27 Dhjetor 2024

Kur do të fillojë 'akademiku' Gecaj ta mësojë shkrim-lexim 'fillorstin' Qosja

Shkuar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Demokracia e dhunuar nga njerëz të shantazhuar: Bajram Gecaj është rast sui generis apo rast i pa shpresë përkthyer në gjuhën shqipe, në kontekstin politik.

Kur nga një persekutues i deputetëve të Kosovës, që i fuste nën shkallët e Kuvendit për t’ua komunikuar qëndrimin apo më e drejtë ta them vendimin e të fortëve, pa lejen e të cilëve e keni pasur të ndaluar të shkoni edhe në WC, pata menduar se është i veshur me fuqi dhe se deputetët e Kosovës kanë pasur arsye të pëshurren më vete për shkak të mosdhënies së vizës nga Bajrami të shkojnë aty ku edhe mbreti shkonë këmbë!

Në injorancën time pata menduar se Bajram Gecaj do të bëhet ylli ndriçues i reformimit demokratik të LDK-së, parti që pati mbetur në kornizat e Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të ish Krahinës së Kosova dhe Metohisë!

Një kohë ka jetuar dhe vepruar në Londër  prandaj, domosdoshmërisht pata menduar se është fisnikëruar me mbushje demokratike që do t’i shërbente partisë nënë me të kaluar kryesisht komuniste.

Angazhimi i mëvonshëm te të huajt që vrajnë dhe kthjellin ( të kthjellin, shumë rrallë ndodhë kjo ) ma ka forcuar bindjen se, Bajrami, nëse nuk është baba i demokracisë atëherë, së paku është nëna e demokracisë që aq shumë i mungon sot Kosovës përkundër faktit që shumica e partive politike në Kosovë shpërdorojnë me  demokraci, si në emërtim, ashtu edhe në veprim apo mos- veprim! 

Si i padijshëm i madh që jam, kur Bajrami e lëshoi punën dhe u largua nga Orakulli i Zeusit të Dragodanit ( më vonë doli se nuk ishte ashtu ) u sigurova se Bajram Gecaj do të bëhet Mesi i LDK dhe doli se nuk u bë as Adnan Januzaj!

 Thashë, amerikanët e bënë këtë transfer të kushtueshëm që LDK të reformohet dhe forcohet por edhe këtu gabova në vlerësimin tim.

Bajrami, për fat të keq të Kosovës nuk u bë deputet në mungesë të votave për ta provuar në lëkuren e vet fatin e deputetëve që i persekutonte,  nën shkallët e Kuvendit.

Këtu dhe me këtë rast  Zoti tregoi mëshirë ndaj robit të vet!  Pastaj,  u bë sikur të gjithë ata që i shërbejnë padronit, për ta zënë një vend pune për punën që nuk e bënë dhe që nuk e pyet askush e që nuk do të duhej të ishte ashtu, u bë këshilltar politik.

Është rregull i shkruar dhe i pashkruar te ne se këshilltarët, në të shumtën e rasteve emërohen si të tillë për t’i larguar nga skema sociale, për ta marrë një rrogë që nuk e meritojnë, për ta mbuluar padronin gjithmonë kur ai nuk dëshiron të flasë, për ta ndryshuar kalendarin duke i bërë 365 ditë të vitit 1 Prill,  për ta shpërfaqur kompleksin e inferioritetit duke thënë se lëkurës së luanit i shkon për bukuri trupi i qenit, për t’u shndërruar në yll pornografik në mediet e kurvërisë dhe aktivitete tjera që, në fund të fundit më së shumti e dëmtojnë vet liderin apo politikanin për të cilin ordinojnë me aq përkushtim, pa pasion por me një dinakëri prej një kurveje të trishtë.

Sot, personat që më së shumti i rrezikojnë politikanët në raport me qytetarët, përveç mos punës së tyre, janë shoqëruesit e tyre, këshilltarët që nuk i pyet askush për asgjë dhe vozitësit që, nga madhështia që e ndjejnë me të hypur në 200 e më shumë kuaj mendojnë se kanë kapur majat e botës!

Në Kosovën  e pasluftës, ka pasur politikanë që edhe jetën e kanë humbur për shkak të kësaj kasteje të të padijshmëve por të veshur me arrogancë që ua jepë pushteti i liderëve! Edhe në këtë rast nuk dua ta përgjithësoj këtë dukuri sepse nuk janë të gjithë njësojë, në mesin e tyre ka të mençur dhe të ndershëm.

Prej këshilltarit impotent ( si shumica e këshilltarëve ), përfitoi nga patenti i Hashim Thaçit për t’i sistemuar të pakënaqurit dhe lakejt duke u emëruar si zëvendësministër.

Ndër “ margaritarët “ e shumtë të Hashimit,  posti i zëvendëministrit është thesi ku ka vend për të gjithë të pakënaqurit, të palarët, kundërshtarët politikë, përfaqësues të mediave të “ pavarura “ , kurvat politike dhe prostitutat strategjike dhe mbetjet e tjera titiste, komuniste por edhe ato enveriste!

Hashimi ka qenë i detyruar ta bëjë këtë  në pamundësi ta klonojë Edita Tahirin dhe postin e saj! Bajrami, me këtë emërim hyri nën komandën e pasardhësit të Lëvizjes Çetnike, Vojvodës nga Republika Srpska, Lubomir Mariq, tash zyrtar i lartë i Vuçiqit në Kosovë.

I tillë ka qenë edhe si ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës . Gabimi strategjik i Bajramit ishte se u bë, mbase për shkak të Kosovës, zëdhënës dhe aryetues i të gjitha veprimeve bllokuese të serbëve në Kosovë.

Edhe ashtu Lista Srpska nuk kishte zëdhënës. Shkëlqimi i Bajram Gecaj ishte përballja me VV . Ndonëse aktivistë të VV e bënë Bajramin omlet dhe ia dëmtuan veturën e gruas, Bajrami kurrë nuk u tërhoq dhe, në komunikim me VV krijoi një epërsi të dukshme.

Pra, nuk mund të thuhet se Bajrami është frikacak por se është mjeshtër i kundërgoditjes, qoftë në mbrojtje të vetes, liderit apo partisë ku nuk llogaritet se ka aksione të mëdha!  Bajrami  hyri në luftë frontale duke ua kthyer goditjet në proporcion me ato të kundërshtarëve, kryesisht goditje nën brez.

Dëmi që prodhuan këto goditje ishin të papërfillshme sepse Bajrami hynte në luftë me ata që nuk kishin koqe apo ato i kishin me afat të skaduar. Si censor autoritar e bëri listën për ekzekutim edhe për anëtarët e LDK-së, të padëgjueshmit e partisë.

Mos u habitni, se pas ndonjë zhvillimi eventual dramatik brenda LDK-së, Bajrami do ta luante rolin e Pont Pilatit për ta shqiptuar dënimin për kryqëzim të Isa Mustafës . Tash e ka lehtë për t’i larë duart  sepse Shpendi na “ siguroi “ furnizim me ujë 24 orë.

Roli historik i Bajram Gecajt në formimin e ushtrisë së ....Kosovës dhe kundër bashkimit kombëtar:  Bajrami Gecaj hyri në luftë edhe me Akademik Rexhep Qosja sepse akademik Qopsja e paska shfrytëzuar njërën ndër të drejtat elementare të njeriut, lirinë e fjalës dhe lirinë e mendimit!

Paska folur për dy gjëra krejtësisht normale për një shtet dhe për një popull; formimin e ushtrisë dhe bashkimin kombëtar, të dy këto të drejta të mohuara padrejtësisht nga ata që vrajnë dhe kthjellin dhe kanakari i tyre, Serbia çetnike me ambalazhim demokratik!

Pasi e lexova postimin e Bajramit fitova përshtypjen se ky nuk është ndonjë sulm ndaj Rexhep Qosjes sa nevoja për protagonizëm të vet Bajramit sepse, luani nuk gjuan miza prandaj edhe Bajrami nuk e sulmon çdo njeri, qoftë edhe politikan të jetë ai!

Në hyrjen e këtij postimi “ Akademik “ Gecaj ndjen nevojën ta informojë, sikur Papa në enciklikën urbi et orbi, se përveç se është zëdhënës i politikës, është i mbathur me njohuri të thella për artin, muzikën dhe filmin.

Peronalisht mësova dhe përfitova shumë nga ky postim sepse dëgjova, për herë të parë se Millosh Forman qenka regjisor dhe e paska bërë regjinë për filmin Amadeus.

Dëgjova për Salierin, për të cilin, po të më kishte pyetur dikush, do të më zinte shumë ngushtë sepse do të përgjigjesha se është qendërmbrojtës i Fiorentinës. Për herë të parë dëgjova edhe për Mocartin, falë Bajramit.

Në fakt,  emrin e këtij Mocarti e pata parë në çokollatat që i sillnin më parë nga jashtë e që tash shiten edhe në shitoret e zëvendëskryeministrit të Kosovës të importuara nga Serbia, si vend mik dhe mbështetës i Kosovës.

Të flasim pak për “ mëkatarin “ Qosja, i cili nga “ Akademik “ Gecaj u quajt analfabet politik dhe jo vetëm politik. Të cilin po ky Gecaj, duke i mbajtur një mësim politik, kombëtar dhe intelektual duhet t’i mbajë një kurs kundër analfabetizmit.

T’ua them të drejtën kohëve të fundit i lexoj vetëm dy persona që, në një mënyrë a tjetër i kam shndërruar në hyjni ; Zafir Berishën dhe Bajram Gecajn.

 Më herët e lexoja edhe Beratin  por shkaku se është më i zoti se unë në shkrime po e bëjë siç e bënë çdo shqiptar, po e injoroj në përpjekje ta ngyshëlloj veten.

Halil kosovarin moti, së bashku me Nexhin e kam lëshuar në bifurkacionin e Neredimes duke i dërguar në Detin e Zi, ku edhe e kanë vendin! Definitivisht, nuk e lëshoj asnjë shkrim pa e lexuar e që autore është Hyjnesha në Fron e shkrimeve shqip, Kimete Berisha! 

Po tash mund të pyesni pse jam aq i dhënë pas postimeve të Zafës  dhe “ Akademik “ Gecajt?! Po e filloi me Zafën sepse është i pakrahasueshëm me “ Akademikun “.

Kur e kam pyetur Zafën se si arrinë që në postimet që i bënë në një fjalë prej 5 shkronjave t’i bëjë 6 gabime përgjigja e Zafës ishe se gjatë luftës në mal e ka përfunduar Akademinë e Luftës e jo  Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe.

Përgjigje e sinqertë që të ç’armatosë nga çdo kritikë kundër tij! Kurse “ Akademiku “ Gecaj në postimet që i bënë lë  përshtypjen se vërtetë është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës duke bërë krime kundër Morfologjisë dhe Sintaksës shqipe!

Disi, fitoni përshtypjen se se korigjimet gjuhësore të postimeve të shumta të Barjamit ia bënë ish shefi i tij, Lubomir Mariq!

Ushtrinë time do ta bëjë ...me Lista Srpska:  Çdo vend normal e ka ushtrinë, nëse jo për ta sulmuar dikend atëherë për ta mbrojtur vendin dhe qytetarët.

Të gjitha shtetet që janë formuar nga shkatërrimi i Jugosllavisë së kriminelit Tito, komandantit të vrasësve të nacionalistëve shqiptarë në kryengritjen e Drenicës e që udhëhiqeshin nga Fadil Hoxha të cilën Limoza, valltarja ekzotike e Gadafit po e përjeton në bronz, kanë formuar ushtrinë dhe po bëjnë gara në armatim.

Serbia po armatoset fuqishëm nga Putini sikur që prodhon edhe armë të rënda për shkatërrim në masë e që shkaku se ka qenë përgjegjëse për katër luftëra në Ballkan, me qindra – mijëra të vrarë dhe miliona të zhvendosur është dashur të ketë kufizime, si për numrin e ushtarëve, sidomos është dashur t’i bëhen ndalesa për armatimin e saj!

Kosova, si shtet enda i pakonsoliduar, ende nuk e ka funksionale as shoqatën e gjuetarëve dhe peshkatarëve e mos të flasim për ushtri. Hashim Thaçi është Hudini shqiptar, magjistar i improvizimeve politike, kryesisht me përfundime negative mirëpo improvizimi që e bëri me transformimin e FSK në FUCK ( FAK ) ishte me vend sepse i lëvizi disa procese.

Së pari u identifikuan ata që janë kundër FAK-ut si dhe dyfytyrësia e ndërkombëtarëve që nuk reagojnë kundër armatimit galopant të Serbisë kurse janë kundër pushkallave të FSK-së. Thaçi e gjuajti topin në fushë dhe luani nëse keni ekip! Është i pështirë fakti se kam disa miq në të gjitha subjektet politike që deklarojnë se do të nënshkruanin çdo gjë që vjen nga “ miqtë” ndërkombëtarë, pa e lexuar fare.

Ma kujton një detaj të “ kualifikimt “ për Rambuje para arbitrit Robin Kuk i cili i testonte shqiptarët nëse janë të përshtatshëm për të shkuar në Rambuje.

Baca Adem, me t’i parë ato 10 pikët e panegociueshme, refuzoi të shkonte në Rambuje kurse Robin Kuk, për ta bindur i tha se para teje ishte këtu Ibrahim Rugova i cili pranoi  ftesën pa pasur nevojë të lexonte asgjë.

Atëherë Baca Adem i drejtohet Albinit me fjalët: “ thuani zotit Kuk  se unë nuk jam i mençur sa Rugova për të pranuar diçka që nuk e kam lexuar...”.

Pyeteni Albinin për këtë rast. Duket se “ Akademik “ Gecaj e konsideron se ushtria e Kosovës ishte formuar nga gjenerale Adelina, me komandant Ibrahim Rugovën.

Po të besohej në këtë përrallë atëherë sundimi i Kosovës nga turqit do të dukej pushim se sa do të sundonte Serbia në Kosovë po të mos dilte në skenë e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës ku ushtarë ishin të gjithë ata që e donin lirinë e vendit, pa dallime partiake.

Liria e Kosovës i kishte dy komandantë; komandantin politik Bacën Adem Demaçi dhe komandantin ushtarak, të pavdekshmin Adem Jashari!

Nëse pritni që Lista Srpska të votojë për formimin e Ushtrisë së Kosovës atëherë nuk jeni në tokë të bukës sepse kjo listë do të votojë vetëm atëherë kur të fitojë aq shumë favore për Serbinë e që janë shkatërruese për Kosovën ose në kohën kur ajo ushtri nuk do të jetë në gjendje t’i përzë as macet nga përsheshi! Pritni pra atë kohë! Edhe ti “ Akademik “ Gecaj!

A jemi për bashkim me Shqipërinë apo me Serbinë:  Asnjëherë nuk ka pushuar dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë, as në kushtet e robërisë së rëndë, as në kohën e Titos e komandant Fadilit, as në kohën e gjenocidit të Millosheviqit e as në kohën e sundimit të ndërkombëtarëve në Kosovë!

E pse të heqim tash dorë pikërisht kur demokracia do të duhej të jetë përcaktuese për respektimin e vullnetit të popujve dhe shteteve për mënyrën se si do të jetojmë apo me kend duam të jetojmë aq më parë që ndarja e shqiptarëve është bërë dhunshëm ndërsa ne nuk duam bashkim të dhunshëm por deklarim të lirë përmes referendumit apo ndonjë forme tjetër e cila po na mohohet nga Serbia, që është e kuptueshme por edhe nga baballarët e demokracisë, që nuk është e kuptueshme.

Kemi shkuar shumë para në demokraci sa që po pranojmë martesat e së njëjtës gjini për çka baballarët e demokracisë po na lavdojnë shumë sepse po e përmbushim një standard demokratik mirëpo po na çortojnë deri në kërcënim nëse flasim për bashkim me Shqipërinë.

E pse ka gabuar këtu Rexhep Qosja dhe pse e kam gabim unë nëse jam, e pa asnjë dyshim jam për bashkim kombëtar i cili do të ndodhë, jo më larg se në 25 vitet që vijnë. 

Atëherë mund të mos jem gjallë por mbetet fjala e shkruar e cila sot po na mohohet nga Bajram Geci, Nexh Unmikokosovari dhe Halil kosovari me “çetën  e profetëve të tyre të cilët mund t’i zë një autobus i Shpendit apo, në rastin më ekstrem një autobus harmonikë sikur është ai i 24 Yjeve që të çonë te shpia e Halilit.

Nëse do të kishte të tillë e sigurisht ka në të gjitha subjektet politike në Kosovë që do të angazhoheshin për bashkim me Serbinë, reagimi i ndërkombëtarëve do të ishte shumë mbështetës, pa asnjë dyshim!

Do të konsiderohej si një përmbushje e vullnetit dhe standard demokratik!  Bajram, me këto postime që i bënë po e dëmton shumë shefin tënd Isa Mustafën, partinë, anëtar i së cilës je me korrespondencë, LDK-në dhe intereset strategjike të shqiptarëve!

Ndryshe, në të ardhmën do të mbetesh pa angazhim politik dhe pa postin e patentuar nga Hashimi, ate të zëvendësministrit për punë të kota. Kurseje Isën se të ka bërë mirë, të cilit edhe ashtu PDK po donë t’ia rrjep lëkurën politike e që për mua nuk është aspak e ndershme. Këta të PDK-së që duan ta bëjnë këtë nuk kanë ardhmëri politike prandaj po e luajnë rolin e xhihadistit Xhon.

Mirëpo, nëse Isa Mustafa mbetet në mëshirën tënde apo biseksualëve politikë dhe moralë  të LDK-së, varianti që i ofron PDK do të ishte shpëtim për Isën apo Rruga për Parajsë.

Deri atëherë po pres kur ta fillosh kursin për riedukim njerëzor, kombëtar, moral dhe intelektual të Rexhep Qosjes sa i përket të drejtës për ushtri dhe bashkim kombëtar.

Nëse më pranon edhe mua, do ta pranoj me përulësi sepse po marr mësim nga një arkitekt që po na bind se lëkurës së luanit i rri bukur përmbajtja e qenit! Këtë nuk kanë arritur ta bëjnë as alkimistët më të shquar!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)