23 Dhjetor 2024

Kronikë e një krize të paralajmëruar

Shkruar nga Emanuel Demaj

Kur në dhjetor të  vitit të kaluar botova nje shkrim,i cili i referohej organizimit te Kuvendit dhe zhvillimeve në degën e LDK-së në Viti,që nga qarqet e kësaj partie proklamohej si kuvend i bashkimit të degëvë të LDK-se dhe LDD-së , me titull “Kuvend i bashkimit apo i regjenerimit te krizës” nje pjesë e nomenklaturës së kësaj dege por edhe disa miq,në mesin e tyre disa edhe anëtarë kryesie te degës së LDK-së,ma panë për të madhe duke më qortuar për kromatikën e errët të këtij shkrimi e sidomos parashikimin për rigjenerimin e krizës,duke e kualifikuar atë si parashikim tendencioz dhe ogurzi,edhe pse askush nuk ofronte fakte te kundërta dhe kundërargumente,pra nuk kontestohej objektiviteti i pasqyrimit të gjendjes në këtë degë,por për ta ishte e papranueshme dilema dhe skepticizmi për perspektivën e degës së LDK-së.

Zhvillimet e mëpastajme do të konfirmojnë parashikimet e atij shkrimi,duke e  kthyer optimizmi e rremë në zhgënjim edhe në mesin e militantëve fanatik të këtij subjekti.Cështja është se a mund të priteshin zhvillime pozitive dhe a do të mund të prodhonte progres një proces i manipuluar dhe një kuvend i kurdisur në bazë të një marrëveshje të tre katër individëve,në të cilën materializoheshin interesat e tyre personale.Pra cilat janë rezultatet? Dhe në cilën kahje janë orientuar zhvillimet brenda kësaj dege pas ketij kuvendi?

Ashtu edhe sic pritej kjo marrëveshje nuk mund të ishte një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate,por vetëm një instrument për blerjen e paqës momentale politike mes klaneve brenda degës gjatë kohës së mbajtjes së kuvendit,dhe se kjo marrëveshje ishte me afatë skadence,dhe kishte shërbyer vetëm për cimentimin e pozicioneve të këtyre individëve,sepse asnjë nga akterët e kësaj marrëveshje nuk e njeh dhe nuk thirret më në validitetin e kësaj marrëveshje.

Duke e shpallur këtë marrëveshje  inekzistente,do të krijojnë hapësirën dhe mundësinë për ripozicionimin e ri,me cka do të ndryshojnë dhe rriten ambiciet individuale e bashkë me këtë do të rriten edhe tensionet e brendshme duke e thelluar gjendjen e krizës brenda vet subjektit.

I tërë aktiviteti politik gjatë kësaj kohe është orientuar dhe koncentruar në ripozicionimin apo me mirë te thuhet ne fuqizimin e pozicioneve të ketyre akterëve karshi njëri tjetrit,duke pasivizuar në këtë mënyrë aktivitetin e mirëfilltë politik dhe duke e devalvuar dhe degraduar tejmase organizimin partiak,kanë bërë që imazhi i degës të zbehet në masë të konsiderueshme në vetë anëtarësinë e kësaj partie.I vetmi angazhim “politik” ekipor karshi lobimit brenda partisë për ripozicionime individuale,është pjesëmarrja në ceremonitë mortore apo organizimi i ndonje ceremonie për shënimin e ndonjë ngjarje apo përvjetori,apo sic do të shprehet me cinizëm njëri nga anëtarët e kryesisë së kësaj dege se jemi shndërruar në “parti per të pame dhe mledhime” si ilustrim për formë dhe modelin e aktivitetit dhe të organizimit të degës.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve dhe në përputhje me këtë model të organizimit,Kryesia e Degës në Viti do të organizojë tubimin për shënimin e 2 Korrikut,që më shumë ishte përpjekje për mobilizimin e anëtarësisë duke u thirrur dhe mëshehur prapa kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë sonë më të re,por që mënyra dhe niveli i organizimit ishte denigrues dhe devalvues për vet organizatorin e këtij tubimi.

Që kriza organizative të tejkalojë kufijtë e Degës ,përsëri u përkujdes vet lidershipi i partisë,z Isa Mustafa, ,i cili në vend që në nivel qendror të organizojë ndonjë aktivitet që me dinjitet do të shënonte këtë ngjarje e cila ishte një nga aktet themeltare të pavarsisë së Kosovës, ,bashkë  me suitën e tij do të zbarkojë në Viti, që ky tubim të dukej sa më “madhështor”.

Duke demonstruar publikisht mungesën e sensit dhe invencionit politik,do të shkojë aq larg sa në këtë tubim do të shpërndajë libreza partiake për “anëtarët e rinj”,duke simuluar kështu zgjerimin e anëtarësisë dhe duke e komprometuar dhe devalvuar vet organizimin  e këtij tubimi,dhe duke i dhënë dimension ideologjik e partiak një ngjarje të rëndësishme të historisë së shtetit të Kosovës,derisa në anën tjetër kryeministri I Kosovës dhe lideri i subjekti më të madh politik në Kosovë pikërisht me 2 korrik u kumtonte qytetarëve të Kosovës Vendimin e Bashkësisë ndërkombëtare për përfundimin e pavarsisë së mbikqyrur,dhe se me 2 korrik Kosova po bëhej shtet me pavarësi të plotë,duke i dhënë 2 korrikut dimension të ri politik dhe historik,duke demonstruar në këtë mënyrë përkushtimin e lartë në realizimin e objektivave dhe aspiratave shtetërore dhe duke manifestuar shkallën e lartë të përgjegjsisë në angazhimet politike dhe në trajtimin meritor të datave dhe ngjarjeve të rëndësushme të historisë më të re të Kosovës.                                                  

Se Kuvendi i përfolur nuk ishte Kuvend I bashkimit dhe unifikimi të këtyre dy subjekteve do të dëshmojë edhe fakti se grupi i këshilltarëvë të LDD-së do të vazhdojë aktivitetin dhe angazhimin e vet të pavarur në Kuvendin Komunal.

Shkalla e degradimit dhe devalvimit të degës së LDK-së në Viti e pasqyrohet edhe në sjelljet dhe veprimet e grupit të këshilltarëvë të LDK-së në Kuvendin komunal. Grup i cili jo vetëm që nuk ka bërë asnjë reagim,asnjë vëprim por që nuk është identifikuar as me ndonjë gjest të vetëm opozitar,duke u treguar inert ndaj të gjitha zhvillimeve politike e institucionale në Komunë.

Ai do të hesht dhe do të tregohet indiferent edhe në rastet kur anëtarët dhe kuadrot e LDK-së do të diferencohen dhe mënjanohen nga postet e caktuara ,ata do të tregohen krejtësisht apatik edhe kur bashkëpartiakët ose simpatizantët e tyre do të degradohen dhe diskriminohen.madje edhe duke u përjashtuar dhe larguar nga shërbimi civil i Komunës për shkak të aplikimit të kritereve ideologjike e partiake.

Se shkalla e e degradimit dhe devalvimit ka arritur në kufijt ekstrem më së miri e ilustron sjellja dhe veprimi i ketij grupi në seancën e fundit të kuvendit komunal ,kur ata pas “përforcimit” me tre këshilltar nga radhët e LDD-së,të cilën dukuri grupi i mbetur i këshilltarëve të LDD-së e cilësoi si trafikim apo “tuxharllëk politik”,do ti drejtohen Kryesuesit të Kuvendit Komunal me kërkesë ultimative që të ulen në ulëset e parapara për grupin e këshilltarëve të LDD-së ose do të braktisin senacën ,gjë që edhe e bënë pas refuzimit të kërkesës së tyre duke u larguar demonstrativisht dhe plotë arrogancë nga salla ku po zhvillohej seanca e Kuvendit Komunal,që në zhargonin juridik do të mund të cilësohëj si sjëllje devijante për motive të ulta.

Absurditeti i një veprimi të tillë destruktiv,nxiti edhe reagimin e keshilltarëve nga subjektet e tjera,sa njëri nga ta duke vlerësuar  sjelljet dhe veprimet e grupit të këshilltarëve të LDK-së,nga foltorja e kuvendit me nuanca ironike deklaroi se i ka rënë të dëgjojë dhe e ka të ditur se trafikimi i qenieve njerëzore ështe vepër penale,por si duket ata që kanë hartuar ligjet kanë qenë të kufizuar nga dija dhe të mangët për nga fantazia që në ligj të parashkruajnë kualifikimin dhe cilësimin për “trafikimin” dhe “tuxharllëkun politik”,si formë dhe model i ri i angazhimit politik,duke e cilësuar këtë si novatorizëm në politik.   
                   
Dhe krejt në fund,nuk është faji te parashikimi im i errët për perspektivën e zhvillimeve të degës së LDK-së në Viti, ,sepse të gjithë treguesit dhe indikatorët e gjendjes së zhvillimeve të brendshmë,që zanafillën e vet e kanë në Kuvendin e degës së këtij subjekti të vetproklamuar si Kuvend  të bashkimit,pasqyrojnë dhe manifestojnë gjendjen së krizës së vazhdueshme,dhe as nuk është kjo gjendje  pasojë e ndonjë orientimi aksidental të zhvillimeve por është modeli i  organizimit dhe menaxhimit të degës i cili është shndërruar në mekanizëm për ripërtëritjen e krizës së brendshme,sepse një process me plot defekte dhe i manipuluar skajshmërishtë nuk ka mund të prodhoj tjetër gjë përveq se krizë.                                                                                                                                       

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)