26 Dhjetor 2024

Kryetar dhe kryegënjeshtar

Shkruan: Rexhep QOSJA


Më 7 shkurt të këtij viti TV Kohavizion dhe TV Klan Kosova dhanë një deklaratë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilën, përpos të tjerash, thuhet se anëtari i Kryesisë së Jugosllavisë, Sinan Hasani “është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë në vitin 1983 (i rregullt më 1986), me vizën që i ka dhënë atëherë Seksioni i Gjuhës, i Letërsisë dhe i Arteve, me propozimin dhe me votimin e Rexhep Qosjes...”, ndërsa kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito “është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë më 26.12.1979 unanimisht, me aklamacion, madje në mbledhje që është mbajtur në Institutin Albanologjik (drejtor Rexhep Qosja), e ku merrnin pjesë politikanët XH. Nimani, M. Bakalli, D. Ristiq, M. Zvicer, B. Oruçi, M. Plakiqi, M. Mustafa”!


Nuk ka dyshim se në këtë deklaratë, të shkruar pak më mirë se ç’do ta shkruante një analfabet, i cili e di se anëtarët e akademive të shkencave dhe të arteve nuk zgjedhen me vizën e pasaportën që ia japin vetje a institucione po në sajë të propozimeve të institucioneve të caktuara shoqërore, kulturore, shkencore e, në disa raste, shtetërore, janë të përmbajtura dy rrena naive.


E para, kandidatët kosovarë për anëtar të Akademisë në atë kohë propozoheshin prej fakulteteve, prej instituteve shkencore dhe prej shoqatave të krijuesve - të shkrimtarëve, të piktorëve e skulptorëve, të kompozitorëve e jo prej vetjeve siç bëhet sot në Akademinë e Grupit të preshevarëve që tani e pesëmbëdhjetë vjet po e shpërdorojnë Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës si kryetar me nga dy mandate, si nënkryetar e sekretar të saj.

Kjo procedurë për propozimin e anëtarëve të ASHAK-ut vlente, prandaj, edhe për shkrimtarin Sinan Hasani. Unë që nuk isha kryetar apo anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve nuk kam pasur mundësi të marr pjesë në propozimin që Sinan Hasani të bëhet anëtar i Akademisë.

Po sikur Sinan Hasani të ishte propozuar anëtar i Akademisë nga Akademia mua në asnjë rast nuk do të më dhurohej privilegji propozues prej servilëve të provuar të Akademisë siç ishin Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha e ndonjë tjetër. Pas demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore në vitin 1981 unë, për shkak se nuk kisha pranuar t’i dënoja ato demonstrata, isha nxjerrë në Komisionin ndëshkues të Komitetit Krahinor, të Komitetit Komunal dhe të Konferencës Universitare të Lidhjes së Komunistëve bashkë me akademik Ali Hadrin dhe me profesor Fehmi Aganin. Pas trajtimit në këtë Komision inkuizicional Bashkësia Krahinore e Punës Shkencore, me kërkesën e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, mua dhe akademik Ali Hadrit na e kishte marrë të drejtën e financimit dhe të botimit të dorëshkrimeve në Akademinë e Shkencave e të Arteve, në Institutin Albanologjik apo në ndonjë shtëpi tjetër botuese. Qëndrimi i këtillë politik partiak ndaj meje (Ali Hadrit dhe Gazmend Zajmit – në rrethin e dytë të ashtuquajturit diferencim), ishte i mjaftueshëm që të mos më lejohej të propozoja për anëtar të Akademisë një funksionar të lartë krahinor dhe jugosllav siç ishte Sinan Hasani. E dyta, kandidatët për anëtarë nderi të Akademisë, sidomos kandidatët-figura shtetërore, siç ishte kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, mund të propozoheshin vetëm prej institucioneve më të larta siç ishin Kryesia e Kuvendit të Kosovës, Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve dhe rrogtaresha e tyre - Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Meqenëse unë nuk isha as në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, as në KK të LKK e as kryetar, nënkryetar a sekretar i përgjithshëm i ASHAK-ut, është e kuptueshme se mua nuk mund të më dhurohej privilegji ta caktoj vendin ku kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, do të shpallej anëtar nderi i Akademisë sonë. Jo, natyrisht. Për këtë arsye tingëllon aq naiv, aq qesharak dhe aq kleptomanik pohimi i Kryegënjeshtarit të ASHAK-ut, se mbledhja në të cilën, si e thotë ky gjysmanalfabet, kryetari Tito është pranuar edhe “unanimisht”, edhe “me aklamacion” kryetar nderi i ASHAK-ut, na qenka mbajtur në Institutin Albanologjik kur ishte drejtor Rexhep Qosja.

Me Këtë pohim Kryegënjeshtari i Akademisë do të donte të më rëndonte politikisht - thuajse Instituti ishte shtëpia ime private e jo institucion shoqëror për përdorimin e të cilit vendoste shteti e jo unë. Kryegënjeshtari shpirtlig nuk e thotë se në delegacionin që Titos do t’ia dorëzonte kartën e anëtarit të nderit të ASHAK-ut ishin akademikët Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja, Esad Mekuli, Vuk Filipoviqi dhe Gazmend Zajmi, por jo edhe drejtori i Institutit Albanologjik, Rexhep Qosja, i cili, po të pyetej, pashmangshëm do t’ua lëshonte sallën e Institutit jugosllavistëve tanë të përkushtuar në Akademi, Hajredin Hoxhës e Syrja Pupovcit me shokë, për shpalljen e kryetarit Tito doktor nderi i Akademisë sonë politike, atëherë dhe tani. Pse Kryesia e sotme e Akademisë i nënshkruan kaq lehtë intrigat, rrenat dhe denoncimet e Kryerrencit të saj tani kryetar i Akademisë?

Në vend se të merrem më tej me gënjeshtrat e sipërthëna të çerekintelektualit-kryetar i Akademisë, unë po i lejoj vetes t’ia bëj disa pyetje atij. Në vend se të gënjesh, të mashtrosh, të denoncosh dhe të detyrosh edhe Kryesinë e Akademisë të përlyhet me gënjeshtrat, mashtrimet dhe intrigat tua, vidhja pak nder - nder të përmbysur prej teje e grupit tënd, Akademisë dhe përgjigju në këto pyetje që mund t’i dëgjosh edhe prej një vargu intelektualësh në Prishtinë. 1. Çka e këshilloje vëllanë tënd - gjykatës, i cili merrej me trajtimin gjyqësor të organizuesve dhe pjesëmarrësve në demonstratat e vitit 1981? E këshilloje t’i dënonte sadopak më lehtë a sado shumë më rëndë ata djem? 2. Cili prej treshit tuaj, pas demonstratave në mars e prill 1981 ishte bërë sekretar i organizatës themelore të Lidhjes së Komunistëve të Degës në të cilën punonte në Fakultetin Filozofik dhe kishte paraqitur referatin në mbledhjen e kësaj organizate në të cilin demonstratat e rinisë sonë studentore dhe shkollore i kishte dënuar si nacionaliste, irredentiste dhe kontarevolucionare, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë? 3. Sa herë, 3,5,7,9 a nëntëmbëdhjetë herë, në mbledhjet e organizatës themelore të Lidhjes komuniste në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në të cilat deklaroheshe përtokas, demonstratat e rinisë sonë studentore e shkollore i kishe quajtur ti e jo unë armiqësore, kontrarevolucionare, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit, barazisë së kombeve e kombësive, vetëqeverisje socialiste dhe tërësisë territoriale të Jugosllavisë? 4. Cili anëtar i Akademisë, i pranuar në të në sajë të kritereve neostaliniste, Ibrahim Rugova apo kryetari i ardhshëm i LDK-së e kishte bërë prezantimin letrar e politik, krahinor dhe federativ, të Sinan Hasanit në Takimet e Shkrimtarëve në Mal të Zi? 5. Cili anëtar i Akademisë, ti apo ndonjë shok i yti në Akademi, e kishte shkruar artikullin revolucionar për Sinan Hasanin mbasi iu kishte dhënë atij Çmimi më i lartë në Jugosllavi -Çmimi i Avnojit? 6. Cilët anëtarë të Akademisë, bashkë me Ibrahim Rugovën, kishin paraqitur kumtesa në sesionin e quajtur shkencor për Titon, të mbajtur jo në Institutin Albanologjik, por në Akademinë tuaj politike? Pse e quan të nevojshme t’i bëjë publike këto gënjeshtra ASHAK-u? Natyrisht për të arsyetuar heshtjen për korrupsionin politik e financiar në të paligjshmëritë në të, privatizimin partiak LDK-ist të saj, ndotësitë partiake në zgjedhjet e anëtarëve të rinj e disa turpëri profesionale që po heshten në të. E të tjera. E të tjera. Herën tjetër, ndoshta edhe prej disa të tjerëve, do t’i bëhen edhe pyetje të tjera Kryegënjeshtarit të Akademisë, tani kryetar i saj, që fyen jo vetëm mua, po edhe kulturën e shkrimit dhe nivelin e studimeve shkencore e profesionale në të.(Gazeta EPOKA E RE)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)