Kur do të bëhet Ivica Daçiq kryeministër i Kosovës, ika për Hungari
Shkruar nga Behxhet Sh.Shala - Bajgora
Kosova, Serbia dhe Mongolia: Kosova është ende shtet foshnjërak. Ende nuk ka shkuar as në klasën e parë ku mësohet alfabeti i shtetndërtimit dhe demokracisë. Përveç rrethanave duket se edhe mosha po e bënë të veten.
Vetëm sa ka mbushur 6 vjet që kur shpalli pavarësinë prandaj po na ndodhin gjërat që i tejkaluam pasi u zgjodhë kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe qeveria, gjithashtu.
Pati shumë probleme dhe garë se kush do të bëhet kryeministër apo se kush do të zë poste ministrore. Konkurrenca ishte e madhe dhe të gjithë ata që garuan ishin në gjendje të vdesin, jo për poste apo interese personale por për shtet, interes të qytetarit dhe të mirën e përbashkët!
Për këtë arsye edhe zgjati ngërçi politik sepse duhej të përzgjidheshin kuadrot më të mira në shërbim të qytetarit dhe shtetit. Më në fund u bë qeveria me hiç më pak se 21 ministri që janë më shumë se në Serbi dhe disi afërsisht me ato në Mongoli!
Mirëpo , për pëunë të mëdha , të mira dhe sakrifica për shtetin duhen njerëz të vendosur. Qeveria e re i plotëson të gjitha këto kushte! Edhe në aspektin fizik ( vëllimi ) e sidomos në aspektin profesional dhe intelektual! Merreni me mend, kliçka e Kosovës që thuaja është shtet në asistencë sociale dhe i ka 21 ministri me po aq ministra dhe së paku 50 zëvendësministra! Eu e mjera Mongoli po ku mbete krahasuar me Kosovën ?!
Qeveria e Kosovës është misionare e rendit të Nënë Terezës. Dorëlirë, e mëshirshme , empatike, simpatike , donatore , strehimore etj.sepse , Peshku i Artës është peshkëzhabë krahasuar me te. Për persona të caktuar, më shtrenjt kushton parapagimi për një biletë njëjavore të trafikut urban se parapagimi për një post ministror!
Vetëm në Kosovë ndodhë që nga pozita e deputetit të Skupshtinës së Serbisë të bëhesh ministër në qeverinë e Kosova dhe Metohisë ( vetëm të tillë e pranojnë )!
Dhe kjo ndodhë në qarkun kohor disa orësh! As Hudini, si ekzibicionisti apo magjistari më i njohur botëror i të gjtha kohëve nuk do të ishte i suksesshëm si Aleksandar Jabllanoviq.
Për ekzibicionet e shkëlqyera të Hudinit është dashur të paguhet bileta me një çmim bukur të lartë ndërkaq për prapaskenat dhe të palaratë e Jabllanoviqit dhe të Vulinit, si guru shpirtëror dhe politik i këtij trojani të Serbisë në qeverinë e Kosovës çmimi është shumë më i lartë ku shifrat janë të parëndësishme krahasuar me dëmet politike që po i bëhen Kosovës tash dhe që do ti bëhen në të ardhmën!
Paramendojeni situatën kur në Skupshtinën e Serbisë nuk mund të votohet kabineti qeveritar dhe kryeministri serb shkaku se Ballist Morina që aspak nuk e d ( r )onë Serbinë, ka shkuar në takim me Isa Mustafën , Edi Ramën dhe Ali Ahmetin dhe si kusht për formimin e qeverisë serbe ka; që ti kenë dy ministri, nënkryetarin e qeverisë dhe të Kuvendit, një dyzinë zëvendëskryeministra, zëvendësdrejtorin e BIA së dhe UDB-së , zëvendësinë e xhandarmerisë serbe si dhe të ushtrisë, zëvendëskomandantin e policisë serb, ndalimin e procesit të privatizimit të gjitha pronave në Luginë të Preshevës, kthimi i pronave Bashkësisë Islame të Kosovës në Kurshumli, Nish, Prokupje, Vrajë, Krushevc dhe vise të tjera nga , me dhunë janë dëbuar të gjithë shqiptarët që kanë pasur tapitë turke të vlefshme për atë kohë!
Këto të drejta i fituan Jabllanoviqi dhe drushtvo nga Lista Srpska në Kosovë, pa guxuar tu prishet as tymi i duhanit!
Megjithatë, Jabllanoviqi , ish posllaniku në Skupshtinën e Serbisë meriton një falenderim sepse në ditën e dytë kur u votua kryeministri dhe qeveria e Kosovës nuk na la ta presim shum sepse u vonua vetëm 25 minuta.
Një ditë më herët na ka lënë të presim nga ora 15.00 deri në ora 22.00 dhe të gjitha shikimet ishin drejtuar kah dera në të cilën do të duhej të hynte shpëtimtari Jabllanoviq! Po falë zotit Vulin dhe Gjuriq, Vuçiq, Daçiq dhe Nikoliq përfundimi ishte i lumtur për ata që këshut deshën. Doli përfundimisht që dyshtetësia e Serbisë është forcë reale ndaj mashtrimit për dyshtetësi të Sali Berishës!
Gjithashtu , brenda serbëve u bë diferencimi shkaku se serbët e Vulinit eliminuan nga skena politike serebët e Thaçit përkatësisht Sllobodan Petroviqin dhe Nenad Rashiqin të cilët gjatë angazhimit të tyre në institucionet e Kosovës kontribuan shumë më tepër se disa ministra shqiptarë!
Tash , Petroviq mbeti deputet ndërsa pozitë më të favorshme ka Nenad Rashiq i cili përveç se është deputet gjithashtu mund të organizojë kurse të gjuhës shqipe për disa deputet shqiptarë të Kuvendit të Kosovës!
Përbërja e kabinetit dhe muzika e Medës : Kishte befasi në përbërje të kabinetit qeveritar gjatë emërimit të ministrave që i përkasin pakicës kombëtare shqiptare në Kosovë!
Te serbët nuk pati befasi sepse për ta vendosi Beogradi. Jabllanoviqi mori një ministri ku ka shumë para dhe ku e ka statusin e ndërkombëtarëve që do të thotë se është i veshur me imunitet nga çdo përgjegjësi penale, pavarësisht se çka bënë!
Ky status i mos dhënies së përgjegjësisë për shpërdorime të mëdha materiale është shndërruar në traditë në këtë ministri! Dhe , tash tradita vazhdon! Disa ministra të kësaj qeverie në fakt janë bedelë të disa politikanëve që nuk kanë pasur mundësi të fitojnë poste ministrore prandaj këta i përdorin si desh dhe dele.
Disa deputetë , sidomos të LDK-së, u bënë parimorë vetëm pasi nuk u zgjodhën ministra dhe këtu qëndron josinqeriteti i tyre! Përralla janë pohimet se nuk e paskan votuar qeverinë dhe kryesinë e Kuvendit pasi ajo qenka kriminale.
Kështu deklaroi edhe kandidati i pafatë për kryeministër nga koalicioni VLAN , Ian Cliff. Ai tha se qenkan bërë bashkë SHIK-u dhe mafia e ndërtimit e LDK-së ndërkaq që nuk i pengonte kur angazhohej me përkushtim të paparë për një qeveri midis mafias së ndërtimit të LDK-së dhe një dyzine të mafias multidisiplinare , para se të formohej kjo qeveri!
Mehedin Përgjegjaj me emrin artistik MEDA, është këngëtar shumë i popullarizuar i muzikës tallava dhe nga ky angazhim fiton shumë para të cilat nuk i mbanë vetëm për vete. Është humanist sepse ndihmon skamnorët duke u ndërtuar shtëpi , duke kontribuar në shërimin e tyre dhe, gjithashtu investon në zhvillimin e sportit duke drejtuar një ekip futbolli.
Ndonëse nuk jam aspak adhurues i muzikës tallava gjithashtu jam kundër politikanëve tralala! Meda , me potencën e zërit ndezë pasionet te ata që e dëgjojnë sikur që e ngritë adrenalinën afër shkallës më të lartë!
Politikanët tanë fitojnë shumë nga profesioni i tyre dhe tërë fitimin e mbajnë për veten e tyre. Jo që nuk i ndihmojnë të varfërit por në kurriz të tyre edhe pasurohen! Janë të zhveshur nga humanizmi në çdo pikëpamje!
Nuk e dinë fare çka është adrenalina prandaj nuk mund të mbahen përgjegjës për ngritje apo rënie të saj. Nga pasioni e marrin vetëm parashtesën pas të cilës i shtojnë prapashtesn ëuria dhe krijojnë një fjalë të re dhe një gjendje të re , pasuria! Janë të prirur të krijojnë situata depresive dhe impotencën e kanë synim.
Pas bërjes publike të emrave për ministra më kapi paniku kur e lexova emrin e Skender Hysenit. Po të bëhej ministër për kulturë apo bujqësi do ta përballoja më lehtë. Por
por, por ..ministër për punë të brendshme nuk do ta imagjinoja as në horror kombinimet. Dhe këtu ishte burimi i shqetësimit tim!
Puna e parë që e bëra i rilexova të gjitha shkrimet që i kisha bërë për të! Duke kërkuar rrethana lehtësuese për pozitën time! Falë Zotit dhe për fatin tim të mirë gjeta shkrime pozitive për ministrin e ardhshëm për punë të brendshme.! Fat, fat, fat dhe fat!
Meqë nuk jam njeri që të sotmen e sidomos të ardhmën e ndërton nga e kaluara , ndërmorra veprime të menjëhershme që të jem më i afërt me ministrin e ardhshëm të stupcit dhe të hurit!
Prandaj, deri sa ministrave nga radhët e LDK-së , Zharku , Rrahmani dhe Abrashi ua urova postin me gjysmë zëri si të ishim në një mbledhje komemorative , ministrit Skender Hyseni i urova postin tri herë radhazi me një zë që do të më kishte lakmi edhe i ndjeri Luçano Pavaroti! Kam shumë dëshmitarë për këtë , madje edhe nga kori diplomatik.
Me dëshirë të madhe do ta përqafoja sepse kështu krijohet një afërsi më e madhe por teknikisht ishte e pamundur sepse duhet të hidhesha mbi trupat e disa përfaqësuesve të ambasadave të huaja, meshkuj dhe femra dhe kjo nuk shkonte.
Megjithatë, besoj shumë se rrezikun e parë e kam përballuar me sukses dhe në fund të fundit unë dhe Skenda jemi vendas dhe kemi luajtur bashkë si fëmijë prandaj nuk na ka hije që në këtë moshë të bëjmë ndonjë veprim që do ta binte në pikëpyetje fëmijërinë tonë të lumtur!
Më bëri përshtypje agresiviteti i një deputeti që ka mungesë të theksuar të integritetit dhe këtë mungesë e kompenson duke akuzuar të tjerët për krime politike!
Kjo është përpjekje falso për ndërtimin e një karizme duke u thirrur në meritat e një të afërmi të tij që ka qenë oficer i KOS-it ( Kontra Obaveshtajna Slluzhba ) apo Shërbimi Kundër Informativ i ish Ushtrisë jugosllave kontributi i të cilit ka qenë arrestimi , marrja në pyetje dhe torturimi i ushtarëve shqiptarë në këtë armatë pas së cilave janë dënuar me shumë vite burg. Unë, jam dënuar 12 vjet burg nga Gjykata
Ushtarake dhe këto procese kundër shqiptarëve i kanë udhëhequr oficerët e KOS-it jugosllav pjesë aktive ka qenë edhe i afërmi i këtij deputeti që i akuzon të tjerët për vrasje. Unë kam dokument për dënimin tim ndërsa ai nuk ka dëshmi për akuzat e tija. Kur të dojë, mund ti përballim faktet!
Madje, unë dhe shumë ushtarë të tjerë shqiptarë që jemi dënuar me burgje të gjata jemi ndarë mirë krahasuar me qindra ushtarë shqiptarë të vetvrarë që u janë kthyer familjeve të tyre në arkivole të blinduara. Edhe këtu oficerët shqiptarë të KOS-it jugosllav e kanë luajtur rolin e tyre prej kriminelësh!
Opozita në Kuvendin e Kosovës thuaja tërë diskutimet e tyre i përqëndruan në fyerje, etiketime dhe akuza të cilat do të duhej ti drejtonin Prokurorisë së Shtetit. Më së paku folën për rezymenë e programit qeveritar ndonëse kishin çka të thonin.
Mendoj se opozita duhet të jetë shumë më e butë nëse donë ta ketë përkrahjen më të gjërë të qytetarëve. Dhe të bëjë përpjekje ti integrojë në radhat e saj të pakënaqurit e LDK-së nëse këta në ndërkohë nuk do të shndërrohen në të kënaqur e unë besoj se do të ndodhë pikërisht kjo!
Pastaj, një numër i atyre nga opozita që shanin dhe fyenin dhe që akuzonin të tjerët për korrupcion dhe krim, nuk janë aspak më të mirë , më të moralshëm dhe më të besueshëm se këta që janë në pushtet. E kanë një të kaluar të cilën po e përjetojnë edhe sot këtë të kaluar jo shumë të lavdishme!
Mirë është të heshtin sepse mund të ndodhë që do të tremben nga pordhët që vet i bëjnë! Le ta përcjellin punën e qeverisë dhe nëse këta punojnë mirë atëherë le të bëhen opozitë konstruktive. Nëse jo, atëherë lehtë do ta shembin këtë qeveri dhe nuk do të jenë të vetëm! !
Përparimi i demokracisë në Afganistan : Për herë të parë në historinë e re të Afganistanit , Talibanët organizuan zgjedhjet e para demokratike pas së cilave u formua Mexhlisi ( Kuvendi ) i Ri. Qeveria kishte gjithsej 21 ministri dhe në krye të saj erdhi Ajatollah Isain al Moustafi.
Mirëpo, befasia më e madhe isht që në kabinetin qeveritar u zgjodhën edhe dy ministre , Hykmet el Bayrami dhe Medet el Tahriri. Krejt ky proces nisi dhe përfundoi në praninë e miqve ndërkombëtarë.
Një mik imi që nuk është shumë politik e as gjeografik më tha se diçka po i duket krejt sikur të ishte kjo ngjarje në Kosovë. Unë e them që mund të jetë koincidencë e rastit mirëpo nuk e përjashtoj që edhe mund të jetë jo edhe vetëm ngjashmëri e çastit!
Diçka për titullin : As që e vë në dyshim se Ivica Daçiq mund të bëhet kryeministër i Kosovës sepse në këtë rast këtë do ta shtroja në formë pyetjeje : A do të bëhet Ivica Daçiq kryeministër i Kosovës? Ai ka shtetësi kosovare dhe ka lindur në Prizren që nënkupton se është bashkëqytetar i idolit tim në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berishës!
Pastaj , krahasuar me një fiqfiriq siç është Aleksandar Jabllanoviq, Ivica Daçiq ësht si Ajzenhaueri! Për Jabllanoviqin! Duket se pas këtyre zhvillimeve opozita , disa deputetë të pakënaqur dhe e pranoj se në mesin e tyre jam edhe unë , kemi fituar Të Trashët e Surlës ose për të emncipuarti, e kemi arritur fitoren e Pirros.
Në tërë këtë fatkeqësi është edhe një fat sepse shpërblimi Të Trashët e Surlës nuk është vetëm një fitore simbolike por është fitore që ndjehet dhe është e prekshme.
Prandaj, pas fuqizimit politik të Jabllanoviqit dhe , nuk mund as ta paramendoj , mosgatishmërisë së ministrit për punë të brendshme ta harrojë të kaluarën duke punuar së bashku për një të sotme më të mirë si parakusht për ndërtimin e një të ardhme të ndritur dhe të shkëlqyer , nuk më mbesin shumë mundësi përveç se me autobusin Adio Tours, në linjën od Dragasha do Horgosha (te Subotica) të shkoj në Hungari. Sikur të gjithë shqiptarët!