06 Janar 2025

Ku është ndërgjegjja institucionale karshi gjinisë femërore të Deçanit

Shkruar nga Adem Lushaj

Edhe një 8 Marsi, apo siç njihet se “Dita e Nënave”, ditë me të cilën duhet krenuar të gjithë. Por mund të shtrojmë një pyetje për gjitha institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë vendore e mbi të gjitha ndërkombëtare.

Ku është ndërgjegjja institucionale edhe pas këtyre viteve. Ku janë Ata (kriminelët) që vranë, dhunuan, maltretuan, plaçkitën e çka jo tjetër ndaj nënave dhe motrave shqiptare.

Edhe pas kaq vitesh, kriminelët e Rastit të Belegut dhe rasteve tjera, anekënd Kosovës, shëtisin të lirë. Edhe pas kaq muajsh, asgjë për rastin e trupit të njomë të Donjetës (Pajazitaj)...A ju vret ndërgjegjja për nënat, motrat, bijat dhe bashkëshortët tona…

Nënat shqiptare ishin dhe mbesin krenaria e kombit, të cilat pos që lindën dhe rritën bijë dhe bija me të cilët krenohet historia jonë, ato ishin pjesë aktive e gjitha zhvillimeve e angazhimeve për liri dhe pavarësi të këtij populli.

Nëpër gjitha periudhat historike shqiptare, femrat shqiptare dëshmuan se janë çdoherë përkrahë gjinisë së kundërt, përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre, qoftë me penë, shpatë apo pushkë.

Një kontribut të tillë kanë dhënë dhe po japin edhe nënat dhe motrat deçanase, e të cilat ndjehen edhe të anashkaluar, në shumë ngjarje dhe shënime historike.

Edhe në luftën e fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës, (1998-99), nuk ishin të pakta ato femra deçanase që kishin rrok armët dhe mësy frontet e luftës, duke mos pasur trembje nga plumbi i armikut.

Kontributi i tyre, nuk ishte vetëm në rrokje të armëve për ta mbrojtur vendin e vet, por ishin ato që me duart e tyre, kishin ushqyer dhe kujdesur për dhjetëra mijëra ushtar, anekënd Kosovës.

Përkundër gjitha angazhimeve dhe vlerave të tyre, gjinia femërore në Deçan, nuk vlerësohet në nivelin e merituar, qoftë me dhënie të përgjegjësive në procese vendimmarrëse apo ekzekutive, po ashtu edhe në shënimin e ngjarjeve të ndryshme historike kombëtare, ku meritat e tyre anashkalohen apo vlerësohen në nivelin jo të duhur.

Një nga anashkalimet e kësaj gjinie është edhe çështja e marrjes së statusit të veteranit të luftës apo pjesëmarrjes në luftën për çlirim dhe pavarësim të Kosovës.

Po ashtu, anashkalimi i tyre bëhet edhe në emërimet që bëhen në pozita të rëndësishme vendimmarrëse dhe menaxhuese, ku mund të numërohen me gishtërinj numri i tyre në pozita të rëndësishme qeveritare.

Përfaqësimi i gjinisë femërore në institucionin komunal të vendimmarrjes është sipas kuotës gjinore të garantuar me Ligj, ndërsa përfaqësimi i tyre  në organet tjera është për keqardhje, kur dihet se kjo komunë ka veç një femër në pozitën e drejtoreshës së një Drejtorie Komunale (Drejtoria për Gjeodezi dhe kadastër).

Edhe në pozitat e vendimmarrëse, numri i përfaqësimit është i vogël, duke pas parasysh se në Komitetin më të rëndësishëm komunal, atë për Politikë dhe Financa, është vetëm një anëtare, nga shtatë që ka ky komitet.

Nuk duan lëmoshë e as kuotën e përqindjes, por barazi të plotë dhe marrje të përgjegjësive në raport me përbërjen e popullatës, qofshin ato legjislative apo ekzekutive.

Shpresojmë se “Specialja”, dhe institucionet tona përgjegjëse, do kthejnë besimin qytetar dhe gjithë ata që kryen krime ndaj femrës shqiptare, të marrin dënimin e merituar.

/Autori është drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” Deçan/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)