Kur Kryeministri fol për Shëndetësinë me një papërgjegjësi prej një të padituri
Shkruar nga Muharrem Kuçi
Kur Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, më 9 Nëntor 2016, gjatë pritjes së sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Diabetologëve Evropianë, Dario Rahelic, i cili shoqërohej nga doktorët kosovarë, Luan Gola dhe Bardhyl Gashi, theksoi se Shëndetësia është prioritet i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës, si profesionist i fushës ndihesh i zhgënjyer por edhe i fyer me papërgjegjësinë e zyrtarit të parë të qeverisë, që do të duhej të matej mirë çfarë thotë dhe si e thotë.
Retorikë e thatë dhe shumë e papërgjegjshme!
Me çka e argumenton ai angazhimin për të arsyetuar këtë pohim. Me asnjë veprim as Ministri i Shëndetësisë që vjen nga partia e tij dhe as Kryeministri nuk e kanë dëshmuar me asnjë veprim deri më tani se Shëndetësinë e kanë prioritet të qeverisjes në këtë mandat.
Madje as për kategorinë e të sëmuarëve nga Diabeti nuk ka bërë ndonjë veprim që do tju lehtësonte vështirësitë dhe problemet që i atakojnë këtë kategori (sigurimi i barnave nga lista esenciale dhe participimi në koston e tyre, mundësi rehabilitimi apo mbështetje të familiarëve)
As pas më shumë se dy vitëve edhe përkundër trumbetimit të reformave të parapara asnjë veprim konkret në implementimin e ligjit për sigurimet shëndetësore nuk është bërë.
Kur krahason Ligjin për Buxhetin e vitit 2017, buxheti dhe mjetet e parapara për Shëndetësinë, jo që nuk vërtetojnë pohimin e Kryeminitrit se e ka prioritet, por se duket qartë se Qeveria as që e ka ndërmend të angazhohet seriozisht për përmirësimin e situatës në Shëndetësi.
Me këtë buxhet asnjë implementim nuk është i mundur e lëre më përmirësimin në investime në infrastrukturë dhe në kushtet e punëtorëve shëndetësor që është një parakusht për përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore.
Të gjitha hapat e ndërmarrë deri më tani kanë treguar përkushtimin e qeverisë për të kontrolluar gjithçka në këtë sektor, sidomos ato segmente ku paraja qarkullon më shumë (Tenderomania)!
Personeli mjekësor po lëshon vendin, paknaqësitë e këtyre profesionistëve janë në kulm, e gjithë kjo mund të qoi shumë shpejtë në një kolaps të plotë të ketij sistemi shumë të vlefshëm të shoqërisë sonë.
Ështe koha e fundit që kryeministri dhe vartësit e tij të peshojnë mirë deklaratat e tyre që nuk janë aspak bindëse për qytetarin e thjeshtë e lëre më për ekspertët e fushës.
Pasojat për dështimet që janë evidente së fundmi do bijnë mbi ta si përgjegjës për propagandën e vazhdueshme dhe të rreme.
Këto dështime nuk mund ti faturohen askujt pos juve dhe vartësve Tuaj, Zt.Kryeministër?
/Autori është sekretar për Shëndetësi i NISMËS për Kosovën/