23 Dhjetor 2024

Kur ora kthehet mrapshtë, nga njerëz të mrapshtë

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
 
Kush luftoi dhe kush mrizoi: Sikur në asnjë vend të botë, në Kosovë, 20 vjet pas përfundimit të luftës janë rikthyer debatet se kush e nisi luftën, kush e bëri luftën dhe kush e fitoi luftën.

Në këtë debat të pavlerë, më agresivët janë ata që, jo se nuk bënë asgjë për luftën por e penguan ate.

Këtë po e bëjnë për faktin se fituan hapësirë për këtë pikërisht nga ata që e bënë dhe u sakrifikuan për luftën por se nuk u gjetën si duhet në kohën e paqes për faktin se një numër i tyre u përfshinë në aktivitete të krimit të organizuar, korrupsion, e shndërruan nepotizmin në rregull dhe standard moral e sidomos e çkrryen Kosovën përmes procesit të privatizimit.

Ata që në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr, Komandantin Legjendar Adem Jasharin e identifikonin me paramilitarë të Serbisë e që Bacën e Madh, Frymëzuesin , Vetëdijen dhe Ndërgjegjen Kombëtare, Adem Demaçin e konsideronin si marksist, enverist dhe mbanin mbledhje duke e cilësuar më të rrezikshëm se vet Serbia, sot po shiten si bartës të luftës të cilën nuk e bënë asnjëherë.

Po këta horra të luftës dhe të paqes, Komandantin Legjendar, Adem Jashari mundohen ta bëjnë ushtar të Ibrahim Rugovës ndonëse e kanë të qartë se sa për Rugovën në Kosovë nuk do të bëhej luftë as në 5000 vjetët e ardhshëm.

Nuk e them se Rugova nuk e ka dashur lirinë e Kosovës dhe shqiptarëve por e them se nuk ka qenë në gjendje  të marrë përgjegjësi siç mori Izetbegoviqi në Bosnje apo Tugjmani në Kroaci. Ose, në variantin më të butë nuk ishe në gjendje të merrte përgjegjësi as sikur Kuçani në Slloveni ndonëse që të dy ishin komunistë, me bindje dhe në veprim.

Prandaj duhet të bëhet një ndarje e saktë midis atyre që e bënë luftën dhe atyre që mrizuan para, gjatë dhe pas luftës ndërsa, sot i ndajnë dekorata patriotizmi  vetes sikur të kishin qenë ushtarë të Xhingis Kanit që e pushtuan gjysmën e botës e jo dele të metilosura që mrizonin në shtetet perëndimore duke u paguar nga Fondi i 3% apo duke bërë sfilata “ ushtarake “ në Shqipëri pas së cilës, ndonëse humbën jetën në aksidente trafiku apo mënyra tjera e që nuk kishin lidhje fare me veprime ushtarake, sot, për turpin e tyre janë veteranë të UÇK-së  si dhe janë shpallur edhe heronj të Kosovës.

Lexova dikund se edhe legjendari Fehmi Lladrovci po nëpërkëmbet dhe fyhet rëndë nga matufë biologjik dhe tartufë kombëtarë dhe njerëzorë sepse nuk paska qenë një një linjë me Rugovën. Edhe nuk ka qenë sepse kanë ndryshuar diametralisht, Rugova ishte i mrizit, Feha me Xhevë Lladrovcin ishin të zjarrit që e dëshmuan me rënien e tyre heroike.

 Rugova nuk ishte komandant prandaj nuk ishte as ushtar kurse Fehmi dhe Xhevë Lladrovci kishin komandantë politik Bacën Adem Demaçi kurse ushtarak, Komandantin Legjendar Adem Jashari Tash, është e ulët të ndahen luftëtarët në baza partiake sepse në kohë të vështira kombi ishte mbi të gjitha e jo përcaktimi partiak apo politik.

Sot flitet për FARK-un (Forcat e Armatosura të Kolumbisë) dhe UÇK-në, Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Sipas strategëve të mrizit, vetëm FARK-u paska bërë luftë ndërsa UÇK-ë jo. Gënjeshtër ordinere dhe mburravecëri prej bibani. Në Kosovë nuk ka pasur asnjë ushtar me uniformë të FARK-ut !

Mbase kanë mundur të kenë brekushe apo të linjta me mbishkrim FARK. Kush e ka dashur lirinë e Kosovës dhe kush ka qenë me përmbajtje kombëtare nuk ka pasur kohë të qëndisë shkronja në uniformat e tyre.

Çfarë rëndësie ka se çfarë pozicioni politik ka pasur Agim Ramdani, Sali Çeku dhe të tjerët kur vepra e tyre si dhe sakrifica sublime i ka shndërruar në heronj duke i bërë pjesë të përjetësisë!

Sa të jetë njerëzimi dhe shqiptaria, heronjtë dhe ata që u sakrifikuan për liri pavarësisht se me çfarë gjuhe politike flisnin do të jenë në secilin nga ata që e duan, e respektojnë, e kultivojnë, e përkujtojnë dhe nuk e harrojnë lirinë, si detyrim moral, kombëtar dhe njerëzorë ! Historinë e shkruajnë ata që e bënë me gjak dhe sakrifica kurse nga ajo përfitojnë ata që ishin kundër kësaj historie apo një historie tjetër apo që  e bëjnë fotokopje ose xerox histori ! Me një fjalë; horra të pasluftës e të tillë ka shumë!

Lexova dikund se Rugova paska bërë lista për ushtrime ushtarake në Shqipëri e që është mashtrim ordiner kur dihet se pikërisht Rugova ishte 100%  kundër luftës, jo pse nuk e deshte lirinë por se i mungonte gatishmëria për sakrificë dhe përgjegjësi!

Rugova ishte patriot i paqes dhe jo i luftes në ndërkohë që rruga drejt paqes domosdoshmërisht kalon përmes luftës. Sot Rugovën e madhërojnë ata që nuk e kanë dashur kurrë, që nuk e kanë respektuar dhe që i kanë bërë njëqindmijë probleme!

Sot Rugovën , në mungesë të ofertës politike e përdorin dhe keqpërdorin vetëm për vota, në luftë për pushtet dhe jo për shtet.

Se këtë e bëjnë një pjesë komuniste e LDK-së e që për mua nuk paraqet problem por se këtë e bënë edhe një pjesë e krahut të luftës e që në rrethana të atëhershem, po ta zinin Rugovën, do t’ia bëni lëkurën për def apo tupan, është pafytyrësi antologjike!

A ishte Zahir Pajaziti ushtar i Rugovës: Po thuhet se Zahir Pajaziti ishte ushtar i Rugovës apo pjesë e listës për ushrime ushtarake në Shqipëri e që e kishte bekimin e Rugovës. Duhet të jeni, së paku në nivelin e tretë të çmendurisë e ta besoni këtë.

Në atë kohë listat për ushtrime ushtarake në Shqipëri i ka bërë Baca Ahmet Haxhiu, një patriot i pashembullt sikur që edhe furnizimi me armë ka shkuar kryesisht përmes Bacës Ahmet e që për këtë prapa qëndronte Baca Adem Demaçi.

Edhe unë, pas daljes nga burgu thuaja 9 vjeçar e që paqësorët na thonin se nuk ishim në burg por se ishim në hotele, së bashku me gruan time Fexhrien e cila ishte torturuar thuaj 12 muaj nga vëllai i bashkëthemeluesit të UJD-it, si e burgosur politike ishim në lista për ushtrime në Shqipëri.

Unë, nga hija, së bashku me Bacën Ahmet Haxhinë shpërndanim armë në Llap dhe Gollak, me veturat e Bacës Ahmet.

Realisht, armët ua shpërndanim për 5 minuta ndërsa kur shkonim t’ua merrnim prapa për faktin se nuk kishin gatishmëri t’i përdornin, duhej të prisnim më shumë se një orë deri sa i nxirrnin nga vendi ku i kishin mëshehur fort.

Për fat të mirë, sot ka në mesin e të gjallëve të tillë që i kanë përdorur ato armë por edhe të tillë që i patën futur shtat pashë nën dhe dhe që na   i kthyen pasi kishin filluar të ndryshken.

Këta sot janë bartës të pozitave të ndryshme, kanë emër dhe mbiemër dhe, nëse ka nevojë mund edhe t’i bëjë publik!

Dëshmitarë për këtë dhe bashkëpjesëmarrës shumë të përkushtuar në këto aktivitete ishin Nuhi Llapqini dhe Dul Taraku, shoqërues dhe përkrahës deri në vdekje të Bacit Adem Dmaçi dhe Bacës Ahmet Haxhiu.

Fëmijët e torturuesve tanë (policë hetues, udbashë, inspektorë, prokurorë apo edhe gjykatës që na dënuan) sot janë sistemuar si më së miri; këshilltarë te presidenti, në Kuvendin e Kosovës, kryeministri dhe, në shumicën e rasteve nuk paguhen nga Buxheti i Kosovës apo marrin paga të larta kurse fëmijët tanë kryesisht janë të papunë apo bëjnë punë në kundërshtim me shkollimin që e kanë.

Pikërisht për këtë arsye është kthyer situata në favor të atyre që e kundërshtuan, e luftuan dhe e penguan luftën prandaj edhe po bëjnë përpjekje ta marrin autorësinë e luftës në kohën që nuk e kanë shkrepur as edhe një plumb të vetëm përjashtuar këtu situatën kur kanë shërbyer në forcat serbe apo kur kanë vrarë ndonjë patriot shqiptar!

Po të pyetej Rugova, Zahir Pajaziti kurrë nuk do të bëhej Zahir që e njohim dhe që u sakrifikua deri në vetflijim, por do të mbetej një aparatçik sikur disa nga  këta kasnecët e ish Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë, të konvertuar në LDK  por edhe në PDK!

Sot, kryesisht është koha e antivlerave. Vlerat e vërteta nuk përmenden. Komandanti Legjendar Adem Jashari është përzënë nga territori i Prishtinës kryetari i së cilës e ruan me xhelozi përmendoren e Vëllazërim – Bashkimit apo Tregishtërinjt  për të mos i lëshuar vend Adem Jasharit.

Baca Adem Demaçi as në atë botë nuk ka qetësi nga matrapazët që e kanë shndërruar varrin e tij në një vendparkim në vend se të bëhet në një vendtakim për ata që e duan lirinë dhe ku do të mësohej historia e vërtetë kombëtare dhe njerëzore.

Po pse u bë kështu dhe a mund të bëhej ndryshe: Pas  përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia e ruajti strukturën e padëmtuar informative dhe thuaja të gjithë spiujt që i kishte. Këta pastaj u integruan si tërësi në UNMIK e që pastaj u shpërndanë në Polici, Hetuesi,  Prokurori dhe Gjykata.

Thuaja e trashëguan tërë hapësirën mediatike, të shkruar dhe elektronike. U shpërndanë nëpër Ambasada të huaja si këshilltarë dhe përkthyes sikur që  u bënë anëtarë të organizatave ndërkombëtare ku punonin kryesisht kundër intereseve kombëtare. U bënë opinionistë e analistë. kurvarë dhe zuzarë, intelektualë  dhe politikaj, konsuj dhe ambasadorë dhe, pas këtij konvertimi u bënë patriotë që na lënin në hije.

Tash, shokët tanë të burgut, vuajtjeve, sakrificës dhe luftës duke bërë përpjekje t’i instrumentalizojnë këto fundërrina njerëzore dhe kombëtare, pahetueshëm e bënë pjesë e kësaj përzierjeje që kundërmonte nga ndyrësira, me një dozë të parfumit kinez.

Telefonat celularë i kishin të hapur për ta 24 orë kurse për shokët e dikurshëm e kishin kurdisur përgjigjen: “ personi që e keni kërkuar nuk ka qasje në rrjet ...”. Një pjesë e shokëve tanë u bënë hajdutë, kriminelë, vrasës, zhvatës dhe pisa shkuar pisave.

Sot në Kosovë e keni të vështirë të gëzoni respekt nëse nuk jeni pjesë e nomenklaturës së krimanalizuar, nuk mund të bëni karrierë nëse nuk keni një aktakuzë për korrupsion apo krim të organizuar kurse, majat kur nuk do t’i mbërrini nëse nuk jeni të dënuar me, së paku 3 vjet burg efektiv për aktivitete kriminale!

Për faqe të zezë u festua 20 vjetori i lirisë së Kosovës dhe nuk u përmend Adem Jashari kurse Bacën Adem Demaçi e përmendi në një postim vetëm Xhavit Haliti. Askush nuk përmendi ideologun e politikës dhe filozofisë kombëtare, Ukshin Hotin.

Askush nuk përmendi Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahun, Sali Çekun, Ilaz Kodrën, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Hafir Shalën, Xhavit Hazirin, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Remzi Ademajn dhe të tjerët të cilët edhe me një pordhë të tyre kanë kontribuar më shumë për lirinë e Kosovës se 95% i parazitëve që bënë sfilatë në Emerald nën përkujdesjen e Baby Doll.

Çdo kohë i ka heronjt e vet dhe horrat e vet që e vulosin kohën kur jetojnë dhe veprojnë. Sot, Kosova, në jo pak raste heronjt real i ka zëvendësuar me horra real.

Që të dy palët janë real por se horrat sot janë më real se real duke falenderuar pikërisht atyre që është dashur t’i luftojnë këta horra e që, në jo pak raste edhe vet janë bërë horra. Vlerat e vërteta mbijetojnë çdo kohë kurse koha pashmangshëm i gjuan horrat aty ku e kanë vendin, në plehra. Pa mundësi riciklimi ! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)