Kryeministër i Kosovës me duar në xhepa
Isa Mustafa, kryetar i Prishtinës 1984-1988, pjesë e kabinetit të Rrahman Morinës, ministër i Financave dhe Ekonomisë në qeverinë Bukoshi 1991-1998 dhe 2007-2014 kryetar Prishtinës. Këto janë disa nga funksionet më të rëndësishme të Isa Mustafës, kryetar aktual i LDK-së, i zgjedhur në vitin 2010.
Para ca ditësh LDK-ja nominoi Isa Mustafën për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e sivjetme parlamentare.
Çudi! Ndoshta nuk është çudi! Kur dihet se ku po jetojmë, sepse shitet një gjë e tillë. Shitet !!!
Njeriu që në zgjedhjet e fundit lokale e humbi Prishtinën kandidon për kryeministër. E humbi atë me duar në xhepa. Tani po do ti fitojë zgjedhjet parlamentare me duar në xhepa, sepse ende po shëtitet me duar në xhepa.
LDK, e plakur, në mungesë të alternativave të tjera, është dashur ta propozojë një njeri si Isa. Isa tashmë është i harxhuar politikisht. Isa është i degraduar politikisht, por edhe moralisht. Ai që e kupton politikën. Ai që e di se çështë morali.
Isa është dashur të japë dorëheqje dhe ti mos i dëgjohej zëri në politikë. Për disa arsye:
a) as për së afërmi nuk e qeverisi siç duhet Prishtinën,
b) Prishtina u degradua në kohën tij;
c) ai e mbante pozitën e kryetarit të Prishtinës dhe të mësimdhënësit në UP, gjë që veproi në kundërshtim me ligjin.
d) Djali i tij në zgjedhjet e fundit komunale e kërcënoi gjimnazistin e gjimnazit Sami Frashëri dhe familjen e tij, sipas medieve elektronike dhe të shkruara.
Për të gjitha këto është dashur që ai të japë dorëheqje, por ai nuk dha dorëheqje. Ku është morali këtu?! Isa veproi njëjtë sikurse strukturat më të larta të PDK-së, të cilat aktualisht e kanë pushtetin qendror.
Isa nuk tregoi se është demokrat. Isa nuk dallon nga strukturat e PDK-së, të cilat, pas shumë skandaleve, askush nuk dhanë dorëheqje.
Isa së paku është dashur të japë dorëheqje me rastin kur djali i tij shkaktoi incident në zgjedhjet lokale. Dorëheqja e tij do të tregonte se Isa është demokrat. Se Isa i shërben demokracisë. Se Isa dallon nga të tjerët.
Se Isa do të ishte shembull për demokracinë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse Isa nuk është demokrat, prandaj mbetet shembull i keq për demokracinë dhe njëri i devotshëm kundër demokracisë.
Shtrohet pyetja sa ka demokraci brendapërbrenda LDK-së derisa e propozojnë një njeri të tillë për kryeministër? Unë mendoj se demokracia në këtë subjekt politik është zero. Ajo është e okupuar nga njerëz me mendësi politike jodemokratike.
Humbja e Prishtinës, keqqeverisja e Prishtinës, skandali i djalit të tij dhe mosreformimi i LDK-së, ia dhanë rastin ish-kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, të bëjë kritika kundër Isës, njëkohësisht të pretendojë për të parin e LDK-së.
Por, as Fatmir Sejdiu nuk e meriton të merret me politikë aktive, duke pasur parasysh që është shkarkuar nga posti kryetari i Kosovës për shkak se ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke i mbajtur dy pozita në të njëjtën kohë, gjë që doli të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Njerëz të tillë nuk i duhen Kosovës.
Është mirë të dihet një gjë, se Isa nuk ka qenë faktor, i cili ka ndikuar që LDK-ja ti fitojë disa komuna në zgjedhjet lokale. Komunat janë fituar sepse qytetarët kanë dëshiruar ndryshim dhe në mungesë të alternativave të tjera, ata votuan LDK-në. Ata e votuan LDK-në sepse kanë menduar se kështu më së miri i hakmerren keqqeverisjes së PDK-së dhe AAK-së.
Qytetarët aty ka kanë pasur alternativë ndryshe votuan ndryshe. Ata nuk e votuan LDK-në. Në Prishtinë ata votuan Vetëvendosje!-n3. Qytetarët nuk e votuan Isën, sepse e qeverisi shumë keq Prishtinën.
Ky është shembulli më i mirë se Isa lëre që nuk ka pasur ndikim në komunat e tjera, por ndikimin e ka humbur edhe në Prishtinë. Aty ku mendonte se do të fitonte me duar në xhepa. Aty ka humbur dhe ka mbetur me duar në xhepa.
Dhe, në një situatë të tillë, LDK-ja ia propozon popullit, Isa Mustafën, për kryeministër të Kosovës. Ia imponon një njeri që mallkoi qytetarët e Gollapit me fjalinë Zoti ju marroftë nëse nuk më votoni!. Ky është Isa. Ai nuk mund të jetë ndryshe. Ai nuk ka ndryshuar për dy muaj.
Ky është Isa me duar në xhepa. Isa me duar në xhepa kandidohet për kryeministër të Kosovës. Absurde, absolutisht absurde. Kjo është demokracia e LDK-së. Kjo është mendësia e vërtetë e LDK-së. Kjo është fytyra e vërtetë e LDK-së. Kjo fytyrë aspak nuk dallon nga fytyra e PDK-së. Pra, LDK-ja dhe PDK-ja janë një kokë, me një fytyrë të njëjtë.
Shtrohet pyetja se LDK-ja a mund ta ndryshojë gjendjen aktuale politike dhe socio-ekonomike të Kosovës kur nuk dallon nga PDK-ja? Jo. Nuk pres kjo gjysmëfytyrë e një koke të lartcekur, edhe nëse e merr pushtetin, ta ndryshojë gjendjen aktuale të krijuar në Kosovë.
Kësaj LDK-je i mungon intelekti. LDK-ja ka njerëz që do ta ndryshonin mendësinë politike të saj, do ta reformonin atë, por njerëzit e tillë nuk mund të vijnë në shprehje, sepse ajo është e uzurpuar dhe okupuar nga fosilet e saj.
Unë mendoj se Isa Mustafa nuk është i denjë të udhëheqë, sepse nuk ka fuqi politike dhe morale ta bëjë një gjë të tillë. Kosova nën udhëheqjen e tij do të stagnonte, bile do të thellohej edhe më tej në krizë politike dhe socio-ekonomike.
Një LDK dhe njeri me një mendësi të tillë, tashmë nuk i duhet Kosovës. Kosova ka nevojë urgjentisht në këto zgjedhje ta ndërrojë pushtetin. Por, jo ta zëvendësojë atë me një pushtet me një fytyrë të njëjtë sikurse pushteti aktual.