Kur shëtitoret shndërrohen në rrugë publike, terrenet sportive në parkingje
Shkruar nga Ismet Azizi
Aforizma: Gilan he viran, dy mejhane e një hamam. Mos me kanë edhe shatërvani, vaj halli për Gilanin. Megjithatë, shatërvani i bënte gjilanasit krenarë. A kanë me çka të krenohen sot gjilanasit?
Në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, Prof, Dr. Qazim Lleshi, në rubrikën letrat e lexuesve të së përditshmes së vetme Rilindja , për Gjilanin shkruan: Qysh në vitet e para të pas luftës së Dytë Botërore arkitektët, që sishin aq të moçëm as për moshë as për përvojë, me konceptet vizionare dhe largpamëse të tyre urbanistike projektuan damarin kryesor rrugor perëndimlindje që ka një gabarit (40-60m) e që do ta lakmonin edhe qytet me mbi gjysmëmiloni banorë.
Kësisoj ata i siguruan qytetit frymëmarrje të lirë të trafikut edhe për tërë qindvjetëshin e ardhshëm. Ishte ky, sipas mendimit tonë, i vetmi qytet i Kosovës që zu të projektohej në konceptet e Edward Horward-it ( Qytet kopshte të së nesërmes).
Ndërsa në lidhjen me kancerin e Gjilanit thotë: Sëmundje e pashërueshme, janë përroskat e këtij dhe qyteteve të ngjashme me pak ujëra rrjedhës në vet indin urban: Prishtina, që tani po i mbulon këto: Vuçitërnës, e , deri diku edhe vet Gjakovës.
Megjithatë, profesori me renome , të cilit ia kanë lakmi shumë kolegë të tij nga ish Jugosllavia, për Gjilanin ishte shumë optimist, sa i përket rregullimit urbanistik, edhe pse nuk kishte asnjë arkitekt shqiptar në këtë kohë.
Tashmë i takon së kaluarës së largët aforizma e thurur për këtë qytezë të dikurshme : Gilan he viran, dy mejhane e një hamam,. Mos me kanë edhe shatërvani, vaj halli për Gilanin. Profesori Lleshi nuk është në mesin e të gjallëve, ka vite që ka ndërrua jetë. Sikur ta shihte Gjilanin e sotshëm se si duket i rregulluar nga alamet urbanistët tanë, si kishte me reaguar?!
Në këtë kohë, kur profesori megjithatë kishte fjalë miradije, Gjilani e ka pas vetëm një fushë basketbolli të hapur ku të rinjtë e qytetit kishin mundësi për të krijuar një treshe për të provuar lojën 10- 15 minuta në basketboll.
Ndërsa sot, përkundër mundësive shumë më të mira, për të rinjtë ndërtohen salla gjysmake, ndërsa terrenet sportive shndërrohen në parkingje të automjeteve (shih foton parku pran shollës Abaz Ajeti).
Mandej, profesori i respektuar, para më tepër se tridhjetë viteve, lumin Mirusha e ka diagnostifikuar me sëmundje të pashërueshme.
Me vite të tëra, investohet, e punohet në ndërtimin e shtratit të lumit Mirusha, nga këta alamet urbanistë, ndërtimtarë, hidrologë, gjeologë, ambientalit dhe lejojnë vetës që një politikan, në këtë rast kryetari i komunës, Lutfi Haziri, të identifikojë problemin e rregullit të shtratit të lumit Mirusha për shkak të mungesës së ujerave rrjedhëse.
Të njëjtit ekspert të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, investimet marramendëse në rregullimin e shtratit, gjegjësisht shëtitores përgjatë shtratit të lumit në fjalë, e kanë shndërruar në rrugë automobilistike (shih foto). Krejt këto janë investime nga taksat e qytetarëve gjilanas.
A nuk janë këta ekspertë të urbanizmit të cilët ato pak dyqane afariste që ishin përreth Çarshisë së Xhamisë, që ishte vendosur në kryqëzimin e arterieve kryesore rrugore, edhe vet Xhamisë ia ndryshuan arkitekturën që paraqiste element të renesancës? Edhe dyqanet rreth xhamisë kanë merituar të ruhen.
Dëmet që po u shkaktohet jo vetëm qytetit , por edhe fshatrave është ndërtimi në tokat e bukës. Edhe në të kaluarën nuk u kursyen tokat e bukës.
Pothuajse të gjitha objektet e karakterit të posaçëm, përkatësisht industriale, janë ngritur në tokat më të mira të bukës. Humbja e tokave bujqësore vazhdon për çdo vit e më tepër.
Kosova për çdo vit i humb 1000 hektar tokë pune në vit. Zyrtarët komunale nuk kanë përgjigje për hektarët e humbur të tokës së bukës.
Të flijohet toka e bukës në llogari të ndërtimit të lagjeve të reja nuk është me vend. Gjilani nuk ka një park kompleks , siç duhet ta ketë një qytet.
Ndërtimet po planifikohet me nguti, pa hapësira të gjelbëruara dhe parkingje, e për qytet të ri nuk janë gjetur zgjidhje afatgjate në lokacione tjera, apo për këtë nuk mendohet fare.
Bile ka paralajmërime se rruga e cila kalon nëpër qendrën e qytetit do të zgjerohet në dëm të parkut të qytetit. Ky veprim do të ishte më tepër se skandaloz.
Në vend që të shkarkohet qendra e nga automjete, dikush nga ekspertët planifikon ta ngarkoj dhe ta ndotë edhe më tepër qytetin.
Shpresojmë që në të ardhmen gjeneratat e reja të ekspertëve do të marrin mësim e shembuj nga vendet perëndimore, dhe se nuk do të mendojnë se si të pasurohen. Ti kryejnë obligimet e marra, dhe të jenë të përgjegjshëm para qytetarëve.