Kumanova - e papritura e një situate të pritshme

Shkruar nga Faton Abdullahu
1) Krejt kjo që po ndodh në Maqedoni, konkretisht në Kumanovë, edhe sikur të jetë e determinuar nga një inskenim qeveritar i Shkupit për interesa të veta edhe sikur të jetë bërë nga grupe të armatosura nga Kosova, edhe sikur të jetë rezultat vetëm i grupeve me iniciativë nga shqiptarët në Kumanovë, edhe sikur të jetë bërë nga grupe me orientime fetare ekstreme, nuk do të mund të ndodhte, ashtu si ka ndodhur, me aq viktima, me aq tensionim, aq shpejtë dhe aq pa pritur, sikur në këtë shtet të mos ekzistonte për kohë të gjatë dhe në mënyrë të pandalshme pabarazia e shqiptarëve.
Pabarazia e shqiptarëve në këtë shtet është një nga problemet më të mëdha e më të ndjeshme në rajon dhe më gjerë, me potencial për të shpërthyer në konflikt pa mundësi për ta lokalizuar i cili gjithsesi nuk do të mbetet vetëm përbrenda kufijve të këtij shteti.
2) Mirëpo duket se kështu nuk është kuptuar kjo gjendje. Kështu, pra se kjo pabarazi e shqiptarëve është e madhe dhe aktive dhe për kohë të gjatë prezete, nuk është kuptuar as nga BE-ja, as nga NATO, as nga institucionet dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Ato më shumë duket se i brengos çështja e emrit të këtij shteti se sa pabarazia e shqiptarëve me maqedonasit në këtë vend.
Thjeshtë ka diskrapancë ndërmjet gjendjes ekzistuese në këtë shtet dhe reagimeve të të gjithë faktorëve relevant ndërkombëtarë që merren me barazinë etnike në vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkombëtarët nuk po e kuptojnë se pabarazia e shqiptarëve në këtë vend jo vetëm tërthorazi determinon që ky shtet të kthehet në shtet autokrat, lehtë të shantazhuar, me qeverisje antidemokratike për të gjithë.
3) Duket se ka edhe një diskrapancë tjetër jo të zakonshme në Maqedoni. Ajo strukturohet ndërmjet gjendjes reale të shqiptarëve në këtë vend dhe reagimit të tyre për ti kërkuar si dhe sa duhet dhe për ti jetësuar të drejtat e tyre të plota.
Vlerësuar nga këto (mos)reagime nuk mund të konstatohet se pabarazia e shqiptarëve është tejet e madhe, as skajshmërisht brengosëse.
Pse ndodh kjo? A kemi të bëjmë me pjekurinë e pamjaftueshme nacionale të shqiptarëve në Maqedoni për të reaguar konform shkeljes së barazisë së tyre, apo kemi të bëjmë me klane dhe interesa politike shqiptare atje që e amortizojnë këtë reagim institucionalisht. Apo kemi të bëjmë me që të dyja këto së bashku.
4) Krejt kjo që po ndodhë në Kumanovë është e mbështjell me një mister jo lehtë të shpjegueshëm.
Kush në të vërtetë kundër kujt po lufton aty? Nëse po luftojnë shqiptarët e pa kënaqur për gjendjen e tyre të pabarabartë, kjo do të thotë se kemi dështime të mëdha të vendorëve dhe ndërkombëtareve atje.
Nëse krejt ky është një inskenim nga qeveritarët apo luftë klanesh ndërmjet qeveritarëve, do të thotë se Maqedonia ka një qeveri e cila e ka sjell vendin në zgrip të ekzistencës.
Në të dyja variantet duket se Shkupi zyrtarë ka nevojë për ndihmë të madhe dhe urgjente nga BE-ja dhe NATO.
Mbase duhet që ky vend urgjentisht të vendoset në një lloj protektorati ndërkombëtar për të vendosur disa kallëpe të reja e përmbajtjesore për të ardhmen e këtij shteti.
5) Dy gjëra te këqija mund të ndodhin në vazhdim në Maqedoni, konkretisht në Kumanovë.
Të vazhdojnë vrasjet dhe plagosjet të mbështjell me misterin që nuk lë të kuptohet se çka po ndodh konkretisht dhe të harrohet kjo ngjarje shpejt thua se nuk ka ndodhur asgjë për të vazhduar jeta \"normalisht\".
E para do të ishte dëshmi se dy mundësitë tjera - realizimi i të drejtave përmes rrugës institucionale dhe realizimi i po këtyre të drejtave përmes protestave në rrugë o kanë dështuar o nuk janë shfrytëzuar si dhe sa duhet as edhe në kohën kur duhet.
E dyta do të ishte dëshmi se kemi të bëjmë me një gjendje të pashpresë gjë që do ta determinonte pajtimin me gjendjen normale me çrast pabarazia e shqiptarëve ndodhë, por reagimi ndaj kësaj gjendje nuk ndodhë apo së paku jo si duhet. Kthimi në këtë lloj normaliteti në Maqedoni mund të jetë vetëm akumulim i së keqes në heshtje që më pas mund të prodhoj prapë situata të befasishme si kjo e Kumanovës.
6) Në çfarëdo situate konflikti të armatosur në Maqedoni, nuk do të jetë numri i vogël i atyre që nga Shqipëria e sidomos Kosova do të involvohen vullnetarisht në grupe të armatosura që mund të luftojnë kundër Shkupit zyrtarë.
Por në çfarëdo situate konfliktuoze atje nuk mund të pritet që Tirana apo Prishtina zyrtare të involvohet më shumë se me deklarime e vlerësime për situatën në Maqedoni.
Bile do të ishte mirë që ato, pra Prishtina dhe Tirana zyrtare, së paku të mos deklarojnë e vlerësojnë me eufori nacionaliste, gjë që do ta bënin me qëllim për ta amortizuar opozitën përkatëse në vendet e tyre, e që mund të jetë vetëm nxitëse pa qëllim të menduar, por e rrejshme pa asgjë konkrete.
7) Përmbledhtazi mund të konstatohet se ngjarjet në Kumanovë për BE-n për NATO-n dhe për të gjitha organizatat dhe mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar të involvuar në këtë pjesë ët Evropës janë thirrje e fundit.
Thirrje urgjente se duhet vepruar disi dhe kjo disi duhet të jetë konkrete, shpresëdhënëse dhe përmbajtësore.
Reagimi i këtyre subjekteve mund të bëhet edhe me qëllim të parandalimit të korrupsionit dhe qeverisjes autokrate edhe me qëllim të zhvillimit ekonomik edhe me qëllim të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO edhe me qëllim të zgjidhjes së problemit të emrit, por mbi të gjitha e para se gjithash ky reagim duhet të bëhet me qëllim të përmasimit të planifikuar e afat shkurtë të gjendjes së pabarabartë nacionale dhe tjetër të shqiptarëve në ketë vend.
Përndryshe Kumanova mund të harrohet vetëm përkohësisht, ndërkohë që konkretisht do të harrohet nga kumanovat e tjera në këtë shtet i cili vazhdon me politika interne anti-evropiane.