe 27 vendeve anëtare të tij për premtimet për 'integrime evropiane'.

Marrja apo mos-marrja e statusit të vendit kandidat, apo refuzimi i trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim pa marrëveshje me Serbinë dhe pa njohje nga 5 shtetet që nuk po e njohin Kosovën, do ta demaskonte dhe qartësonte  situatën e premtimeve dhe sidomos pozicionin e 5 vendeve  të BE-së ndaj Kosovës dhe fatit të saj për hyrje në BE, në rast se ka më vonë marrëveshje finale me Serbinë.   

Kjo është ' the big confidence building measure" ( ndërtimi i masës së madhe të besimit) midis BE-27 dhe Kosovës dhe do të zinte pisk krejt Brukselin, Berlinin, Parisin dhe kryeqytetet e tjera të BE-së sepse do t’i detyronte që të deklarohen në të shkruar nëse Kosova ka ndonjë lloj garancie apo jo për hyrje në BE.  

f2) Në të njëjtën mënyrë Kosova ndërkohë duhet që të aplikojë edhe për anëtarësim ne NATO, të kërkojë përgjigje legale me shkrim nga NATO për  PfP (Partneriteti për Paqe) për të cilën ka aplikuar në 2012, si lloj 'confidence building measure » me 4 shtetet evropiane të NATOs që nuk po e njohin pavarësinë.  

Edhe nëse NATO do të gjente arsyetime legale negative njëjtë sikur BE-së, për PfP dhe anëtarërsim, testimi do të ishte I njëjtë edhe për vendet e NATO-s rreth premtimeve ndaj Kosovës për anëtarësim në NATO.  

Gjendja ekonomike në Kosovë, investimet e jashtme, Trepça, vendet e punës në sektorin privat  

g) Gjatë tërë kësaj kohe, Kosova duhet që të nxisë kompanitë perëndimore për investime në Kosovë me çka do të fillonte rritja e prodhimit, eksportit dhe punësimet në sektorin privat. Qeveritë e BE-së duhet të jenë ndihmëtare në këtë çështje madhore, po ashtu në kuadër të "confidence measure building" Kosovë-BE-, si lloj garancie e zhvillimit ekonomik në mënyrë që Kosova të ecën në rrugën e premtuar nga vet BE si ekonomi solide që synon hyrje në familjen evropiane e të të njëjtën kohë si lloj mënyrë konkrete për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi.  

Kosova duhet që të gjejë investitorë perëndimorë që të ringjallë dhe fillojë nxjerrë maksimumin nga Trepça, para se të piqen kushtet për njohjen nga Serbia, e jo të merret me Trepçën pas marrëveshjes përfundimtare.

Trepça duhet që të ringjallet bashkë me investitorët e jashtëm për të rritur vlerën e xeheve përmes prodhimit gjysmë-final dhe final, e jo vetëm nxjerrë xehe dhe shitur atë siç po bëhet tash me përfitime minimale.  

Këta hapa të më lartshënuar,  do të fillonin që të bindin gradualisht vendet e BE-së dhe të NATO-s se Kosova dhe populli i saj nuk durojnë më që të trajtohen si rast humanitar, por si partner që e do hyrjen në BE dhe NATO dhe si vend që eksporton stabilitet për krejt rajonin në të mirë edhe të  Evropës.  

Serbia e Aleksandar Vuçiçit po e bënë të kundërtën, ajo po e shantazhon BE-në me destabilizim në Bosnjë, Mal të Zi dhe veri të Kosovës dhe kufijtë e saj.  

Do të varet nga guximi i VV-së dhe krerëve të saj nëse qasja e Kosovës, qasja e popullit të Kosovës ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj perëndimit do të ndryshojë, përkundër presioneve e joshjet nga më të ndryshme që pritet që të rriten tash e tutje nga BE dhe SHBA ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të saj për kompromis me Serbinë.  

(Autori është themelues i agjencisë të lajmeve dtt-net.com dhe gazetar në Bruksel) 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)