25 Dhjetor 2024

Kryeheroi - epoka e të cilit nuk përfundon kurrë!

Shkruar nga Gani Qarri

Nëse mund të thuhet për një udhëheqës të një populli se ai vërtetë ishte personalitet më i madh historik i tij, atëherë hero i të gjitha kohëve që nuk u përsërit më asnjëherë,sidomos për kombin tonë, padyshim ishte dhe mbeti vetëm Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Tash e sa javë, flitet e shkruhet gjithandej, se në shenj të 550 vjetorit të shkuarjes së heroit në amshim, ky vit, do të jetë viti i tij, vit i Skënderbeut, e në realitet ai nuk ishte emër-kujtim, vetëm i një viti, por kryehero i kthyer në mit përjetësie dhe legjendë epoke që nuk njeh fund kurrë!

Skënderbeu bashkë me princin hungarez të Transilvanisë Janosh Huniadin, ata ishin armiqtë më të frikshëm të pushtuesve osmanli, të cilët për gjallje të këtyre dy heronjve, nuk arritën kurrë ta pushtonin Evropën deri në Vjenë as arrinin atje ku ëndërronin.

Heroi ynë, me ushtrinë e tij të vogël, për 25 vite me radhë, u kthye në plagën më të dhembshme të hegjemonisë turko-aziatike dhe doli çdo herë fitimtar kundër një ushtrie aq të madhe të një perandorie të pafund, si ajo e sulltanëve anadollak.

Prijës dhe ushtarak emblematik i cili edhe kur vdiq, u nderua e adhurua nga të gjithë, duke u shikuar me respekt edhe nga armiqtë e tij më të mëdhenj, për organizimin e pashembullt dhe trimëritë e pafund bashkë me ushtarët e vet, të cilët i mësoi të jenë gjithmonë besnik ndaj atdheut e të gatshëm të flijoheshin për tokat e të parëve dhe lirinë e vendit të vet.

Gjergji i madh, i marrë peng nga Sulltani që fëmijë, u rrit e burrërua aq shpejtë dhe në të gjitha fushëbetejat tregoi zotësi aq të rralla, sa nuk mundi ti dëshmonte asnjë "nizam" tjetër në moshën e tij, ndaj kryetrimi i ardhshëm i Arbërisë dhe shpëtimtari i Evropës, u kthye në njërin nga pesë gjeneralët më të famshëm të botës, të cilin Sulltani për meritat e tij, e nderoi me titullin Skënderbe apo Aleksandri i madh.

Ai, jo vetëm se mbrojti me sukses tokën e të parëve për mese një çerek shekulli, por trasoi me vizion madhështor qysh në ato kohë, rrugën evropiane të shqiptarëve, duke i orientuar mrekullisht, bashkëkombësit e vet kudo, drejt perëndimit, vlerë të cilën pas 580 vitesh të kaluara nga shkuarja e tij në amshim, po mundohen me të gjitha mënyrat ta shkatërrojnë dhe zëvendësojnë me turko-osmanizma mesjetar, një numër i madh i imamëve të shitur.

Kryeheroi ynë kombëtar mendohet se erdhi në jetë më 6 maj të vitit 1405, si djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe Vojsava Tribaldit-Kastriotit, në Mat të Shqipërisë.

Aso kohe, si shumica e vendeve të Ballkanit, ishte pushtuar edhe Shqipëria, nga Perandoria Osmane, ndaj princërve shqiptar u merreshin djemtë peng që në rini, për ti dërguar në Anadoll dhe përgatitur për nizam të Sulltanit.

Kështu do të veprohej edhe ndaj Gjon Kastriotit, pas thyerjes nga ushtria e Sulltan Muratit dhe kufizimit të domeneve të tij, vetëm në Krujë, ndaj në vitin 1421, do ti  merrej peng edhe Gjergji i vogël, i cili me zotësitë e treguara, u zgjodh në mesin e "nizamëve" më të mirë, vendos në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë dhe dërgua shkollën elite e cila asokohe përgatiste komandantë ushtarak dhe nëpunës shtetëror për Perandorinë.

Gjatë shkollimit, shkathtësi më të mëdha, Gjergji tregoi në artin luftarak, kështu që pa kaluar shumë kohë, ai u ngarkua me detyra ushtarake, në Ballkan dhe Azinë e Vogël, ku u dallua për aftësi dhe trimëri mbi komandantët tjerë, ndaj dhe fitoi titullin "Skënderbe", që ka kuptimin e një princi a fisniku të lart ushtarak të kohës, si Aleksandri i Madh, i cili sipas shumë shënimeve historike edhe ai ishte me origjinë pellazgo-ilire. 

Sukseset që tregonte dhe nderimi me titullin më të lartë nga Sulltani, e mbushën shpresë kryheroin tonë, se pas vdekjes së të atit Gjon Kastriotit, Skënderbeu do të dërgohej në Shqipëri dhe emërohej sanxhakbej, në atdheun e tij.

Por përkundër ëndrrës së pashuar që në një apo mënyrën tjetër, herëdokur ai të kthehet sërish në tokat shqiptare, Sulltani e emëroi Skënderbeun, sanxhakbej, në vende të huaja dhe larg trojeve të të parëve të tij.

Megjithatë, kryheroi ynë vazhdoi zgjerimin e eksperiencës udhëheqëse dhe luftarake duke dalë fitimtar kudo që dërgohej nga Perandoria, pa harruar asnjë herë vendin e të parëve dhe kthimin në fronin e të atit në Shqipëri.

Kishin kaluar mbi 22-3, vite që kur Skënderbeu ishte marrë peng nga turqit,kur Sulltan Murati i II, përveç sundimit të vendeve të Ballkanit, planifikonte të pushtonte edhe Hungarinë. 

Ndaj pas dështimeve të njëpasnjëshme në vitet 1421 dhe 1422, të bejlerbeut të mëparshëm të  Rumelisë Shehabedin Pasha, Sulltan Murati i II, zëvendësoi atë me Kasëm Pashën, dhe nisi për herë të tretë ushtrinë osmane nën komandën e tij, në luftë kundër prijësit të shquar hungarez të Transilvanisë Janosh Huniadit.

Sipas Joseph Freiherr von Hammer-Purgstall (1774-1856) pionier i orientalistikës ,përkthyes e diplomat dhe orientalist austriak, ushtria osmane këtë radhë ishte sistemuar në tri kolona.

Kolonën e parë e udhëhiqte Isak Beu, të dytën do duhej ta ketë udhëhequr Skënderbeu si një nga komandantët më të zotët që kishte Sulltani, por ndoshta nga shkaku i kthimit të tij kundër Sulltanit, nuk përmendet emri i heroit tonë kombëtar si komandantë, ndërsa kolonën e tretë, thuhet se e udhëhoqi Turhan Beu.

Dhe, më 3 nëntor të vitit 1443, të dy ushtritë, sipas Joseph von Hammer Purgstallit, do të takoheshin në afërsi të Nishit, me ç`rast ushtria osmane në përballje me forcat e Janosh Huniadit, do të pësonte disfatë të thellë dhe merrte ikën me panik.

Fitores së Huniadit, me këtë rast, padyshim duhet ti ketë kontribuar shumë edhe tërheqja e Skënderbeut, ndaj që nga ajo betejë, ndërmjet Skënderbeut dhe Huniadit, vazhdoi miqësia e sinqertë deri në vdekjen e tyre.

Rastin e shpartallimit të ushtrisë osmane, Skënderbeu nuk mund ta linte ti ikte nga dora, kështu që pas thyerjes dhe ikjes në panik të forcave osmane të bejlerbeut të Rumelisë , ai bashkë me djalin e të vëllait Hamza Kastriotin dhe 300 kalorës të zgjedhur shqiptar, do ti binte mes përmes Kosovës, duke përshkuar qytetin e Prizrenit dhe të Tetovës, për të arritur në Dibër, prej nga do të nisej për në Krujë, për marrjen e fronit të të atit, rimëkëmbjen e principatës së Kastriotëve, krijimin e Mbretërisë së Shqiptarëve dhe Shtetit  të Arbërisë.

Posa arriti në Dibër, shqiptarët e pritën Skënderbeun si çlirimtar, ndaj duke vërejtur etjen e popullit të vet për liri, ai filloi që aty, organizimin e kryengritjes, duke siguruar së pari rrugët kryesore nga mund të depërtonin ushtritë osmane, forcoi kështjellat për mbrojtjen e vendit dhe vijoi me kalorësit e tij, për të çliruar sa më parë edhe Krujën.

Me këtë rast kryengritësit shqiptar, sipas porosisë së Skënderbeut bënë edhe meremetimin e të Kalasë së Prizrenit, qytet i cili bashkë me Pejën ishin pjesë e Principatës së Dukagjinasve.

Posa hyri në Krujë me kalorësit e vet, Skënderbeu detyroi udhëheqësin osman, ta nënshkruante vendimin (fermanin), për dorëzimin e Krujës, mori garnizonin e atyshëm dhe më 28 nëntor të vitit 1443,mbi kështjellën e qytetit ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare duke shpallur rimëkëmbjen e principatës së Kastriotëve.  

Me të dëgjuar për kthimin e Skënderbeut në Shqipëri dhe rimëkëmbjen e principatës së Kastriotëve, kryengritjes do ti bashkoheshin edhe feudalët e viseve të tjera të atdheut, kështu që vetëm gjatë muajit dhjetor të atij viti historik, Shqipëria e Mesme dhe ajo e Veriut do të çliroheshin dhe spastroheshin tërësisht nga forcat pushtuese osmane, duke marrë njërën pas tjetrës të gjitha kështjellat e trojeve arbërore.

Madje,çlirimin e tokave shqiptare, Skënderbeu kishte arritur ta qonte deri në Zveçan e Novobërd, duke forcuar e përgatitë për mbrojtje edhe kështjellat e këtyre dy qyteteve, të cilat sipas politikanit, diplomatit, historianit dhe sllavistit austriak me origjinë çeke nga Vjena e Austrisë, Konstantin Jozef Jeriçekut (1854-1918), udhëhiqeshin nga shqiptarët Pjetër Spani dhe i biri i tij Aleks Spani.

Kurse, sipas historianit Jahja Dranqolli, edhe ambasadori i Skëndebeut në Republikën e Venedikut, ishte pikërisht Gjergj Pelini, shqiptar nga Novobërda.

Për të siguruar bashkimin e më tejmë të princërve shqiptar dhe mbarëvajtjen e kryengritjes kombëtare, më 2 mars të vitit 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, kryeheroi ynë organizoi Kuvendin e Arbërit, të njohur si; "Liga e Princërve Shqiptar", "Beslidhja e Lezhës" dhe "Lidhja Shqiptare e Lezhës", kurse prijës i padiskutueshëm i Lidhjes Shqiptare, njëzëri u zgjodh Skënderbeu.

Skënderbeu në luftë me Venedikun

Si një nga shtetet më të fuqishme detare dhe tregtare të kohës,në tërë pellgun e Mesdheut, Republika e Venedikut, përveç Durrësit e Shëngjinit dhe disa pjesëve tjera bregdetare, rreth një vit pas kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, kishte shfrytëzuar rastin e vdekjes së sundimtarit të kështjellës së Dejës Lekë Zaharisë dhe në shtator të vitit 1444, pushtoi Dejën dhe Shasin, duke i krijuar probleme të mëdha ekonomike dhe politike Skënderbeut për konsolidimin e shtetit, rrugët dhe kështjellat e të cilave kishin rol parësor për zhvillimin dhe mbrojtjen e vendit.

Por me gjithë kërkesën e Skënderbeut për dorëzimin e tyre, Venediku si aleat i ushtrisë osmane, i cili edhe mbështetej nga sulltanët, nuk pranoi dorëzimin e këtyre qyteteve.

Ndaj në nëntor të vitit 1447, Ushtria madhështore e Mbretit të Shqiptarëve-Skënderbeut, sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës, duke i mundur keq venecianët dhe mercenarët e tyre.

Gjatë mësymjes së ushtrisë së Skënderbeut, kundër forcave veneciane të udhëhequra nga Daniel Juriç Sebenqini, Gjergj Kastriotit iu bashkuan të gjithë shqiptarët vendor, kështu që më 23 korrik të vitit 1448, pas një viti luftimesh me Venedikun, Ushtria e Lidhjes Shqiptare, jo vetëm se mundi, por deklasoi tërësisht forcat venedikase, në Dejë, Drisht dhe Shkodër me rrethinë, duke arrit të çlironte edhe Tivarin.

Ndaj, Venediku pasi humbi luftën, shpalli shpërblim të lartë dhe një pension të përjetshëm, për cilindo që do të mund ta vriste Skënderbeun, udhëzoi diplomatët e vet shtetërorë, të përçanin Pal Dukagjinin me Skënderbeun dhe nxiti ushtrinë osmane për ti sulmuar shqiptarët dhe futur ata njëkohësisht në dy fronte lufte, gjë që osmanët edhe do ta bënin, duke pushtuar Sfetigradin, të cilin megjithatë nuk do të mund ta mbanin. 

Aleanca e Skënderbeut me Huniadin dhe tradhtia e Gjorgje Brankoviqit

Në muajt e fundit të vitit 1448,Janosh Huniadi, po përgatiste dëbimin e ushtrisë osmane edhe nga tokat Evropës së jugut, ndaj ai ishte marrë vesh me mikun e tij Skënderbeun, që forcat e tyre të bashkoheshin në afërsi të Fushë-Kosovës, për çuarjen përpara të aksioneve të përbashkëta luftarake.

Por megjithëse Skënderbeu bashkë me Pal e Nikollë Dukagjinin, po nguteshin tu bashkoheshin forcave të Huniadit, të cilat kishin thyer keq forcat pushtuese osmane në sulmet e 18 dhe 19 tetorit të vitit 1488,sipas kronistit raguzian Xhovani Resti(1668-1735),bashkimi i forcave të Skënderbeut me ato të Huniadit u pengua nga dhëndri serb i Sulltan Muratit II , Gjorgje Brankoviqi, dhe në marrëveshje me sulltanin, ai kishte bllokuar rrugëtimin e forcave shqiptare.

Këtë e vërteton edhe Marin Barleti, i cili në shkrimet e tij thotë se "Gjergj Vukoviqi" me pabesi bëri marrëveshje me babain e të shoqes, Sulltan Muratin II, ndaj mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet nga mund të kalonte Skënderbeu me kalorësit e vet, duke pamundësuar kështu përpjekjet e Skënderbeut për ti ardhë në ndihmë Huniadit ,kundër ushtrisë osmane. 

Martesa e Skënderbeut

Për të forcuar lidhjet me principata dhe princërit tjerë në vend, më 21 prill të vitit 1451, në një ceremoni solemne të organizuar në Manastirin e Ardenicës, në Kolonjë, Skënderbeu u martua me Donika Arianitin, të bijën e princit të Kaninës,(Vlorës së sotme) Gjergj Arianitit, principata e të cilit shtrihej nga Vlora deri përtej qytetit të alfabetit të gjuhës shqipe, Manastirit.

Një vit më vonë, do të vinte në jetë fëmija i parë dhe i vetëm i Skënderbeut, Gjoni, me emërtimin e të cilit, heroi  përtëriu emrin e të atit.

Pushtimi i Kosovës

Vetëm pas pushtimit të Kostandinopojës më 1453, Sulltan Mehmeti i II, mundi të grumbullonte forca të mjaftueshme, për të pushtuar edhe tokat e Kosovës, nga dora e Skënderbeut.

Osmanët, në sulmet e tyre, së pari pushtuan qytetet më të afërta me kufijtë e principatës serbe të dhëndrit të Sulltanit, Gjorgje Brankoviqit, si Novobërda të cilën pas një rrethimi një vjeçar mundën ta merrnin më 1 qershor të vitit 1455.

Pas kësaj ushtria e sulltanit depërtoi edhe në veri, duke pushtuar së pari Zveçanin e Trepçën, ndërsa Prizreni sipas Jozef Jeriqekut, u pushtua nga turqit më 21 qershor të vitit 1455. 

Vdekja e Heroit

Në janar të vitit 1468, gjatë zhvillimit të një Kuvendi ku ishin bashkuar të gjithë princërit shqiptar, të thirrur nga vet Skënderbeu, papritmas kryeheroi pëson keqësim të gjendjes shëndetësore dhe sëmuret rëndë. Kështu që me gjithë përpjekjet e mjekëve më të mirë që kishte, ai nuk mundi të shërohej më dhe vdiq i mbuluar me shumë lavdi, më 17 Janar të vitit 1468 në Lezhë.

Skënderbeu u varros me nderimet më të mëdha, në Kishën e Shën Kollit në Lezhë, duke humbur kështu shqiptarët prijësin e tyre më të madh të të gjitha kohëve, të cilët ai i udhëhoqi për 25 vjet rresht me shumë sukses, kundër njërës nga perandoritë më të mëdha të kohës.

Ceremonia e varrimit të kryeheroit, u bë me një madhështi të paparë dhe zhvillua sipas traditave të të parëve, trupi i të cilit u përcoll me vaj e gjëma të mëdha nga të gjithë ushtarët, princërit dhe kapedanët shqiptar. 

Kështu ndërroi jetë kryehero i papërsëritshëm i shqiptarëve, i cili me një ushtri të vogël por me efikasitet të madh, doli kurdoherë fitimar, kundër një superfuqie perandorake nga më të mëdhatë, duke mbajtur armikun në ankth të përhershëm dhe shndërruar në simbol të luftës për liri e pavarësi kombëtare.

Ushtarët e tij edhe pas vdekjes së Skënderbeut të frymëzar për gjallje të tij,u bënë rezistencë të fortë hordhive pushtuese turke, për 12 vjet me radhë, por më 1480 Shqipëria përfundimisht u pushtua nga Perandoria Turke. Ndaj e shoqja Donika bashkë me të birin Gjonin dhe një pjesë të princërve dhe parisë shqiptare u detyruan ta lënë përgjithmonë Shqipërinë dhe emigrojnë në Itali.

E, për fund, çfarë mund të thotë tjetër njeriu, për kryeheroin më të ndritshëm kombëtare emri i të cilit, mbeti përgjithmonë i dashur dhe e i pa harruar për shqiptarët edhe 580 vite pas vdekjes së tij, përveçse lumë populli ynë që e pati një hero si ai, atëherë, e mjerë ne, në duar të kujë ka mbetur kombi dhe atdheu ynë sot, duke uruar që Zoti i plotfuqishëm tu falë shqiptarëve edhe një trimi të tillë, në mënyrë që ai të na bashkoi të gjithëve edhe njëherë dhe kthej përfundimisht në rrugë të mbarë trojet tona në përgjithësi.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)